Rruga e Arbrit: Qeveria firmos kontratën, “Gjoka Konstruksion” gati të nisë punën


dicitura

Qeveria shqiptarë, në mbledhjen e saj të datës 28 mars 2018, miratoi kontratën e koncesionit/ppp, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe shoqërisë “Gjoka Konstruksion”, sh.a., për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të vendimit nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, qeveria miratoi kontratën e nënshkruar në fillim të shkurtit 2018, duke i dhënë autoritet të plotë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim vjen gati dy muaj pas firmosjes së kontratës nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidentit të kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka. Gjatë asaj ceremonie Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se kontrata u përmbyll pas një procedure të gjatë konkurimi dhe negocimi investiv.
“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh në fillim të shkurtit ministri Gjiknuri.
Sipas Ministrit, kemi të bëjmë me një vepër të vështirë, një vepër të rëndësishme por që do të jetë nga pikëpamja inxhinierike, një nga veprat më të realizuara në Shqipëri.
“Është një vepër që do të kushtojë 240 milion euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Të dhëna mbi projektin

Sipas autoritetit kontraktor, Rruga e Arbrit është e përfunduar plotësisht në 20.12 km, 15.175 km janë përfunduar pjesërisht si dhe ka një projekt ekzistues edhe për 26.372 km. Në total janë 61.667 km të projektuar për gjurmën kryesore me standardin C3, nga të cilët 26.372 km nuk janë prekur me punime ndërtimi. Sipas Studimit te fizibilitetit te hartuar rreth vitit 2005 e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë sipas këtij varianti pritet të jetë afërsisht rreth 73.5 km e gjatë, çka do të thotë që afërsisht ne total 11.8 km rrugë janë ende të pa projektuar ( gjatësi ne skajin e lidhjen me Tiranën dhe gjatësi në skajin e lidhjes me Blladën – pika kufitare).
Në këto kushte Projekt Ideja për “Përmirësim, Ndërtim, Operim, dhe Mirëmbajte e Rrugës se Arbrit” për kompletimin e të gjithë gjurmës së Rrugës së Arbërit qe përfshin: projektet e segmenteve të pa projektuar( skajet lidhëse) , përmirësimin e projekteve të segmenteve ku punimet janë ende të papërfunduar me synimin e përmirësimit të tyre nga standardi C3 te standardit te vitit 2001 në atë C2 sipas standardit te vitit 2015, përmirësimin e projekteve të zbatimit për segmentet ku ka projekt zbatim por qe nuk është ndërtuar duke përmirësuar standardin C3 te rrugës sipas standardit te vitit 2001 në atë C2 sipas standardit te vitit 2015 dhe mirëmbajtjen e segmenteve te ndërtuara.
Ne projekt ide, të nxitur nga rëndësia që ka segmenti Zall Bastar-Dalja e Urës së Vashës, që është sa 1/3 e të tërë Rrugës së Arbrit është studiuar dhe projektuar sipas standardit C2 te vitit 2015 ku është projektuar edhe lidhja e Rrugës së Arbrit me Klosin. Ne projekt ide është marr ne konsideratë distance kohore më e shkurtër, siguria e kërkuar në tunele, pasi parashikon edhe një tub emergjence, krahas atij kryesor dhe aksesi me i shpejt i rrugës nga banoret e Matit përmes lidhjes me Klosin. Kështu, në Projekt Ide, Rruga e Arbrit nga Tirana deri në Bllatë skematikisht në mënyrë të njëpasnjëshme është e ndarë në 8 segmente si më poshtë:
Segmenti 1, fillon në dalje të Tiranës, aty ku mbaron rruge ekzistuese, dhe përfundon tek Ura e Brarit, aty ku kane filluar punimet për ndërtimin e rrugës. Gjatësia e tij është 1.153 km.
Segmenti 2 : Ura e Brarit – Zall Bastar, me L=5.46 km.
Segmenti 3: Zall Bastar – Dalja e Urës së Vashës, sipas projekt idesë eshte me gjatësi L=23.188 km.
Segmenti 4: Dalja e Urës së Vashës – Bulqizë, me gjatësi L=9.715 km.
Segmenti 5: Bulqizë-Ura e Çerenecit, me L=20.12 km, i përfunduar në v. 2009 dhe 2011.Nuk është pjese e Projekt Idesë.
Segmenti 6: sipas studim-projektim qe lidh Urën e Çerenecit me rrugën Maqellarë-Pika kufitare Bllatë. Gjatësia e tij është L=9.111 km.
Segmenti D (7): Për të plotësuar nevojat e trafikut të ardhshëm, rruga ekzistuese Maqellarë-Pika kufitare Bllatë duhet të rikonstruktohet në standardin e një rruge urbane për shpërndarjen e të tërë trafikut të Rrugës së Arbrit në Drejtim të Peshkopisë (Maqellarë) dhe Maqedonisë (Pika kufitare Bllatë).
Segmenti K (8) është degëzimi Dalje Ura e Vashës – Klos (Segmenti K) me L= 3.092 km.
Projektet e segmenteve 1 deri 6 (pervec segmentit 5-qe nuk është pjese e Projekt Idesë) janë hartuar sipas Standardin C2 të Manualit për Projektimin e Rrugëve Shqiptare – MPRrSh 2 – Projektimi Gjeometrik (viti 2015). Ky standard kënaq kërkesat që burojnë nga Studimi i Fizibilitetit për Rrugën e Arbëri. Ky standard, kërkesat evropiane të sigurisë për rrugët automobilistike dhe elementëve përbërës të tyre.
Segmenti D është projektuar për të plotësuar nevojat e kalimtarëve, trafikut urban dhe ato në interes të Rrugës së Arbrit. I vetmi Segment i projektuar në standardin C3 është ai i degëzimit për në Klos (Seg. K), kjo në përputhje me volumit e trafikut në atë rrugë.
Korr. Rr.A.