Xhevat Dani i Podgorcës së Dibrës


OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Kam shëtitur Amerikën, kam shëtitur Evropën, Francën, Italinë. Kënaqësia ime është vendlindja ime. Këtë kam zgjedhur. Fëmijët janë në emigracion. Punojnë me djersën e ballit.

M’u desh që për disa minuta ta shkëpus nga atmosfera tepër e gëzueshme e ditëlindjes së 70-të të tij, nga pjesëtarët e familjes së tij të ngushtë që kishin fluturuar (ndër ë tjera me një shishe stërmadhe me verë italiane me një urim domethënës) për të qenë të pranishëm në ditën e shënuar të babait, xhaxhait, gjyshit nga miqtë dhe shokët dhe në veçanti nga ata që nuk ishin ndarë me të që nga viti 1966, shokë klase e që nga viti 1970 kolegë në profesionin e agronomit, aq të dashur me njeri tjetrin që së bashku ishin gëzuar në takimet e përvitshme me njeri tjetrin dhe ishin hidhëruar duke përcjellë shokë në amshim. Për ta Xhevati do të na ngrinte në këmbë në një minutë heshtje me një pikë loti në sy…
I mora zërin, tashmë ngrirë në një zarf kompjuterik…
I mora fjalën, tashmë juaja në faqe gazetash e portalesh, ndër të tjera edhe në një “udhëtim” Rrugës së Arbrit, në “Rruga e Arbërit”…

* * * 
Ashiku: Përshëndetje Xhevat Dani!
Takohemi pas 49 vjetësh mësuesi dhe nxënësi. Takohemi më 9 gusht 2019, në ditëlindjen e shtatëdhjetë.
Të uroj edhe 100 vjet jetë pas të shtatëdhjetave që feston sot.
Dani: Faleminderit!
Çfarë janë 70 vjet për Xhevat Danin?
Dani: Shtatëdhjetë vjet për Xhevat Danin janë kontribut; kontribut për familjen, kontribut për zonën e Maqellarës, kontribut për Dibrën. Jam shumë i ndërgjegjshëm që nuk kemi bërë aq sa duhet, por do të bëjmë. Do të bëjmë edhe pse kemi bërë 70 vjet dhe jam pensionist, Dibrës sonë do ti shërbejmë.
Ashiku: Kur dhe ku ke lindur?
Kam lindur në fshatin Podgorcë më 9 gusht të vitit 1949.
Pasi mbarova shkollën 8 vjeçare në Maqellarë mu dha mundësia që të vazhdoj shkollën e mesme në Peshkopi.
Kënaqësi e imja ishte që pata pedagog Abdurahim Ashikun që e kam të pranishëm në këtë ditëlindje time.

Dani: Ky është fshati Podgorcë, vendi ku unë kam lindur, vendi që unë e dua shumë. Shumë njerëz duan të ikin, ndërsa unë kam ble tokë për t’u ngulë mirë në këtë fshat. I kam mbjellë grurë, misër me fasule, shalqinj, bostan, perime të ndryshme që ne i pëlqejmë. Është një fshat i mrekullueshëm buzë Drinit me toka pjellore, të ujitshme. Njerëzit janë të shtruar pas pune. Të gjithë e kanë ndërtuar jetën për sëmbari.

Jeta ime në shkollë ka qenë një jetë që me të gjithë shokët kemi kaluar në mënyrë të shkëlqyer dhe tash 49 vjet që kur mbaruam shkollën i ruajmë lidhjet tona me shokët e klasës.
Vit për vit takohemi. Sivjet është kënaqësi që takohemi për ditëlindjen time. Kënaqësi e madhe është se kam profesorin tim të nderuar, të pranishëm shokun Abdurahim Ashiku.
Kush nga bashkënxënësit tuaj është  i pranishëm sot?
Ashiku: Të pranishëm kam Halil Tanën nga Shkodra, Sabri Ismailin nga Tirana, Ismet Bokën nga Tirana, Hamza Hykën nga Tirana, Engjëll Cukun nga Shkodra, Gjergj Tonin nga Shkodra, Selim Agën nga Tirana, Sabri Ismailin nga Baldushku i Tiranës dhe shokë e shokë të tjerë.
Ashiku: A mund të ma përshkruash udhëtimin tënd nëpër Dibër?
Dani: Në vitin 1974 mbarova arsimin e lartë, në Tiranë, në Kamzë. Fillova punën si agronom dhe arsimtar në Maqellarë. Nga Maqellara shkova kryeagronom dhe kryetar kooperative në Klenjë. Prej Klenje erdha kryetar kooperative në Maqellarë. Kam punuar sekretar i Këshillit të Bashkuar të Maqellarës, përgjegjës për agjencinë e zhvillimit të zonave malore për katër rrethe; Mirditë, Mat, Bulqizë dhe Dibër. Në fund e mbylla me bankën Opornuty Albania. Sot jam pensionist.
Jeta ime ka qenë që ti shërbej sa më mirë popullit tim, fshatarëve të mi, popullit të Dibrës. Dhe kam kontribuar shumë për Dibrën. I kam dhënë Dibrës shumë. Njëmbëdhjetë vite që kam punuar në Klenjë, edhe sot e kësaj dite, klenjasit më urojnë për gjithçka. Më  urojnë për festa zyrtare, festa fetare, për shumë e shumë të tjera. Nuk e di se si mund ta përshkruaj kënaqësinë, respektet që ruhen të jashtëzakonshme nga zona ku kam punuar. Gjithë njerëzit flasin fjalët më të mira për Xhevatin.
Ashiku: Ku banon tani?
Dani: Tani banoj në vendlindjen time, në Maqellarë. Është kënaqësi e madhe. Kam shëtitur Amerikën, kam shëtitur Evropën, Francën, Italinë. Kënaqësia ime është vendlindja ime. Këtë kam zgjedhur. Fëmijët janë në emigracion. Punojnë me djersën e ballit. Kënaqësia ime është se kam fëmijë të mrekullueshëm që ma kanë organizuar edhe këtë 70 vjetor sot.
Ashiku: Sa fëmijë ke?
Dani: Kam gjashtë fëmijë. Tre djem e tri vajza. Vajzën e madhe dhe dy djemtë e mëdhenj i kam në Firence të Italisë. Djalin e vogël e kam në New York në Amerikë, dy vajzat tjera i kam në Tiranë. Janë me fëmijë, punojnë, janë të kënaqur nga jeta. Janë të gjithë të arsimuar me arsim të lartë. Është kënaqësi që i kam fëmijë dhe megjithëmend janë për së mbari. Nipër e mbesa kam plot. Kur mora një vizë nga ambasada amerikane një nga pyetjet që mu bë ishte përbërja e familjes. U thashë fëmijë kam plot, nipër e mbesa kam plot. Më tha: “Ti do të shkosh në Amerikë”
Ashiku: Cili është mesazhi jot për të gjithë shokët tuaj të klasës, njerëzit e tuaj këtu dhe larg në këtë ditë të shënuar tuajën?
Dani: I uroj shokëve të mi të klasës pleqëri të mbarë se në pension  janë, të gëzohen familjarisht, me familje, nipër e mbesa me çfarë kanë.
Fëmijëve të mi, për djemtë e vëllait që kanë ikur nga Italia për të festuar 70 vjetorin e xhaxhait sot në Dibër, me shpenzime, me kanë ardhur dhe i kam të pranishëm. Mesazhi im më i madh është: Shqipëri të qetë, Shqipëri ku të punohet për mirëqenien e këtij populli, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ky është mesazhi im si kuadër që kam shërbyer dikur por që vazhdoj të jem edhe kuadër sot pavarësisht se jam në pension.
Ashiku: Këtu ku jemi është pjesë e Podgorcës?
Dani: Ky është fshati Podgorcë, vendi ku unë kam lindur, vendi që unë e dua shumë. Shumë njerëz duan të ikin, ndërsa unë kam ble tokë për t’u ngulë mirë në këtë fshat. I kam mbjellë grurë, misër me fasule, shalqinj, bostan, perime të ndryshme që ne i pëlqejmë. Është një fshat i mrekullueshëm buzë Drinit me toka pjellore, të ujitshme. Njerëzit janë të shtruar pas pune. Të gjithë e kanë ndërtuar jetën për sëmbari.
Ashiku: Faleminderit shumë”!
Dani: Rrofsh profesor! Sot kam ndje një kënaqësi të jashtëzakonshme jo për pjesëmarrjen e shokëve por për pjesëmarrjen tënde. Kishte vite që nuk ishim parë dhe kur më thanë se do të vijë profesor Abdurahimi të them të drejtën u gëzova dhe shpreha kënaqësinë më të madhe dhe thashë shyqyr që  do ta kemi në mesin tonë atë ditë.

Abdurahim Ashiku