Fadil Shulku, portieri modern i kohës


8vjet më parë, ndërsa luhej finalja e madhe e kampionatit botërorë mes Gjermanisë dhe Spanjës, zhurma e tifozëve në qytetin e Peshkopisë, sikur u zbeh dhe ajo mbrëmje vere në qytetin e blirëve pllakosi në zi. Njëri prej njerëzve të shquar të familjes Shulku dhe këtij qyteti, ndërroi jetë. Fadil Shulku nuk ishte vetëm një dhimbje familjare, por edhe qytetare. Humbja e tij, ishte edhe për familjen e madhe të sportit dibranë dhe klubin e futbollit Korabi. Por cili është Fadil Shulku, portieri i njohur I skuadrës së Korabit, që bëri emrin e tij dhe së bashku me Bashkim Lalën, krijuan duetin e bukur të portës dibrane.
Fadil Shulku ka lindur ne Peshkopi me 2.9.1948. Ka mbaruar shkollën 8-vjeçare “Demir Gashi”, ndërsa në vitin 1967 mbaron gjimnazin në këtë qytet. Historia sportive e tij nis që në bankat e shkollës, kur në veprimtaritë shkollore ai spikaste shumë. Fadili ishte një djalë pasionant i shkathët dhe mjaft aktivist në të gjitha sportet, por duket se kuadrati i portës i shkonte më shumë përshtat. Cilësi të tilla, nuk i shpëtuan syrit të trajnerit pasionant Luan Kumbarçe. Ishte viti 1965 dhe Fadili pasi shfaqet mirë në ekipin e pionierëve, aktivizohet tek të rinjtë e Korabit. Ai rritej shpejt dhe bashkë me të dhënat trupore, duket se rritej edhe personaliteti si lojtarë. Në vitin 1967 trajneri i mirënjohur Bexhet Shehu, guxoi dhe ofroi pranë skuadrës së të rriturve një djalë të ri, por të talentuar të portës, siç ishte Fadil Shulku. Ky afrim i tij tek ekipi i parë i Korabit, do ti shërbente si trampolinë, në vitet që kreu shërbimin ushtarak në Elbasan, ku Fadili do të bëhej pjesë e skuadrës së njohur të Labinotit, krahas emrave legjendë, si Mihal Gjika, Rifat Ibërshimi, Nevruz Duçka, etj. Pas rikthimit në Peshkopi, rikthehet sërish në fushën stërvitore. Tashmë gara për një vend në kuadratin e portës, ishte bërë me e fortë dhe më e bukur. Bashkim Lala dhe Fadil Shulku, ishin binjakë të portës, që konkurronin për një vend në formacionin e Korabit. Trajnerët hasnin vërtet vështirësi, për të përcaktuar më të mirin dhe shpesh herë bëhej me mirëkuptim të tyre. Në fillim të viteve 70-të, Fadil Shulku kërkohet nga Besëlidhja e Lezhës, por ai nuk e pranoi këtë ofertë, duke mbetur besnik i Korabit dhe shokëve të tij. Në vitin 1971 ky portier i talentuar, kërkohet nga ekipi Shpresa, por pa I dhënë asnjë arsye, autoritet në rreth nuk e lejuan të shkonte.

Gjithsesi kjo nuk e

behu dëshirën e tij, për të vazhduar me të njëjtin pasion udhëtimin në rrugën e bukur të futbollit. Reflekset, pritjet e guximshme dhe plazhonet, krijuan personalitetin e duhur të një portieri modern të kohës. Deri në vitin 1978, ai luajti për ngjyrat e Korabit, duke spikatur me pritjet e tij, saqë ishte bërë figurë shumë e dashur nga spektatorët dibranë. Ndryshe konsiderohet si akrobat dhe pozicional, ku me pritjet e shkëlqyera, dhuronte spektakël në fushë. Në karrierën e tij të gjithë mbajnë mend portierit që priste penalltitë, madje numri 14 është fiksuar në kujtesën e sportdashësve dibranë, si një rast i rrallë që ky portier kish koleksionuar në një histori sportive. Në ndeshjen e fundit kundër 10 Korrikut të Gramshit, për fat të keq ai u dëmtua në gju dhe iu desh të ndërpriste karrierën futbollistike, por asnjëherë dashurinë e tij për futbollin dhe Korabin. Në stadiumin Korabi, asnjëherë nuk do të mungonte edhe si spektator Fadil Shulku, që më pas, do të ishte po kaq shumë I dhënë pas volejbollit të vajzave. Së pari sepse shoku i tij i ngushtë Bashkim Lala mori në dorë fatet e këtij sporti dhe arriti maja, por së dyti sepse edhe vajza e tij Miranda Shulku Damzi, do të bëhej volejbolliste dhe do të luante për ngjyrat e kësaj skuadra të dashur, Korabi. Fadili deri në ditën e ndarjes së tij nga jeta, mbeti një veprimtar i mirë dhe njeri po i tillë, që asnjëherë nuk u nda nga sporti dhe veçmas futbolli. Ai la pas gjurmë kujtese dhe respektin si njeri, duke pasuruar më shumë opinionin dhe vlerësimin për familjen Shulku dhe protagonistët e saj në sportin dibran dhe atë shqiptar. Të gjithë e mbajmë mend edhe nipin e tij, Ilir Shulku, që aktualisht është sekretar i FSHF, por që ka qenë njëri nga futbollistët më të mirë të Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar.


Dr Selami Nazifi: Kush nuk e mban mend Fadil Shulkun, djaloshi intuitiv dhe gaztor. Pritjet e tij i kam edhe sot ne kujtese. Ne vitet 66-68 pata fatin te jem pjesë e Korabit. Natyrisht nuk isha në lartësinë e tyre, por isha në skuadër dhe shihja nga afër duelin tepër miqësore mes Fadilit dhe Bashkim Lalës. Ata ishin rival, por miq të dy bashkë. Në lojë shpesh herë vendoste fatet e ndeshjes, ashtu siç kishte ndonjë moment kur mund të bëhej nevrik dhe mund të pësonte ndonjë gol. Gjithsesi respekti për këtë figurë të futbollit është i padiskutueshëm.

Ismail Shulku: Ishte dhe mbetet vëllai më i mirë për ne. Unë shpesh herë e marr si shembull kur flas me miq dhe njerëz të afërt. Ishte shumë kavalier dhe i gjendshëm jo vetëm për gjakun tonë, por për të gjithë ata që e njihnin. U bënë 8 vjet pa të dhe vërtet akoma ndjej dhimbje si atë ditë që na iku. Mbaj mend kur shkonim me babën të shihnim ndeshjet në stadiumin Korabi. Edhe pse i vjetër dhe me një shkop në dorë, ai ndiqte vëllain dhe kur dëmtohej ndonjëherë baba bëhej keq. Fadili është gëzuar më shumë nga ne të gjithë kur djali im Iliri u bë futbollist. Sa herë e shihte në tv më merrte në tel dhe më uronte. Ishim shumë të lidhur bashkë dhe vërtet e ndjej shumë mungesën e tij. Përfundimisht pa hezitim e them që ishte më i miri.

Bexhet Shehu, ish trajner i Korabit: Fadil Shulku ishte një portier i gjatë dhe me një trup të bukur. Në kohën e tij, konkurrenca me Bashkim Lalën ishte super e vështirë që unë të bëja zgjedhje. Gjithsesi, të dy i kisha për zemër. Fadili bënte pritje të vështira dhe dhuronte spektakël në fushë.
Edmond Hasani, gazetar: Fadili ishte shembull i portierit në epokën moderne të futbollit, që pati ndikim dhe në Shqipëri! Ishte një nga portierët më prezentabël dhe autoritarë në fushë në Shqipëri!