Eh ç’më kujtove teze Shahen, or mec!


Edhe këtu, njëmijë kilometra larg më erdhi një SMS. Jo në celularin me 9 numra pas 0030-s por në atë me 8 numra pas 355. E kisha lënë hapur dhe SMS-ja si të jetë koronovirus bëri dritë në ekranin e vogël…
E shtypa dhe në vend të germave një zë më buçiti në vesh…
“Jam Edi. Lani duart me sapun…”
Nuk i ktheva përgjigje.
E ç’t’i kthej kur atë thirrje e dëgjoj në të gjitha stacionet dhe në të gjitha gjuhët e botës?
Madje e kam në vesh që në fëmijëri kur prindërit nuk më ulnin në sofër pa larë duart me sapun e nuk më linin me dalë me luajt me shokët pa i larë ato pas buke.
Madje, madje… bile, bile… e kam jetuar jo “njëherë e një kohë” por nja katër a pesë dekada më parë në qytetin tim të vogël ku jetonte Teze Shahja…
Teze Shahja, atëherë një grua në të gjashtëdhjetat në moshë por në të tetëdhjetat në dukje tek hynte e dilte nga shtëpia në podrum në pallatin e parë trekatësh, të parin në qytet, kurriz thyer deri në kënd të drejtë, me netull në njërën dorë e me mashë në tjetrën.
Ishte pastërtore Shahja, pastërtore deri në dhimbje. Merakun e kishte tek dorezat e dyerve, dyshemeja, karriget, dollapët, ku prekte dora e shkelte këmba. Hyje e dilje nga shtëpia përdhese e Teze Shahes i ndjekur nga pas prej saj me netull e me leckë në dorë. I pastronte dorezat e dyerve sa dukesh se do ti hollonte deri në këputje. I fshinte gjurmët tuaja sa çimentoja ishte bërë kartë cigareje. E ku nuk e kishte syun e merakun Teze Shahja por atë, më të madhin e kishte me drutë e zjarrit.
I merrte me mashë, i pastronte dhe i stivonte si një murator vakti në depon e vogël …
I merrte e i fuste në sobë me mashë…
Dibranet mbahen si pastërtore të veçanta, sidomos ato të Fushës së Shehrit e të Topalltisë. Nuk rrinë pa e lyer shtëpinë dy herë në vit. Një herë në pranverë, “muaji i të rejave” siç quhej një herë e një kohë, dhe në tetor, pa emër të veçantë, sa vinte pranvera e fillonte dimri. Me gëlqere e lyenin, bardhë si bora. E merrnin në Selane, katund i përmendur për bardhësinë e gurit të djegur me dushk  Smolloviçi apo nga guroret e Grykës së Vogël djegur me dushkun e Sopotit e Zerqanit.
Po, por me Teze Shahen nuk mateshin as ato të Shehrit të Dibrës e as ato të Shehrit të Peshkopisë. Teze Shahja ishte embleme e pastërtisë deri në humor…
Këto mu kujtuan tek lexoj portalet e dëgjoj kronika koronovirusesh me zë bubullues të kryeministrit tim, e zë këshillues butë e butë mjekësh specialistë ku pas çdo këshille për refren kanë:
“Lani duart !”
Nuk e di por më ngjan se mesazhi i Teze Shahes duhet të ishte dëgjuar e lexuar me kohë…
Lani duart…
Lani dyshemenë…
Hiqni këpucët tek dera…
Fshini me leckë dorezat e dyerve…
Dhe jo thjesht për tu mbrojtur nga koronovirusi, por për higjienën dhe pastërtinë si mbrojë kundër çdo sëmundje, si kulturë jetese…
Eh! Qofsh e xhenetit Teze Shahe!
 Athinë, 17 mars 2020