PD merr tre deputetë në Dibër me 278 vota më shumë se PS


Partia Demokratike arriti të marrë mandatin e tretë në Dibër me vetëm 278 vota diferencë. Sipas rezultateve paraprake të bërë publike nga KQZ, Partia Demokratike mori në qarkun e Dibrës 29020 vota (45.13%), ndërsa Partia Socialiste 28742 vota (44.7%). Lëvizja Socialiste për Integrim mori 4445 vota (6.91%), duke e mos e marrë dot 1 vend në parlament. Ndërsa kandidati i pavarur mori 580 vota, shumë pak nga ajo që pritej.
Në Dibër, në 272 qendra votimi, morën pjesë morën pjesë në votime 69133 qytetarë nga 131225 të regjistruar. Nga numërimet paraprake, 4686 vota kanë rezultuar të pavlefshme.
Në bashkitë e Qarkut PD u shpall fituese në Peshkopi dhe Klos, përkatësisht me 474 dhe 36 vota plus, ndërsa në Mat dhe Bulqizë fitoi ndjeshëm PS me 1001 dhe 1045 vota plus.
Në parlamentin e ardhshëm që pritet të hapë sesionin e parë në shtator, Dibra do të përfaqësohet nga Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku dhe Dhurata Tyli (Çupi) nga Partia Demokratike dhe Lavdrim Krrashi e Aurora Mara nga Partia Socialiste.
Xhelal Mziu, i renditur i pari në listën e PD mori 5321 vota, ndërsa Kreshnik Çollaku dhe Dhurata Tyli morën 5093 dhe 2870 vota secili. Kandidatët e tjerë në listë, Edmond Isaku dhe Luan Haka morën respektivisht 5098 dhe 4374 vota, shumë pak për të ndryshuar renditjen brenda partisë.
Krrashi renditej i pari në listën e PS dhe mori 3317 vota direkt, ndërsa Aurora Mara mori 9367 vota. Dy kandidatët e tjerë. Dionis Imeraj dhe Melaim Damzi morën nga 5154 dhe 4609 vota secili, por pa mundur ta ndryshojnë renditjen brenda listës.
Fushata elektorale ishte e qetë në fillim, por javën e fundit pati tensione mes palëve.
Aktivistë të Partisë Demokratike ndaluan në Maqellarë një makinë e cila dyshohej se përmbante parà, karta identiteti dhe lista zgjedhësish dhe me to po synohej blerja e votës. Makina u ndalua derisa arriti prokuroria dhe policia. Dy të ndaluarit, njëri prej të cilëve punonjës në bashkinë e Bulqizës është dhënë masa e arrestit, ndërsa policia ka njoftuar se pesë aktivistë të PD janë akuzuar për ndalime të paligjshme të njerëzve.
Disa aktivistë të PD ndaluan edhe kryetarin e PS të Dibrës, me dyshime për materiale kompromentuese për blerje votash, por nga kontrolli i ushtruar nuk u gjetën fakte.
Në një status në Facebook pas zgjedhjeve, Xhelal Mziu – dejtues i fushatës së PD, akuzoi për manipulime gjatë procesit zgjedhor. Sipas tij, në shkëmbim të votës “u përdorën para, u lejuan ndërtimet pa leje, u shpërndanë legalizime, u përdorën punonjësit e administratës, të postës shqiptare, policisë, u kërcënuan mësuesit, mjekët dhe infermierët me heqje nga puna dhe heqjen e asistencës”. Gjithashtu, ai theksoi se në këtë fushatë në Dibër, janë “importuar” nga rrethet e tjera më shumë se 2000 votues.
Dionis Imeraj, drejtuesi politik i PD në Dibër u shpreh i zhgënjyer për rezultatin pas numërimit paraprak të votave. Në një status në Facebook ai shkruan se “më shumë se çdo herë tjetër Dibra dhe dibranët kishin arsye për t’i shprehur me votë mirënjohjen e thellë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Edi Ramës, për Rrugën e Arbrit dhe për vëmendjen e kthyer nga Dibra si asnjëherë më parë në këto 8 vite. Por nuk ndodhi siç duhej! Verdikti i dibranëve meriton një reflektim!”.
Gjatë procesit të mbledhjes së kutive të numërimit në qendrat e numërimit pati problematika në lidhje me vëzhguesit e kandidatit Elton Debreshi. Disa prej tyre nuk u lejuan brenda ambjenteve të qendrave të numërimit.
Debreshi mori 580 vota, 395 prej të cilave në Bashkinë e Bulqizës. 1362 vota të pavlefshme u numëruan në Bulqizë, duke ngritur dyshime për manipulim.
“Në Dibër janë blerë shumë vota nga të treja partitë, secila sipas thesit të mbushur ndër vite nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me oligarkët. Po ashtu, nisur nga pragu i pandershëm elektoral kombëtar, partitë ia dolën ta shkurajojnë votimin tonë në emër të “votës së padobishme”. Kjo shpjegon pse numri i votave që morëm rezultoi shumë më poshtë solidaritetit dhe mbështetjes që gjetëm anekënd Dibrës”, shkruhet Debreshi në faqen e tij në Facebook. Debreshi theksoi se “kjo përpjekje e përbashkët as duhet të ndalet, as mund të ndalet dhe as do të ndalet”.
Lavdrim Krrashi, i ardhur nga Londra për të kandiduar për Partinë Socialiste, ishte i vetmi pas zgjedhjeve që falënderoi zgjedhësit dibranë pa dallime politike.
“Falënderoj pa masë mbështetësit e mi më të fuqishëm, Diasporën, që më motivuan, inkurajuan dhe më dhanë fuqinë e duhur për të qenë zëri i tyre në Kuvend. Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që të jem i pari shqiptar emigrant deputet në kuvendin e Shqipërisë”.
Ai falënderoi edhe kundërshtarët politikë për fushatën dhe theksoi nevojën e unitetit të deputetëve të Dibrës, pavarësisht krahut politik, për të bërë më të mirën për Dibrën.
“Përgëzoj Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ndryshim për fitoren e tyre në qarkun tonë. Edhe pse ne jemi në krahë të kundërta të spektrit politik, ne kemi një gjë të përbashkët, Dibrën, dhe do të jemi 5 zëra të fuqishëm në Parlament për të përfaqësuar dhe ngritur zërin për zhvillimin e qarkut tonë”.