Rruga e Arbrit i shërben zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor
Nga Bashkim Lleshi


Pamje e liqenit të Dibrës dhe Grykës së Radikës. Foto © Gazmend Kërkuti.

Rruga e Arbrit i shërben jo vetëm zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë dhe të trevave që do të përshkojë por si një nga rrugët më të bukura turistike, si rruga më e shkurtër që pret Shqipërinë nga perëndimi ne lindje do ti shërbejë edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj rruge do të përshkohen vargmalet e Dajtit dhe Malit me Gropa për një orë nga Tirana, duke çuar në një zhvillim të shpejtë të turizmit malor në këtë zonë me bukuri të rralla turistike, duke shijuar në verë bukuritë e rralla të Malit me Gropa, Bizës, Ballejës e Kaptinës së Martaneshit, apo freskinë e burimeve të Murrizës, Gurit të Bardhë, Linosit, Bizës, Ballejës, Lenës, Kaptinës dhe liqeneve të bukur malorë të kësaj zone si liqeni i Sopeve, liqeni Zi, liqeni i Bardhë, etj. Në këto zona turistike shumë afër Tiranës do të krijohet mundësia për të shkuar edhe gjatë dimrit duke zhvilluar edhe sportin e bukur të skive në Bizë, Ballejë e Kaptinë.

Rruga e re do të përshkojë luginën e bukur të Vajkalit dhe Fushë Bulqizës me ujëra të freskëta të lumit të Bulqizës e Zerqanit duke kaluar pranë burimeve karstike të Peladhisë, në krah të fshatit të bukur e piktoresk të Zerqanit, tek burimet e tre Çezmave në afërsi të Sofraçanit dhe aty ku bashkohen Zalli i Bulqizës me atë të Okshtunit në afërsi të Urës së Çerenecit nëpërmjet një ure do të kalojë rrëzë kodrave të Gjoricës ku të del përpara fusha e bukur e Gjoricës, Shupenzës, Maqellarës e Dibrës së Madhe. Për rreth 70 km rrugë nga Tirana futesh në luginën e bukur e piktoreske e panoramike të Dibrës ku fillon gjarpërimet e veta lumi Drinit i Zi.

Rruga e re e Dibrës do të afrojë edhe llixhat kuruese të Peshkopisë me Tiranën e Durrësin, duke shtuar frekuentimin e qytetarëve vendas e të huaj në këto zona të bukura kuruese e turistike. Kjo rrugë do të afrojë gjithë pellgun e Dibrës nga Reçi, Dardha e Muhurri, nga Kalaja e Dodës, Sllova e Kastrioti e zona të tjera të pellgut të Drinit të Zi, duke krijuar mundësitë për të ardhur në Tirane për rreth 2 orë.

Gazeta “Rruga e Arbërit” në 10 vitet e botimit, nëpërmjet shkrimeve të bashkëpunëtorëve të saj ka propaganduar vlerat e mëdha turistike që ka rajoni i Dibrës nga Bulqiza e Zerqani, në Dibër të Madhe, Maqellarë e Peshkopi, Grykë të Vogël e Katër Grykët, në Luzni e Muhurr, Kastriot, Çidhën, Sllovë e Radomirë, Reç e Dardhë dhe deri në Lurën e bukur malore me liqejt e saj mahnitës.

Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, nga Tirana do të shkohet në luginën e bukur të Dibrës për një orë. Por për të shkuar tek liqejt e Kacnisë e të Balgjajt, në Delgjurrë apo Komavec, në Liqenin e Zi të Tërnovës, apo në Kaptinë, te liqejt e Lurës apo në Mollë të Lurës, në Bjeshkën e Zonjave apo në Korab ka mangësi të mëdha në infrastrukturën brenda rrethit ku për 25 vite rresht, përveç rrugës për në Kala të Dodës, në rrugët e zonave të tjera nuk është bërë pothuajse asnjë investim dhe janë në gjendje të mjerueshme. Kështu njësive vendore të Peshkopisë e Bulqizës u del detyra që në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit e të Transporteve, nëpërmjet deputetëve që do të zgjidhen në parlamentin e këtij viti që t’a kthejnë fytyrën edhe nga Dibra sepse ka 25 vite që marrin vota nga dibranët, por investimet për zhvillimin e Dibrës kanë munguar.Kushdo që vonon hapjen e kësaj rruge, dhe pengon kryerjen e investimeve në Dibër, pengon jo vetëm zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të kësaj treve, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor në zonat që përshkon kjo rrugë, pengon integrimin në Europë të këtyre trojeve të vjetra Europiane.

Rruga e Arbrit i shërben jo vetëm zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë dhe të trevave që do të përshkojë por si një nga rrugët më të bukura turistike, si rruga më e shkurtër që pret Shqipërinë nga perëndimi ne lindje do ti shërbejë edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor në Shqipëri.
Ajo pasi kalon qytetin e Tiranës në drejtim të Tufinës, sipas rrugës së vjetër të Dibrës që e ka fillimin në qendër të Tiranës, vazhdon më tej për gjatë luginës së lumit të Tiranës duke prerë vargmalin e Dajtit, gjatë luginës shumë të bukur e piktoreske që kalon nga Brari në Zall Dajt. Pjesa e rrugës që pret gëlqerorët e vargmalit të Dajtit do të jetë një nga rrugët më të bukura turistike të vendit tonë, fare pranë kryeqytetit të vendit tonë, Tiranës. Kjo pjesë e rrugës që zgjat rreth 5km kalon nëpër luginën e ngushtë të lumit të Tiranës që ka krijuar kanione të ngushta e të thella në shkëmbinjtë gëlqerorë të vargmalit të Dajtit me një bukuri të rrallë natyrore.
Rruga kalon pranë shtratit të lumit dhe kanioneve të bukura të kësaj zone në lartësitë nga 200m tek Ura e Brarit, në 335m në dalje të shkëmbinjve gëlqerorë tek gurorja e Zall Dajtit, ku në të dy krahët ngjiten shpatet e pjerrëta të luginës që kanë lartësi nga 1214m në majën e Brarit në pjesën veriore në 1531m në majën e Tujanit në pjesën jugore.

Në shpatin e majës së Tujanit ka kaluar rruga e vjetër e Dibrës, në të quajturën shkalla e Tujanit (Tiranës) e cila kalohej edhe me kafshë me vështirësi shumë të mëdha. Në dalje të shkëmbinjve gëlqerorë mbi kanionin e ngushtë të bukur e të thellë të Zall Dajtit, në shtratin e lumit të Tiranës, në të majtë të rrjedhjes së tij, përball gurores së Zall Dajtit kemi burimin e ftohtë të Zall Dajtit që e zbukuron akoma më tepër këtë luginë piktoreske.
Pasi kapërcen vargmalin e Dajtit nëpërmjet kësaj lugine të ngushtë e piktoreske rruga del në luginën e gjelbër të Zall Dajt – Shupalit, duke ndjekur krahun e majtë të rrjedhjes se lumit të Tiranës, i quajtur në këtë zonë lumi i Shupalit, deri tek vendi ku bashkohet lumi i Selitës me përroin e Zall Bastarit. Lugina në këtë zonë zgjerohet, ka ujë të bollshëm dhe është një luginë e freskët dhe e gjelbëruar.
Nëpërmjet një ure poshtë bashkimit të këtyre dy degëzimeve, rruga do të vazhdojë të ngjitet për gjatë përroit të Zall Bastarit në afërsi të lagjes Kurte (Shupal), pranë lagjes Marec, për gjatë përroit të Marecit në drejtim të lagjes Zdralla dhe më tej në lagjen Bastar (Kaçu) në përroin e Kaçujt, ku në lartësine 850m është parashikuar të jetë hyrja e tunelit të Murrizës.
Kjo është e vetmja ngjitje e kësaj rruge e cila në këtë zonë do të kapërcejë vargmalin e Murrizës nëpërmjet një tuneli të gjatë rreth ose mbi 3000m për të dalë nga shpati perëndimor i malit të Murrizës në shpatin lindor, në afërsi të Shkollës së vjetër fillore të Xibër Murrizës, në rrjedhjen e sipërme të zallit të Mashnorit. Tuneli i Murrizës do t’ia shtojë bukurinë kësaj rruge, duke kaluar poshtë majës së Skërtecit me lartësi 1455m në veri të Qaf Murrizës ku kalonte rruga e vjetër e Dibrës. Nëpërmjet këtij tuneli do të kalohet nga lugina e Tiranës në luginën e Matit.
Sapo të dalë në luginën e bukur të Matit në horizont të del përpara Kalaja e vjetër e Petralbës, përball së cilës vendoset fshati turistik i Gurit të Bardhë. Nga Guri i Bardhë, nëpërmjet përmirësimit të rrugës ekzistuese, për 2 – 3km shkohet në burimin e bukur karstik të Linosit dhe futesh në parkun e madh turistik të Malit me Gropa, një nga bukuritë e rralla turistike të vendit tonë, që pas ndërtimit të kësaj rruge do të jetë larg Tiranës më pak se një orë, ose do të shkohet në fushën e bukur, mes malesh të Bizës së Martaneshit, për një orë, ose në Ballejën turistike dhe malin e Kaptinës e në Liqenin e Zi të Tërnovës për një orë e gjysmë.
Pra nëpërmjet kësaj rruge do të përshkohen vargmalet e Dajtit dhe Malit me Gropa për një orë nga Tirana, duke çuar në një zhvillim të shpejtë të turizmit malor në këtë zonë me bukuri të rralla turistike, duke shijuar në verë bukuritë e rralla të Malit me Gropa, Bizës, Ballejës e Kaptinës së Martaneshit, apo freskinë e burimeve të Murrizës, Gurit të Bardhë, Linosit, Bizës, Ballejës, Lenës, Kaptinës dhe liqeneve të bukur malorë të kësaj zone si liqeni i Sopeve, liqeni Zi, liqeni i Bardhë, etj. Në këto zona turistike shumë afër Tiranës do të krijohet mundësia për të shkuar edhe gjatë dimrit duke zhvilluar edhe sportin e bukur të skive në Bizë, Ballejë e Kaptinë.
Pasi kalon nëpërmjet një tuneli të shkurtër poshtë Gurit të Bardhë, në vazhdim rruga kalon tek aksi i vjetër i rrugës së Dibrës, ku kemi dy urat e vjetra me gurë e dopio qemer, atë të Skurës, mbi përroin Zalli i Dishit dhe Urën e Vashës, mbi lumin e Matit. Mbi urën e vjetër të Vashës është parashikuar të ndërtohet një urë e lartë rreth 120 m që do të kapërcejë luginën e ngushtë e mjaft piktoreske të lumit të Matit nga krahu i Gurit të Bardhë në krahun e Planit të Bardhë.

Pasi përshkon luginën e Planit të Bardhë e kapërcen me tunel Qafën e Buallit del në luginën e Vajkalit duke kaluar mes për mes qytetit të Bulqizës, të Minierës më të madhe të kromit në vendin tonë, minierës me karakter unikal botëror, nga e cila në vitet 1948 – 2015 janë prodhuar afro 15 milionë ton krom duke mbajtur pas naftës, peshën kryesore të ekonomisë kombëtare të vendit tonë në periudhën e monizmit. Me përfundimin e rrugës qyteti i Bulqizës dhe Miniera me të njëjtin emër do të jenë vetëm 50 km. larg Tiranës.
Rruga e re do të përshkojë luginën e bukur të Vajkalit dhe Fushë Bulqizës me ujëra të freskëta të lumit të Bulqizës e Zerqanit duke kaluar pranë burimeve karstike të Peladhisë, në krah të fshatit të bukur e piktoresk të Zerqanit, tek burimet e tre Çezmave në afërsi të Sofraçanit dhe aty ku bashkohen Zalli i Bulqizës me atë të Okshtunit në afërsi të Urës së Çerenecit nëpërmjet një ure do të kalojë rrëzë kodrave të Gjoricës ku të del përpara fusha e bukur e Gjoricës, Shupenzës, Maqellarës e Dibrës së Madhe. Për rreth 70 km rrugë nga Tirana futesh në luginën e bukur e piktoreske e panoramike të Dibrës ku fillon gjarpërimet e veta lumi Drinit i Zi.
Pasi kalon kodrat e Gjoricës, aty ku lugina e Drinit te Zi është më e ngushtë, është menduar të ndërtohet një urë për të kaluar Drinin dhe rruga do të vazhdojë në territorin e Maqedonisë, nga kodrat e Kojnarës për të shkuar në qytetin e Dibrës së Madhe, në veri të Urës së vjetër të Spiles e cila sot është e mbuluar nga diga e liqenit të Hidrocentralit të Dibrës. Kur del në kodrat e Kojnarës të del përpara qyteti i bukur i Dibrës së Madhe në veri lindje dhe liqeni i bukur pranë qytetit të Dibrës së Madhe në jug, që formojnë një kompleks shumë të bukur turistik në këtë zonë.
Duke vazhduar rrugën bregut të liqenit të Dibrës për gjatë luginës së Drinit të Zi shkohet brenda një ore në qytetin e Strugës për të shijuar freskinë dhe bukurinë e liqenit të Ohrit në komplekset turistike të qyteteve të Strugës dhe Ohrit deri në perlën e këtij liqeni, Shën Naumin e famshëm historik e turistik. Pra nga rruga e re e bukur, turistike dhe historike e Dibrës mund të dilet në liqenin Ohrit nga Tirana për dy orë.
Kështu, qyteti i Dibrës se Madhe do të jetë larg Tiranës, Kryeqendrës së Shqipërisë vetëm 75km larg ose e thënë ndryshe vetëm një orë larg. Dibranët që banojnë në Tiranë brenda një ore mund të shkojnë në qytetin e tyre të lindjes, të takojnë të afërmit, të çmallen e të pinë një kafe, të shkojnë e të bëjnë banjë në llixhat kuruese të Banishtit e Kosovrastit, pranë qytetit të Dibrës, e të kthehen përsëri në Tiranë, ndërsa Dibranët që banojnë në Dibër e në fshatrat e luginës së Dibrës, jo vetëm që mund të vijnë e të kryejnë hallet e tyre brenda ditës e të kthehen në darkë në shtëpi, por mund të banojnë në Dibër, e të punojnë në Tiranë apo në Durrës, duke realizuar ëndrrën e kahershme të Dibraneve për tu afruar me Tiranën dhe Durrësin.
Rruga e re e Dibrës do të afrojë edhe llixhat kuruese të Peshkopisë me Tiranën e Durrësin, duke shtuar frekuentimin e qytetarëve vendas e të huaj në këto zona të bukura kuruese e turistike. Kjo rrugë do të afrojë gjithë pellgun e Dibrës nga Reçi, Dardha e Muhurri, nga Kalaja e Dodës, Sllova e Kastrioti e zona të tjera të pellgut të Drinit të Zi, duke krijuar mundësitë për të ardhur në Tirane për rreth 2 orë.
Rruga do të vazhdojë më tej për gjatë grykës së bukur turistike të lumit të Radikës, degë kryesore e lumit të Drinit të Zi. Kjo luginë e ngushtë dhe e bukur anash së cilës ngrihen shpatet jugore të vargmalit të Kërçinit, vazhdon deri në afërsi të qafës së Mavrovës, ku të del përpara zona e bukur turistike e Mavrovës me liqenin, lëndinat, pyjet dhe Kompleksin turistik të pushimeve verore për klimë të freskët malore dhe dimërore për zhvillimin e bukur të sportit të skive.

Pasi kalon zonën e bukur të Mavrovës rruga zbret për tu bashkuar me rrugën e Gostivarit që vjen nga Struga e Kërçova, dhe te del përpara fusha e bukur e pjellore e Pollogut dhe vazhdon në drejtim te Gostivarit, Tetovës e Shkupit nëpër autobandën e re të ndërtuar në Maqedoni. Kështu Rruga Tiranë Shkup do të shkurtohet rreth 100 km.
Për propagandimin e vlerave turistike të zonave që përshkon kjo rrugë në territorin e Dibrës, Studioja Grafike “M&B” në Tiranë, në vitin 2003 botoi Kalendarin “2003 – Viti i Rrugës së Arbrit” me ide të Hysen Ukës e Bujar Karoshit dhe në vitet në vazhdim ka botuar Kalendarë me pamje të bukura turistike të territorit të Dibrës që do të marrin zhvillim me ndërtimin e kësaj rruge.
Gazeta “Rruga e Arbërit” në 10 vitet e botimit, nëpërmjet shkrimeve të bashkëpunëtorëve të saj ka propaganduar vlerat e mëdha turistike që ka rajoni i Dibrës nga Bulqiza e Zerqani, në Dibër të Madhe, Maqellarë e Peshkopi, Grykë të Vogël e Katër Grykët, në Luzni e Muhurr, Kastriot, Çidhën, Sllovë e Radomirë, Reç e Dardhë dhe deri në Lurën e bukur malore me liqejt e saj mahnitës.
Që në vitin e parë të botimit, në tetor të vitit 2006 në gazetën “Rruga e Arbërit” u botua artikulli “Rruga e Arbrit i shërben edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit” (B.Lleshi, tetor 2006). Në Kuvendin Shkencor për Rrugën e Arbrit të organizuar nga shoqata LID në maj të vitit 2007 krahas referimeve për mundësitë e reja që do të krijohen për vënien në përdorim të pasurive minerale të këtij qarku (Vesel Hoxha, Bashkim Lleshi, Ilir Alliu, Sefedin Shabani, Naim Karaj për Peshkopinë e Bulqizën dhe Agim Shenjatari për Matin, maj 2007), një referat i veçantë u mbajt vetëm për zhvillimin e turizmit në rajonin ku do të kalojë kjo rrugë. (Bashkim Lleshi, Avni Dibra, maj 2007)
Bashkëpunëtorë të tjerë të gazetës “Rruga e Arbërit si: Gazmend Kërkuti, Shuip Markja e Tafë Ameti, Abdurahim Ashiku, Shaqir Skara, Hysen Likdisha, Hysen Uka, Agron Totraku, Selman Mziu, Vesel Hoxha, Rruzhdi Bitri, Metush Skeja, Grehans Uka, etj, etj. në shkrimet e intervistat e tyre kanë folur edhe për bukuritë e natyrës së Dibrës, për liqejtë e bukur e mahnitës malorë të Lurës, Balgjajt, Bulqizës e Gramës, për burimet e freskëta të Bulqizës, Okshtunit, Zerqanit, Tuçepit, Kovashicës, Delgjurrës, Selishtës, Luznisë e Muhurrit, Ilnicës, Rabdishtit, Cerjanit, Gramës e Radomirës, për gjurrat e Mazhicës, Lishanit e Muhurrit, për burimet e Reçit e Dardhës, Sllovës, Gramës e Radomirës, për Veleshicën, Setën e Mollën e Lurës, etj.
Në korrik të vitit 2016 gazeta “Rruga e Arbërit” i kushtoi një botim special bukurive natyrore të trevës së Dibrës për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor në këtë krahinë me bukuri të rralla natyrore por të harruar nga pushteti.
Agim Totraku përshkruan bukuritë e rralla të liqejve të mrekullueshëm me origjinë akullnajore të Balgjajt, mes ajrit të freskët, florës së mrekullueshme dhe faunës së egër. Përshkruhen bukuritë e 5 liqeneve të Shtrugës të vendosur si me dorë sipër njeri tjetrit si, liqeni i Pishës së Lice, Liqeni i zi, 3 liqenet Barzane, liqeni n’Kep, liqeni i Kolemadhit dhe liqeni i vogël i Loshe. Në drejtimin jug lindor kemi liqenin e Rame, liqenet e Bataçeve të Kacnisë (të Kalisë, Milloshit, Bruçe, etj.). Sapo të dalësh në kurriz në krahun perëndimor të tyre qëndrojnë madhështorë e të bukur liqejt e Allamanit, numri i të cilëve së bashku me ato të Kacnisë arrin në 15.
Për rreth tyre kemi një florë shumë të pasur si, bredhi i bardhë, pisha e zezë, plepi i egër, armeni, qershia e egër (boronica), lulja e pishës, lulja e zonjës, lule delja, mjedra, lule shtrydhja e egër, lulja agulice, manushaqja blu dhe e verdhë, shtara, drunakuqi, etj. ndërsa nga fauna mund të përmenden, dhia e egër, kaprolli, derri i egër, lepuri, kaprolli, ariu i murmë, ujku, gjeli i egër, dhelpra, shqarthi, macja e egër, rriqebulli, etj. (“A. Totraku, Rruga e Arbërit”, Nr 123, korrik 2016).

Shuip Marku përshkruan, bukuritë e masivit malor të Deshatit, pjesë e vargmalit Sharr – Korab – Deshat – Stogovë – Karaorman, me majën më të lartë Velivarin (2373m.), liqenin e Lokuvit, njerin prej 5 liqeneve akullnajorë të Deshatit, luginën e bukur të lumit Radika me ujë të kthjellët, të pastër e të ftohtë me nuancë të ngjyrës së gjelbërt të errët, ujvarën e Dufit në rrëzë të malit të Radostushës, shpellën e Sharkut në parkun nacional të Mavrovës, shpellën e kristaltë të Selenitit brenda gjipseve të Kosovrastit, shtegun malor Banjisht – Kosovrast, fshatrat turistikë të Gajres, Galiçnikut e Kiçinicës, hamamet e ri e të vjetër të Dibrës, objektet historike të qytetit të Dibrës e rrethinave si, shtëpia e vjetër e Suri Veliut, objektet religjioze si xhamia e Inqarit, Xhamia Bajram Beg, Kisha e Shën Mërisë, Manastiri Bigorski, Kisha Shën Jovan Preteça, Manastiri Shën Gjergji fitimtari, Ura e Kaprollit dhe shumë vende historike në Banjisht, Dibër e Kosovrast. (Sh. Marku, “Rruga e Arbërit”, Nr 123, korrik 2016).
Djaloshi 24 vjeçar Grehans Uka i certifikuar nga GTZ dhe Shoqata Alpine Gjermane në një intervistë tregon disa nga destinacionet e turizmit malor në zonën e Peshkopisë që mund të vizitohen nga turistë vendas e të huaj si, kompleksi i llixhave në Peshkopi, duke vijuar në fshatrat Bellovë, Rabdisht, Cerjan e Zagrad; itineraret Peshkopi – Bjeshka e Cerjanit – Mali i Gramës – Liqeni i Gramës; Peshkopi – Radomirë – Liqeni i Gramës – Maja e Korabit; organizimin e raftingjeve në lumin e Drinit të zi, etj. (G.Uka, “Rruga e Arbërit”, Nr 123, korrik 2016)
Rruzhdi Bitri në reportazhin “Prapë na çeli Grama” përshkruan bukuritë e bjeshkës së Gramës të cilën e kanë vizituar mjaft biologë, mjekë, gjeologë e udhëtarë të tjerë të mençur, Gramën e bukur ku kanë jetuar zonjat ilire, romake e kastriotët, Gramën e ndaluar nga regjimi monist se ishte zonë kufitare. Ai përshkruan bukuritë e bjeshkës së Gramës, stanet e Blliçasve, legjendën e Gramës baxhierin Elez Cibaku, Bjeshkën e Zonjave si kryezonjë të kësaj bjeshke, gjeomonumentet e Gramës si Guri i kuq, Pasqyrat, Shllinasit, Lakja e Xhipçe, etj. të shkelura e studjuara nga gjeologu i pasionuar dibran profesor Vesel Hoxha. (R.Bitri, “Rruga e Arbërit”, Nr 123, korrik 2016).
Destinacione të tilla të turizmit malor që mund të vizitohen nga turistë vendas e të huaj mund të organizohen edhe në zona të tjera të Dibrës si:
Në zonën e Bulqizës (Bulqizë – Almarinë – Liqeni i Skënderit – Maja e Dhoksit; Bulqizë – Kodra e Lerës – Fushë Hutër – Liqenjt e Balgjajt; Bulqizë – Qaf Buall – Luçanë – Batër – Lugu i Gjatë – Fusha e Lopës – Liqeni i zi i Tërnovës ; Fush Bulqizë – Dushaj – Stanet e Peladhisë – Komavec – Delgjurrë – Prat etj.
Në zonën e Zerqanit e Valikardhës për në Tërnovë – Liqeni i Zi – Kaptinë ; Zerqan – Tërnovë – Okshtun – Prodan, Tre çezmat e Zerqanit (hidromonument) – Sofraçan – Gropat e Ukut – Kovashicë – Zogje – Xhiteca e Sute – Qaf Mollë – Xhiteca e Kazane Gjuras, Shpella e ftohtë (gjeomonument), etj.
Në zonën e Gollobordës në drejtimin Shupenzë – Ramnagore – Ostren – Klenjë – Steblevë – Fushë Studën, ose në drejtimin Tuçep – Trebisht – Steblevës, etj.
Në zonën e Grykës së Vogël, Ura e Serbinit – Gjurra e Kovashicës e Kovashicës – Zogjaj – Guri i Çetës – Teqja e Bllacës – Livadhi i Marke – Shullani i ri – Delgjurrë – Komavec ; Ura e Topojanit – Topojan – Mazhicë – Qafa e Shtushanit – Qaf Mollë – Xhiteca e Gjurasit – Qafa e Fangut – Delgjurrë – Prat, etj.
Në zonën e Luznisë e Muhurrit për të dalë në Selishtë, Kacni, Qaf Murrë e Lukan , deri tek liqejt e Kacnisë e të Balgjajt në drejtim të Kacnisë dhe deri në Mbas Dejë e Gurin e Vashës në drejtim të Lukanit.
Në zonën e Arrasit, Zall Dardhës e Zall Reçit për t’u ngjitur në drejtim të Gur Lurës e liqejve të Lurës nga lugina e bukur e madhështore e Setës e përshkruar aq bukur nga gjeologu dibran Vesel Hoxha, apo në drejtimin Çidhën – Prat – Lan Lurë – Fushë Lurë; Zall Dardhë – Lashkizë – Lan Lurë – Fush Lurë; Zall Reç – Reç – Ndërshenë – Lanë Lurë – Fushë Lurë; Zall Reç – Reç – Arrë Mollë – Pregj Lurë – Krej Lurë nëpërmjet luginës së bukur të lumit Molla e Lurës.
Në zonën e Lurës, Fushë Lurë – Liqeni i Madh – Liqeni i luleve – Liqeni i zi – Fusha e Pelave; Krej Lurë – Qafa e Kumbullës – Blaç – Nezhda e Lurës; Krej Lurë – Vlashaj – Lajthizë – Fusha e Vjerthit – Fushat e Lugje e kthim në Krejë ose në Konaj – Reps (në rrugën e Kombit) ose Lajthizë – Nome – Arrën i Kukësit.
Tafë Ameti, anëtar i kryesisë së Shoqatës për kulturë “Reka e Epërme”, në një intervistë tregon për bukuritë e Rekës së Epërme dhe për takimin e organizuar nga 31 korrik deri më 5 gusht për prezantimin e veshjeve tradicionale të Rekës, të traditave e zakoneve, të lojrave popullore, folklorit dhe ushqimeve tradicionale të kësaj ane, para vendasve dhe mysafirëve të ardhur për të ndjekur këtë aktivitet. (T.Ameti, “Rruga e Arbërit”, nr. 123, korrik 2016).
Metush Skeja në reportazhin “Pesë kuriozitete rreth Kalasë së Dodës” shkruan se: “Në Kala të Dodës ndodhet mali më i lartë në Shqipëri, Korabi i cili i tëri është për turizëm duke filluar nga pylli me mështekna në Ploshtan, Rafshi i Sorokolit, Liqeni i Zi mbi Tejës, Fusha e Korabit, Panairi, ujëvarat, liqenet karstike, shpella e Ago Ymerit e Kepi i Stogit.
Në Kalanë e Dodës është tabani i këngës së bukur të fushës së Korabit me tre mijë vargje. Në kohën e perandorisë Osmane Kalaja e Dodës ka qenë zona më e pasur me një milion krerë bagëti të imta. Ajo është vizituar nga konsulli austriak Han në vitin 1863. Kalaja e Dodës ka nxjerrë një nga personalitetet më të mëdha të Rilindjes kombëtare, Dervish Carën e Cerenit. Ajo në kohën e perandorisë osmane ka qenë “kaza” dhe quhej Kazaja e Radomirës. (M. Skeja, “Rruga e Arbërit”, nr. 123, korrik 2016).
Përveç këtyre bukurive, Dibra duke filluar nga Qafa e Buallit në kufi me Matin deri në Kala të Dodës në kufi me Kukësin është pëllëmbë e histori, në çdo vend do të ndeshësh një ngjarje të hershme ose të vonshme historike, kështu që krahas zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor, njohjes me bukuritë e natyrës së Dibrës, njohjes me gjeomonumentet, hidromonumentet e biomonumentet (Perikli Qirjazi, Skendër Sala 2006), vizitorët vendas e të huaj do të njihen edhe me historinë e lavdishme të Dibrës në shekuj.
Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, nga Tirana do të shkohet në luginën e bukur të Dibrës për një orë. Por për të shkuar tek liqejt e Kacnisë e të Balgjajt, në Delgjurrë apo Komavec, në Liqenin e Zi të Tërnovës, apo në Kaptinë, te liqejt e Lurës apo në Mollë të Lurës, në Bjeshkën e Zonjave apo në Korab ka mangësi të mëdha në infrastrukturën brenda rrethit ku për 25 vite rresht, përveç rrugës për në Kala të Dodës, në rrugët e zonave të tjera nuk është bërë pothuajse asnjë investim dhe janë në gjendje të mjerueshme. Kështu njësive vendore të Peshkopisë e Bulqizës u del detyra që në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit e të Transporteve, nëpërmjet deputetëve që do të zgjidhen në parlamentin e këtij viti që t’a kthejnë fytyrën edhe nga Dibra sepse ka 25 vite që marrin vota nga dibranët, por investimet për zhvillimin e Dibrës kanë munguar.
Kushdo që vonon hapjen e kësaj rruge, dhe pengon kryerjen e investimeve në Dibër, pengon jo vetëm zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të kësaj treve, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor në zonat që përshkon kjo rrugë, pengon integrimin në Europë të këtyre trojeve të vjetra Europiane.

Referimet
Agim Shenjatari – ”Pasuritë minerale të rrethit të Matit që vihen në lëvizje për ekonominë e tregut me ndërtimin e Rrugës së Arbrit” Kuvendi tekniko – shkencor për Rrugën e Arbrit“ maj 2007
Agim Totraku – “Liqenet e Balgjajt , bukuria e heshtur”, gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016).
Bashkim Lleshi – “Rruga e Arbrit i shërben edhe zhvillimit më të shpejtë të turizmit malor dhe njohjes së mëtejshme të historisë” Rruga e Arbërit nr.6 tetor 2006
Bashkim Lleshi, Avni Dibra – “Rruga e Arbrit premisë për zhvillimin e turizmit“ Kuvendi tekniko – shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007
Hysen Uka, Bujar Karoshi, – Kalendari i vitit 2004 ,Tiranë 2004
Grehans Uka, Bujar Karoshi – ”Guida malore, ja vendet që mund t’i vizitoni” gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016
Metush Skeja – ”Pesë kurizitete rret Kalasë së Dodës” gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016)
Perikli Qirjazi, Skendër –“Monumentet e natyrës së Shqipërisë” Tiranë 2006
Rruzhdi Bitri – ”Prapë na çeli Grama” gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016)
Shuip Marku – “Uji dhe mali aty ku shërohet trupi dhe shpirti” Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016).
Tafë Ameti, Bujar Karoshi – “Ringjallja e Rekës së Epërme” Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016
Vesel Hoxha etj. – ”Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbrit”, Kuvendi tekniko – shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *