Një botim i ri folklorik: Në gjurmë të këngës dibrane


Nga HAJRI SHEHU

Libri është botuar nga shtëpia e mirënjohur botuese M&B, Tiranë, 2023. E ka përgatitur për botim Mirdash Shehu. Redaktore është Miranda Goleci.

Janë 320 këngë: këngë historike e këngë trimërie, këngë legjendare, këngë kurbeti e elegji, lirika e këngë fejese e dasme. Libri mbyllet me një fjalorth me fjalë nga të folmet krahinore, për t’i ardhur në ndihmë lexuesit.

Libri paraprihet nga një siparathënie, me titullin Dy fjalë për autorin nga Mirdash Shehu. Mirdashi është biri i profesor Munirit, muzikantit dhe folkloristit të shquar dibran. Por ai flet e shkruan pa qibër, pa kryelartësi për babanë. Ai spikat thukët jetën e jetëshkrimin e profesorit. Thënia lapidare e profesorit, “Nuk kërkoj vlerësim tjetër nga ju, (dua) të më vlerësoni vetëm shojet e këpucëve që kam grisur duke punuar për mbledhjen e këtij folklori” është një sintezë e karakterit të tij fisnik. Vetëm kaq ka thënë profesori, kur mund të kishte folur me zë të lartë për shumë më shumë se kaq. Pse, a thua ka sot kaq idealistë si profesor Muniri? Ndoshta, jo gjithkush e di sa e lodhshme është të gjurmosh një krijim popullor, të gjesh subjektin e duhur, ta regjistrosh ashtu siç e thotë ai etj. Profesor Muniri e ka bërë këtë punë që në vitin 1930. Ka kërkuar e ka mbledhur folklor, të paktën gjysmë shekulli. Është, vërtet për t’u vlerësuar shumë e shumë.

Brezi im i pedagogjikasve të Peshkopisë e kemi pasur mësues muzike profesor Munirin. Bëhet fjalë për vitet 1956-1960. E kemi vlerësuar shumë atëherë për integritetin e tij dhe seriozitetin, me të cilin na e zhvillonte lëndën e muzikës dhe mësimin e violinës. Dhe kemi mall për kabinetin e muzikës. Nga duart e profesor Munirit dolën violinistë të shquar – Nuredin Mazari (Peshkopi), Shefqet Doda (Burrel) e të tjerë. Dhe shumë të tjerë e mësuan muzikën te profesori për të qenë mësues në këtë a në atë fshat. Muzika ishte lëndë mësimore. Dhe për profesorin vjen mirënjohja e të gjithë nxënësve të shkollës pedagogjike të Peshkopisë. Te profesori vjen kujtimi i pashuar për tingujt e ëmbël të violinës së vetë profesorit, që na kënaqte e na gëzonte në raste të veçanta, edhe në atë kabinetin e vogël të muzikës në shkollë. Profesori, me grupin artistik të shkollës ka kënaqur e ka gëzuar edhe qytetin e Peshkopisë. Janë të paharruara koncertet që janë dhënë në sallën e kinemasë së Peshkopisë, këngët e kompozuara nga profesori – për Nazmi Rushitin, Hibe Palikuqin e dëshmorë të tjerë, vallet popullore të kënduara, të përpunuara nga profesor Muniri. Profesori i solli gjallërinë kulturore dhe artistike qytetit të Peshkopisë.

E kemi dashur dhe vlerësuar mësuesin si muziktar, por nuk e kemi pasë ditur atëherë që ishte shumë më shumë se kaq. Me fjalë shumë vlerësuese, i pari që më ka folur për profesorin si studiues, ka qenë mësues Sami Shehu. Pastaj kam lexuar 7 botimet e profesorit. Një ndër to është “Shteg më shteg e skutë më skutë”. Jam habitur me saktësinë e thënieve. Edhe më i habitur jam tani, me librin “Në gjurmë të këngës dibrane”, Tiranë, 2023. Edhe shënime e ditar të rregullt po të mbajë njeriu, vështirë se mund të jetë kaq i saktë. Libri ka 320 këngë. Përveç subjektit nga është marrë kënga, jepen poshtëshënime për kuptimin a përdorimin e fjalëve e të shprehjeve të caktuara popullore. Te këngët historike e të trimërisë ka shpjegime parahyrëse për ngjarjen, ndodhinë, momentin, personin etj., për të cilin këndohet  kënga dhe poshtëshënime për emra të tjerë që dalin si pjesëmarrës në ngjarje. Ngjarjet vijnë kronologjikisht, jo thjesht si kohë e si vite, por edhe si pjesë të vitit a të ditës. Personazhet vijnë e parakalojnë si në një revistë para paradës. Dhe kushdo, që do të dijë për ngjarje e personazhe të Dibrës, i ka të skalitura këtu. Kjo pjesë e librit është edhe një enciklopedi e vërtetë vitesh dhe ngjarjesh.

Mjaft shpesh, jepen edhe variantet e këngës sipas krahinave dhe të folmeve. Është një ndezëlli (zell) e skrupulozitet i një mbledhësi dhe studiuesi të afirmuar e të përkushtuar. Kësisoj, vërtetësohet edhe kënga, edhe ngjarja. Shih, p.sh., Kanga e Mahmut Dacit (2 variante), Kanga e Hajredin Pashës (6 variante) etj.

Një vend mjaft të madh në libër zënë këngët lirike – këngët e dashurisë, këngët e fejesës e të dasmës (138). Ka edhe elegji. Këto – me përmbajtje e fjalë që të murrëtejnë zemrën. Kurse këngët lirike – të dashurisë, të fejesës e të dasmës ta çelin zemrën me cilësime, krahasime poetike, epitete etj. për dy personazhe – për dy dashatarë: nusja e dhëndri. Dhe lexuesi mund të lumturohet me artin poetik popullor. Por jo veç me poetizmat. Edhe me rimën e përkryer. Edhe me bukurinë e melodisë së tyre.

E lamë si për në fund: E veçanta e botimit të profesor Munir Shehut janë notat muzikore për çdo këngë. Kështu kënga bëhet e këndueshme. Pa melodinë kënga lexohet, thjesht si tekst, si poezi. Me melodi bëhet këngë. Me melodi këndohet. Pa notat muzikore, siç thuhet edhe në siparathënie, puna do të ishte e paplotë. Profesor Muniri e ka të plotë punën e tij. Me ndezëlli ka gjurmuar e regjistruar edhe meloditë. Dhe kështu, kënga folklorike dibrane nuk do të bjerret asnjëherë.

Me siguri, folkloristët do ta analizojnë dhe vlerësojnë librin si profesionistë. Unë, si i gjuhës, dua të përveçoj dy vlera të tjera të librit.

Një vlerë e veçantë e librit është se na vë përpara një varg të folmesh të Dibrës. Ato janë pjesë e së tërës. E tëra është gjithë e folmja e Dibrës. Gjuhësisht, këngët na ndihmojnë për të përdalluar veçoritë e aksh të folmeje. Njëherësh, na ndihmojnë për të gjeografizuar vetë këngët. Kësisoj, ato janë një lëndë e vyer për dialektologun dhe folkloristin. Në disa këngë, gjuha na duket edhe si mbidialektore. Kjo ka shpjegimin e vet: Gjuha e këngës popullore rron te bartësit e së folmes. Prandaj çdo krijim gojor folklorik është edhe tekst i së folmes së dhënë. Por, po ta shohim çështjen më tej, na rezulton që gjatë shtegtimit të saj kënga (sidomos e sotmja) del ose mund të dalë tej kufijve të mjeteve gjuhësore të së folmes së truallit ku është krijuar, domethënë, fut në variantin e vet edhe mjete gjuhësore (fjalë, shprehje etj.) nga një burim tjetër. Kjo ndodh edhe për arsye të bashkëndikimit e të bashkëveprimit ndërmjet të folmeve. Edhe për arsye të veprimit të gjuhës standarde. E shpjeguar pak më thjeshtë: Përderisa kënga rron, është përherë në krijim të pandërprerë. Dhe aty ku « rikrijohet », merr elemente të së folmes. Dhe e mira është se kënga bëhet më e këndueshme. «Prishet punë» (sepse humbet autenticiteti (vërtetësia) i krijimit folklorik), nëse mbledhësi fut subjektivisht elemente « të huaja ».

Vlera tjetër e çmuar e librit është se na vë përpara edhe fjalë e shprehje, të ashtuquajtura «të rralla», të panjohura për gjuhën standarde. Mjaft prej tyre janë me vlerë letrare potenciale, domethënë, sjellin vlera pasuruese për standardin (shih, p.,sh., vetullhalë, vetulldrapën, sygozhdë, sygogël, fytyrërrjepur, kicavec: a t’ka ngucë ai kicavec / me ngjyrim kuptimor përçmues, dukakeq etj.). Nuk mund të ketë fjalor krahinor vetëm me të folmen e gjallë. Nuk mund të ketë fjalor krahinor pa gjuhën e folklorit. Atëherë, vepra e profesor Munirit shërben si burim autentik, shumë i besuar për fjalorin e së folmes së Dibrës. Me historitë që shpërfaqin këngët epike, me emrat e njerëzve pjesëmarrës në bëma të ndryshme, me emërvendet, me tërë ato veprimtari historiko-shoqërore në Dibër (shih, sidomos te këngët epike), me shpjegimet tekstologjike, me tërë kulturën popullore dibrane të dasmave e të gëzimeve etj., libri është shumë i vyer e shumë i këndshëm për të gjithë.