Në gjurmët antike të “Rrugës së Arbërit”!
Fotoreportazh /Teksti: Geri Emiri / Fotot: Sami Curri


Në gjurmët antike të “Rrugës së Arbërit”! Miqtë e vjetër dibranë e durrsakë, u nisën për vizitë tek tironsit! Një iniciativë e medias “Bulqiza ime” dhe “Smart Tour Albania”, që ju bashkua edhe pushteti vendor, na bëri bashkë për të reflektuar mbi historinë e vendit tonë.
Me të lënë pas bukurinë përrallore të Urës së Vashës, që përshkohet me delikatesë nga lumi Mat, të presin banesat dykatëshe të tipit kullë, në fshatin Guri i Bardhë. Teksa përshkojmë livadhet e rrethuara me kujdes rrëzë maleve, majë tyre, në të djathtë na shoqëron Kalaja e Xibrit, e në të majtë Kalaja e Gurit të Bardhë (Petralba), ku Gjergj Kastrioti ka lënë gjurmët e tij.
Paqësisht prekim kalldrëmin që herë shfaqet e herë zhduket. Rruga e vjetër Durrës-Fusha e Tiranës-Dibër apo “Rruga e Arbërit”, daton të paktën që në shekullin I-II të Erës Sonë. E pajisur me stacione pushimi, ngjashëm me Rrugën Egnatia.
Rreth 1200 metra mbi nivelin e detit, teksa vijojmë ecjen, sodisim malet dhe punimet që e gjarpërojnë, për ndërtimin e Rrugës (së re) të Arbërit. Emra të njohur përgjatë historisë kanë shkelur në këto anë! Në shekullin XI, rruga përmendet nga kronistja bizantine, Ana Komnena.
Pasi lejmë pas pyllin me pisha, në Zall-Dajt rrezet e diellit shndrisin mbi liqenin e Bovillës, duke vijuar ecjen në këmbët e malit të Dajtit. Për në Shkallën e Tujanit na shoqëron lumi i Tiranës, që sikur kujdeset të shtojë bukurinë e peizazhit. Ura e Brarit në Tiranë, risjell madhështinë e rrugës që ndër shekuj lidhi Dibrën me Tiranën, e Durrësin. Rëndësia ekonomike dhe ushtarake e kësaj rruge e rendit me krenari si simotra e saj, Rruga Egnatia.

KOMENTI JUAJ