Pajtim Beça, një histori suksesi në breg të Drinit


Njëzetë vite më parë, Pajtim Beça nga Vojnika e Maqëllarës, po hapte një rrugë me fadromë, nga ura e Topojanit, përgjatë bregut të lumit Drin. Nga gjyshi kishte trashëguar një copë toke dhe mendja i shkonte të bëjë diçka në atë vend. Tre muajt e verës do të bënte hamburgera, apo ndonjë ushqim tjetër të shpejtë për fëmijët që do të vinin për tu larë në lumë. Dikush tha se djali paska lajthitur, pasi aty vetëm ferra kishte dhe pak bar për të kullotur dhentë. Babai i tij, Allamani i bërtiti, se po i hidhte në lumë ata pak lekë që kishin kursyer, me shumë mund e sakrifica. Me shumë vota kundër, por me dëshirën dhe pasionin pro, Pajtimi filloi të hedhë hapat e para. Baraka që kishte ngritur në fillim, filloi të marrë formë të re e të zbukurohej. Jo vetëm fëmijë, por dhe të rritur filluan të vinin, madje jo vetëm nga zona, por dhe nga larg. Pajtimi, bashkë me të shoqen, vinin çdo ditë nga fshati, diku tre kilometër larg dhe sërish në darkë shkonin të lodhur. Dukej më e udhës që banesa e tyre, të ishte pranë lokalit, pasi ashtu do të ishte më e kollajtë për të menaxhuar punët e shumta që kishin përpara.

Resorti turistik
Pajtimi e kishte të qartë, se njerëzit nuk donin vetëm detin për të pushuar, por dhe lumin, pyllin, ajrin e pastër, cicërimat e zogjve. Donte të bëjë shumë gjëra njëherësh, por duheshin shumë para. Shteti kurrë nuk e ndihmoi me ndonjë kredi të butë, apo financime të ndonjë lloji tjetër. As për rrugën, as për ndriçimin, as për lokalin. Ashtu, duke bërë hapa të vegjël, por të sigurt, biznesi i tyre familjar rritej e rritej, duke zgjuar ide e dëshira të reja. Sot, pas njëzetë vitesh, ai kthen kokën pas dhe as vetë nuk e beson se si rrodhën gjërat. Ai ka një lokal të bukur, por një tjetër më i madh, më komod e më modern, po ngrihet pranë të parit. Nga tre muaj që e pat menduar, Pajtimi punon, pothuaj se gjithë vitin. Gjithë familja është e punësuar aty. Ai, bashkë me të shoqen, Fidanen, kurse fëmijët, vajza që po mbaron shkollën e mesme dhe dy djemtë më të vegjël, i ndihmojnë pas mësimeve. Disa djem të rinj, punojnë si kamarierë në pikun e sezonit të verës.
Gatimet e Pajtimit janë tejet të veçanta. Ai që i ka provuar njëherë, nuk mund të qëndrojë pa ardhur sërish, por tashmë jo vetëm. Do të ketë marrë dhe miq e shokë të tjerë. Para dy javësh erdhën për të drekuar tetë italianë që kanë lidhje pune me një firmë vendase. Morën në telefon dhe prenotuan mish të gatuar e të zier në qumësht. Mishi i qingjit, i bashkuar me qumështin dhe erza të ndryshme, qëndrojnë në furrë për katër pesë orë. Cili stomak në botë do ti rezistonte një oferte të tillë e nuk do të tejngopej? Në fund ata u shprehën se nuk kishin konsumuar kurrë mish më të shijshëm. Këtë metodë Pajtimi e ka mësuar nga gjyshi, që shpesh u thoshte në shtëpi të bënin një gatim të tillë. Të shumtën e kohës, Pajtimi mban deri në pesëdhjetë qingja e keca, dhe njerëzit mund ta zgjedhin vetë po të duan. Ka dhe pula e gjela në fermën e tij, bile ka në projekt, të ndërtojë një stallë me kapacitet prej 50 viçash. Pothuajse gjitha ushqimet te restoranti i tij janë bio. Kecat e qingjat, që i zgjedh vetë te fermerët, speci me gjizë, që e përgatitën e shoqja, sallatat e ndryshme, turshitë me domate, karrotë e kastravecë. Ullinjtë i merr vetë dhe i përgatit në disa mënyra, saqë habiten dhe njerëzit që vijnë nga jugu. Vajin e ullirit e merr prej vitesh në Ndroq, ku shpesh pëlqen ata të egrit.
Nuk janë të pakta rastet kur në lokal vijnë turistë të huaj, francezë, zviceranë, italianë, gjermanë e austriakë. Parvjet pati 22 veta, njëherësh, Nuk kishin pretendime për të fjetur, hapnin çadrat dhe flinin në ajër të pastër. Ja, kështu shtohen njohjet e reja, takimet, shkëmbehen kartëvizita, shkëmbehen përvojat, gjuhë dhe kultura të ndryshme nga e gjithë bota.

Parku i bletëve
Gati njëkohësisht me lokalin, Pajtimi bleu dhjetë koshere blete, sa për nevojat e familjes dhe për të qerasur ndonjë mik të rëndësishëm. Shumë shpejt u bënë tridhjetë, më pas akoma 120 koshere dhe tani shifra ka shkuar në katërqind, si një ortek masiv, që i shumëfishon përmasat shumë shpejt. Dikush mund ta dijë të lehtë punën me bletën, por ndoshta gabohet. Kosheret e blera, pitet që duhen vënë, të ushqyerit në pranverë e vjeshtë, kurimi i sëmundjeve, janë probleme me shumë ndikim në prodhimin e mjaltit, në sasi e cilësi. Një specialist amerikan, duke folur për rrezikun e Varroatozës, thotë se ajo po pëson rritje të ndjeshme në numër e për pasojë rrezikshmëri të lartë. Nga dy përqind, në vitin 2002, po shkon në 20 përqind në vitin 2020, duke paraqitur kështu një rrezik serioz.
Ashtu si për restorantin, Pajtimi dëshiron termin bio dhe te puna me bletën. Kurimet në parkun e tij të bletëve, i bën me bimë mjekësore shumë efektive. Hithrën e përdor për të luftuar Vartozën, kurse nenexhikun për të luftuar diarenë dhe problemet e barkut. Por koncepti bio për bletarin tashmë të fuqishëm, shtrihet akoma më tej. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për hile që mund ti bëhen mjaltit, por dhe punimi i piteve bëhet në një mënyrë mjaft korrekte. Ka vite që ka blerë një makineri të thjeshtë për të bërë pitet me dyllin e tij. Pitet e prodhuara në këtë mënyrë, janë njëqind përqind me dyllë dhe i kushtojnë më lirë, kurse te blerat kanë vetëm 30 përqind dyll dhe 70 përqind miell misri e parafinë. Për pasojë, bleta e ka shumë të vështirë për të ndërtuar hojet, në rastin e dytë, pasi ka shumë pak material të pastër në dispozicion. Prodhimi i piteve me atë makineri të thjeshtë i merr familjes shumë kohë dhe energji. Atyre u duhen rreth gjashtë mijë pite në vit, kur ato nuk mund të prodhojnë më shumë se 40 fletë të tilla në ditë, pra mbi katër muaj. Por gjithë ky stërmundim mund të kapërcehet lehtë, nëse pajisja e thjeshtë do të zëvendësohej me një makineri më të madhe. Ajo gjendet fare lehtë në Tuqi, apo diku tjetër, mjafton të paguash një shumë prej 43 mijë eurosh. Bile, jo vetëm Pajtimi do të shpëtonte, por të gjithë bletarët e zonës, pasi do ti punonin pitet e tyre me të njëjtën makineri. Kur bleta ka hyrë në listën e kuqe, si specie në zhdukje, a nuk do të duhej dora e shtetit, për të ndihmuar këta bletarë të talentuar, duke u blerë një makineri të tillë, apo duke shtuar pak më tepër subvencionet?
Këtë vit Pajtimi shpreson një prodhim të mirë mjalti, pasi shenjat duken premtuese. Por veç këtij produkti, nga bleta merr dhe qumështin e saj, apo të tjera gjëra me vlerë si propolisi dhe poleni. Që të katër këto produkte të bletës, luftojnë një seri sëmundjesh dhe rrisin mjaft imunitetin e organizmit, ndaj rreziqeve të ndryshme.
Shumë punë të mëdha e presin Pajtimin dhe familjen e tij kësaj vere. Restoranti i ri që po hedh shtat, magazina e re për pajisjet e bletës, rrethimi i parkut dhe gjithë territorit me rrjetë teli, ndërtimi i disa shtëpizave prej druri për turistët e huaj, do të jenë prioritetet. Ai hedh shikimin afër dhe larg, në të njëjtën kohë. Shumë shpejt do të vijë dita, kur njerëzit ta quajnë fat, të prenotojnë disa ditë pushimi në resortin e tij turistik. Jo vetëm Pajtimi do të jetë i fituar, por dhe Maqëllara e Dibra. Me siguri, që ndërtimi i rrugës së Arbërit do ta shpejtojë këtë ditë.