Pse ka akoma njerëz që mezi presin që Rruga e Arbërit të dështojë?!


Rruga e Arbërit është një nga investimet më të mëdha për të ardhmen e zonave të Dibrës, Matit, Lumës apo Martaneshit. Shkurtohet largësia e Dibrës me Tiranën rreth 100 km. Për 80 km shkon nga Tirana në Bllatë, kufiri me qytetin e Dibrës së Madhe. Për mbi 90 km mbërrin në Peshkopi. Po të llogaritësh udhëtimin sot me rrugën nga Burreli me 30-40 km në orë, kursen 3 orë e më shumë kohë udhëtimi, kursen karburant dhe mjetin nga amortizimi.
Rruga sjell zhvillim ekonomik, afron tregun e Tiranës me një zonë potenciale bujqësore dhe blegtorale siç janë Dibra dhe Mati. Me këtë rrugë do të transportohet minerali i kromit dhe derivatet e tij drejt portit të Durrësit, pasuri e një prej pellgjeve më të mëdha krommbajtëse në botë.
Të mos lëmë pa përmendur Rrugën si një arterie e Kombit, sepse shkurtohet ndjeshëm largësia mes Shkupit dhe gjithë hapësirës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që nga Gostivari, Tetova e Kumanova apo vetë Shkupi me rrethinat e tij me kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranën.
Kjo është një rrugë në rrugën e integrimit ballkanik, një udhë miqësie mes popujve. Këtë trend miqësie dhe bashkëpunimi po e tregon edhe shtimi me ritme të shpejta i turistëve maqedonishtfolës në bregdetin shqiptar vit pas viti.
Vërej, për turp të themi, se disa njerëz, drejtpërdrejt apo tërthorazi, shprehin pakënaqësi apo keqdashje për Rrugën e Arbërit, ndërtimi i së cilës është shtrirë në të gjithë gjatësinë e saj.
Disa ofshajnë dhe merakosen se po vidhet, ca të tjerë thonë se është investim i kot dhe nuk e justifikon ndërtimin për një rajon pa peshë demografike dhe ekonomike, disa shajnë kompaninë “Gjoka Konstrukstion” si mashtruese, don të vjedhë më shumë dhe nuk e bën rrugën, disa bëjnë parashikuesin e dështimit të kësaj pune, të tjerë thonë se pritni se çfarë do ju gjejë kur t’ju futin taksën e rrugës etj. Këta mezi presin që Rruga e Arbërit të dështojë dhe të kënaqen.
Fërkojnë duart në errësirën e dëshirave të mbrapshta. Tipa të tillë, mender jush, për mua e kanë emrin ‘mutmut’. Rri e pyes veten, pse këta ‘mutmutër’ duan që Rruga e Arbërit të mos bëhet?
(Marrë nga faqja në FB e autorit.
Titulli është i redaksisë)