Ç’kemi asaj Dibre!


Informacioni për rrugën ka filluar të kthehet si filmat pa za të fillim shekullit. Vec pamjet janë me ngjyra dhe muzika është moderne.

Iku gushti bashkë me vapën. Dhe vapa bashkë me stresin e pushtetit. Bre ka zgjedhje, bre votime, bre protesta a shkatërrime. Nuk ndodhi asgjë: Katër bashkiakë, njëri më i bukur se tjetri e morën pushtetin urtë e butë e plot kutinë. Ka zëra se, megjithëse pa opozitën, prapë fletët në kuti nuk dalin njëlloj më votues, por nuk prish punë…
Gushti për ca ka qenë pushim, për ca punë e për ca plane. Bashkiakët e katër “vilajeteve” të Dibrës, së bashku me këshilltarët nga të gjitha partitë e majta u betuan që do t’i shërbejnë vendit, por që në mbledhjen e parë tentuan të fusin vendime pa njoftim, “në të mirë të qytetarëve”….
Kryetarët e rinj e nisën punën si nuset e reja, me netull në dorë… Por nuset e reja ditën e parë kapin netullën, muajin e parë nxjerrin kokën, pa u mbyll viti i parë nxjerrin gjuhën dhe pas fëmijës së parë, mos u dil përpara më mirë… Më e mira që mund t’u ndodhë qytetarëve pritet këto nëntë muaj.
E pastruam bulevardin që ditën e parë. Ditën e dytë i bëmë fotografi. Ditën tretë futëm maunen… për Festën e Miqësisë me qofte dhe birra. Nuk u kuptua nëse “birra” kërkoi ndihmën e bashkisë apo bashkia kërkoi “birrën” për festë. Sidoqoftë, miqësia shfaqej në reklamë, në realitet “thika” dhe plehra…
Në kohët e vjetra mblidhnim vjeshtën, pa bënim dasma; tani bëjmë dasma dhe mbledhim vjeshtën. Me këtë rast përdorim edhe netullën për t’mbledhë lekët që sjellin djemtë nga emigracioni. Se parja, thonë të sotmit, po nuk u shkel me këmbë, nuk është hallall. Dhe meqë kohët kanë ndryshuar, gëzimi dhe sherri në dasma janë shumë afër: i ndan veç krushqia në mes…
A ju kujtohet “Dosja 184”? Ajo që fliste për vjedhje votash tri vite më parë. U kthye për hetime në Dibër. Ca thonë u kthye se nuk ka kompetenca Gjykata e Krimeve të Rënda, ca thonë është e rëndë për gjykatën e Dibrës. Në fakt, të vërtetën e dimë veç ne. Po ua tregoj, por mos i thoni njeriu: ajo është kthyer në Dibër se veç atje mund të zbardhen bisedat në dialekt…
Vazhdon aksioni për prerjet e paligjshme. Kapet ndonjë ifë sa për statistikë. Por për shkatërrimet që sjellin në pyje ata me licensë dhe ata që ndërtojnë HEC-e, nuk i kap kush. Ata shkatërrojnë me leje…
Një ambulancë u dhurua në Gjoricë. Tani pritet që nga emigracioni të vijë edhe një mjek “dhuratë”.
Meqë jemi në Gjoricë, rruga e re nuk po u pëlqen fare. U ngrenë pluhur makinat që punojnë dhe ndonjëri që i bie për shkurt. Kur t’asfaltohet, do na dalin kryq në rrugë t’na shesin domate, kastraveca, mollë e dardha t’buta…
Gjoricasit janë ankuar se nuk kanë as ujë, por ata Drinin afër e kanë dhe nuk i kuptojmë pse protestojnë…
Meqë ishim në gusht, e festuam edhe “Festën e Shalqinit (ups… Çlirimit). U lyen me të bardhë lapidarët e Luftës. Kishin në listë edhe monumentin e luftës kundër serbit, por nuk e gjenin ku është. Askush nuk tregon se e ka fshirë nga faqja e dheut kazma dhe tritoli m’u te dera e bashkisë… Kishin dasht me ly me t’bardhë edhe monumentin e Halil Alisë, por ai nuk kishte pranue: Nuk due me u lye prej komunistave, – kishte thanë.
Në fund, e di që meraku për rrugën ju bren. Jalla bahet, bre nuk bahet. Që ka për t’u ba duket se po, por qaka shkrue me u mbarue siç ka nisur. “Si nisi-bitisi”, thotë populli.
Informacioni për rrugën ka filluar të kthehet si filmat pa za të fillim shekullit. Veç pamjet janë me ngjyra dhe muzika është moderne.
Sa për tunelin n’Qaf Murrizë, flijeni mendjen, se është shembur. Dhe mbusheni mendjen se nuk deshi vet’ të shembej, por “ndodhi”. Tani pas kësaj fjalës “ndodhi”, as unë nuk di t’ju tregoj pse ndodhi, çish ndodhi dhe çfarë do ndodhi. Atë e dinë veç ata… Por, “zëdhënësi i rrugës” jep shpresë. “Nuk keni pa gjë akoma, thotë”. Opozitarët ëndërrojnë të shembet me qeverinë brenda, ndërsa mbështetësit po i bëjnë gati bustin kryeministrit për ditën e inaugurimit…
Para zgjedhjeve pati ca arrestime demokratësh. Janë harruar tashmë, por emrat e tyre i kemi skalitur si udhëheqës të së ardhmes… Se burgu dhe qeveria asht veç për burra…
Andej nga Dibra e Madhe kemi pasur koncerte të mëdha. Portokallia me humor, Klani me këngë popullore dhe në fund u mbyll me muzikë operistike. E gjitha kjo se ishte Nju Jorku në Dibër. Kur ata ikën, ka mbet veç Skënderbeu me punonjësit e komunales në grevë…
Bëri bujë këtë verë arrestimi i ca dibranëve që kishin vjedhur në Itali. Ndërsa ata që na vjedhin në Dibër, pritet të arrestohen në Romë…