BULQIZA NDËRTOI SHQIPËRINË, POR AJO E HARROI ATË


 

Një historian i huaj shkroi se “Po të digjej Stambolli Dibra e ngre nga themelet, por po të digjet Dibra Stambolli kthen kokën pas …”

Kështu ka ndodhë edhe me Bulqizën, masivin më të madh kromëmbajtës që bashkë me Batrën (një trung kromi) i jepte Shqipërisë një milionë tonë krom në vit, por Shqipëria nuk i dha asnjë kacidhe që jeta atje, jetë mbi flori, tu jepte banorëve të saj zhvillimin më të begatë në vend.

Një fotografi nga arkivi im me njerëz që me ta e kam jetuar Bulqizën në nëntokën e saj të begatë dhe në malet ku kërkohej krom, më ktheu shtatëdhjetë vjet të shkuara, atëherë kur një ditë shkurti të vitit 1948 mori rrugë miniera e kromit dhe u ngrit me baraka druri  mbi truall të gurtë ai që do të njihej në botë si qyteti i Bulqizës…

Kërkova dhe midis blloqeve që “aksidentalisht” më kanë shoqëruar në mërgim, gjeta disa faqe shënimesh për Bulqizën në kurbën e rritjes vit pas viti, asaj kohe kur kromi i saj përcillej për tu kthyer në flori, valutë që ndërtoi Shqipërinë, por nuk ndërtoi kurrë Bulqizën…

Hapa e përcolla fletë pas flete një libër të Ymer Ketës, shkrimtar e publicist, studiues e historian, “Heronjtë e nëntokës”, një enciklopedi ku lëvrijnë galerive të minierës e sondave të kërkimit të kromit heronj të mëdhenj të një kohe që nuk është larg në vite, por lënë larg në kujtesë…

Xhavit Hatibi dhe Todo Manço, njeri drejtues minierash e ndërmarrjesh nafte të mëdha e tjetri inxhinier i talentuar i minierës së Bulqizës, Hero i Punës Socialiste, shpirti binjak i kromit, në krye të tridhjetë minatorëve të ardhur nga Rubiku e Dibra, ndezën më 18 shkurt 1948 fitilat e parë, e mali i  Duriçit u zgjua për të mos bërë gjumë kurrë, ditë e natë.

E poeti popullor këndoi ndër dhjetëravjeçarë mbi telat e çiftelisë…

 

Guri i kromit, gurë me xixa,

Vrapoi bota tek Bulqiza.

Guri i kromit, gurë i Zi,

Gjithë bota na ka Zili,

Gur e shkrepa

Të Zi me xixa,

Mbretëresha jonë,

Është Bulqiza…

Po, Bulqiza me të vërtetë do të bëhej Mbretëreshë, pioniere e madhe e nxjerrjes së kromit, nënë që do të hapte krahët e do të shtrihej në vite drejt Batrës, Krastës, Theknës, Selishtës, Cerujës, Tërnovës…

Atë vit të parë nga galeritë që u hapën Bulqiza i dha vendit, eksportit shqiptar, floririn e 10.432 tonëve krom për tu ngjitur gradualisht në 40 mijë tonë në vitin 1950, në 122 mijë në vitin 1955, në 220 mijë tonë në vitin 1960, në 420 mijë tonë në vitin 1985… (Nga blloku i shënimeve)

E gjithë kjo vlerë e krijuar me mend, djersë e gjak shërbeu për tharjen e kënetave nga Buna në Bistricë për të përfituar dhjetëra mijëra hektarë tokë që u bënë hambar i Shqipërisë, për ndërtimin e veprave të mëdha të bonifikimit e ujitjes, uzinave e fabrikave në të katër anët e Shqipërisë. Nuk ka vepër e pëllëmbë të tokës shqiptare pa floririn e nxjerrë me sakrificat ekstreme të minatorëve të kromit…

Në vitin 1955 në Bulqizë erdhi për të drejtuar minierën inxhinieri i talentuar Todo Manço, njeriu që shkriu jetën për kromin e markës shqiptare, e në respekt për të miniera mori emrin, Miniera e Kromit “Todo Manço”-Bulqizë.

Vitet ’60-’70-të ishin vitet e zhvillimit intensiv në thellësi e gjerësi të Bulqizës e të masivit krommbajtës, pjesë e një trungu. Zona D, Pusi 2, Batra, Krasta, Thekna, Tërnova, Shkallë-Cëruja, Selishta… bashkë do ta ngjisnin nxjerrjen e mineralit të kromit nga 289 mijë tonë në vitin 1960, në një milionë tonë në vitin 1980 e në një milionë e dyqind mijë tonë në vitin 1989. (vjetari statistikor 1991).

Bashkë do ta radhitnin Shqipërinë në vendin e tretë në botë për nxjerrjen e mineralit dhe në vendin e parë për frymë të popullsisë…

Gjeologët e Bulqizës, pas ikjes së rusëve, u bënë zëri i së ardhmes së Bulqizës, kërkimi dhe zbulimi i kromit drejt thellësive dhe gjerësive. Miniera e re e Batrës do të merrte emrin e “11 heronjve” të gjeologjisë që humbën jetën në kërkim të kromit. Dy herë Çmimi i Shkallës së Parë të Republikës (Sefedin Qorlaze) do të festohej midis gjeologëve të Bulqizës për zërin e veçantë që dha gjeologjia jonë për të ardhmen e kërkimit dhe shfrytëzimit të kromit.

Bulqiza në vitet tetëdhjetë do të shtrihej në punime të mëdha kapitale. Dy traverbankët e Klosit dhe Rampa e Qafës së Buallit nisën udhën drejt Nivelit të Pestë, i pari me sistem transporti elektrik, kurse i dyti me zbritje e ngjitje me kamionë. Në dalje të traverbankëve u ngrit fabrika e pasurimit të kromit ndërsa, poshtë, në Klos mori formë stacioni i fundit i trenit dhe hekurudha po shtrinte shinat e saj. Në të njëjtën kohë nga Bulqiza, drejt Selishtës një traverbank tjetër ndërtohej për të marrë kromin e Balgjajt dhe të Selishtës…

Në Burrel u ngrit uzina për shkrirjen e kromit…

A duhej gjithë ky investim në kushtet kur ekonomia e vendit ishte e sëmurë?

Mbase po…

Mbase jo…

Një debat që duhet ta bluajnë imët në mullirin e gjykimit specialistët.

Nuk u gjykua atëherë, mbase nga “uji në gojë” hedhur nga regjimi i kohës.

Nuk u gjykua as kur “goja u hap një pashë” e specialistët, ata që e kishin ngritë me duar e me dhëmbë minierën mbetën në këndin që formon rruga që bashkon Bulqizën e Vjetër dhe të Renë me rrugën paralel me Pallatin e Kulturës. E kam në sy e në shpirt pamjen dhe gjendjen shpirtërore të Jorgo Kolës, inxhinierit gjeolog të minierës së Bulqizës, njeriun që i njihte thellësitë e kromit më mirë se kushdo, njeriun që i dha jetë (dhe i jep edhe sot me testamentin profesional që ka lënë) nxjerrjes së mineralit të kromit. Diçka në biografi do ta shuante meritën e tij të ishte Hero i kohës. Në pleqërinë e tij Jorgo Kolën, nga mëngjesi në mbrëmje, në ditë me diell e me acar, do ta gjeje në atë kënd rruge, me shpinë kthyer nga miniera tek shiste paqeta cigaresh, çamçakëzë…për të përballuar vitet e pleqërisë.

Këtë portret do të kishte edhe miniera, edhe nxjerrja e kromit, edhe qyteti i Bulqizës, që ndonëse me themele në flori ishte dhe është qytet gjallë – vdek.

Kur u ndamë minatori i kromit mbeti me duar në xhepa të grisur. Bulqizaku as tokë kishte për të punuar, as punë kishte për të nxjerrë bukën e ditës, as përkrahje për ta mbajte jetën gjallë…

Minatori që dilte në pension me 10 vjet punë nëntokë, në moshën 50 vjeç, me pensionin më të madh për kohën, përjetoi tragjedinë e njerëzve të harruar, ashtu siç përjetoi edhe qyteti tashmë në duar ujqish të pa ngopur.

Dua të shkruaj shumë për minatorët dhe gjeologët e Bulqizës, këta heronj të mëdhenj të kombit…

Shënimet e mija në këtë 70-vjetor të rrugës shqiptare të kromit do të desha që të vijonin me kujtime e vlerësime të asaj dhe kësaj kohe, nga njerëz emrat e të cilëve i kam në mendje dhe u ulem në gjunjë me respekt për vlerat e mëdha që dhanë.

Nuk e di se çfarë do të ketë më 18 shkurt në Bulqizë…

Festë (?) apo protestë (?) !

Mbase më 18 shkurt 2018 Kuvendarët e Shqipërisë do të ngrenë dorën lart njëzëri për të miratuar “Statusin e Minatorit”.

Ua kanë borxh, një borxh që ndjek borxhin e s’paguhet dot kurrë…

Shënim: Nga arkivi im prej qindra fotosh me gjeologë e minatorë të kromit po shkëpus katër fotografi, njëra midis minatorëve të Pusit 2, njëra fiksuar në 40 vjetorin e minierës me veteranët e saj, njëra në një meditim të gëzueshëm të njerëzve të kromit dhe njëra në gëzimin e gjeologëve kur sonda takon në krom…