Stebleva, fshati që nuk blihet


 

Stebleva, një nga fshatrat e krahinës së Gollobordës, 35 km larg nga Librazhdi, është një fshat  i vizitueshëm gjatë verës. Rrethuar me pyje të lartë, ajër i freskët dhe gjelbërim ngado, është një oaz i mrekullueshëm në lindje të Shqipërisë.

Mersin Hoxha, kryetari i Shoqatës “Stebleva”, ndryshe nga kolegët e tij të shoqatave dibrane në Tiranë, që kujtohen për vendlindjen vetëm për Ditëvere a Shëngjergj, është kthyer ta drejtojë shoqatën e tij në Steblevë, aty ku ka trojet e të parëve të tij. Por është kthyer ndryshe: duke ndërtuar një shtëpi druri bashkëkohore, me të gjitha komoditetet dhe pajisjet e nevojshme, të cilën e ka të hapur për të gjithë ata që duan të vizitojnë dhe ta njohin Steblevën. Gjatë kësaj vere turistë nga vendet europiane e kanë vizituar, kryesisht çekë dhe gjermanë.

Një shtëpi pritëse karakteristike në Steblevë është “Te Qeralli”, që në shqip do të kuptohej “Te Hauri”. Shtëpitë tradicionale në Steblevë e kanë pas përdorur katin e parë të banesës për bagëtinë, por tani që mirëqenia është rritur, hauri është kthyer në një mjedis të këndshëm për turistët.

Në shtëpi nuk ka njeri. Baki Nura, pronari i saj, ka dalë në ara duke vaditur. Ndërsa ne shijojmë për pak çaste kopshtin e rregulluar bukur në oborrin e shtëpisë. Shkëlqim Gruda, i cili na ftoi të vizitonim Steblevën, tregon se kjo shtëpi u kthye në shtëpi pritëse falë ideve dhe pasionit të djalit të Bakiut, Aranitit, i cili iku nga kjo botë në moshën 41 vjeçare.

Araniti la pas vizionin e tij modern për një fshat turistik me të ardhme. “Ballkoni i Steblevës”, i rregulluar bukur në hyrje të fshatit, rrethuar me dru dhe lyer me gëlqere, është pika e parë që të fton të shikosh fshatin e njohur për patatet dhe arrat, por edhe për luftërat e hershme të Skënderbeut.

Bakiun e takojmë të nesërmen te “Çezma e Gjizaxhiut”, një krua në hyrje të Steblevës, aty ku kufijtë e fshatit ndahen me Fushë-Studënin. Janë duke e merementuar, lyer me gëlqere muret, si dhe kanë ngritur një banjo publike poshtë rrugës, si për t’i ftuar udhëtarët që të qëndrojnë e të shijojnë ujin e ftohtë, por edhe ta mbajnë mjedisin pastër.

Pyjet, bimët dhe kafshët, pasuria që duhet ruajtur

Pyjet e Steblevës futen në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicë, me një shtrirje prej rreth 33927 hektarë, nga të cilat mbi 10 mijë hektarë pyje dhe afro 7 mijë hektarë kullota e livadhe alpine janë të krahinës së Steblevës.

“Pyjet i kemi ruajtur me forcë, – tregon Mersini. Kur nga Librazhdi dhe Bulqiza u turrën rreth vitit 2005-2006 shkatërruesit e pyjeve, djem të rinj, të ardhur nga Tirana, Durrësi e Elbasani, ku më së shumti janë shpërngulur steblevasit, i kanë ndaluar dhe ruajtur me forcë. Në qoftë se nuk do ta kishim bërë këtë, këto pyje do të kishin fatin e Lurës”.

Në malet e Steblevës i takon shumë shpejt pyjet e dushkut, pishën e zezë, ahun, bredhin e bardhë e deri te kullotat alpine. Rruga për te fusha ku ndodhet Piramida 30, aty ku ndahet kufiri me Maqedoninë, është një mrekulli natyrore.

Në malet e Steblevës gjenden mbi 178 lloje bimësh mjekësore, mes të cilëve dallohen kamomili, njëmijëfleteshi, lulebalsami,trumza, trëndafili egër, molla e egër, kulumbria, mjedra, dëllinja e kuqe dhe e zezë, bliri, rigoni, salepi, agulicja, shpatorja, murrizi, vadhëza, peshtriku vilëngjashëm, mokërrza, pinguikula e ballkanit, hepatika fisnike etj.

Nga mbledhja pa kriter dhe në kohë të papërshtatshme, disa prej tyre rrezikojnë zhdukjen si tisi, panja e malit, mëlleza, bliri, sanza, salepi, ajdësi alpeve, crocusi, zambaku Shqiptar,boronica, çaj mali, mështekna, manushaqja e dukagjinit etj.  Kështu që lind e nevojshme që të hartohen manuale dhe programe në terren, që të mësojnë banorët për mënyrën se si ato duhen mbledhur dhe kohën kur është e përshtatshme mbledhja e tyre.

Ashtu si në shumë fusha, shitja e bimëve mjekësore është një problem më vete. Tregu i tyre është kaotik dhe jo stabilizuar, duke çuar jo vetëm në mbledhje pa kriter, por edhe në humbjen e të ardhurave për shkak të tregut të pastabilizuar.

Fauna është shumë e pasur në lloje të ndryshme,duke filluar nga gjallesat njëqelizore e më andej me dhjetëra specie zvarranikësh, amfibësh, peshqish brejtësish , gjitarët e vegjël e deri tek gjitarët e mëdhenj dhe shpendët e zogjtë. Ndër specie më të rëndësishme është trofta e malit, por në këto anë gjen edhe lepurin e egër, kaprollin, derrin dhe dhinë e egër, ketrin etj.

Rrëqebulli është një ndër kafshët e rralla, por disa kamera të fshehura në pyje të vendosur nga disa organizata mjedisore, e kanë filmuar atë të lëvizë në këto anë. Po ashtu edhe  ariun e murrëm, ujkun, kunadhen, macen e egër, dhelprën etj.

Shpendët përbëjnë një pasuri të veçantë  e të mahnitshme, si: gjeli egër, kali qyqes, shqiponja, qukapiku, skifteri, gjeraqina, thëllëza e malit, shkabat. Zogjtë përbëjnë një ansambël të vërtetë me cicërimat e tyre, takohen gjithandej në zonat urbane, pyjet  e deri tek kullotat alpine.

Mendjen në Dibër, letrat në Librazhd

Stebleva, në kohën e komunizimit, ka qenë e varur administrativisht nga rrethi i Dibrës, por infrastruktura që e lidh me Peshkopinë e Bulqizën është shumë e dobët. Rruga ka nisur të zgjerohet, por punimet po ecin shumë ngadalë.

Që në atë kohë  banorët i kanë pas shkruar letra pushtetit të asaj kohe, por thonë se Haxhi Lleshi e ka pas kundërshtuar. “Steblevasit janë dibranë dhe ajo do të mbetet e Dibrës”.

“Nuk ka ndonjë ndryshim varësia administrative, – thotë një banor. Për certifikatë do të shkonim në Peshkopi, për certifikatë shkojmë në Librazhd. Por Librazhdi është më afër”.

Kur vendi u nda nga komunizmi, në vitin 1990 zona e Steblevës kaloi në varësi administrative të Librazhdit. Tani të gjitha shërbimet publike banorët i marrin nga ky qytet, ndërsa nga pikëpamja etnografike e kulturore, ngjashmëritë me Dibrën janë të mëdha.

Stebleva ka qenë një nyjë e rëndësishme kalimi për zonën e Strugës, Dibrës, Librazhdit, Elbasanit dhe më tej drejt Manastirit, Selanikut, Shkupit etj.  Një zonë e tillë e rëndësishme pritet të bëhet edhe në të ardhmen.

“Kemi bërë kërkesë për hapjen e një pike tjetër doganore në vendin e quajtur “Fusha e tridhjetës”, një fushë e madhe mes pyjeve, ku ndahet kufiri me Republikën e Maqedonisë. Prej aty, Struga dhe Dibra e Madhe janë shumë afër.

“Megjithëse kam qenë disa herë në Ministrinë e Jashtme, kemi bërë kërkesa të vazhdueshme, e kemi diskutuar me drejtuesit  lokalë e deputetë, madje edhe është rëndë dakord parimisht mes dy qeverive për hapjen e dy pikave të vogla kufitare, kjo çështje nuk ka marrë zgjidhje”, – thotë Mersini, mikpritësi ynë në Steblevë.

Rruga deri afër Steblevës është e shtruar me çakull, është zgjeruar dhe pritet t’i shtrohet asfalti. Një tabelë e vendosur tregon se afati i përfundimit të saj është dhjetor 2017, por banorët thonë se janë të kënaqur edhe sikur ajo të mbarojë para mesit të vitit tjetër. Dhe atëherë Stebleva do të jetë më afër, por edhe pikat e reja doganore do të jenë të nevojshme

Rikthimi

Demir Osmani, një nga bashkudhëtarët tanë në këto ditë korriku, ka qenë disa herë me punë në Steblevë para viteve 1990. Ai i kujton me shumë dashuri miqtë e tij në këto anë, mikpritjen dhe respektin, shumë prej të cilëve e njohën edhe gjatë rrugëtimit tonë në këtë fshat.

Komuna e Steblevës në të kaluarën, përfshirë edhe fshatrat Borovë, Sebisht, Zabzun, Llangë, Moglicë, Fushë-Studën ka pasur mbi 900 shtëpi dhe mbi 4500 banorë. Ndërsa sot popullsia është zvogëluar shumë. Sapo vendi doli nga izolimi komunist, banorët e Steblevës shfrytëzuan lirinë e ekonomisë së tregut dhe sot janë ndër komunitetet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan ndër më të pasurit. Disa prej tyre drejtojnë biznese të mëdha dhe të fuqishme prej miliona eurosh dhe shumë të tjerë kanë ngritur ekonomitë e tyre të vogla që i shërbejnë çdo ditë banorëve në Tiranë dhe në rrethina. Te Kodra e Priftit në Tiranë shumica e tyre kanë ndërtuar vilat e bukura dhe të mëdha, ndërkohë që edhe në Steblevë po rikthehen.

“Gjatë verës kthehen banorët, shumica të rinj, të cilët shfrytëzojnë stinën për mbledhjen e bimëve mjekësore”, – tregojnë banorët. Ata i sheh me motorë që i ngjiten malit, si dikur baballarët e tyre me kuaj dhe kthehen pasdite vonë me bimë të ndryshme mjekësore si sherebel, çaj mali, tërfil, salep e plot të tjera.

Reshat Gruda, 60 vjeç, kthehet në fshat gjatë verës, së bashku me gruan, Neslien. Ka mbjellë kopshtin më misër, fasule e patate dhe kërkon malet për mbledhjen e çajit të malit, të cilin e ka të shitur që pa e mbledhur në Tiranë. Një gotë raki, pak bukë të ngrohtë, djathë dhe petulla vendos shpejt e shpejt në tavolinë, dhe të duket se e gjithë zemra e mirë e tyre është shtruar përpara.

Selim Gruda është një tjetër banor, mbi të 60-tat, që na pret ngrohtë e na fton në shtëpinë e tij që po rindërtohet. Ashtu si ai, shumë të tjerë po i rregullojnë shtëpitë, pasi pas shtrimit të asfaltit, Stebleva është larg nga Tirana vetëm 70-80 minuta.

Banorët e Steblevës janë përmendur vazhdimisht ndër breza si mjeshtra ndërtimi, që kanë ndërtuar kryevepra në gjithë Shqipërinë, në vende të ndryshme evropiane e jashtë Evropës.

Kur shikon shtëpitë e vjetra, dykatëshe e me telis prej druri, siç quhen ballkonet shtëpive, bindesh për mjeshtërinë e tyre. Portat e gurit me hark, muret e gurit, shkallët e drurit dhe portat e jashtme të mëdha e të gdhendura, bindesh menjëherë se ata janë mjeshtra të ndërtimtarisë.

 

Bujqësia dhe blegtoria, mungesa e tregut frenon zhvillimin

Banorët  e Steblevës kanë qenë të njohur për kultivimin e patates, të cilën edhe tani e kanë shumë të mirë. Kohët e fundit organizata të ndryshme po nxisin kultivimin e farës së patates. Vendosja e krahinës në një lartësi mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, e bën shumë të përshtatshme për kultivimin e këtyre farërave. Në kohën e komunizmit fara e patates së Steblevës shpërndahej në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa tani prodhimi i farës shkon në më shumë se 10 mijë kv, por haset vështirësi e madhe në shitjen e tyre.

Zylyf Avdiu, rreth 58 vjeç, së bashku me vëllezërit e tij, ka ndërtuar buzë rrugës një bar-kafe, një baxho, shtëpinë dhe një stallë të madhe për bagëtinë. Nga baxho provojmë djathin, gjizën dhe gjalpin e freskët.

“Gjithë qumështin e marr nga bagëtitë e mia, – thotë ai, – pasi nuk kam besim te blegtorët e tjerë për cilësinë e qumështit. Qumështi duhet të jetë i pastër, i freskët, i kulluar dhe i pastruar, gjë të cilën nuk na e sigurojnë blegtorët”.

Vitet e fundit është folur shumë për subvencionet në blegtori dhe bujqësi, por Zylyfi thotë se nuk ka marrë asnjëherë subvencione. “Më thanë njëherë të përgatisja dokumentacionin, por më thanë se gjysmën e shumës duhej ta jepja ryshfet”. Kur e pyesim se sa dele ka, na përgjigjet: “Numri i bletëve dhe deleve nuk tregohet”…

Medi Kurti, një tjetër banor i Steblevës gjatë muajve të verës, nuk e ka problem të tregojë numrin e bagëtive, ashtu siç nuk e ka problem të tregojë edhe vështirësitë.

“Kam pasur shumë, rreth 500, por i kam rralluar. Tani kam rreth 200 kokë dele e qengja, por i kam lart në bjeshke. Ia kam lënë një çobani tjetër që t’i ruajë”, i cili ashtu si edhe Zylfiu, e ka ndërtuar baxhon mes malesh, në stane, pranë bagëtive.

“Bagëtitë duan shërbim, duan njerëz t’u qëndrojnë pranë dhe ne nuk i kemi, – thotë ai. Kam marrë ndonjëherë subvencion, por më shumë kemi pa marrë. Sepse na thonë: “Nuk kemi buxhet këtë vit”, dhe kështu që vit pas viti. Dhe kur i kemi marrë, shumat kanë qenë krejt qesharake.

“Nuk është subvencioni problem, – thotë Mediu. Problem është tregu. Nuk kemi ku t’i shesim qengjat dhe bulmetin, si dhe kemi vështirësi të mëdha gjatë dimrit. Shtegtimi i bagëtive drejt zonave fushore tani është i pamundur, për shkak të konflikteve mbi pronësinë, dhe ne jemi të detyruar që më shumë se gjysmën e vitit delet t’i mbajmë brenda”.

Mediu ka shfrytëzuar një ndërtesë të ish kooperativës dhe ka ngritur një restorant të vogël veror, ku punon së bashku me djalin. Mbi një sobë në qoshe, bidoni i qumështit po zien mish qengji, të cilët e kanë porositur disa klientë nga Librazhdi e Tirana. Mishi i qengjit në bidon është një gatim i veçantë i zonës.

“Punoj vetëm me porosi. Përdor gjithçka nga bagëtitë e mia: mishin, djathin, gjalpin, gjizën. Punoj këtu gjysmën e vitit dhe pjesën tjetër në Tiranë”.

Godina nuk duket si restorant, por Mediu thotë se është në proces legalizimi, dhe pas legalizimit dhe ndërtimit të rrugës, kjo fushë e vogël anës rrugës, mund të bëhet një ndalesë e mirë për turistët që do të shtohen këtyre anëve.

 

Si e ka marrë Emrin fshati?

Stebleva është një vend i bukur, mrekulli e natyrës. Mijëra pushtues, shekuj më parë, u turrën ta bënin të tyren dhe s’e bënë dot. Qindra tregtarë u turrën ta blinin dhe s’e blenë dot. Gojë më gojë ka ardhur emri dhe gojëdhëna: ”Moj e bukura Steblevë, me para s’të bleva dot”. Mrekulli të tillë si Stebleva nuk mund të shiten dhe të blihen.

 

Legjenda

Varri dhe çezma e Gjizaxhiut

Një tregtar grumbullonte gjizë në fshatrat e Steblevës dhe e transportonte atë me kuaj dhe e dërgonte në qytetet si Elbasani apo edhe në Strugë. Banorët e këtyre zonave e quajtën Gjizaxhiu dhe kështu e thërrisnin kur kishin për të shitur gjizën apo dhe djathin e tyre.  Këtë punë ai e vazhdonte vite me radhë, mirëpo ngaqë po bënte këtë lloj tregtie, normal që mbante shumë para me vete. Kjo gjë u nuhat nga disa hajdutë apo kusar, të cilët i dolën në pritë afër kësaj çezmeje në drejtim të fshatit Steblevë. Gjatë përpjekjes me ata, për të mos ju dhënë paratë hajdutëve, ata e vranë Gjizaxhiun. Kështu që aty ku ai u vra, fshati i bëri dhe varrin Gjizaxhiut të mirë dhe që edhe sot quhet Varri i Gjizaxhiut e po ashtu mori emër dhe kjo çezmë. Nuk dihet emri apo origjina e Gjizaxhiut të mirë, por edhe sot njerëzit vijnë e bëhen kuriozë për jetën dhe historinë e tij. Vijnë, pinë nga një grusht ujë në çezmën me emrin e tij dhe ikin në punën e tyre.

 

 

histori

Stebleva dhe Ataturku

Banorët e tij krenohen se janë bashkëfshatarët e Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne. Ramazan Hoxha, i cili ka lindur në Steblevë, ka qenë profesor i matematikës dhe ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Ai është marrë me kërkime mbi origjinën e themeluesit të Turqisë moderne, dhe për këtë ka botuar edhe një libër voluminoz me titull “Mustafa Qemali, djali nga Stebleva e Dibrës që u bë Ataturk”.

Ai thotë se stërgjyshi i Ataturkut ka qenë Mustafa Canka nga Stebleva. Djali i tij, Pirush Canka, ishte gjyshi i Ataturkut. Djali i Pirushit, Beqir Canka, babai i Ataturkut, u shpërngul në Selanik dhe njihej si Beqir Stebleva ose si Beqir Agai-Shqiptari.Ai u martua me Zybere Hanëmin, vajzën e Fejzulla Deras nga Sebishti, i cili në Langaza mbante mbiemrin e gruas së tij, Aishes; Haxhisofollari, sepse u fut domazet në shtëpinë e saj. Nga kjo martesë lindër 6 fëmijë, nga të cilët jetuan vetëm tre.

Syrjai, vëllai i madh i Ataturkut, u vetëvra në moshë të madhe, kur shërbente në ushtrinë osmane.

Motra e Ataturkut, Makbulja, mori emrin e hallës së babait të saj, Beqirit, në kujtim të emrit të saj, pasi ajo mbeti në Steblevë.

Mustafa Qemali, mori emrin e të parit të fisit Canka, në kujtim të emrit të Mustafa Cankës, stërgjyshit të tij. Me Ataturkun ndërpritet vazhdimësia gjenealogjike në linjë mashkullore të fisit Canka nga Stebleva, pasi martesa zyrtare e tij me Latife Ushakizaden, vajzën më të pasur të Izmirit, nuk prodhoi pasardhës. Ndërsa në linjën femërore, vazhdimësia e fisit Canka vazhdon edhe sot në Shqipëri.

Por përmendja e Ataturkut në fshat, përveç krenarisë, ka edhe reagime negative. Në trojet e të parëve të Ataturkut, në vitin 2002, me kontributin financiar të djalit të këti fshati, biznesmenit Ferat Lila, u ndërtua çezma e Mustafa Qemal Ataturkut, por individë të panjohur e kanë shkatërruar. Ashtu siç kanë hequr edhe tabelën e rrugës që të çon në fshat, të cilët banorët i kanë vënë emrin e “Qemal Ataturku”.

 

 

Shënim: Ky reportazh i zgjeruar me mbi 60 fotografi nga Stebleva mund ta shihni edhe në faqen e Facebookut të Gazetës “Rruga e Arbërit” ose ndiq linkun e mëposhtëm:

https://tinyurl.com/yaj3mna8