Mes Beratit dhe Dibrës


Berati kishte plot të rinj, dhe kështu edhe këtu unë gjithnjë i jap qasjen në mendim duke e krahasuar me vendin tim. Në Dibër të rinjtë ose ikin në kurbet pa mbaruar asnjë shkollë ose bëjnë një shkollë në Tiranë dhe të suksesshmit nuk kthehen më dhe kjo ndodh si mungesë e perspektivës e shpresave për një të ardhme ndryshe.

Në fund të korrikut patëm një ftesë për në Festivalin multikulturorë të Beratit, nga Biblioteka “Vexhi Buharaja”, për të lexuar poezi në pedonalen e qytetit. E para gjë që më vjen në mendje në mënyrë komplet të pavetëdijshme më çon direkt në Dibër. Sikur ky lloj festivali të bëhej dhe në qyteti tim dhe unë të lexoja poezi mu në mes të  bulevardit, para Pallatit të kulturës?!

U nisëm të gjithë anëtarët e Klubit të librit, Kamëz. Ora qe 10 e 5, dhe fiks në  11: 30 ishim në Berat, mu ballë një Terminali  me kushte vërtet europiane, dhe më ngjante me një stacion treni në Cherebourg të Francës. Mu këtu, bindesh plotësisht se Dibra është e lënë komplet pas dore. E bëj këtë paralelizëm veç mbi bazën e asaj çka kam parë, dhe të njëjtën gjë mund të them edhe për qytet e tjera më të mëdha në jug.

Rruga për në Berat është e gjitha autostradë. Autobusi nuk ndjehet, dhe të bëhet sikur je në një divan, mu në mes të odës. I them shokut tim që e kam ngjit, i cili është nga Burreli:

-Shikoje ç’rrugë? A nuk jemi diskriminuar nga të gjitha qeveritë duke na lënë pas dore?

-Për rrugën?- më pyet.

-Po. I them.

-Ç’faj kanë qeveritë?- pyeti prap.

-Ja, këta mbajtëset prej hekuri anash: këtu është fushë dhe nuk mungojnë askund, ndërsa tek ne as në Shkopet, as në Qafë të Buallit nuk ka. Me marr hov andej, bëhesh troshka.

-Ke të drejtë.-tha, dhe më duket se u bind.

Kam parë në çdo qytet të Europës ku kam qenë, madje edhe për në Shkodër, që udhëtarë e shtyjë udhën duke lexuar. Kjo është fitim kohe, domethënë edhe koha shtyhet, edhe dija me kënaqësinë fitohen njëkohësisht.

Edhe në çantën time gjithë kohës qëndron së paku një libër. Rrugës për Berat, kam marrë Gabriel Garcia Maques-in reportazhe, “Udhëtim në Europën Juglindore” kur po zbrisja kisha lexuat 73 faqe (faqet nuk janë shumë të mëdha). Ndërkohë kam provuar ta bëj edhe rrugës nga Dibra në Tiranë, por duart janë të zëna për t’u  shtrëguar mos i hipësh tjetrit në shpinë gjatë kthesave e laqeve që ka rruga, ndërsa mendja ka marrë teposht Rrugës së Arbërit duke fluturuar nga një xham i lënë hapur që tu futur ajër i ri. Nëse rrugës për në Dibër do mund të lexoje, jam i sigurt se do të qe një indicie për të shkuar sa më shumë njerëz dhe sa më shpesh.

Dibra dhe Berati janë thuajse të barazlarguara nga Tirana në vijë ajrore, ndërsa, për të shkuar në Berat të duhet gati një orë e gjysëm, për në Dibër të duhen katër orë. Dmth, dy orë e gjysëm më shumë, dhe sipas meje, padrejtësia më e madhe që mund t’i bësh dikujt është: t’i marrësh kohën. Të shkosh nga Dibra në Tiranë të kushton 8 orë kohë vajtje-ardhje, që normalisht duhet të lësh ditën e punës. Kjo gjë bëhet rrallë, dhe dashja-pa-dashje, kjo marrje kohe të kufizon.

Duke i kapërcyer bukuritë e Beratit (sepse çdo vend ka bukuritë e veta), në çdo cep të qytetit kishte kosha mbeturinash, diku kishte semaforë, dhe vende plot me stola dhe sheshe publike. Rrugët nuk kanë gropa dhe dritat në mbrëmje janë ndezur kudo. Trotuaret nuk ishin të zëna me karrige nga kafenetë dhe kjo të jep idenë se gjërat këtu shkojnë mirë.

Pedonalja është përplot pemë të mëdha dhe  hija të krijon kushtet mos të të digjet rrashta e kresë kur të kalosh në të. Nën këto hije ka stola, dhe pasdite mbushen plot me të rinj e pleq. Vertetë që të rinjtë nuk gjenden në kafene por në stola. I gjithë vendi mbushej plot me njerëz muzgjeve dhe qyteti gjallon.

Berati kishte plot të rinj, dhe kështu edhe këtu unë gjithnjë i jap qasjen në mendim duke e krahasuar me vendin tim. Në Dibër (dhe të gjithë verilindjen e Shqipërisë) të rinjtë ose ikin në kurbet pa mbaruar asnjë shkollë ose bëjnë një shkollë në Tiranë dhe të suksesshmit nuk kthehen më dhe kjo ndodh si mungesë e perspektivës e shpresave për një të ardhme ndryshe.

Çmimet janë gati të njëjta edhe pse është qytet turistik. Ndoshta kjo është arsyeja që vizitohet nga plotë e plotë të huaj duke veçua faktin që është qytet muze.

Pas mbylljes së aktivitetit poetik në pedonalen e qytetit, ku lexuam poezi tonat dhe të poetëve të preferuat dolëm dhe u sorollatëm nëpër qytet. Kishte edhe panair libri, gjë që në Peshkopi u bë vetëm dy vite, dhe gjasat janë mos të zhvillohet më.

Drejtori i Bibliotekës së Beratit, Arben Jaupaj, kërkon që të ngjallë frymën e leximit në qytetin e tij, tek të rinjtë dhe jo vetëm, dhe fill pas kësaj, si pasojë edhe të nxisë krijime të reja.

Më ka rënë rasti të jem në aktivitete letrare në Shkodër, Kamëz, Durrës, Tiranë po e po, por së fundmi edhe në Berat, dhe të them të drejtën që nuk ka diçka të mirëfilltë letrare (me sa di unë) prej disa vitesh që tentoj të jem pjesë e kësaj bote kulturore.

Më shqetëson fakti që nuk ka të tilla aktivitete, që fatkeqësisht, këtë rast janë pasqyrë e kulturës së leximit por edhe të kulturës në përgjithësi që ka një brez dhe që pret ta trashëgoj tek pasardhësit. Dikush do të thoje se ne kemi hallet të tjera, halle me siguru jetesën, por kurrsesi nuk po vdes Shqipëria për copën e bukës, megjithëse kultura është buka e mendjes dhe e shpirtit.

Fjala bie, ne kemi halle politike. Këtu jam shumë dakord. Sepse nëse bëhet një protestë për një parti politike, i ke në Tiranë mbi 5 mijë dibranë, ndërsa për të protestuar për Rrugën e Arbërit, bëhen-s’bëhen 300 veta. Por as kjo nuk e justifikon leximin e pakët dhe qasjet inferiore ndaj kulturës në tërësi. E megjithatë, leximi në krizë është një fenomen botërorë, por kurrë s’duhet të shterrohen qasjet, e as indiciet.