Të rinjve u duhet guximi, iniciativa dhe një profesion


Eduart Ilnica

Nga Samet Zagradi

– Për një publik më të gjerë, na fol pak kush është Eduard Ilnica?
Lindur dhe rritur në fshatin Burim të Maqellarës, nga dy prindër arsimtarë. Fëmijëria ishte si shumë bashkëmoshatarë, ku gjithçka lidhej me shkollën, për të mësuar shumë. Dhe mbaj mend që 8-vjeçaren e kam mbyllur me notën mesatare 10. Më doli një bursë asokohe (tekstil-trikotazh), por e refuzova dhe për pasojë, fillova gjimnazin në Maqellarë, një nga shkollat më të mira të Dibrës, ku kanë dalë shumë personalitete. Si shumë të rinj, jam marrë shumë me sport, futboll dhe volejboll, duke konkurruar në spartakiadat e asaj kohe. Kam qenë koleksionist i gazetës së sportit në atë kohë, ndërsa vetë bëja kalendarët e evenimenteve të rëndësishme sportive. Këtu si duket ka nisur edhe dëshira për t’u marrë me gazetari sportive. Pasi mbarova gjimnazin, konkurrova në Fakultetin e Histori Filologjisë, dega Gjeografi, ku zura vendin e tretë në rang kombëtar. Mbarova Universitetin në vitin e vështirë 1997 dhe m’u desh të emigroja si shumë të tjerë, që për mua ishte një shkollë më vete, pasi mësova edhe dy gjuhë të huaja, italisht dhe gjermanisht. Kthehem nga emigracioni në vitin 2000, më vonë krijoj familje, jam baba i dy fëmijëve.

Në Shqipëri gazetaria është një profesion i vështirë, të çfarëdo profili qofshin gazetarët, madje edhe për mua si gazetar sportiv. Por ndërkohë, të jep kënaqësi, kur publiku të dëgjon, të lexon apo të klikon. Ky është matësi për një gazetar. Natyrisht, shpesh ndeshemi edhe me kritika, pse jo, ka edhe fyerje apo edhe kërcënime, por këtu qëndron bukuria e këtij profesioni, duhet të dalësh mbi të gjitha dhe të vazhdosh të informosh publikun pa devijime.

– Si nisi karriera juaj dhe cilët ishin vështirësitë që ke hasur?
Në vitin 2001, së bashku me motrën time (edhe ajo gazetare), botojmë një libër, “Guida e Durrësit”, e aty nis dëshira për të shkruar. Një shok i imi më thotë se është hapur një vend vakant te gazeta “Gazeta Shqiptare” në rubrikën e sportit, që ishte gazeta më cilësore në treg asokohe, një shkollë për shumë të rinj e të reja, pasi tregu mediatik kishte nisur shpërthimin, teksa ata që mbaronin shkollën nuk plotësonin dot nevojat. Muaji i pari ka qenë i vështirë, kisha tre gazetarë të njohur mbi kokë, duke filluar nga Carlo Bollino, Arjan Çani dhe Andi Tela, që publiku i njeh mirë tashmë. Mos harroni, nuk kishte internet si sot dhe as paketa sportive që mund t’i ndiqje ndeshjet në TV, kështu që bridhja në stadiume, në institucione dhe në mbrëmje duhet të bëja minimalisht 2 faqe gazetë. Njohja e gjuhës gjermane më dha shumë avantazh, sepse shumica e futbollistëve të Kombëtares shqiptare në atë kohë luanin atje. Në vitin 2004 marr një ofertë nga “Sporti Shqiptar” dhe kaloj direkt redaktor përgjegjës. Në vitin 2009 kaloj në rolin e zv.kryeredaktorit, ndërsa vitin e fundit, para se të mbyllej kjo gazetë, isha kryeredaktor, që është edhe kulmi për një gazetar. Në 2013 nis një eksperiencë të re, kaloj në TV “News 24”, por ndërkohë shkruaja sërish te “Gazeta Shqiptare” dhe nuk mungonin shkrimet edhe në “Balkanweb”, portali i parë i hapur dhe një nga më të lexuarit në rajon. Rikthehem në gazetë në rolin e zv.kryeredaktorit (Sport Plus), por pa u shkëputur nga TV, kësaj here “Telesport”, ku në fund isha drejtor informacioni. Tani kam nisur një projekt të ri dhe shkruaj për “Konica.al”. Nisur nga eksperienca, shumë TV më ftojnë për të folur për sportin, duke analizuar dhe dhënë mendime.

Pavarësisht ndryshimeve demografike, dibranët sërish mbeten punëtorë, patriotë dhe alegorikë. Fatkeqësisht, shumë pak të rinj sot e shohin jetën në vendin e tyre, shumica duan të largohen ose minimalisht të ikin nga Dibra dhe të jetojnë në Tiranë, jo për faj të tyre. Mesazhi im është i thjeshtë: Guxoni sa jeni të rinj, merrni iniciativa edhe në vendin tuaj, shfaqni ambicien për atë që keni dëshirë të bëheni, mundoheni patjetër të merrni një profesion, nuk ka rëndësi se çfarë, mjafton të ndiheni mirë në atë që bëni.

– Si e përshkruani profesionin e gazetarit në Shqipëri? A jetohet me të?
Në Shqipëri gazetaria është një profesion i vështirë, të çfarëdo profili qofshin gazetarët, madje edhe për mua si gazetar sportiv. Por ndërkohë, të jep kënaqësi, kur publiku të dëgjon, të lexon apo të klikon. Ky është matësi për një gazetar. Natyrisht, shpesh ndeshemi edhe me kritika, pse jo, ka edhe fyerje apo edhe kërcënime, por këtu qëndron bukuria e këtij profesioni, duhet të dalësh mbi të gjitha dhe të vazhdosh të informosh publikun pa devijime. A jetohet me gazetari? Jetohet nëse punon mirë, bëhesh gazetar i mirë, në mënyrë që të të vlerësojnë punën, pra të shesësh emrin tënd në treg. Nëse bëhesh gazetar thjesht për të marrë një rrogë, atëherë natyrisht që si shumë shtresa të tjera të popullsisë do ta kesh të vështirë të kalosh muajin.

– Mendimi juaj për të rinjtë dibranë? Mesazhi juaj për ta?
Jam krenar që jam dibran dhe të rinjtë e sotëm duhet të jenë të tillë. Pavarësisht ndryshimeve demografike, dibranët sërish mbeten punëtorë, patriotë dhe alegorikë. Fatkeqësisht, shumë pak të rinj sot e shohin jetën në vendin e tyre, shumica duan të largohen ose minimalisht të ikin nga Dibra dhe të jetojnë në Tiranë, jo për faj të tyre. Mesazhi im është i thjeshtë: Guxoni sa jeni të rinj, merrni iniciativa edhe në vendin tuaj, shfaqni ambicien për atë që keni dëshirë të bëheni, mundoheni patjetër të merrni një profesion, nuk ka rëndësi se çfarë, mjafton të ndiheni mirë në atë që bëni. Dhe si dashamirës i sportit, mbështeteni Korabin, jo vetëm të futbollit, por edhe të volejbollit dhe disiplinave të tjera. Vetëm me mbështetjen tuaj sërish Korabi mund të jetë në elitë, pavarësisht vështirësive.

– Cila është lidhja juaj me Dibrën?
Me Dibrën me lidhin shumë gjëra. Unë kam ende shtëpinë në fshat, me një bahçe që shpresoj ta rindërtoj pas mbarimit të “Rrugës së Arbrit”. Kam shumë shokë, kushërinj, të afërm, njëkohësisht edhe dy “mixha” në Peshkopi, Bajramin dhe Nazifin. Por lidhja më e fortë janë kujtimet e fëmijërisë, që sa herë shkoj, ndjej nostalgji. Së fundmi, besoj ju e dini që kam qenë i lidhur fort me ekipin e Korabit dhe kam dhënë kontributin tim për ta ringritur, do ta bëja sërish nëse do të ma kërkonin, ashtu si gjithnjë këto vite: falas.

– Si ndihesh të intervistohesh nga një gazetë e Dibrës dhe si i ri i suksesshëm?
Natyrisht që ndihem mirë. Një ide shumë e mirë, për të promovuar sa më shumë njerëz që kanë lidhje me Dibrën, në mënyrë që edhe ata të ndihen të detyruar të bëjnë diçka për vendlindjen tonë. Vetë kam shkruar disa herë te “Rruga e Arbërit”, por emocion më vete të të intervistojnë dhe jo të intervistosh. I uroj suksese gazetës “Rruga e Arbërit” dhe ty Samet, por edhe gjithë dibranëve pa përjashtim. Zoti e bekoftë Dibrën time!