Poezia e Canametit, një kambanë e shqetësimit njerëzor


Nga MEVLUD BUCI

Në vite e ngjarje të Matit, Bajrami ka qenë dhe do të mbetet kronikani i dritëlirisë. Vargjet e tij pasyrojnë jetën, vlerat atdhetare, kullat, njerëzit e mirësisë. Që në moshë të re, Bajrami është marrë me poezi. Krijimet e para i botoi në gazetat “Adriatiku”, “Zëri i Rinisë”, “Puna” në revistën “Nëntori”. Në vitin 1974 arriti të botojë një almanak me poezi dhe dramën “Vajza dhe pushka”. Pas viteve “90 ka punuar gazetar në gazetat “Atdheu”, “Liria” etj.

Poezia e Canametit të lë mbresa. Ajo shpërfaq mendimin me fjalë prekëse. Po sjellim një strofë:

Rremull, o i zjarrti Rremull

të shkëlqeftë e bardha zemër,

mos e ndal ti fluturimin,

preke veç gëzimin…

Vëmë re në këtë libër të arrirë se Bajrami u këndon pa pengim, me adhurim e mirësi mjaft figurave të kombit, njerëzve të artit dhe të kulturës, shkruan vargje domethënëse për Matin, Kosovën, ShënTrininë, për peizazhet e bukura të atdheut e të vendlindjes, këndon me zë buçimtar duke mallkuar hipokrizinë dhe duke uruar mirësinë.

Si poet, ai shigjeton me vargje të satirës, gati fishtiane, kobe e makabritete të përçudnimit social-politik. Kjo duket në poemën “Kohë e trishtë”, me një ritëm rebelues, plot thirrmorë e klithma që burojnë nga dëshpërimi, por edhe nga përçmimi ndaj së keqes.

Në këtë vëllim ka shumë zëra, mjaft intonacione që ngrenë lart fuqinë e të shprehurit. Këto zëra burojnë prej një shpirti të trishtuar e të ngazëllyer, prej një mendimtari epik dhe lirik, prej një njeriu të shqetësuar. Ndaj dhe titulli “Kambana e dhimbjes” është mjaft i gjetur dhe arrin të përbashkojë kuptimin e poezive në një vlerë të përgjithësuar ideore.

Bajrami e njeh mirë artin e fjalës, forcën ndikuese të saj përmes qartësisë së idesë dhe veshjes së saj në mënyrë të natryrshme me figurën artistike. Ai është mjeshtër i ritmit dhe i organizimit të poezisë pa zgjatje, duke synuar thelbësorene. Kësaj ia ka arritur, ndaj ky vëllim mbetet libri i tij më i mirë me poezi, çka tregon punën e vazhdueshme të autorit në drejtim të gjurmimit të fjalës dhe të konteksteve të saj.

Gjithë poetika buron prej një frymëzimi të sinqertë duke e parë njeriun me dashuri. Poezia e tij ndikon prej cilësive të mira që zotëron. Vëllimi “Kambana e dhimbjes”, që po i përcillet lexuesit, është një realizim i bukur, një libër i freskët dhe me tematikë të larmishme, me kënd perceptimi jo vetëm ideor, por edhe estetik.

Në Mat ka vëretet një brez bahçevanësh të fjalës, si Basir Bushkashi, Hamdi Hysuka, Dabaj,Cenaj, Stana, Gjestila, Canameti, Xhani etj.”Kambana e dhimbjes” shoqërohet me një sërë vlerësimesh nga Basir Bushkashi,Dukagjin Hata,Faik Xhani(Mjeshtër i Madh),Mevlud Buci,Joana Lleshi,Fatmir Neli,si dhe pajiset me një parathënie nga redaktori Qazim D.Shehu.

Ky libër mjaft i arrirë përcjell mesazhe,vlera,motive,gdhend portrete ,duke përçuar dhimbje,fisnikëri,kujtesë,humanizëm ,shoqëruar e materializuar këto me një gjuhë plot figuracion të natyrshëm e lakonizëm.

Dritësojnë vlerat,përvijohen traditat,zbulohen gjurmë të mbuluara nga shurdhëria dhe indiferenca e kohës,jepet kalvari i mundimeve.

Fatmir Neli midis të tjerave shkruan:”Në këtë libër,Bajram Canameti është po ai poeti i metaforave të fuqishme;për mua nuk është aspak rastësi që në pesë poezitë e para të këtij libri janë shpalosur edhe pesë shtyllat që ngrenë muzën e tij letrare:jeta,nëna,mësuesi,mesazhi qiellor dhe vargu poetik”(gazeta “Mati”,shkurt 2003,f.18).

Bajrami është poet i blerimit të muzave të vendlindjes,por edhe poet i stigmatizimit tribunal i shëmtive të dukurive sociale dhe politike.Me thjeshtësi dhe fjalën të spikatur ai afron shumëkuptimësi strofash e lexime mesazhore të kthjellta:

Dhe i trullosur o njeri,

Sa të mundesh largoje ti,

kapu e jepi shpirtit mirësi,

Larg cinizmit vrastar,

Me një besim të ri

Ngadhnjimtar…(poezia “Armiku”).

Poezitë e Bajramit pasyrojnë kohën jo me regjistër të thatë,por me një Un të fuqishëm në raportin kohë-individ,sepse ai është gazetari,intelektuali,misionari,shpirtvluari e shpirtsinqerti.E në këtë shqetësim e disponim vjen pastaj edhe kumtimi:

Për të gjetur udhën e artë

Brenda vetes kërko çelësin,

Busulla jep shenjën e qartë

Rrit virtytin,mposht vesin…

Të një bukurie estetike janë dhe vijnë poezitë:”Kredo”,”Një pyetje popullit tim”,”Atje në bregun e një lumi”,”Udha e lotit”,ku aftësia vëzhguese e poetit arrin në përbirime soc-psikologjike.Ndaj poeti urtëson:

Përherë e kam çmuar lotin,

Që buron nga zemra të sinqerta,

Por jo lotin që del së koti

Nga urrejtja…(Poezia”Loti”).

Në të vërtetë udha e lotit bëhet një udhë metaforike që afron në vazhdën e saj shumë pamje prej të cilave poeti merr shkas:mërgimi,(temë mjaft e trajtuar),politika,diferencat sociale,padrejtësitë,hajnat,vrasësit etj.

Poezia përkushtuese është një arritje për Bajramin,se Bajrami i tillë është edhe si njeri:I përkushtuar ndaj njeriut,bujar,i sinqertë,fjalëmbajtës.Sa bukur shkruan ai për figurat e martirizuara ,ku lartësohet profili dra matik i tyre,për miqtë,për Basir Bushkashin,Mati Arefin,Esat Rukën,Agron Sejaminin,Faik Xhanin,për Kosovën e bijtë e saj të mëdhenj:Ibrahim Rugovën,(prej tij edhe pëllumbi merrte butësi),Ramush Haradinaj,Ashim Thaçin,Kadri Veselin,për Mitrovicën(shpatull e thyer) ,për Preshevën(Krah i prerë),por jo vetëm, edhe për Matin,vendlindjen e tij ,si tokë të mbretërve dhe poetëve,për peizazhet e Ulëzës e malet,për gjurmët e Skënderbeut e Shën Trininë.

Dhe kështu libri e zgjeron kontekstin tematik,merr frymë jo vetëm përmes tij,por edhe prej fjalës së gjetur e këndvështrimit autorial mjaft origjinal.

Mund të përmendim disa poezi të cilat vetiu të ftojnë për rilexim:Kosovë hyjnore,Mitrovicë shpatull e thyer,Adem Jasharit,Mbret i dhimbjes,Akademik Tahir Mata,Bajram Currit,Shahin Doçit,Mati Arefit,Diamant(për Basir Bushkashiin),Dilaver Kurtit,Mevlud Bucit,Faik Xhanit, e plot të tjerëve.

Poezia e Canametit të fton për rilexim se ai ka ditur të krijojë e profilizojë me mjeshtëri veçorinë që ka secili,duke e parë tjetrin me dashuri e   zgjuarsi,plot finesë e zotësi.

Si një kurorë e vëllimit vjen poema “Kohë e trishtë”,një realizim estetik i epërm,me një ritëm nolian, plot realizëm e gjetje të mrekullueshme,një nga poemat më të mira të kohëve të fundit.

Jetë e fikur,jetë e mjerë,

Dhe pleqtë me sytë nga udha,

Nga dhimbja jeta do bjerë,

Të ndriçojë ato rrudha…(Poema “Kohë e trishtë”).

Udhëtimi epiko-lirik rrëfen për muzë e muzikalitet me ngrohtësi,tejpamësi e vrull ndiesor.Vargu i Canametit flet për një shpërthim të strukturës së vjershës,ai është herë i matur e herë i lirë,organizuar vetishëm nga një mendim i qartë dhe një frymëzim spontan.Ai di t`i japë vargut shumëçka nga fantazia e tij,realiteti përjetues nga natyra e një artisti mendje hapur me profil emancipues.Herë- herë të kujton një Çajup matjan me nervin e satirës dhe rrjedhshmërinë e vargut.I eksploron mirë ngjyrat e vendlindjes përmes peizazheve të saj dhe ndërton në lartësi një tonalitet historiko-patriotik të kohës e të kohërave duke i ndërlidh idetë e duke i prurë në hullitë e atdhedashurisë.

Poet me kulturim vargu,me mendim,Bajram Canameti i bie kambanës së tij jo vetëm përmes dhimbjes,por edhe për t`u dëgjuar dhe me këtë vëllim ai dëgjohet jo vetëm si poet i spikatur i Matit,por edhe më gjerë,duke na sjellë një libër që të imonon respekt për fjalën krijuese të realizuar aq bukur.