E mira Mirandë, ti u dorëzove…


Miranda Daci

E çuditshme që shirat në këtë stinë në Toronto nuk po kanë fund. Bien dhe nuk mbahen mend kur filluan. Edhe dje njësoj. Ndërsa pikat e avashta të shiut rrëshqisnin në xhamin e dritares, një gjendje jo e mirë më pushtoi. Ti pret të ndrisin rrezet e diellit por fillojnë pikat e shiut duke krijuar imazhe të ngjashme me fytyra të njohura…disa herë më duken si fytyra të ëmbla fëmijësh që lotojnë. Këto momente meditimi pranë fytyrave prej shiu m’i ndërpreu një telefonate që nuk e di pse më shkaktoi një trishtim. Fytyra ime dhe e gruas u bëëne njësh me fytyrat prej shiu në xham. Mikja jonë e lashtë dhe e mirë na kishte lënë. Natyrshëm në këtë moment të shfaqen kujtimet më të bukura dhe aq më shumë neve. Për ne ajo, Miranda dhe Mumtazi ishin mikpritësat e parë në jetën e re që nisem në Toronto. Çdo emigrant e di se çdo të thotë ditë e parë në një vend të panjohur. Por kur fati i mirë të sjell pranë njerëzve zemërbardhë e bujarë si ato, ndjehesh i qetë , i respektuar dhe pse jo edhe i fortë. Edhe ato, pak kohë para nesh, kishin shkelur në Toronto. Ishim me të njëjtat halle. Bisedonim pa fund, por gjithnjë humori shoqëronte bisedat tona duke u harruar deri në mesnatë. Miranda ishte e pastër e sinqertë dhe ishte ajo që na mbante gjallë shpresat për një jetë më të mirë. Ajo e donte jetën dhe si e tillë ajo i dha jetës jetë. Pikërisht në Toronto lindi djalin e saj të dytë, e shtoi familjen, shtoi gëzimin. Miranda ishte e thjeshtë edhe pse në vendin që lamë pati punuar në pozicione drejtuese të sektorit të ekonomisë. Disa herë me shaka thoshte. Sa isha e vogël me thoshin goca e mësuese Ramies (një ndër mësueset më të nderuara në rreth Ramie Rama (Disha), kur u martova me thoshin gruaja e Mumtazit (një ndër financierët më të mirë ish drejtor Banke). Dhe vazhdonte po me shaka… edhe unë kam qenë shefe ha ha. Me çiltërsinë që e karakterizonte na jepte edhe humorin e saj.
Jeta që ajo e vlerësonte aq shumë nuk iu përgjigj me të njëjtën dashuri. Atë që ndjemë sot pothuajse njësoj e ndjemë vite më parë kur ajo u diagnostikua me sëmundjen e pashërueshme. Filloi një luftë mes jetës dhe armikut të saj. Lufta formon karaktere. Jeta në luftë nxjerr në pah vlerat e karaktereve. Këtu mikja jone e mire triumfoi disa herë duke e sfiduar vdekjen deri në tallje. Po, po, e vërtetë.
Vetëm një vit më parë familja ime po përgatitej për një eveniment. Ndërsa po bënim listën për miqtë që do të ftonim ku natyrisht familja e Mirandës dhe Mumtazit radhiteshin të parët si mikpritësit tanë të parë në Toronto. Po na mundonte mendimi se si mund t’i ftonim kur Miranda ishte në luftë, për të fituar jetën. I ftuam dhe ato erdhën korrekt, dhe plot fisnikëri në paraqitje. Për në ishte jo vetëm gëzim por edhe surprizë që na emocionoi pa masë. Filloi evenimenti. Mes gëzimit dhe haresë dhe kërcimeve pa u ndalur të të ftuarve ngrihet edhe e mira Mirandë duke kërcyer dhe udhëhequr vallen. U emocionova pa masë. Ajo jo vetëm na nderoi, për të cilën e përqafova me plot zemër, por edhe na tregoi si sfidohet e keqja si fitohet kundër saj. Fitohet vetëm me dashuri për jetën. Për mua ajo atë ditë ishte në triumf. Për mua ajo atë ditë ishte heroina që injoroi vdekjen dhe besova që ajo fitoi.
Nga ajo ditë nuk e pamë më…vetëm që lajmet që merrnim nuk ishin të mira…Prandaj mendoj që bëme mirë. Nuk do ta qajmë edhe pse zemra na tradhton. Do ta kujtojmë gjithnjë për humorin e saj për nxitjen e shpresave. Do ta kujtojmë duke hequr vallen e të paktëve të kësaj bote të përkohshme.
Jam i sigurt që po të ishe sot midis nesh Mirandë e dashur do të qeshje dhe vetëm fjalën “u dorëzove” nuk do ta pranoje…
Se ti ishe me të vërtetë e fortë.
Se ti u tregove me të vërtetë e fortë deri në fund.
Të qoftë i lehtë dheu mikja jonë e mirë Miranda Daci Rama.

(Marrë nga FB i autorit, 22 qershor 2017)