Një natë poetike në Dibër të Madhe


Është takimi i përvitshëm i klubit letrar “Dibra art”, por këtë vit një jubile i veçantë i tij. Është 35 vjetori i formimit të këtij klubi letrar, që tashmë ka hyrë në histori dhe po bën histori. Kanë ardhur artistë nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria dhe Kosova. Si zor të gjesh qytete të trevave shqiptare, që të mos kenë të paktën një përfaqësues në këtë tubim krijuesish e publicistësh. Të paktën Shkupi, Tirana dhe Prishtina i kishin përfaqësuesit aty.
Kryetari i klubit letrar, Nebi Samarxhiu dhe koordinatorët e kudogjendur Hysen Kosovrasti dhe Burhan Skikuli kishin bërë përgatitje maksimale, që mysafirët të ndiheshin sa më komodë dhe aktiviteti ti kapte kulmet e pritshmërisë. Nuk u habitëm shumë dhe nuk ishte befasi për ne. Dibra e Madhe është mësuar me kongrese, me takime historike kombëtare, ku janë marrë vendime të mëdha në të mirë të kombit dhe ja tek jemi këtu në vazhdën e tyre.
Takimin e përshëndeti kryetari i komunës së Dibrës së Madhe, Hekuran Duka, që kishte lënë angazhimet e shumta, për të nderuar miqtë. Ai u shpreh se ishte një mik i librit dhe i letërsisë, ashtu si dikur babai i tij dhe do të ndihmonte maksimalisht krijuesit letrarë.
Merrte pjesë në këtë takim Kalosh Çeliku, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve të Maqedonisë së Veriut, autor i shumë librave dhe fitues i disa çmimeve letrarë.

Dibran Fylli, artisti nga Drenica

Një sallë komode në pallatin e Kulturës ishte për këtë veprimtari. U mbajt fjala hyrëse nga kryetari, u bënë dhe përshëndetjet e rastit. Sakaq, diku nga mesi i njerëzve u shkëput një burrë trupgjatë e me mjekër të dendur. Pa u prezantuar fare, ai filloi të recitojë një poezi, një baladë që titullohej “Amanetet e kullës së lashtë”.
Mu duk se ai ishte një kreshnik i malësisë, që këndonte eposin e dikurshëm, që lëshonte kushtrim e kërkonte besëlidhje. “Kokën leje peng e tokën kurrë mos e shit!” – ishte një varg nga balada e kullës së lashtë.
Amanet i kullës së lashtë, amanet i të parëve, amanet i trimave që dhanë jetën për liri. Përmbajtja e baladës dhe deklamimi plot finesë i artistit me ngjethën mishin për një moment. Kujtoja heronjtë e dikurshëm që nuk tuteshin nga vdekja dhe i ballafaqoja me politikanët e paskrupullt të kohëve moderne, që tradhtuan amanetet e kullës së lashtë.
Pak orë më vonë, kur po darkonim në mjediset e rregulluara bukur të hotel Venecit, u njoha me të . Quhej Dibran Fylli dhe ishte nga Drenica e Kosovës. Kishte studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Lubjanë dhe kishte luajtur në 87 role të ndryshme në teatër e në film. Kishte qenë anëtar i U.Ç.K-së që në formimin e celulave të para. Ishte plagosur tre herë dhe më shtroi pak vendin e plagës së tretë.
Herën e fundit kishte mbuluar me trupin e tij, trupin e shokut që po rrezikohej fatalisht. Një pjesë e roleve të tija ishin luajtur më parë në skenën e luftës me bomba, granata e fishekë realë e më pas në skenën e teatrit. Ata mbanin akoma aromën e barotit, aromën e vërtetësisë.

Konkursi “Aqif Begu”

Nebi Samarxhiu, kryetari i klubit letrar të Dibrës, na tregoi për një projekt, që tashmë kishte marrë udhë. Aqif Begu ka qenë një intelektual i shquar i Dibrës, ekonomist me profesion, por me dashuri e pasion për letërsinë. Ka pak vite, që ai ka ndërruar jetë. Në përvjetorin e parë të vdekjes, e shoqja e tij, Flora Brovina, një veprimtare e shquar e politikës dhe e gruas në mënyrë të veçantë, u shpreh se për të nderuar kujtimin e të shoqit, familja e saj do të inicionte e do të financonte një konkurs për krijuesit e rinj në letërsi. Kështu lindi e vazhdon konkursi “Aqif Begu”. Mbi 20 –25 konkurrentë marrin pjesë çdo vit nga gjimnazi dhe shkollat nëntëvjeçare të këtij qyteti. Të gjitha janë punë cilësore dhe është shumë e vështirë të përcaktosh fituesit.
Në takim u shpallën dhe tre fituesit e vendeve të para dhe që të treja ishin vajza. Juria nderoi me vendin e parë poeteshën e re Arba Qoku, për poezinë me titull “Vështirësitë e jetës”. Vendin e dytë e fitoi poezia me titull “Varka ime” dhe të tretin një poezi që i kushtohej nënës. Për fituesit kishte dhe vlera monetare, që do të jepeshin në ditët në vazhdim, duke organizuar takime në shkollat përkatëse.

Përshëndetje krijuesish

Në takime të tilla thyhen kornizat e protokollet zyrtare. Dikush nga të ftuarit falënderon organizatorët, të tjerë dëshirojnë të recitojnë me ndjenjë e finesë ndonjë poezi të shkurtër të tyre. Disa janë të rinj e të reja si vajzat fituese që përmendëm më parë. Të tjera vajza të talentuara si Arbëresha Turkeshi dhe Rudina Batku, i takojnë një plejade me pak më shumë vite mbi supe. Ka dhe të tjerë që kanë mbi shtatëdhjetë vite mbi supe e sërish vijnë si zogjtë shtegëtarë, sapo dëgjojnë për vargun, poezinë dhe artin. Vitet i kanë lodhur trupat e tyre, dikush mban një shkop e një tjetër ndoshta dhe patericë, por shpirtin dhe mendjen i kanë të freskëta. Mustafa Spahiu dhe Rrahim Ganiu ka qenë për mbi tridhjetë vite në radion e Shkupit, me lajme dhe emisione të ndryshme për fëmijë e të rritur. Kanë shkruar e botuar shumë libra me poezi e sërish kanë plot të tjerë, që i nxjerrin me kujdes nga sirtaret e kujtesës për lexuesit e shumtë.
Aty, përballë, në tavolinën që shërben si një presidium, është ulur një burrë i fisëm dhe ky me mbi shtatëdhjetë vite mbi supe. Është Alush Kamberi nga Tetova, por që gjithë jetën e tij ja kushtoi emisioneve televizive në T.V Shkupi. Shokët e tij e quajnë si gazetarin legjendë të kohrave. Nuk ka etni shqiptare kudo në botë dhe ai të mos e ketë shkelur e të mos ketë bërë një dokumentar. Ka shkruar poezi, prozë, roman, kurse për Dibrën ka shkruar një reportazh me titull “Një zemër e ndarë”.
Të tjera përshëndetje nga anë të ndryshme të trojeve shqiptare. Profesor Astrit Gjunkshi, rrënjët e hershme i ka këtu, në Dibër të Madhe, është lindur në Peshkopi e tani banon në Tiranë. Ka studiuar për matematikë, më vonë për politikë, duke shkuar deri në sferat e larta të saj dhe tani ka gjetur prehje me krijimet poetike, duke botuar pesë libra të tillë deri tani. Shkrimtari tjetër me mbi tridhjetë libra të botuara, Shefki Karadaku, ka ardhur nga Tirana, në përgjigje të ftesës. Ai i përgëzon organizatorët dhe do të donte që kjo atmosferë e bukur për librin të ishte dhe në Tiranë, apo në Elbasan, qytetin e tij të lindjes. Libri, thotë profesor Karadaku, i zbut zemrat dhe i ndriçon shpirtërat njerëzorë.

***
Pas një darke bujare e një hallve tradicionale dibrane, pushuam disa orë të natës në mjediset e bukura të hotel “Venecit”. Familja Capa kishte ditur t’ja kthejë shkëlqimin e dikurshëm këtij hoteli. Në mëngjes një kafe, një ushqim i ngrohtë dhe një bisedë e tillë mes krijuesish. Nuk e kuptonim se si në ato pak orë qëndrimi bashkë, ishim bërë shumë miq e nuk donim të shqiteshim. Shkëmbyem telefona, adresat dhe ndonjë libër që kishim marrë me vete dhe u ngushëlluam se do të takohemi sërish në evente të ndryshme. Ndoshta, shumë shpejt do të ftoj një pjesë prej tyre në promovimin e librit tim të ri “Tulipanët e bujqësisë dibrane”, që është në botim.
E pyesim dhe njëherë kryetar Nebiun për projektet e së ardhmes dhe ai shprehet optimist, se arti dhe letërsia do të mbushin sadopak boshllëkun që koha le ndonjëherë. Si klub letrar po punojnë për një almanak vjetor me punimet më të mira dhe do të përpiqen të ndihmojnë dhe financiarisht botimet e anëtarëve të klubit letrar. Po punojnë me nxënësit e shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazin, duke i parë ato si një fidanishte që prodhon vazhdimisht talente. Specifikisht do të shtojnë përpjekjet për lidhje të reja me gjysmën tjetër të Dibrës, duke shpresuar se rruga e Arbrit do të jetë një lidhje fizike dhe shpirtërore për shqiptarët në të dy anët e kufirit.