Peladhia – fshati magjik rrëzë Temlës, katund i arsimtarëve dhe trashëgimisë historike


Nga Adriatik Balla

Sot do t’u njohim me një fshat të veçantë, Peladhinë, që shtrihet në qarkun e Dibrës, në Bashkinë Bulqizë.

Peladhia është pjesë e njësisë administrative të Grykës së Madhe, njohur sot si Zerqani. Është një nga 13 fshatrat e kësaj njësie, pozicionuar në anën VP, në luginën e Zallit të Bulqizës dhe njësinë malore kufizuese në veri të saj.

Peladhia shtrihet nga ura e Qytetit në JP e deri në kufi me fshatin Godvi në lindje. Në jug kufizohet me Zallin e Bulqizës i cili e ndan atë nga fshatrat Valikardhë e Zerqan, kurse në perëndim e veri perëndim kufiri i këtij fshati ndjek kurrizin e malit të Temlës, që e ndan nga fshatrat Fushë-Bulqizë dhe Dushaj. Brenda këtyre kufinjve, Peladhia ka një spërfaqe 9.5 km katrore.

Fshati Peladhi shtrihet nga kuota më e ulët 545 m në zalli i Bulqizës në kufirin me Godvinë në lindje, e deri në 1702 m që është maja e malit të Temlës në perëndim. Territori i fshatit ka shtrirje gjatësore 3 km e gjerësi maksimale 4 km që nis nga zalli në fjalë e deri në qafën e Shesheve në kufirin ndarës (lugu i Peladhisë) mes malit të Temlës e Homeshit (të dy pjesë e njësisë së Arithit).

Administrativisht kufizohet në perëndim me Fushë-Bulqizën, në jugperëndim me Valikardhën, në jug me Zerqanin, në lindje me Godvinë dhe në veriun ekstrem me fshatin Bllacë.

Territori i katundit përfshin një gjeologji të pasur, sidomos sa i takon tektonikës, ndërsa litologjia përfaqësohet me shkëmbinj granitikë pranë gurrave të Peladhisë, karbonatikët e Triasit të sipërm e Jurës së poshtme që ndërtojnë malin e Temlës, pjesërisht terrigjenë neogjenikë si dhe depozitimeve kuaternare.

Vetë Fshati Peladhi shtrihet në dy lagje, Peladhi e Sipërme dhe Peladhi e Poshtme (regjistrimi austriak i vitit 1916, botuar me 1918, i jep mehalla e eperme dhe mehalla e poshtme, te dyja me 57 shtepi dhe 373 banore). Katundi i sipërm ka tipologjinë e një vendbanimi të grupuar dobët, me shtëpi të shpërndara, kurse Peladhia e Poshtme është një katund linear me shtrirje perëndim-lindje, gati 1.5 km përgjatë rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi e paralel me zallin e Bulqizës në jug të tij. Dy shekuj më parë më e zhvilluar ka qenë Peladhia e Sipërme, por pas vitit 1800 përqendrimi më i madh i popullsisë është në lagjen e poshtme, ku ndodhet edhe fondi kryesor i tokës bujqësore.

Emri i katundit lidhet me një ngjarje që ka rrjedhur ndër shekuj në gojëdhënën popullore. Gjatë epokës së artë skënderbejane, ushtarët skënderbegas hodhën në rrëkenë juglindore të Temlës, poshtë kalasë së Skënderbeut, tek Shkëmbi i Kullës, një pelë të dendur me grurë. Turqit që u afruan pranë vendit të ngjarjes panë një kafshë të plasur nga ushqimi i tepërt dhe pyetën “pelë apo dhi”. Truku skënderbegas ishte i tillë që krijonte tek armiqtë bindjen se kalaja edhe po të rrethohet nuk merret sepse ka ushqim të mjaftueshëm, aq sa plasin nga tepria edhe kafshët. Prej mesit të shekullit XV e deri më sot, gati 560 vjet, ky fshat ka të njëjtin emër.

Në lindje të fshatit ndodhen rrënojat e një vendbanimi, gjë që e jep edhe harta topografike, por ende nuk kemi të dhëna mbi moshën, përmasat dhe stadin e zhvillimit të tij.

Peladhia është fshat ku vetëm 1/3 e sipërfaqes është luginore, pjesa tjetër është malore e shprehur. Sektori luginor ku ndodhet Peladhia përbën zgjerimin e parë të madh në pjesën lindore të luginës së Bulqizës. E veçanta e luginës në Peladhi është asimetria strukturore e saj. Ku krahu verior në të majtë të zallit është disi i sheshtë dhe i kultivuar, por skaji tjetër i luginës ku kalon zalli lartësohet përnjëherë me shkallën strukturore Zerqan-Valikardhë, me diferencë 200-250 m më në lartësi. Pozita e Peladhisë është mjaft e favorshme, qoftë si vendbanim, por edhe për kushtet bujqësore që ofrohen. Bimësia natyrore është relativisht e pasur, ku vërehet një katëzim perfekt i saj. Rrjeti hidrografik përfaqësohet nga Zalli i Bulqizës që në këtë sektor ka meandrime të shumta, si dhe burimet karstike ku shquhen gurrat e Peladhisë në perëndim të katundit. Tokat janë kryesisht të kafenjta te tipit te kuqerremte, e pjesërisht aluvionale pranë zallit të Bulqizës.

Peladhia është një fshat mesatar në kuadër të njësisë administrative Zerqan. Për nga numri i popullsisë renditet pas Sopotit, Valikardhës, Strikçanit e Zerqanit. Numri i popullsisë së Peladhisë ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit, si pasojë e emigrimit masiv të rinisë. Në vitin 1997 ky fshat kishte 509 banorë. Në vitin 2001 ra në 446 banorë, në vitin 2007 ra në 388 banorë. U stabilizua në vitin 2011 me 426 banorë, por pas këtij viti ka rënë në më pak se 350 banorë.

Peladhia është fshat historik, me emër të madh në Dibër e më gjerë për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë epokës skënderbejane. Ky katund, u vu në ndihmë dhe dha kontribut të rëndësishëm krah Sheh Zerqanit në luftën e Drinit kundër Hajredin Pashës në vitin 1844. Peladhia do të goditej ashpër nga agresioni serb i vitit 1913 dhe shumë shtëpi të këtij fshati u dogjën. Masakra të rënda përjetoi ky katund gjatë viteve 1913-1921, por që i përballoi me shumë sakrificë. Kontribut të rëndësishëm Peladhia dha gjatë LANC-it, e radhitur me dinjitet në Ҫetën Partizane të Grykës së Madhe. Të shumtë janë dëshmorët nga ky fshat që kanë dhënë jetën në luftëra të ndryshme për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar.

Fiset kryesore që përbëjnë këtë katund janë Hysa, Kamberi, Plaku, Pata, Kala, Gjura, Rama, Alla, Deda, Dufi, Gjoka, Meta etj.

Peladhia ka një popullsi aktive me punëtorë të zellshëm por edhe një popullsi të arsimuar, e shquar në të gjithë Dibrën. Personalitetet e dala nga ky katund janë të shumtë, por këtu po përmendim disa prej tyre, si Ahmet Kamberin, ministër i shëndetësisë në vitet e fundit të diktaturës, gjuhëtarin e madh, profesorin Enver Hysa, si dhe i ndjeri Bujar Pata, ish-drejtues i minierës së Bulqizës.

Peladhia është fshat i arsimtarëve të shumtë, me kontribut të rëndësishëm në të gjithë Dibrën për përcjelljen e dijeve, përfshi këtu mësuesin tim të gjeografisë Hasan Gjura.

Ekonomia e katundit është e orientuar nga bujqësia e më pak blegtoria, e shumë më pak nga artizanati. Edhe pse në një luginë të ngushtë, Peladhia ka një fond të konsiderueshëm toke bujqësore që shkon mbi 100 hektarë, nga të cilat 70 hektarë mjaft prodhuese. Mes për mes fshatit kalon një kanal ujitës i ndërtuar mbi gjysmëshekulli më parë, e që vë në ujë mbi 200 hektarë tokë, gjë që ka sjellë një rritje të ndjeshme të prodhimeve të misrit, foragjereve dhe perimeve në këtë pjesë të luginës së zallit të Bulqizës. Nje pjese e rendesishme e krahut te punes ka punuar e punon ne minieren e kromit Bulqize.

Peladhia ka disa monumente natyrore e kulturore, shumicën e të cilëve i ndan me fshatrat e tjerë. Një i tillë është Shkëmbi i Kullës, pranë Urës së Qytetit, shpella pranë urës, shpella e zezë, kalaja e Skënderbeut në Shkëmbi i Qytetit, qarri i Peladhisë (në këtë foto të bërë nga unë më 31 maj 2005 me porosi të profesor Qiriazit), ura e vjetër e qytetit etj. Më herët ky fshat ka pasur një mulli uji. Ka një shkollë fillore dhe një rrjet rrugor relativisht të mirë.

Avantazhet e zhvillimit në perspektivë të Peladhisë lidhen me fondin e konsiderueshëm të tokës arë, mundësitë për të shtuar pemëtoret, për të rritur turizmin dhe aktivitetet e biznesit, pasi nëpër fshat kalon rruga e Arbrit, kjo arterie e rëndësishme rrugore që përshkon qarkun e Dibrës.

Nisur nga pozita gjeografike, e ardhmja e Peladhisë duket e begatë dhe e sigurt, madje shumë më e mirë sesa e Zerqanit që është qendër administrative.