Shkolla Pedagogjike e Peshkopisë, tempull i dijes dhe edukimit


Viti 1948 shënoi suksesin arsimor për popullin e Dibrës dhe zonave verilindore të Shqipërisë, duke u hapur e para shkollë e mesme pedagogjike. Në qendër të qytetit lëshoi shtat shkolla e re tri katëshe si dhe me pjesën e podrumit plotësisht funksional për nevojat e shkollës dhe konviktit. Ndërtesë e bukur, me kubaturën e nevojshme, me sallone të mëdha, me shkallë të gjera dhe me pjerrësinë normale, banjo brenda, me një mensë të shkëlqyer ku ushqeheshin rreth 300 konviktorë njëherësh. Në pjesën e bodrumit ishin vendosur komodinat që konviktorët i përdornin personalisht për mbajtjen e librave, të veshjeve dhe mjeteve tjera për higjienën personale. Shkolla nga jashtë, në pjesën nga bulevardi si dhe nga pjesa lindore zbukurohej me lulishte të këndshme dhe me drunj gjelbërues që i jepnin jetë nxënësve të shkollës e gjithë qytetit. Nga ana e pasme shtrihej oborri i shkollës ku rreshtoheshin nxënësit. Pjesa e oborrit ishte aq e madhe saqë plotësonte nevojat e qëndrimit të nxënësve në kohën e lirë dhe mbante në vetvete dhe terrenin sportiv, me fushë volejbolli, fushë basketbolli, futbolli dhe veglat sportive për përgatitje fizike si hekura, paralele, gropë kërcimi etj. Ndërkohë, në pjesën e parë të viteve ’60 u ndërtua dhe palestra mjaft e mirë dhe e përshtatshme për zhvillimin e lëndës së edukatës fizike. Kati i parë dhe i dytë i shkollës përdoreshin për mësim, ndërsa kati i tretë përdorej për fjetjen e nxënësve konviktorë i ndarë në mes me murë që krijonin siguri të plotë dhe Ishte i pamundur komunikimi i njërës pjesë me tjetrën. Dyert e klasave ishin shumë të mëdha, me dy fletë, po kështu dhe dritaret ishin sa dyert dhe sillnin aq shumë dritë saqë studiohej dhe shkruhej në kushte shumë të mira. Në shkollë, përveç klasave kishte zyrë për drejtorin në katin e dytë, për nëndrejtorët, për këshillin pedagogjik, sekretarinë, kujdestarët e konviktit, bibliotekën, magazinën e ushqimeve dhe të veshmbathjes, vendqëndrim për rojën etj. Ishte vërtet fat i madh të ishe nxënës i asaj shkolle.
Shkolla në fillim, me datë 1 shtator 1948, e nisi punën me një klasë me 17 nxënës bursiste që vinin nga Dibra, Kukësi dhe 2 nga Peqini. Në vitin 1951 shkollës i jepet emri: “’Shkolla Pedagogjike 8 Nëntori’’, e cila e mban këtë emër deri në vitin 1967 kur ajo mbyllet për herë të parë. Në vitet e para pas çlirimit, shkollën nuk e vazhdonin lehtë. Shpesh bëhej dhe presion, përveç bindjes, për të vazhduar shkollën. Ish drejtori i shkollës, Shefik Osmani, në vitin 1951 i shkruante Komitetit të Partisë Dibër: “Jam i mendimit që nga konviktorët tanë që mbarojnë klasën e shtatë, të mos u jepet asnjërit bursë gjetiu, veçse në shkollën pedagogjike, duke përfshirë këtu dhe dy vajzat”. Kështu numri i nxënësve filloi të rritej. Nga një vajzë që vazhdonte shkollën në vitin 1951-1952, në vitin 1954-1955 kishte 249 nxënës, prej tyre 19 vajza. Në vitet 1964-1965 shkolla është me ngarkesën më të madhe të nxënësve. Në këtë periudhë vazhdonin mësimet 380 nxënës, prej tyre 110 vajza. Fillimisht vështirësitë e punës ishin të mëdha dhe për mësuesit, sidomos për ata të ardhur nga rrethet tjera, por përkushtimi për detyrën dhe shpirti i sakrificës, bashkëpunimi me njëri-tjetrin bënë të mundur mposhtjen e vështirësive. Ja si shprehej njëri nga mësuesit e asaj kohe: “Erdhëm këtu porsa kishim mbaruar studimet e larta plot dëshirë për profesionin e mësuesit, plot pasion për të dhënë mësim, plot etje për të punuar. Etje, pasion dhe vullnet kishin dhe nxënësit tanë. Me disa prej tyre moshat nuk na ndanin shumë. U mësuam me klimën e ftohtë të natyrës dhe pritjen e ngrohte të dibraneve”. Në shkollë mbizotëronte rregulli e disiplina e ndërgjegjshme, pasi çdo nxënës që kishte hyrë në këtë shkollë, kishte synimin të bëhej pa tjetër mësues i brezit të ri, detyrë kjo shumë fisnike dhe e nderuar për kohën. Si në ekran ruhen në kujtesë drejtorët e kësaj shkolle, filluar me Rexhep Kadzadejn, Pandi Cici, Shefik Osmani, Zenel Sula, Sami Ferizi, Shemsi Manjani, Myslim Koka e të tjerë më vonë.
Ora e mësimit ishte e shenjtë. Asnjë person, qoftë dhe ministri i arsimit, nuk mund të futej në një orë të çdo lëndë nëqoftëse kishte filluar mësimi. Mësuesit dhe nxënësit vinin shumë të përgatitur në orët e mësimit. Kërkesa e llogarisë për punën mësimore edukative ishte mjaft e madhe. Më kujtohet shumë mirë që zbatohej me korrektesë parimi i madh i Makarenkos: “Sa më shumë kërkesa, aq më shumë respekt për nxënësin”. Të tillë parim ndiqnin pedagogët e talentuar të kësaj shkollë, Astrit Hoxha, Shefik Osmani, Zenel Sula, Mois Cami, Kolë Tahiri, Shemsi Manjani, Osman Turja, Ismail Erebara, Lutfi Hanku, Nevrez Manjani, Mois Cami, Durmish Shehu, Riza Manjani, Munir Shehu, Fatmira Zeqo, Kadri Zhulali, Sabri Vraniçi, Xhetan Strazimiri, Lutfi Manjani, Lavdrim Kaba, Myslim Koka, Hamza Spahiu, Hasan Shehu, Mufit Trepça, Fadil Kaca, Bajram Mata, Nazmi Mziu, Fitim Mati, etj, etj, që të gjithë pedagogët shkëlqenin me punën e tyre. Ishin shembull në punën mësimore edukative, model në sjellje dhe paraqitje të jashtme, shumë korrekt në biseda e marrëdhëniet me nxënës.
Qëllimi kryesor ishte përgatitja shkencore dhe metodike e nxënësve për të qenë të aftë të ushtronin profesionin e nderuar të mësuesit. Këtij qëllimi i shërbente kryesisht puna brenda orës së mësimit, por dhe ajo jashtë saj. Metodat që përdoreshin në orët e mësimit ishin kryesisht, shpjegimi, biseda, punët e pavarura praktike e laboratorike, pa lënë pas dore asnjëherë parimin e madh të konkretizimit. Kontrolli i njohurive zhvillohej me shumë korrektesë nga ana e pedagogëve, vlerësimi ishte objektiv dhe lënda e re jepej shumë qartë, koncize dhe e kuptueshme, shoqëruar për çdo temë me mjete konkrete. Në vitin 1952 pranë shkollës hapet dhe sistemi i korrespondencës, me përgjegjës pedagogun Ismail Erebara. Me këtë sistem mbaruan studimet dhe u diplomuan 230 mësues. Nga vitet 1948-1967 nga dyert e kësaj shkolle u përgatitën 772 mësues që dhanë mësim në ciklin e ulët dhe të lartë të shkollës 8-vjeçare për shumë e shumë vite, duke plotësuar nevojat e rrethit me kuadër arsimor, si dhe duke ndihmuar dhe disa rrethe të tjera me mësues të cilët atyre u mungonin. Kudo që punuan pedagogjikasit u shquan për punë cilësore mësimore edukative, shumë prej tyre si drejtues shkollash, drejtues të arsimit në rrethe, drejtues në sektorët e pushtetit dhe ekonomisë, gazetare, ushtarake, deri në post ministër arsimi, drejtues të lartë në KQPPSH, ambasador, profesorë në shkolla të larta dhe shumë prej tyre morën tituj të lartë shkencor.
Aktivitetet jashtë klase dhe shkolle, plotësonin më së miri procesin mësimor të orës së mësimit. Konkurset, aktivitetet letrare, historike e mbrëmjet tematike të vallëzimit, ekskursionet, aktivitetet fizkulturore e sportive ishin të vazhdueshme në shkollën pedagogjike. Në vitin shkollor 1952-1953 shkolla kishte ekipin sportiv të saj të futbollit, me emrin ‘’Studenti.’’ Nga veprimtaritë e shumta që zhvilloheshin, u zbuluan dhe edukuan shumë talente të rinj në shumë drejtime, talente të shkëlqyera në fusha të ndryshme si Lutfi Manjani, Shemsi Manjani, Riza Manjani, Rexhep Bardulla, Xhafer Martini, Islam Rama futbollist, Ilir Ramizi shahist në vitin 1950, Emin Jashari peshëngritës në vitin 1959 rekord kombëtar në peshën 51,5 kg., pedagogu Astrit Hoxha në vitin 1955 skiator ku zuri vend të dytë në kampionatin lokal, plus që ishte dhe basketbollist, Rexhep Bardulla skiator zuri vendin e tretë në kampionatin lokal 1954, Qemal Kurtnjaga në vitin 1959 zë vendin e parë në mundje peshat e rënda, Lutfi Manjani fitues i kampionatit lokal në ping-pong, Murat Koltraka ish-nxënës që zuri vendin e parë në hedhje shtize në vitin 1960 si dhe volejbollist rezultativ, Safet Zhulali trajner i ekipit që zuri vendin e parë në shah 1980, Tonin Lufi sportist basketbollist dhe futbollist, prof. Jorgji Sinjari si dhe Agim Kaba e Shahin Lazri kontribues në kulturën fizike, Haki Duka basketbollist atlet në vitet 1960, Flamur Bardulla basketbollist në vitet 1960, skuadra e vajzave e volejbollit e vitit 1960 e përbërë nga talentet Zinet Spahiu, Natasha Shehu, Hamdie Ramizi, Nexhmie Shehu, Lumturi Rexha, Shpresa Agolli, Fiqiret Xhemalçe, Vjollca Duka, Burbuqe Musaraj që përfaqësonin me dinjitet rrethin. Në verën e vitit 1966, u organizua brigada kulturore e shkollës e cila qëndroi një javë në zonën e Luznisë duke punuar për futjen e mënyrës së jetës së re në fshat, duke luftuar zakonet prapanike dhe mënyrën primitive të jetesës. Për herë të parë në këtë zonë u organizua në shkollën e fshatit Lishan i Poshtëm mbrëmje vallëzimi, me rininë e shkollës dhe të fshatit, ku u përdor dhe xhazi e fizarmonika në orkestër. Ish nxënësit Flamur Bardulla dhe Bashkim Nasufi dhe më vonë dhe Haxhi Çira mësuan t’i binin fizarmonikës në shkollë dhe në të shumtat e rasteve këta shërbenin si orkestrantë në mbrëmjet që organizonin klasat dhe shkolla. Të gjithë këta që përmendëm ishin disa nga kontributet që solli shkolla e famshme pedagogjike e Peshkopisë me nxënësit e talentuar dhe pedagogët e saj të shkëlqyer. Jo pa vend, por me të drejtë, shpeshherë nga populli dhe personalitete të ndryshme, shkolla pedagogjike e Peshkopisë quhej “Universiteti i Dibrës”. Në vitin 1951 ngrihet shkolla ushtrimore që mundësonte vënien e teorisë në praktike dhe përgatitjen reale të nxënësve për mësues. Me respekt të thellë kujtojmë mësuesit mjaft të nderuar të kësaj shkolle, Remzi Prapaniku, Jolanda Rada, Hava Hoxha, Sanie Zeneli, Drita Zhulali etj., më vonë.
Në biseda të lira me shokë, duke festuar përvjetorë maturash, kujtonim dhe konviktin e shkëlqyer të shkollës, i cili ishte një “prapavijë” e vërtetë që mbështeste me sukses shkollën në gjithë punën mësimore edukative. Një konvikt shumë i mirë për kohën, me ushqime të mira, gatim cilësor, fjetje normale, higjienë shembullore dhe më e rëndësishmja e personelit ishte dashuria prindërore ndaj nxënësve. I kujtojmë me shumë respekt e dashuri ne si nxënës, nëndrejtorët Shemsi Zhulali, Adem Shehu, Terzi Dungu dhe Rremzi Prapaniku, kujdestarët Iljaz Kaca, Qemal Kurtaga, Islam Kosova, Tefta Pahumi dhe Fatmira Iljazi, magazinier Refiku, rrobaqepëse Tixhe Agolli, kuzhinierët Shukri Çorja, Ali Hoxha dhe nënë Tixhe Bardulla bashkë me Fatimen e Myrgjezetin, roja i pafjetur Hyseni që na ruante gjithë natën pa mbyllur fare sytë deri në mëngjes. Të paharruara mbetën kremtimi i festave, sidomos ajo e vitit të ri, ku kishte ushqime me bollëk, gatime me ëmbëlsira të shumë llojeve, recitimet, vallëzimi herë kavalierët në fuqi e herë damat, e më e rëndësishmja ishte Ora Gazmore që përgatitej nga nxënësit. Ora Gazmore ishte një satirë dhe një thumbim dashamirës për nxënësit, mësuesit dhe punonjësit. Nëpërmjet saj gajaseshin se qeshuri, por duke përdorur ironinë e figura tjera letrare rregulloheshin të metat që viheshin re dhe përmiresohej dhe puna në t’ardhmen.
Në vitin 1967 u diplomua matura e fundit dhe shkolla mbyllet, kurse nxënësit që ishin në vitin e tretë, u transferuan dhe e kryen vitin e katërt shumica në pedagogjiken e Shkodrës dhe disa në atë të Korçës.
Shkolla pedagogjike hapet sërish në vitin 1970 dhe vazhdon deri në vitin 1977 ku mbyllet për herë të dytë. Hapet përsëri në vitin 1984 dhe vazhdon deri në vitin 1994. Së fundmi, meqenëse kishte nevojë për shumë mësues, hapet për herë të tretë në vitin 1997 dhe vazhdon me një kontigjent të madh nxënësish të profilit pedagogjik, duke u shtuar dhe dy klasa për gjuhë të huaj dhe nga viti 2003 një klasë e profilit ekonomik. Hapje mbylljet e shpeshta dhe shumë herë pa një strategji zvillimi tashmë të kësaj shkolle, natyrisht ulen nivelin arsimor, humbi përvoja e shkollës së parë pedagogjike por përsëri në kontrollin që u ushtrua nga Ministria e Arsimit në vitin 2004 në të gjitha shkollat pedagogjike të vendit, shkolla jonë që tashmë mbante emrin e heroit të popullit “Nazmi Rushiti”, zuri vendin e parë për punën mësimore edukative që bëhej. Në vitin 2008 mbarojnë kontigjentet e fundit të nxënësve pedagogjikas dhe u vazhdua shkolla me profil profesional duke përgatitur teknikë të mesëm për tregun e punës.
Me rastin e 70 vjetorit të hapjes saj, përkulem me nderimin e nostalgjinë më të madhe para kësaj shkolle, para këtij tempulli të shkëlqyer të dijes dhe edukimit dhe i jam mirënjohës asaj dhe pedagogëve tanë të shkëlqyer përjetë për atë ç’ka bënë për mua dhe shumë shokë e shoqe të tjerë, që na nxorrën nga errësira e paditurisë dhe na përgatiti me arsim, kulturë dhe edukatë duke i shërbyer me kënaqësi vetes, familjes dhe Atdheut.
* Ish nxënës dhe drejtor i shkollës pedagogjike.