Të ndërpriten punimet në HEC Seta 4


Këtu, në dalje te burimi i kësaj ujëvare fantastike, duan të sjellin tubat për burgosjen e kësaj perle “Monument Natyre” që mbrohet me ligj, duke shkatërruar të ardhmen turistike të këtij vendi kaq të bukur. Po burgosen 4 burime të tilla të Setës nga një HEC, energjinë e të cilit mund ta prodhojnëe me një digë fare të ngushtë te Kepi i Qytetit që të kultivohet edhe trofta. Foto dhe teksti marrë nga www.facebook.com/murat.koltraka. Në foto: Mustafa Tola dhe Murat Koltraka, dy nga kundërshtarët e ndërtimeve të HEC mbi Setë.)

Banorët: Dëgjesat publike nuk janë realizuar. Verifikoni dokumentacionin. Firmat e fshatarëve që janë përdorur për të marrë lejen janë të manipuluar. HEC dëmton Kanionet e Setës të cilat janë shpallur monumente natyrore të mbrojtura. Dëmton të ardhmen, investimet në turizëm, biodiversitetin dhe rrit mundësinë e konflikteve mes banorëve.

 

Drejtuar:

  1. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
  2. Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë

Znj. Milva Ekonomi, Ministër i Ekonomisë

  1. Dritan Demiraj, Ministër i Punëve të Brendshme

Për dijeni dhe mbështetje: Z. Donald Lu, Ambasada e SHBA në Tiranë

 

Lënda: Të ndërpriten punimet në HEC Seta 4

Zotërinj të nderuar,

Banorët e fshatit Cidhën e Poshtme në rrethin e Dibrës janë tej mase të shqetësuar nga punimet që po kryen firma “Hydro Seta shpk”  në burimet ujore të Setës në krahinën tonë.

Punimet kalojnë nëpër pronat tona, pa biseduar më parë me banorët që preken drejtpërdrejtë nga investimi, pa dakortësinë tonë dhe në shpërfillje totale të  peticionit drejtuar institucioneve në fazën e miratimit të projektit, kontestimeve të vazhdueshme nga “Shoqata Çidhna dhe Kastriotët”, protestave e kundërshtimeve tona.

Pavarësisht interesimeve tona të vazhdueshme, jemi njohur zyrtarisht me projektin më datë 14.07.2017.

Sipas projektit synohet që i gjithë shtrati i Lumit Seta, bashkë me burimet, do të futen ne tubacione çeliku nën presion në tokë me gjatësi  rreth 3 km, nga të cilat 1 km. tunel.

Soponika, Klloxhnesha, Resna, Rasatasi  etj., janë ujëra të kristaltë dhe të pijshëm me raporte e analiza. Si mundet dhe me çfarë ligji lejohet përdorimi i burimeve të ujit të pijshëm për prodhim energjie, midis tyre Gryka e Ngushtë e SETES me kanionin e saj, bashkë me burimin  dhe  Shpellën e  Ujëvarën e Saponikës, me VKM. 676 Datë 20.12.2002, janë të shpallura Monumente Natyre të Mbrojtura me numër rendor 10 dhe 3  në listën për rrethin e Dibrës.

Ky investim gjithashtu bie ndesh me Ligjin nr.10  dt.9.6.2011  “Për Mbrojtjen e Mjedisit,            Neni  3,  Neni  4,  Nenin 10  e   Nenin 13”. Prandaj, me Vendimin e Komisionit të shqyrtymit të Aplikimeve,  për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis nr.17  dt.22.04.2015, ndërtimi i HEC Seta 4, Arras, Dibër  është  REFUZUAR, e me pas përsëri është lejuar.

Çfarë dëmesh i sillen këtij komuniteti?

  1. Dëmtohet rëndë Turizmi malor për të sotmen dhe të ardhmen, duke qenë se prishën burimet natyrore në relievin interesant, me kanione që vende-vende zbresin thikë në shtratin e Setës, në korridoret e ngurta dhe të ngushta në zigzaket e tyre, me 4 burime si Saponika bashkë me shpellën dhe ujvarën 60-70m, Resna, Klloxhnesha e burime të tjera, në të cilat bëhet rrahja e peshkut troftë në periudhën nëntor-dhjetor.
  2. Theksojmë se në luginë ndodhen Mullinjet e Blojës që kanë qenë edhe mullinjet e luftrave, të cilët kanë bërë të mundur vazhdimin e jetës për gratë, fëmijët e pleqtë në strehimin natyror si dhe  rreth 17 shpella  historike e misterioze, disa prej tyre vendbanime të lashta me vazhdimësi të pandërprerë të jetës në shekuj, të studiuara pjesërisht nga një Ekspeditë Spaleologjike Bullgare për dy javë në Gusht të  vitit  2015, nga një grup  prej 30  pedagogësh dhe studentësh  Spaleolog, të cilët na kanë përcjellë në internet pamje e foto mahnitëse.
  3. Ujrat e kristalta, bukuritë e rralla, sasia e madhe e oksigjenit dhe freskia e ambjentit, i japin këtij vendi vlera të jashtëzakonshme në fushën e turizmit malor. E themi me bindje se ky territor është një nga vendet më të bukura në tërë rajonet Shqiptare, sidomos për ekstremet e natyrës dhe Turizmin e Egër.

Ndërtimi i HEC SETA 4, e kthen këtë vend në shkretëtirë, duke rritur temperaturat në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës, dhe ulur ato në -20 gradë në periudhën  e dimrit.

Futja në tubacione e mbi 85% të sasisë së ujit të lumit, asgjëson florën dhe faunën e këtij territori, sidomos ndërpret plotësisht ciklin biologjik të troftës, e cila vjen nga Ohri dhe Fierza në nëntor të çdo viti për të bërë rrahjen.

– Për punimet që kryhen nuk është marrë fare pëlqimi ynë,

– Diskutimi 20 minutësh që pretendohet se është bërë me publikun, ka qenë një dështim i plotë i atij takimi, dhe jo me banorët që preken drejtpërdrejtë nga ky investim.

Ne nuk jemi refugjatë e as nuk e kemi marrë këtë vend me qera, por jemi autoktonë ne trojet e pronat tona, trashëgimtar historik prej shekujsh.

Shteti nuk gjendet në territorin tonë as në shekullin e 21.

Territori kalohet  nga Arrasi në drejtim të Lurës, nga një rrugë e pa asfaltuar e vitit 1967,  krejt e degraduar  në të cilën  akoma  vazhdohet të mos vihet dorë për ta rregulluar. Ne pronat i  kemi të trashëguara,  të ndara me kufij të vjetër në të gjithë territorin e fshatit,  tokat, pyjet, kullotat , lumin  SETA ,  burimet  ujore, shkëmb  apo zall qoftë vendi, me kufijtë e vjetër para qindra vjetësh.

Jeta në këtë territor ka vazhduar pa ndërprerje në të gjitha periudhat historike. Këtu ka qenë qyteti i  lashtë  Ilir OENEA. Në anë të luginës në fshatin Sinë e Poshtme  është  Muzeu i vendlindjes së Kastriotëve.

Lugina  e SETES bashkë me grykën e Sheut të Thatë, kanë qenë vendstrehim natyror i brezave në shekuj. Në këtë  teritor të  p pushtueshëm,  kanë patur  zanafillën rezistenca e vendosur dhe  shumica   e luftrave, të krahinës  se Çidhnës dhe  të gjithë Dibrës.

Këtu u krye dhe masakra e Çidhnës e vitit 1466  nga Sulltan Mehmeti II, i cili sipas Barletit, shkoi në thikë 8-10 mijë burra, veç grave dhe fëmijëve, për hakmarrje në vendlindjen e Skëndërbeut. Këtu,  gjithashtu, në një kodrinë në  afërsi të Soponikës ndodhet edhe toponimi interesant  “Varret e Mehmetit”.

Po këtu filloi, sipas Prof. Kristo Frashërit, edhe kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 kundër Turqve në datat 26 dhe 27 mars, e cila 3 muaj më pas u përhap në Kosovë.

Lugina e Setës, pjesa e ngushtë dhe e thellë e saj, fillon në Kalanë e Lashtë Ilire, pranë Kepit të Qytetit dhe vazhdon deri në kalanë e Kastritotëve në Qafe  Kala, e jo në vendin që pretendon firma , sipas dëshirës së njërit prej Investitorëve, i cili ka fshehur shumë të vërteta të zonës, për ta patur të lehtë miratimin e investimit për HEC SETA 4 nga KKRT. Pikërisht për këtë, pjesa e ngushte e kanionit, meqënëse është e pakalueshme nga mjetet, është planifikuar  në projekt që të ndërtohet  me  Tunel rreth  1 km.

Konstatojmë me keqardhje se në vendimi KKRT nr. 10, datë 09.09.2015, në faqen 7 pika 3.3 shkruhet: … “Seta 4 nuk shtrihet në zona të mbrojtura” , pra në kundërshtim të plotë me vendimin e mëparshëm të KM. nr.676 dt.20.12.2002, që shpall Luginën e Setës dhe Shpellën e Ujvarën e Soponikës, Monumente Natyre të mbrojtura.

Ndërsa në vendimin nr. 26, datë 05.03.2015 të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë thuhet: … nuk është idenfikuar si zonë Arkeologjike me trashëgimi Kulturore apo Historike. Kur këmbë arkeologu nuk ka shkelur për të parë qeramikën e shumëllojshme deri te amforat ilire,  apo kalatë ilire e ato të Kastriotëve që  ndodhen në luginën e SETES.

Si mundet që një  Institucioni kaq të lart të Shtetit Shqiptarë si KKRT, ti vihen në tryezë për firmë, materiale të manipuluara deri në këtë shkalle?

Ne nuk besojmë se punonjësit e ngarkuar për përgatitjen e dokumentacionit përkatës janë vërtet kaq të paditur dhe se ju mungon informacioni.

Këto nuk janë gabime njerëzore, por veprime të qëllimshme manipulative, që KKRT e Republikës ta ketë të lehtë të pranojë dhe të firmosi Investimin për HEC SETA 4.

Dërgoni ju lutemi njerëzit e duhur dhe kompetent për verifikimin e këtyre të dhënave në terren, dhe të ballafaqohen publikisht me ne.

Shpresojmë se me dëgjesat me publikun , do ti jepni një dimension të ri Qeverisjes suaj z. Rama, duke shkundur pluhurin dhe mykun  e zyrave të administratës së korruptuar  e larguar prej tyre qelbin e korrupsionit.

Kjo vepër është shkatërrimtare e mjedisit të zonës. Ajo dëmton rëndë  turizmin malor e historik në luginën e Setës, e cila të çon tek parku Kombëtar dhe Liqenjtë e Lurës , ku SETA ka zanafillën e sajë. Një pjesë e inerteve të dala nga punimet përgatitore është hedhur tek “Kepi i Qytetit” duke mbuluar e prishur një vend shumë të rëndësishëm historik, megjithëse një grup arkeologësh të  një firme të liçensuar, të thirrur nga vetë banorët për të kryer një vëzhgim arkeologjik në zonë, bënë thirrje të ruhen  dhe të mos cenohen këto pasuri e vlera të mëdha historike e Kombëtare.

Alternativa të tjera nuk janë diskutuar me komunitetin dhe grupet e interesit, por janë anashkaluar  padrejtësisht.

Banorët e fshatit shumë të irrituar  kanë pezulluar me rezistencën dhe qëndresën e tyre punimet. Ata janë gati të shkojnë në konflikt me cilindo që varros SETEN në të tërë gjatësinë e luginës, që përshkon territorin e fshatit  Çidhën, dhe shpërfill të drejtat e tyre për të qenë pjesë në vendimmarrje. Në qoftëse  do të vazhdohet me presionin, thirrjet në polici për këshillime   dhe kërcënime për ndjekje penale, apo ndalime të tjera nga organet e rendit për banorët  si deri tani, situata vetëm do të përkeqësohet. Rezistenca e qëndresa jonë, e cila ka filluar me protestat në datë 6 maj 2017, ka vazhduar dhe do të vazhdoje pa ndërprerje, me forma e mjete të ndryshme dhe nëse na imponohet, do shkohet deri në mosbindje civile, për ta mbrojtur  UJIN e  Setës që është JETA dhe e ardhmja jonë.

Sipas psikologjisë së banorit të këtij fshati, kur i lëvizet kufiri qoftë dhe me 50 cm, nuk tolerohet as vëllai,  prandaj mundësia e një përplasje të egër dhe me pasoja shumë të rënda mendojmë se është e pashmangshme, po vazhduan punimet me shpërfillje e provokim.

Investitori  bashkë me Qeverinë duhet të heqin   dorë nga ky projekt që  VARROS SETEN, me të cilin komuniteti që preket drejtpërdrejte, nuk mund të bjerë kurrësesi dakord, dhe të shohin mundësinë e investimeve të tjera,  për ujin e pijshëm dhe për turizmin në zonën tonë.

Së shpejti do të ngrihet padi në gjykatë, megjithëse nuk kemi fare besim te drejtësia shqiptare. Qoftë edhe formalisht , ne do t’i kalojmë të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri sa të shkojmë në Gjykatën e Strasburgut, në të cilën shpresojmë, se do jemi të barabartë me shtetin dhe pasanikët e rinj të këtij vendi.

Për të mos u ndodhur para faktit të kryer, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha punimeve deri në përfundimin e gjithë procesit gjyqësor në gjykatën ndërkombëtare.

Kërkojmë gjithashtu ndërhyrjen tuaj me një ekip të specializuar dhe të paanshëm, sa më shpejtë të jetë e mundur, pa na ndodhur ndonjë fatkeqësi, të diskutojnë me ne për t’i dhënë një zgjidhje problemit me interes të dyanshëm.

Shpresojmë në mirëkuptimin me ju.

 

Shënim i redaksisë: Peticioni i botuar mban nënshkrimet disa banorëve te fshatit Çidhën, me firmë e kartë identiteti, si dhe disa foto nga luginës. Për arsye vendi në gazetë nuk po i botojmë, por ne mbetemi të hapur për të botuar në numrat e ardhshëm çdo opinion tjetër që bie në kundërshtim me këtë peticion ose opinione të reja që e kundërshtojnë apo miratojnë ndërtimin e këtij hidrocentrali.