Rreth përkatësisë etnike të Vojsava Tribaldës “Kastriotit”


 

 

Nga Hilmi Sadikaj

 

Vojsava Tribalda pasi u martua me Gjon Kastriotin mori mbiemrin “Kastrioti”. Rreth përkatësisë etnike të saj në historiografinë skënderbegiane janë hedhur disa mendime. Shumica e këtyre mendimeve janë të përgjithshme, anësore e pothuajse kanë lënë pa prekur fare problemin, se cila ka qenë përkatësia etnike e familjes së saj. Burime të tjera, sidomos atyre që datojnë nga çereku i fundit i shek. XIX, të gjithë të huaj, duke mos u thelluar në të dhënat mbi të cilat janë mbështetur, por mbi bazën e një vështrimi subjektiv e tepër të sipërfaqshëm, dhanë edhe mendime për një përkatëse etnike sllave të Vojsavës. Kuptohet se këta autorë nuk e kanë pasur plotësisht të qartë se dyert princërore arbëre, deri edhe zotër feudalë më të vegjël, për vite me radhë kishin qenë në kontakt me krerë sllavë, fqinj me prona me ta. Vetë jeta i kishte detyruar që të bashkëpunonin në aspekte politike, ekonomike e ushtarake dhe kishin bërë përpjekje që t’i forconin këto lidhje me krushqi të ndërsjellta. I përkisnin së njëjtës fe ortodokse, merrnin dhe jepnin prika, huazonin zakone e norma zakonore, njihnin gjuhët e njëri-tjetrit, vinin emra që u pëlqenin pa vënë re cilës etnie i përkisnin etj. Kështu që prindërit arbër në pikëpamje territoriale shtriheshin drejt lindjes, deri në rrjedhën e sipërme të lumit Vardar, duke përfshirë: Mokrat e Shkupit, Pollogun e Tetovë-Gostivarit, Ohrin me krahinë, Prilepin, Prespën e Kosturin me krahinë e më gjerë.

Për këto shtrirje të dyerve princërore arbre drejt lindjes mjafton të kujtojmë Hlapenin1), vjehrrin e kreshnikut sllav Kraleviq Markos, të shoqin e Helenës, bijës së Hlapenit, që kishte marrë si prikë kur u martua me të Kosturin me rrethinë 2) Andrea II Muzaka që shtiu në duart e tij këto treva 3) pas vrasjes së Kraleviq Markos 4) dhe martesës së tij me të venë e kreshnikut në fjalë, Helenën, të bijën e Hlapenit, me kusht që të lëshonte gruan që kishte (bijën e despotit të Beratit dhe ta merrte atë). Zotëruesi i Dibrave, Ohrit dhe i trevave veriore e lindore të Ohrit ishte Pal Gropa e pasardhësit e tij5).

Një mbretëri mjaft të gjerë arritën të krijonin Balshajt, të cilët, duke e pasur qendrën në Shkodër, synonin t’i kthenin në vasalë të tyre të gjithë princërit e tjerë arbër e sllavë përreth. Duhet mbajtur parasysh se shtrirjet ekonomike dhe politike nuk pengoheshin nga përbërja etnike e popullsive të trevave të tyre të zotërimit. Për rrjedhojë zotër arbër dispononin popullsi raja të etnive arbre e sllave, që sipas trevave merrnin edhe emra të veçantë: arbër, tribalë, serbë, bullgarë etj.

Krahas këtyre dy drejtimeve rreth përkatësisë etnike të Vojsava Kastriotit, në gjenealogjinë e Gjon Muzakës (1510) janë sjellë të dhëna që e sqaronin në një farë mënyrë edhe mundësinë e përkatësisë arbëre të saj. Mendojmë se duke qenë përpara fakteve që nuk ishte e nevojshme të parashtroheshin, nuk e përmendnin këtë përkatësi direkt. Kësisoj u dhanë mundësi të tjerëve që ta përmendnin si të papërcaktuar ose, çka solli edhe pasoja për më vonë, që ta përmendnin edhe si me origjinë sllave.

Mendimi ynë për autorët që e lanë pa përmendur etninë arbëre të Vojsava Kastriotit është se ata e dinin se ajo është e asaj etnie. Për rrjedhojë, nuk e ndjenin të nevojshme që ta sqaronin më tej atë. Kronologjikisht për herë të parë për Vojsavën flet Marin Barleti. Ai mjaftohet vetëm duke thënë se ajo ishte e shoqja e Gjon Kastriotit, se ishte e bija e princit fisnik të Tribalëve, por nuk thotë se cilës etnie i përkiste.

Në burimet e mëvonshme rreth përkatësisë etnike të Vojsava Tribaldës filluan të bëheshin shtesa e ndonjë ndryshim, por prapëseprapë mbeteshin të përgjithshme e të papërcaktuara qartë të dhënat për të.

Autori i veprës “Punët e ndritshme të zotit Gjergj Skënderbeut”6) na jep këtë të dhënë: “… dhe e ëma e Skënderbeut, e quajtur Vojsavë, që e bija e zotit të Pollogut që është pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë”. Duke e plotësuar të dhënën e Barletit me të dhënën që po e shqyrtojmë, na del se ati i Vojsavës, princi i Tribalëve, zotëruaka krahinën e Pollogut që, siç shihet, është fusha e Gostivar-Tetovës me rrethinat, në rrjedhën e lumit Vardar. Këto treva kanë qenë të banuara prej arbërish e tribalësh (popullsi sllavo-maqedono-bullgare), por zotëritë e tyre feudalë nuk ishte e thënë që do të ishin doemos tribalë. Në rastin konkret familja e prindërit e Vojsavës kanë qenë arbër, pasi, siç thamë më lart, në këtë kohë (çereku i fundit i shek. XIV) ato krahina i zotëronin feudalët arbër.

Edhe Francesko Sansovino përsërit të dhënën e Anonimit (që disa ia atribuojnë Franco Demetros) ku theksohet se Vojsava qe e bija e zotit të Pollogut, që është një pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë 7).

Sikurse mund të konstatojë secili, nuk shohim as ndryshimin më të vogël midis të dhënave të tyre, prandaj edhe nuk kemi çfarë të themi ndonjë gjë më tepër për çështjen që kemi në shqyrtim.

Disa dekada më pas autori Lavardin thotë se e shoqja e Gjon Kastriotit e kishte emrin Vojsavë, e denjë për një burrë të tillë, duke qenë se ishte bija e të shkëlqyeshmit Mbretit të Tribalëve (ose zoti i Pollogut që ishte pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë), që porsa i përket mirësisë së saj, zgjuarsisë dhe shprehjeve të saja të shkëlqyeshme, i tejkalonte cilësitë e grave të tjera 8).

Sikurse shihet edhe Lavardini përsërit të dhënat e Anonimit dhe të Sansovinos porsa i përket faktit se i ati i Vojsavës, ish-zot i Pollogut, që ishte pjesë e Maqedonisë dhe Bullgarisë, por shton disa epitete që bëjnë fjalë për cilësitë e saj individuale si dhe rreth babait të saj, të cilin e paraqet si mbretin tepër të shkëlqyer të Tribalëve.

Më pas edhe Pontano duke u mbështetur si duket tek Lavardini, e konsideron Vojsavën si “bijën e prindit shumë fisnik të Tribalëve” dhe nuk jep asgjë më tepër 9).

Pothuajse pas një shekulli me këtë çështje u mor R.P.Duponcet 10), i cili është mbështetur si duket tek autorët që përmendëm dhe jo te Barleti, prandaj e konsideron atë si të bijën e mbretit të Pollogut dhe jo të princit, siç thotë Barleti. Disa vjet më vonë Giammaria Biemmi, Vojsavën e konsideron si të bijën e një zoti të Tribalëve dhe thotë se “sot quhen bullgarë”11).

Ndryshimi me të dhënat e autorëve që shkruan para tij qëndron në faktin se ky për Tribalët thotë se qenkan bullgarët e kohës së tij (1742). Megjithatë ne na duhet që parashtresën ta marrim disi me rezervë, pasi në kohën e dhënë nuk duhet të ketë qenë kusht i domosdoshëm që edhe zotëritë feudalë t’i përkisnin gjithmonë etnisë së rajave të tyre e për rrjedhim etnia e tyre jepet e papërcaktuar përfundimisht.

Edhe autori Paganel, Vojsavën e konsideron si të bijën e princit të Tribalëve, pa e përcaktuar përkatësinë etnike të princit në fjalë 12).

Francesko Tajani, të shoqen e Gjon Kastriotit e quan Vojsava dhe thotë se është e bija e një princi të Tribaleve, siç quheshin bullgarët që zotëronin Bosnjën. Që Tribalët mund të kenë qenë bullgarë është parashikuar edhe nga disa autorë të tjerë, por e thëna se ata paskan zotëruar Bosnjën, gjë për të cilën i referohet Paganelit, nuk qëndron për arsye se ky i fundit nuk ka thënë as se Tribalët janë bullgarë e as se ata të kenë zotëruar Bosnjen13).

Konstantin Jireçek mjaftohet të thotë se Pollogu  tani (pra në kohën kur jetoi e shkroi ai) është Tetova në Vardarin e Sipërm, kurse rreth përkatësisë etnike, nuk thotë asnjë fjalë14).

Krahas autorëve që e lënë të papërcaktuar etninë e Vojsavës 15) janë edhe disa që i atribuojnë asaj një etni serbe. Kështu J. De Hammer, duke bërë një krahasim midis Olimpias dhe Vojsavës, thotë për këtë të fundit se qenka princeshë serbe (servienne)16). Ne mendojmë se me shprehjen “servienne” nuk duhet të ketë shprehur mendimin e tij për përkatësi etnike, por thjesht për natyrë nga pikëpamja fisnore, me kuptimin: nga një familje e klasave të ulëta shoqërore, fshatare, pasi fjala “servienne” e përmban më tepër një kuptim të tillë që i kanë dhënë autorët që e kanë trajtuar se sa kuptimin “serbe”. Pra, gjithnjë sipas nesh, kjo fjalë nuk i është atribuuar për të përcaktuar përkatësinë etnike.

Prof. Karl Hophi, mbështetur në materialet arkivale që konsultoi, edhe ai Vojsavën e paraqet si të shoqen e Gjon Kastriotit, por në kllapa. Pranë emrit të saj ka shënuar emrin “serbe”. Kushdo mund ta kuptojë se kjo e dhënë ç’ndikim mund të ketë shkaktuar mbi predisponimin e J. G. V. Hahnit, që konsultoi materialet e Karl Hophit, por edhe te ndonjë tjetër.

Kjo konsideratë nuk përjashton mundësinë që të ketë dalë nga një parashtresë tjetër e tij, që, siç dihet, është përpjekur të krijojë një lidhje midis personit me emrin Branillo, kështjellarit të Vlorës dhe atij me emrin ose mbiemrin “Kastriot” që na jepet si kështjellar i krahinës, sikurse ky Branillo të ketë qenë jo vetëm i pari i familjes “Kastrioti”, por edhe “serb”17). Dhe meqenëse për këtë parashtresë nuk i është refuzuar asnjë burimi, ne paraqesim mendimin se autori, duhet të jetë influencuar thjesht nga trajta e jashtme e emrit Branillo, që, siç dihet, është emër serb dhe përdoret kryesisht nga sllavët, pro nuk përjashtohet mundësi që të përdoret edhe nga banorët me etni të tjera. Siç është argumentuar tashmë nga studiues të tjerë, emri Branillo në funksionin e kështjellarit të Vlorës nuk është as identik, por as që ka ndonjë lidhje me Kastriotin, kështjellar të Kaninës. Por edhe sikur të ketë, përsëri arsyetojmë se vetë emri Branillo, që në shqip do të shkruhej Vrana, fare bindshëm mund të jetë shkruar qëllimisht nga shkruesi sllav i dokumentit serb të Vlorës në vitin 1366, që ka pasur edhe tendenca subjektive me prirje etnike sllave, jo vetëm në bazë të argumenteve të parashtruara, por edhe për sa e sa argumente që kanë paraqitur studiues të tjerë.

Një konsideratë anësore lidhur me përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit, ka shprehur edhe Julius Pisko18) kur thotë: “Pretendimi i disa historianëve se Kastriotët e kanë origjinë serbe bazën duhet ta ketë në martesën e Gjon Kastriotit me Vojsavën, bijën e një princi të Tribalëve”. Siç shihet Pisko Tribalët i konsideron sllavë, e megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe zoti i tyre feudal, i ati i Vojsavës të mos ketë qenë arbër.

Fisniku arbëresh Gjon Muzaka, mbi bazën e njohjes individuale të familjes “Kastrioti” lidhjeve martesore të ndërsjella të asaj kohe, por edhe të të dhënave të ndonjë bashkëkohësi, që diçka i tregoi rreth kësaj familjeje, diçka flet për gjenealogjinë që shkroi19) dhe flet edhe për Vojsavën, duke thënë se “Gjon Kastrioti, i ati i zotit Skënderbeg, pat për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën i lindën katër fëmijë meshkuj dhe pesë fëmijë femra”. Më tej vazhdon: “E ëma e të thënit zotit Skënderbe, gruaja e të thënit zotit Gjon, pati emrin Vojsava Tribalda dhe vinë nga një derë e fisme”.

Të dhënat e Gjon Muzakës rreth Vojsavës janë të qarta, por megjithatë ai nuk e përmend fare përkatësinë etnike të familjes së saj. Nisur nga kjo do të pyesja: E pse do ta trajtonte në kronikën e tij, kur ajo dihej se ishte arbre dhe atij nuk i dilte e nevojshme që ta shprehte atë që në fakt dihej jo vetëm prej tij e prej trashëgimtarëve, pasi ai e paraqet qartë lidhjen midis saj dhe Vrana Kontit. “Ai arbëresh dhe kur u vendos në Itali mori titullin Marchese della Tribalda”. Idenë e farefisnisë së Vojsava Tribaldës (Kastriotit) me Vrana Kontin, markezin e Tribaldës, Muzaka na e jep me fare pak fjalë, sa për të shpjeguar se ku konsistonte farefisnia e saj me Vrana Kontin dhe familjen Muzaka, duke thënë se rridhte në linjë lidhjeje femërore. Kështu që. meqë nga Blasio Muzaka lindi zonja Theodora, e cila u martua me Pal Zardarin, të birin e Vug Zardarit dhe nga kjo martesë lindi zonja Marie, e cila u martua me Vrana Kontin, dukë i Ferrandinës dhe markez i Tribaldës dhe meqenëse Maria ishte mbesë Muzakajsh në linjë femërore dhe meqenëse nuk la trashëgimtar dhe pronat e saj mbeteshin pa zotërues, pasardhësit e tij duhet ta dinin se u përkisnin atyre, Muzakajve. Kështu del shpjegimi pse Vojsava edhe Vrana Konti mbanin të njëjtin mbiemër, Tripaldi, por njëkohësisht jepet edhe etnia e tyre arbre, pasi dihet mirë se së paku Vrana Konti ishte arbër i pastër.

Kështu në shtesën që i bëhet kronikës së Gjon Muzakës, duke vënë kujtimet e të birit të tij Konstandinit, që edhe ai ua lë pasardhësve të vet20), Vojsava jepet si bija e Momçinit, që u bë shoqja e Ivanit, të cilëve u lindi Gjergj Kastrioti. Pra, Vojsava ishte nga një degëzim i familjes princërore arbre të Muzakajve21).

Fan S. Noli në librin e parë që shkroi për Skënderbeun (1921) thotë se: “Gjon Kastrioti ishte martuar me princeshën Vojsava, të bijën e princit të Pollogut, një krahinë midis Gostivarit dhe Shkupit”. Kjo krahinë dukej se ishte pjesë e perandorisë së Balshajve dhe hynte nën influencën e Kastriotëve. Ndenjësit e saj Barleti i quan Bullgarë, por Noli thotë se “princërit e saj mund të ishin shqiptarë që nga koha e Balshëve”. Noli për këtë konkluzion u referohet kronologjikisht sipas kohës që kanë shkruar, burimeve si: Barleti, Anonimi, K.l.Fl, Veneti, 1545, Muzakës f. 295-301 dhe shpreh mendimin se (Muzaka) “është i vetmi që na e jep llagapin e Vojsavës duke e quajtur Tripalda e Tribalda”. Gjithnjë sipas tij, ky “llagap ujdis shumë me fjalën Triballë” (Bullgarë). Por në qoftë se ai do të ketë qenë llagapi i vjetër i shtëpisë së saj, atëherë nuk kemi pse ta konsiderojmë fare se tingëllueka sllavisht, pasi edhe Andre Engjëll Flav Komnen e nxjerr nga familja e Muzakajve, kështu që duhet të ketë qenë shqiptare e kulluar. Por, për këtë çështje nuk bën fare fjalë Gjon Muzaka vetë. Megjithatë ky i fundmi na thotë se një princ shqiptar me titullin “Markez” di Tribalda, i cili rronte në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, kishte gjak prej Muzakajve22).

Mendimi ynë është se Fan S. Noli nuk u angazhua përfundimisht dhe prerë e sa duhet për këtë çështje dhe të na sillte një konkluzion të prerë.

Marin Sirdani shpreh konsideratën se “legjenda e sllavësisë së familjes Kastrioti sipas Piskos e Fallmerajerit e ka rrënjën tek princesha Vojsava e Pollogut me të cilën u martua Gjon Kastrioti, kurse Thaloczy dhe Jireçek e zanë shqimit përrallë sllavësinë e Kastriotëve” 23). Siç shihet, ky autor vetëm sa e përmend princeshën Vojsava të Pollogut me të cilën u martua Gjon Kastroti dhe nuk thotë asnjë fjalë rreth përkatësisë së saj etnike. Por kur përmend parashtresat rreth kësaj çështjeje të Thaloczyt dhe të Jireçekut, kuptohet se duke dalë kundër përkatësisë sllave të Vojsavës, pranon plotësisht përkatësinë e saj arbre.

Dr. Gaspr Jakova Meruri thotë: “U martua me Vojsavën të bijën e N. N. zotit të Pollogut rajon i Maqedonisë fqinje me Bullgarinë” dhe jo (se ka qenë – H. S.) e bija e mbretit të Bullgarisë, siç kanë parashtruar disa24). Siç shihet parashtresa e tij është e matur dhe e mbështetur në të dhënat burimore të paraqitura para tij, por kur konstaton se në të ka të dhëna të papërcaktuara apo edhe të pasakta ndërhyn dhe sqaron se nuk është dakord që Vojsava të ketë qenë e bija mbretit të Bullgarisë, siç thonin të tjerët. Kësisoj len mundësinë që të diskutohet më tej rreth përkatësisë etnike të saj.

Disa vjet pas Alessandro Cutolo rreth kësaj çështjeje thotë: “Gjoni mori për grua princeshën Vojsava, të bijën e një kreu tjetër shqiptar të shkëlqyer, zotit të Pollogut…”. Siç shihet ky autor thotë shprehimisht se zoti i Pollogut, babai i zonjës Vojsava, gruas së Gjon Kastriotit, ishte njëri nga krerët arbër të shkëlqyer 25). Fan S. Noli në punimin e tij të dytë mbi Skënderbeun thotë: “Ai (bëhet fjalë për Gjon Kastriotin – H. S.) u martua me Vojsava Tripaldën e Pollogut”. Për këtë të dhënë tepër të rëndësishme i referohet Hophit, Chroniques 301. Duke vazhduar të trajtojë f.308 të Chroniques, shton: “Muzaka thotë se Vojsava ishte shqiptare nga familja e Muzakajve” 26). Por si duket për t’u paraqitur sa më tolerant, për mendimin tonë pa qenë nevoja, sepse i duket ndoshta jo aq bindëse parashtresa që sapo përmendëm, citon në vazhdim Barletin me parashtresën e tij tepër të përcaktuar dhe që u ka lënë shteg sa e sa interpretimeve të diskutueshme se Vojsava është bija e zotit të Pollogut, që është një pjesë e Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe në vazhdim citon Jireçekun që e lokalizon Pollogun në Tetovë, në Vardarin e Sipërm.

Sipas mendimit tonë, citimi i këtyre burimeve nga ana e Fan S. Nolit, lidhur me përkatësinë etnike të Vojsava Tribaldës (Kastrioti), është prirur, çka është e logjikshme, për një qëndrim diskutues, sepse edhe pasi përmendi sipas Chroniques Greco-Romanes, shqiptarësinë e saj, Vojsavës, na jep edhe këto dy parashtresa të përgjithshme e të papërcaktuara. Kështu nuk të imponohet sa e si duhet, sidomos po të marrim më konsideratë vargun e parashtresave të tjera, që gjithashtu këtë të dhënë e trajtojnë si tepër të përgjithshme dhe të papërcaktuar si duhet në radhë të parë për mungesë njohjeje të trevës dhe mundësisë së administrimit të saj feudal të populluar nga arbër e tribalë por në pronësi të zotërve arbëreshë.

Duke konkluduar në shprehim mendimin se jo vetëm nga sa jep Konstandin Muzaka, që mbështetet në Gjenealogjinë që i dërgoi Andrea Engjëll Flav Komneni, por edhe në disa faktorë të tjerë që duhen marrë në konsideratë, për shembull siç ishte mundësia që zotërit Arbër të kenë qenë shtrirë gjatë shekujve XIII-XIV, por edhe më parë edhe në trevat lindore të Arbërisë, në hapësirat deri në lumin Vardar dhe në trevat fqinje me to, pavarësisht se popullsia ishte mikse: arbre dhe tribale, zotëruesit feudalë kanë qenë arbër nga dyert e Balshajve, Gropajve, Muzakajve, Kastriotëve etj.

Edhe lidhja që konstatojmë tek mbiemri Tripalda ose Tribalda tek Vojsava, dhe titujt e familjes së Markezit të Tripaldës, arbëresh i shpërngulur nga Arbëria për në Itali, përforcon parashtresën tonë se Vojsava Tripalda Kastrioti i përkiste etnisë arbre.

Tradita gojore thotë se princi i Vojsavës, princi i Pollogut, e me rrjedhën e viteve edhe pasardhësit e njerëzit e afërt të tij, familjarë e jo familjarë, nga represionet e ushtrive osmane, meqenëse gjendeshin në trevat skajore të principatës ose zotërimit, u tërhoqën në mënyrë masive drejt perëndimit dhe u vendosën në brendësi të Arbërisë, në fshatin Guri i Bardhë të rrethit të Matit, zotërim e kështjellë e Gjon Kastriotit. Ky ngulmim i madh arbëreshësh, të dalë nga krahina e Pollogut dhe e vendosur në Gurin e Bardhë, ruajtën për shekuj disa karakteristika që i dallonin disa nga popullsitë e fshatrave të tjerë të Matit, kryesisht në veshje të grave, zakone, folklor, krushqitë i bënin vetëm brenda fshatit të vet. Gjithashtu, në këtë fshat, por për raste edhe më në thellësi drejt fushës së Tiranës, që herët, në shek. XV-XVI ka qenë e fortë tradita fetare katolike që u transmetua brez pas brezi deri sa u myslimanizuan. Mjafton të përmendim Pjetër Budin dhe një varg prelatësh që shërbyen jo vetëm në fshatin e tyre (Guri i Bardhë), por edhe në Martanesh, edhe në fshatrat e tjerë rreth e rrotull.

 

Literatura

1)         Jorga, N. Breve, Histoire de l’Albanie et dy people Albanaise, Bucarest, 1919, VIII, pag. 38.

2)         Po aty.

3)         Hopf, K. Chronique Greco-Romanes, pag. 281.

4)         Du Cange, po aty.

5)         M. Barleti, Historia et gestis de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, liber primus, pag. II, Orige et genus Castriotea familiae…

6)         Anonimi, “Punët e ndritshme të zotit Gjergj Skënderbeut”, 1539, f. 102.

7)         Sansovino Francisco, Historia Universale, 1568.

8)         Lavardin, Histoire de Georges Castriot, Syrnome Scanderbeg, roy d’Albanie, Paris, 1577.

9)         Pontano, Scanderbegus, Hanoviae, 1609.

10) Duponcet, R. P., Histoire de Scanderbeg, Roz d’Albanie, Paris, 1709, Libre premiere, p. 6.

11) Biemmi, G. Histoire Scanderbegi… Venedik, 1742, f. 124.

12) Paganel, G., Histoire Scanderbeg, roy d’Albanie, Paris, 1855, f. 2.

13) Tajani, Fr., Istorie Albanesi, 1866, f. 54.

14) Jireçek, K., Geschichte der Serben, vëll. II, Gotha, 1918, f. 6.

15) Hammer, J. D., Historire de l’Empire Ottoman, përkthim nga gjermanishtja prej J. Hellert, Paris, 1835, f. 339.

16-17) Hopf, K., Chroniques.., f. 304, 532.

18) Pisko, J., Scanderbeg, Vjenë, 1894, Kap. I, f. 3.

19-21) Hoph, K. Chroniques…, f. 301, 304, 307.

22) Noli, F. S., Historia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Boston, 1921, f. 57.

23) Sirdani, M., Skanderbegu simbas gojëdhënash, Shkodër, 1926, f. 2.

24) Jakova, G. Marturi, L’Albanie Nouvelle, vjeti i parë i fevrier 1932, nr. 2.

25) Cutolo, A., Scanderbeg, Milano, 1940, f. 20.

26) Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, (1405-1468), New-York 1947, përkthyer shqip nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1967, kap. II, Fillime legjen.

 

Marrë nga libri “Dibra dhe etnokultura e saj”, V.I, f. 127-134. Botuar nga Lidhja e Historianëve Shqiptarë Dibranë.  Shtypur në shtypshkronjën “Luma”, Tetovë 1995.