Organizimet komunitare dhe demokracia


Demokracia është interesante! Ajo është shumë e mirë për t’u arrirë. Këtë po e provojmë në Shqipëri për afro 28 vjet.
E dalë nga sistemi diktatorial, ku vendim-marrja e centralizuar degjeneroi në censurë të fjalës e më tej në autocensurë, shoqëria shqiptare e gjeti veten në kaos organizimi. Ideologjia e trashëguar, jo vetëm në tekstet shkollore, por edhe në sjelljen e përditshme, u transformua në ideokraci.
Njerëzit, duke rendur pas “mrekullisë së tregut të lirë” u ri-skllavëruan me shpejtësi pas grupeve të interesit, të cilat udhëhiqen nga interesa të ngushta materiale, duke lënë në harresë parime jetësore, si demokracia.
Nga ana tjetër, migracioni nga zonat malore, apo qendrat e varfra, në 4-5 qendra urbane të vendit e më tej emigracioni jashtë vendit, jo vetëm e kanë përgjysmuar popullsinë, por e kanë shpërndarë atë si një mase likuide, e cila merr formën e enës së interesit material, dmth nevojës për t’u ushqyer, apo lakmisë për t’u pasuruar. Kështu që, sistemi shoqëror në Shqipëri nuk funksionon me pjesëmarrjen e njerëzve, por thjesht ndiqet prej tyre.
Që një demokraci të funksionojë, duhet që njerëzit të marrin pjesë, jo vetëm të bëjnë sehir, apo maksimumi të mallkojnë e shajnë ligjbërësit, vendim-marrësit, ligj-zbatuesit, apo vendim-zbatuesit.
Nga ana tjetër, duke qenë se demokracia është një rrugë e vështirë, ata që komandojnë frenat e shtetit, ndjekin rrugën e lehtë, atë të autokracisë. Dhe demokracia largohet në horizont, si avionët, duke lënë një tym të bardhë, që tretet në hapësirë.
Një nga mënyrat e ristrukturimit të demokracisë janë organizimet komunitare.
Por, pse mendoj, që organizimet komunitare mund të prodhojnë demokraci për vendin?
Organizatat komunitare nuk ndërtohen me miq, ose me grupe njerëzish me stile dhe shije të ngjashme, apo me njerëz që thjesht duan dhe kuptojnë njëri-tjetrin.
Organizatat komunitare ndërtohen nga njerëz që mendojnë se janë pjesë e diçkaje që është më e madhe se ata vetë. Ato ndërtohen mbi qëllime të caktuara, që i shohin të realizuara vetëm nga organizimi i tyre.
Gjithashtu, ato ndërtohen të bazuara mbi vlera morale ideale, jo mbi shumatoren e vlerave të individëve pjesëmarrës. Këtë organizim arrijnë ta bëjnë me sukses vetëm ata që kanë aftësinë për të parë vlerat tek të tjerët e për t’i vlerësuar ata si partnerë, jo thjesht vlerat dhe peshën e tyre personale.
Demokracia, kërkon përgjegjësi aktive, e cila mund të shprehet në forma nga më të larmishmet. Organizimet komunitare janë një nga format më frytdhënëse. Rezultatet, që mund të priten nga organizime të tilla, nuk janë vetëm zgjidhja e një problemi të caktuar, apo e disa problemeve, por edhe ndërtimi i komunitetit dhe ndërtimi i demokracisë, ose më së paku aftësia për të prodhuar demokraci.
Për të ndërtuar një demokraci, ne duhet të bëjmë më shumë sesa t’i motivojmë njerëzit të marrin pjesë në qarqe që trajtojnë problemet e jetesës, që ndikojnë drejtpërdrejt në interesat e tyre personale. Lakmia njerëzore për të grumbulluar të gjithë pasurinë rreth vetes, bën që mirëqenia të mos rritet në përpjestim të drejtë me rritjen e prodhimit të të mirave materiale e kësisoj konfliktet e rrënojnë ëndrrën për demokraci.
Kjo është pak a shumë, ajo që ka ndodhë në Shqipëri. Duke ndjekur rutinën degjeneruese për një kohë të gjatë, njerëzit kanë humbur besimin në demokraci, të cilën, nga ana tjetër nuk e kanë provuar kurrë në të vërtetë. Sistemi kaotik i ndërtuar në Shqipëri i ka hequr shumicës të drejtën për të marrë pjesë në një demokraci të drejtpërdrejtë e një sasi tjetër njerëzish nuk gjejnë kohë dhe thjesht neglizhojnë.
Përmes angazhimit në organizatat komunitare, me pjesëmarrjen demokratike në zgjidhjen komplekse të problemeve, qytetarët mësojnë të jenë aktivisht përgjegjës. Kjo është edhe një nga përgjigjet se cfarë është demokracia përfaqësuese që, duke zhvilluar marrëdhëniet në një komunitet, zhvillon një popull, zhvillon një komb.
Pasi qytetarët mësojnë të jenë aktivisht të përgjegjshëm, në vend të të mësuarit tek mbështetja plotësisht në mbrojtjen nga një shtet që imponon përgjegjësinë pasive, ata do të bëhen aktivë dhe ndikues në politikën dhe zhvillimin shoqëror.
Pra, organizimet komunitare ofrojnë rrugë shumë të gjerë në rigjallërimin e formave kuptimplotë të pjesëmarrjes së qytetarëve në një demokraci. Ato mund të jenë të vlefshme për demokratizimin e institucioneve, aq sa edhe qeveritë më të mira.
Gjithashtu, ndikimi i organizimeve komunitare mund të kthehet në një drejtësi restauruese pasi ato, në vend të përpjekjes për të bërë politikë personale, kërkojnë mundësinë e ndryshimeve strukturore. E thënë ndryshe, kërkesa për drejtësi ushtron presion mbi drejtësinë e deformuar të ligjit, në mënyrë që ligji të prodhojë drejtësi dhe jo interesa grupesh të vogla klienteliste.
Si përfundim, kur njerëzit organizohen mirë, ata mund të ulen edhe në tryezat e vendimmarrjes dhe t’i ndikojnë ato, bazuar në fuqinë që këto organizime kanë. Janë pra, mallkimi i politikanëve, por janë gjithashtu një ilaç për demokracinë. Kjo pasi, organizimi i komunitetit sjell njerëz të pafuqishëm dhe relativisht të pafuqishëm, në solidaritet për të mbrojtur dhe avancuar interesat dhe vlerat e tyre.

* Autori është ekspert në fushën e ekonomisë. Ky shkrim është një refleksion mbi krijimin e “Unioni Lura”.