Shqiponja dibrane


Kur nis të shkruaj për dëshmorë, ashtu si dhe shokë të tjerë, nuk e kam lehtë. Më mbulojnë emocione. Më bie stilolapsi nga dora. E përfytyroj dëshmorin që hidhet në sulm si luan dhe bie me lavdi në fushën e nderit. Dhe sytë më mbeten te ai, te shpirti luftarak i tij. Njëherazi krenohem. Kjo ndjenjë njerëzore më ndryshon gjendjen shpirtërore. Dhe gjej guxim. Rimarr lapsin dhe vazhdoj të shkruaj…

Dëshmorja me dy mbiemra!
Në libra dhe shtypin e përditshëm kam botuar mbi dyqind portrete dëshmorësh, që kanë dhënë jetën në lulen e rinisë, për idealin e lirisë. Por nuk më është dhënë rasti të shkruaj ndonjë portret si ky, për një luftëtare dëshmore me dy mbiemra! Nuk është fjala se u martua një vajzë, u bë nuse dhe mbajti mbiemrin e familjes së saj, mori dhe mbiemrin e dhëndrit dhe u bë me dy mbiemra. Jo, puna qëndron ndryshe. Është një vajzë partizane dibrane, dëshmore, prindërit e së cilës u ndanë nga jeta dhe ajo mbeti katër vjeçe jetime, pa nënë, pa babë, pa vëlla, pa motër, e cila u rrit me sakrifica dhe, adoleshente, rrëmbeu armën, fluturoi si një shqiponjë, luftoi me trimëri dhe ra heroikisht në emër të nënës së madhe Shqipëri!
Kjo është Rukie Roshi nga Begjuneci, fshat i vogël majë një kodre afër qytetit të Peshkopisë. Çdo bëhej paskëtaj kjo vogëlushe? Ishte gonxhe, si do rritej e do bëhej lule? E vogël, vinte rreth nëpër shtëpi si një kanarinë. Kërkonte nënën dhe babin, të këpuste shpirtin. Dilte aty afër shtëpisë në një lëndinë, luante me shoqe dhe kthehej në shtëpi si dallëndyshja në folenë e saj. Kujt nuk i vinte keq për këtë jetime nga bashkëfshatarët? Njerëzit bisedonin, shprehnin keqardhjen, u pikonte në zemër. Dhe nuk qëndruan sehirxhi. Hodhën dorën e tyre të ngrohtë të afërmit e saj. Kujdeseshin si për vajzën e tyre. ajo rritej, vente-vinte, luante, qeshte, belbëzonte. Nisi shkollën fillore. Më të rriturit e shikonin në bebe të syrit. Vajzë e zgjuar. Dinamike. Merrte nota aq të mira, gëzonte.
U bë 13 vjeçe. Zbukurohej. Do kalonte adoleshencën. E ndiente nevojën e prindërve, sidomos të nënës. Ndërkaq u ndodh një familje mirëbërëse në qytetin e Peshkopisë, me kryefamiljar avokatin e nderuar me shpirt humanitar, Emin Barçi, që kishte dy çupa, Dritën e Sadien dhe duke marrë Rukien u bënë tri, tri si motra, shoqe, sikur të ishin trinjake të një shtëpie. Fëmijët miqësohen shpejt.
Ditët e Rukies kalonin me njerëz. Shoqëri e këndshme. Tri vajza ishin si “tri motërza”, kudo bashkë në shkollë, në familje dhe jashtë saj. Me kukulla në duar. Aktivizohen në punë të lehta shtëpiake. I shihje me fshesë në dorë duke pastruar. Me qese artikujsh industrialë e bujqësorë që kthehen nga pazari. Ndihmonin familjen “Barçi”. Rukia nuk dallohej se ishte nga një familje tjetër. Trajtohej si vajzë nga e njëjta familje. Ishin si tri flutura. Punëtore si bleta.
Në ato vite Rukia më shumë njihej me mbiemrin “Barçi” se sa me mbiemrin “Roshi”. Dhe i mbetën të dy mbiemrat. Portreti i saj në “Yje të pashuar” figuron “Ruki Barçi”, ndërsa lapidari dhe një rrugë në fshat lindjen Begjunec kanë emrin “Rukie Roshi”! Me dy mbiemra, por është po ajo, e njëjta vajzë, pa prindër, por “prindërit” e gjendën dhe ajo u rrit në prehrin e ngrohtë të atyre dhe të të afërmve dashamirës fisnikë. Vazhdoi jetën e përbashkët si në shtëpinë e vet, me njerëz të dashur e bujarë.

Dritë në fund të tunelit
Vite lufte. Jetë e pasigurtë. Në fshat prapambetje. Moshë e veçantë, me kërkesa specifike. Nga një mjedis i mbyllur fshati, Rukia jetonte tani në qytet. Hapet në shoqëri. Mëson, ndryshon jetën, sjelljen, mirëqenien. Sheh më shumë përparim, hapësirë. Nuk shikon vajza që janë të mbyllura brenda katër mureve të shtëpisë. Është larg asaj varfërie të fshatit. Në sytë e saj rrezatohet qytetari. Dëgjon zhvillime të gjendjes të kohës së luftës, shton njohuritë e saj.
Të tria vajzat tërhiqen në organizatën e rinisë antifashiste, në veprimtari aktive. Lexojnë libra me autorë Sami e Naim Frashëri, Haki Stërmilli, Andon Zako Çajupi etj. Dëgjojnë episode e tregime nga lufta partizane. Frymëzohen nga veprime luftarake të shoqeve me armë në dorë: Hibe Palikuqi, Zinete Kerliu, Vera Najdeni, Nexhmie Xhuglini, Qefsere Greva, Esma, Qefsere, Myzejen, Sadoshe Baholli, Ora Kazazi, Vera Nura etj.
Sytë e Rukies tani u çelën më shumë. Horizonti i saj po zgjerohej. Ajo mësonte gjëra të reja, që nuk i dinte. Po rritej ndjenja e atdhedashurisë. Në zemrën e saj kishte mbirë një “Manushaqe”, Manushaqja e Naimit, Shqipëria, “E bukura e dheut”, “pikuar nga lart, nga reja”, që “ndrit si margaritar”, “e bardhë si shkuma e detit”.
Rritej, mësonte, kuptonte se malet dhe liria janë të lidhur ngushtë. “Liria është thelbi i zemrës dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, edhe shpirti thahet si pema pa ujë”. Po e shikonte Shqipërinë të rrethuar me male, që e bëjnë edhe më shumë bukuroshe. Të fortë si çeliku. Të pathyeshme si diamanti. Të patundur si vetë malet që ngrihen lart mbi tokë. Male me kreshta. Me shpate. Me përrenj. Me gryka. Me lugina. Me kurrize. Me brinja. Me qafa. Me faqe. Me shkëmbinj… Shihte dritë në fund të tunelit. Shpirti i saj i ri ndizej si barut i thatë. Zemra e saj rrihte nga gëzimi. Buzëqeshja e saj ishte si lule. I qeshnin dhe ata sy të zinj, të ndritur.
Në ato male dëgjohen pushkë. Janë pushkë që këndojnë në duar të trimave partizanë. Ata janë në roje të Shqipërisë. Atdheu rënkon nën thundrën fashiste. Shoqe ka, midis tyre dhe më të rritura. Dhe këto bisedojnë me të, e futin dhe në “politikë”. Rukia dëgjon, i shikon shoqet në sy, sot di më shumë se dje, të nesërmen di më shumë se sot. Mëson gjithnjë më mirë e më shumë pse vuajnë njerëzit e varfër. Dhe arrin në përfundim se jeta është luftë. Se fashizmi po na shtyp. Çfarë do ai në Shqipëri? Duhet luftuar për liri, kundër pushtuesve dhe sahanlëpirësve të tyre.
Shikojeni në këtë fotografi, në të cilën mund të dallohen qartë dy pamje: ana e jashtme, përmes së cilës kuptohet dhe bota e brendshme, gjendja shpirtërore e vajzës. E veshur thjeshtë. Ka mbajtur gërshetat e vajzërisë. Në fytyrë e vërejtur, shpreh mërzitje. Po edhe urrejtje. Mërzitje se është fatkeqe, jetime. Urrejtje për pushtuesit dhe veglat e tij.

“Mos më kërkoni. Jam në mal”!
Qyteti i Peshkopisë po zbrazej. Luftonin partizanët për çlirimin e tij nga pushtuesit gjermanë dhe tradhtarët. Njerëzit iknin nga qyteti në fshatra, atje ku të ishte më e sigurt jeta e tyre. Rukia po vinte në moshë gati 17 vjeçare. Nuk dihej ku ishte. Pyetej: ç’u bë Rukia? Ku shkoi? U mësua se mbërriti në fshatin e saj. Andej në mal, te partizanët! U hap fjala e Rukies: “Mos më kërkoni, jam malit, do luftoj për lirinë e populli”!
Ishte fillimi i tetorit 1944. Rukia hyri në radhët e Brigadës IV Sulmuese, në batalionin e 4-t, me komandant Mitat Goskova, i cili tregon se “Rukija është një vajzë sypatrembur, partizane e vendosur, e disiplinuar, që lufton me trimëri, pa pyetur se do të japë dhe jetën e saj, pret me padurim ta shohë Atdheun të çliruar. Ka dashuri e respekt për luftëtarët e lirisë. Është me shpirt sulmues. E shkuar me vëllezër partizanë. I ndritin sytë që ishte me armë në sup dh ee shkrepte pa mbyllur sytë”…
Shqipëria po shkonte drejt çlirimit të plotë. Lajmet pasonin njëri-tjetrin. Zemra e Rukies hidhte vallë. Brigada e IV mori detyrën t’i afrohet Tiranës, të luftonte për çlirimin e saj. Ishte mesi i tetorit dhe gjysma e parë e nëntorit. Çaste vendimtare për t’i dhënë goditjen e pushtimit nazist. Beteja e kësaj brigade po zhvillohej në kodrat e Kasharit. Luftë e ashpër. Partizanët donin ta çlironin sa më parë kryeqytetin. Në ballë të sulmit ishte dhe Rukie Roshi, e cila me shkathtësi hidhej nga pozicioni në pozicion, duke luftuar kundër gjermanëve. Dhe në luftë e sipër një plumb i gjermanit e godit në gjoks. Ra trimëresha 17 vjeçare. Puthi tokën dhe në frymëmarrjen e fundit arriti të thoshte: “Përpara shokë, mos u ndalni. Rroftë Shqipëria! Rroftë Partia Komuniste!”.
Ishte 20 tetori 1944. Trupi i saj u rrethua nga partizanët. Nderim me grusht, heshtje, një minutë zi! Betimi partizan: do t’ia marrim hakën! Rukia nuk arriti ta shohë çlirimin e Tiranës. Por u shua me besimin se Tirana dhe gjithë Shqipëria shpejt do çlirohej. Ditët iknin, Tirana u çlirua më 17 dhe e gjithë Shqipëria më 29 nëntor 1944.

***
Portreti i kësaj dëshmoreje është botuar në librin “Yje të Pashuar” dhe në librin “Dëshmorë 90-vjeçarë”, por meqë nuk ishin të plotë, veterani Selim Pira, dibran dhe kolonel në pension, me punë kërkimore që bëri bashkë me shokët e Komitetit të Veteranëve të Peshkopisë, u mundësua që ky portret të jetë më i gjerë dhe i merituar për këtë shqiponjë mali dibrane.