Kastrioti, fshati pa Kastriotë


 

Kur përmendet emri Kastriot, dashje pa dashje mendja shkon tek heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sidomos shto këtu edhe shpalljen e këtij viti si Viti i Skënderbeut. Emri i këtij fshati është intrigues për këdo që e ndesh, dhe sidomos për studiuesit e historisë të cilët ende sot nuk janë të njëmendje për prejardhjen e Kastriotëve. Por i vetmi emër pa ndryshuar lakime dhe tjetërsime është ky fshat. Në Shqipëri ka disa fshatra me emrat Kastriot (Peshkopi), Kastri (Mirditë), Kastra (Shkodër dhe Tropojë), dhe Kastrat në Has. Gjithsesi ne nuk do merremi me historinë por do njihemi sadopak me këtë fshat që mban një emër me peshë të rëndë.
Kastrioti është fshat dhe ish-komunë, sot Njësi Administrative në Qarkun e Dibrës, në verilindje të Shqipërisë. Në reformën territoriale të qeverisjes lokale të vitit 2015 u bë nënndarje e komunës Dibër. Popullsia në këtë njësi bazuar në regjistrimin e vitit 2011 ishte 6,200 banorë. Kastrioti gjendet 7-8 km, larg qytetit të Peshkopisë në drejtim të Kukësit. Rruga me makinë nga Peshkopia bëhet për 10-12 minuta.
Është muaji mars dhe bën ftohtë. Ka rënë dëborë prej disa ditësh. Vendi është i mbuluar në të bardhë. Kështu është e gjithë Dibra, krejt çka rrok syri, malet rrotull edhe fshati Kastriot mu në mesi e gropës së Dibrës. Rruga për në Kukës e ndan fshatin përmes si një mollë, duke në dy mëhalla: e poshtme dhe ajo e epërme. Fshati në perëndim kufizohet me Kuket, në jug me Brestin, ndërsa në lindje me Sohodollin, të gjitha këto fshatra janë pjesë e Njësisë Administrative Kastriot.
Unë eci buzë rrugës, është qetësi, gati drekë. Pragjet e dyerve janë me borë, pullazet e dritareve po ashtu, ndërsa oxhaqet tymosin si pleqtë e vjetër me llulla buzë tyre. Të rrallë janë të tillë pleq tashmë këtu. Shpesh ia beh ndonjë makinë aty pranë dhe mjaft sa të trazon me zhurmën e saj, që herë i jep jetë dhe herë i merr dertet këtij fshati. Para se të arrish fshatin gjenden varrezat, duket sikur i kanë pozicionuar aty vetëm për të na kujtuar të gjithëve kur kalojmë se edhe ne jemi të vdekshëm.
Kaloj varrezat dhe afrohem me shtëpitë e para që shihja së largu. Mandej zhytem në mesin e fshatit i cili nuk i ka më shumë se 50 shtëpi, përfshi këtu edhe shtëpitë e braktisura. Emigracioni dhe imigracioni kanë bërë edhe këtu punën vet, shumë nga fshati janë shpërgulur në vende tē tjera, kryesisht në Tiranë edhe në Durrës, por edhe në Sarandë, ndërsa të rinjtë kanë kaluar në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, madje edhe në Amerikë. E njoh prej kohësh këtë vend, por edhe kur nuk e njeh, mjafton të njohësh një fshat verior të Shqipërisë sepse nuk përbën ndryshim. Dimri këtej i zymton fshatrat, rrugët e zbrazëta, mungesa e zhurmave dhe mungesa e diellit shkojnë sinkron me shpirtrat e nënave që presin djemtë.
Papritmas dëgjoj një Ezan që vjen nga një minare që qet krye pas një qendre spitalore, e cila nuk ka punuar kurrë. E di është e premte dhe duhet falur e xhumaja. Marr abdes dhe futem brenda. Xhamia është e re, e kanë ndërtuar ka ca vite dhe e kanë restauruar tashti vonë, këtë vjeshtë që shkoi. Brenda gjenden tre burra, dy të rinj dhe një fëmijë. Është shumë ftohtë sërish, brenda nuk asnjë llojë mënyre për tu ngrohur. Pasi mbarojnë shpërndahen të gjithë.
Edhe fshati ka si bazë ekonomike emigracionin, sërish ka familje që mbahen me bujqësi dhe blegtori. Rrugicave ndesh me ndonjë grua me ndonjë ballë apo barrë jonxhe e kashte. Kryesisht ato merren me bagëtitë përgjatë dimrit, ndërsa burrat rrinë. Kafeneja e fshatit edhe pse është mesditë, qëndron e mbushur përplot me burra dhe disa prej tyre luajnë domino, disa luajnë me letra, ndërsa të tjerë bilardo.
Shtëpitë në Kastriot janë kryesisht të reja, të cilat kanë zëvendësuar ato të vjetrat, ndërsa ato që janë të vjetra, janë vetën ato të braktisurat, përveç Kullës së Leshe, e cila qëndron akoma, duke i mbijetuar kohës gati 100 vjeçare. Ajo është një kullë trekatëshe dhe e ndërtuar me tulla dhe llaç gëlqereje. Shtëpitë e boshatisura mbartin në shpatulla vite, kujtime të pafundme dhe zhurma të pandara fëmijësh.
Kastrioti është pika ndarëse me Malsisë së Dibrës dhe Topalltisë. Pra, Sohodolli i përket Topalltisë, ndërsa Kastrioti i një ose dy kilometrave më poshtë i përket Malsisë, ose më saktë Krahinës së Çidhnës. Ndryshimet janë në zakone dhe kryesisht në gjuhë, sepse në Kastriot janë norma të tjera nëndialektore: këtë fare lehtë mund t’iu referohemi disa fjalëve ku në Sohodoll i thuhet “lugë”, ndërsa në Kastriot i thuhet “lugjë”; në Sohodoll i thuhet “gisht”, ndërsa në Kastriot i thuhet “xhisht” etj.
Teksa eci, përmes fshatit nëpër rrugica ndjehet lehtë mungesa e të rinjve. Shoh në pragun e një porte hekuri një plakë, e cila mban përdore një vajzë të një moshe thuajse 6-vjeç. Ajo mban në duar kokoshka dhe të sheh me ca sy të jeshiltë. Ja pra, nëpër rrugë sheh dy breza, por mungon i treti, babai ndoshta i kësaj vajze, i cili ka marrë dhenë nëpër Europë.
Me të kaluar tutje, ndeshem me një plakë, e cila mbi kurriz mban një deng kashte misri. Duke që mban në shpinë që prej larg, sepse në ballin e saj ka ca bulëza djerse. Rruga tek po ecën është dishezë, dhe tek ecën i rrëshqet këmba, ndërsa ajo ia del të mbahet dhe vazhdon rrugën për në shtëpinë e saj.
Kështu Kastrioti qëndron në mes të Dibrës. Ia del të mbijetojë në kohë. Sërish të nxjerrë breza, të tillë djem me dije, bijë prindërish me vuajtje.