7 gënjeshtrat e Kryeministrit të Shqipërisë për Rrugën e Arbrit
Premtimi i fundit është gënjeshtra e 8 apo fundi i gënjeshtrave?


Postimi në faqen e tij në Fb të Kryeministri Edi Rama më 12 prill 2017

Ado të jetë Rruga e Arbërit “projekti i parë i Programit Kombëtar 1 Miliardë për Rindërtim”?
Kjo është një pyetje që pritet të verifikohet në muajt në vazhdim. Që nga viti 2005, premtimet në prag ose gjatë fushatave elektorale kanë rezultuar të gënjeshtra, duke rritur mosbesimin edhe këtë herë, në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Tre kryeministra shqiptare kanë premtuar vazhdimisht se Rruga e Arbërit “fillon” e mbaron brenda mandatit të tyre, por kjo ka rezultuar vetëm një gënjeshtër.
Gënjeshtrat nisin që në vitin 2004 kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe më pas u bënë të vazhdueshme nga kryeministri tjetër Sali Berisha. Por, edhe kryeministri aktual Edi Rama i kanë rezultuar gënjeshtra premtimet e deritanishme, sidomos deklaratat se Rruga e Arbërit do të ishte “projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës”. Epoka e bashkëpunimit vazhdoi, por negociatat për Rrugën e Arbërit dështuan. Dhe për këtë, deri më tani nuk pati asnjë sqarim publik, megjithëse për këtë cështje qeveria dhe parlamenti u angazhuan me një ligj të veçantë, duke i dhënë më shumë hapsirë teorive konsiparive mbi korrupsionin, përfshirë edhe futjen e të tretëve në lojë, duke shtuar ndjeshëm kostot e investimit.

Historik: 7 gënjeshtrat e Kryeministrit të Shqipërisë

Gënjeshtra nr.1. Kryeministri Fatos Nano, Peshkopi, 26.10.2004: “Vitin e ardhshëm do të fillojnë punimet për Rrugën e Arbrit. Kjo rrugë do të kushtojë 120 milion dollarë dhe distanca juaj me tregjet kombëtare dhe rajonale do të shkurtohet ndjeshëm, ndërsa rruga Peshkopi-Tiranë nga 180 km që është aktualisht do të jetë vetëm 72 km. Qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e kësaj rruge ka marrë një kredi prej 72 milion lekë nga Banka Botërore.”.
Gënjeshtra nr.2.Kryeministri Sali Berisha, Bulqizë, shkurt 2007: “Në mandatin 4 vjeçar ju jap fjalën se Rruga e Arbrit është prioritet absolut dhe kombëtar për qeverinë.”
Gënjeshtra nr.3.Kryeministri Sali Berisha, Bulqizë, 21 qershor 2009: Sapo inauguruam segmentin e parë të rrugës së Arbrit me një gjatësi 20 km. Në datën 15 (qershor) u shpall tenderi për segmentin tjetër Bulqizë-Klos dhe unë ju garantoj se brenda vitit do të nisë edhe Klos-Tiranë, Tiranë-Klos.
Gënjeshtra nr.4.Kryeministri Sali Berisha, Bulqizë, 28 gusht 2009: “Dua t’u garantoj Ju se në krye të dy viteve, do të vini në Tiranë dhe do të zbrisni drejt brigjeve të Shqipërisë, në rrugën më të re të Ballkanit, në rrugën e Arbrit. Ju garantoj se në 2 vjet kjo rrugë do të kapë Tiranën dhe ju do të zbrisni në Tiranë në një kohë prej 40 deri në 60 minuta”.
Gënjeshtra nr.5.Kryeministri Edi Rama, Beograd, 16 dhjetor 2014: “U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nise vitin e ardhshëm”.
Gënjeshtra nr.6. Edi Rama, Bulqizë, 8 Qershor 2015: “…me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë e Kinës.
Gënjeshtra nr.7: Edi Rama, Pekin, 27 nëntor 2015: “Takimi me kryeministrin për të diskutuar ecurinë e projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kinës; finalizimin sa më parë të negociatave financiare për të nisur punimet në Rrugën e Arbrit”.

Gënjeshtra nr.8 apo fundi i gënjeshtrave?!
Kryeministri Edi Rama, postim në Facebook, 12 prill 2017: “Projekti i parë i Programit Kombëtar 1 Miliardë për Rindërtim hyri sot në fazën finale: RRUGA E ARBERIT. Pas 25 vjetësh premtime boshe e zhgënjime pas çdo votimi, viti 2017 është viti i nisjes së punës për këtë aks, që e bën Dibrën fqinje të afërt të Tiranës dhe do t’i japë hov zhvillimit ekonomik, social e turistik të një zone të tërë bukurish e burimesh të jashtëzakonshme natyrore, që për çerekshekulli u la në rrënimin e harresës”.

Vendim i miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 12 Prill 2017

V E N D I M PËR
MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT TË KOMPLETIMIT DHE NDËRTIMIT TË RRUGËS SË ARBRIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 6, të nenit 25, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikave 1 e 2, të nenit 15, “Dhënia e bonusit”, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, të miratuara me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e bonusit prej 10 (dhjetë) % të pikëve, që i jepet shoqërisë “Gjoka konstruksion”, sh.a., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat për kompletimin dhe ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
2. Ngarkohet Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

Komente në faqen e FB të Kryeministrit:
Lajmi në FB i kryeministrit është bërë share nga 448 përdorues të FB, ndërsa është komentuar me mbi 350 komente, pozitive dhe negative, disa prej të cilave po i rendisim më poshtë:
Shuip Marku: “Nëse e bën Rrugën e Arbërit do të bekojë Dibra! Dibra e Madhe e Dibra e Vogël. Kur të bekon Dibra, të ka bekuar Zoti! Rruga e Arbërit është shpëtim për qindra mijëra njerëz!”
Elisabeta Ilnica: “M’u dridh komenti nga entuziasmi; po shkoj të blej gomat e reja të makinës, se e di që do me duhen prapë edhe pas 25 vitesh”
Kastriot Zeneli: “Po e bënë rrugën e Arbrit, mbas Skënderbeut do të mbahesh mend Ti në histori për Dibranët”.
Bujar Fetai: “Kjo është një ëndërr e çdo dibrani, të gjithë pa durim e presim këtë rrugë, shpresojmë se kjo nuk është vetëm një lojë elektorale.”
Hasan Shehi: “Z. Kryeministër, andej nga zona e Dibrës përdorim nji shpehje popullore që thotë: më mirë ha një kafshatë të madhe se sa të japish një premtim kaq të madh… Po ta kthejsh në realitet…”
Marjo Mija: “Si gjithmonë fillohen punimet me bujë të madhe, pastaj pauze 2 vjet, pastaj fillohen prap .. Jemi mësuar tani s’na bën më përshtypje…”
Gazmir Alia: “Rruga e Arbërit është një projekt i përsëritur shumë herë mbi një truall të vjetër. Rruga flet me vepra, nuk flet me zë.”
Idris Kadriu: “U bo kjo rruga e Arbrit si me lidh Peshkopinë me Kinën”
Amelja Torra: “Ti do bësh rrugën e Arbrit? Nc, nc, nc, s’ma mbush dot menjen, s’ke faj, do bësh ca premtime boshe se erdhi qershori. S’je aq burrë sa ta mbash llafin ti jo; po nejse, e ke për detyrë me bo reklama fb, po nuk na detyrohesh kaq, na detyrohesh çik më shumë. K’to letrat që ke postuar ti do hidhen në kosh si gjithë letrat e tjera që ke hedhur, dhe unë do e ruaj këtë postim që kur të dali fjala ime, të ta rikujtoj zoti Rama”.
Fatjon Kasamaj: “Rruga e Arbërit është bërë legjendë e kohëve moderne, kushedi dhe sa vite do kalojnë dhe do mbetet e tillë, sepse s’është e vetmja, janë dhe disa të tjera që janë nis, por s’dihet se kur do përfundojnë për mungesë fondesh dhe firma koncensionesh që shkojnë e vijnë si era kur fryn”.
Viktor Krrashi: “Z. Kryeministër, Zoti vetëm mbarsi ta boft! Në qoftë se e realizon projektin e Rrugës së Arbrit, fitoren e ke 100% dhe mos harro, dibranët vërtet s’flasin me zë, po me vepra. Shpresoj që kjo të jetë vepër e jo fjalë bosh”
Julian Vraniçi: “Boll me mashtrime që prej vitit 2000 për Rrugën e Arbërit. Dibra dhe dibranët nuk e hanë sapunin për djath, dhe këtë do e vërtetojmë me votë me 18 qershor, ku bojkotojmë zgjedhjet”.
Shaban Shyti: “Ishalla është e vërtetë, se nga që na kanë mashtruar ka 26 vjet, nuk mund ta besojmë akoma. Me duket se jemi në ëndërr, por ishalla kjo ëndërr del e hajrit”.