Velo Cfarku, kryeredaktori më jetëgjatë që i dha jetë “Ushtimës së maleve”


“Ushtima e maleve” që Velo Cfarku e drejtoi me kompetencë e profesionalizëm të lartë, për afro dy dekada ka përcjellë mbi 9 milionë kopje, ku kanë marrë pjesë me shkrime rreth 25 mijë anëtarë, bashkëpunëtorë e korrespondentë të saj, midis tyre intelektualë e kuadro të rangjeve të ndryshme, shkrimtarë artistë e sportistë që shkruan dhe u afirmuan falë saj

Nga Halil RAMA

Në 85-vjetorin e ditëlindjes, gazetarin dhe mësuesin e shquar Velo Cfarku, e urojnë përzemërsisht, jo vetëm familja e tij e mrekullueshme, por gjithë elita intelektuale dibrane, pjesë dinjitoze e së cilës ai ishte dhe është, si dhe miqtë dhe shokët e tij të shumtë në Tiranë, Peshkopi, Elbasan dhe sidomos në fshatrat e Gollobordës. Në memorien dhe vlerësimin e tyre, ai është gazetari dhe mësuesi shembullor, që bëri aq shumë për Gollobordën dhe Dibrën.
Velo Cfarku u lind më 5 maj 1935 në Gjinovec të Gollobordës. Mësimet e para i mori në fshatlindje (1946-1949) me mësues z.Sefedin Shabani. Të mesmem në shkollën Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” (1951-1955) dhe për plotësim në Shkollën Pedagogjike “8 Nëntori” Peshkopi (1957).
Ka kryer Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë për matematikë-fizikë (1963-1964). Ka punuar si mësues në fshatin e lindjes (1955-1956) dhe në shkollën 7-vjeçare “10 Dëshmorët e Trebishtit” (1956-1963), drejtor i shkollës 7-8 vjeçare “Spiro Velko të Klenjës dhe njëkohësisht drejtor zone në lokalitetin e Klenjës.
Mbas kryerjes së Shkollës së lartë të Partisë (1970-1972) ka qenë instruktor në aparat në sektorin e edukimit.
Nga muaji gusht 1973 ka drejtuar gazetën “Ushtima e maleve” si kryeredaktor i saj për 17 vite, gazetë kjo që ka qenë tribuna e vetme mediatike e Qarkut të Dibrës për gjatë regjimit, që për afro 23 vjet me radhë ka promovuar ngjarjet, personazhet dhe problemet më të spikatura të trevës dibrane në të gjitha fushat. Kjo gazetë ka promovuar një armatë të tërë shkrimtarësh, të cilët kanë lënë dhe po lënë gjurmë të mëdha në historinë e medias shqiptare.
“Ushtima e maleve” që Velo Cfarku e drejtoi me kompetencë e profesionalizëm të lartë, për afro dy dekada ka përcjellë mbi 9 milionë kopje, ku kanë marrë pjesë me shkrime rreth 25 mijë anëtarë, bashkëpunëtorë e korrespondentë të saj, midis tyre intelektualë e kuadro të rangjeve të ndryshme, shkrimtarë artistë e sportistë që shkruan dhe u afirmuan falë saj.
Në vitet 1981-1982, Velo Cfarku ka kryer kursin e lartë të Filozofisë dhe ka punuar në vijim 3 vjet instruktor për arsim-kulturën në rrethin e Dibrës, për t’u rikthyer sërish në prill 1985 kryeredaktor i “Ushtimës së Maleve”.
Është dekoruar me Distinktivin “Mësues i dalluar”, me Medaljen “Naim Frashëri” më 1961 për rezultate të mira në mësim dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit II më 1986, për punë të mirë në drejtimin e gazetës “Ushtima e Maleve”. Më 15 Prill 2014 është shpallur “Qytetar Nderi” i komunës Trebisht.
Velo Cfarku ka botuar librat “Golloborda në optikën e kohës”, “Një jetë mes dibranëve”, “Të parën kemi Dibrën”, “Intelektuali emblematik i Gollobordës” (monografi gjithëpërfshirëse e figurës së tij si vlerësim dhe produkt i Unionit të Shkrimtarëve të Tiranës) dhe “Mozaik episodesh e ngjarjesh, rrjedhës së Drinit të Zi”. Për këtë të fundit, studiuesi, shkrimtari e publicisti veteran Faik Xhani, ndër të tjera shprehet: “Impresionues, i veçantë dhe polivlerash është kontributi i Velo Cfarkut, si gazetar profesionist, si kryeredaktor i gazetës “Ushtima e Maleve”, si studiues e kritik letrar, por edhe si shkrimtar”. Madje sipas studiuesit e shkrimtarit Xhani, librat e botuar me autorësinë e tij, e vendosin plotësisht dhe denjësisht Velo Cfarkun në fronin e shkrimtarëve dibranë dhe shqiptarë. I japin atij, me meritë “Shengenin” e shkrimtarit për të lëvizur kudo e për të zënë vend nderi në bibliotekat e lexuesve dhe kodikët e bibliografitë e Bibliotekës Kombëtare.
Profesorë, akademikë, dhe publicistë të njohur e kanë vlerësuar Velo Cfarkun si një personalitet i kulturës në verilindje, me një biografi të begatë letrare. Kështu, Prof.dr.Shaban Sinani , akademik, kujton kohën kur ka nisur të shkruaj si nxënës për të përjavshmen “Ushtima e Maleve” qysh në vitin 1974 (kur kryeredaktor i saj ishte Velo Cfarku) dhe kur ka botuar aty rregullisht dhjetra shkrime. Madje një vit ka marrë dhe një çmim të dytë për një fejton, si dhe një honorar modest, që siç pohon vetë “e ktheva menjëherë në libra…”
Ndërsa Xhelil Gjoni, politikan dhe publicist, nisur dhe nga titulli i librit “Partizani i vogël Velo”, e konsideron Cfarkun partizan të të emancipimit të shoqërisë dibrane, kolegun dhe shokun e sinqertë, si publicist dhe propagandist.
Për poetin Qazim Shehu “Velo Cfarku është një shembull i gazetarisë investiguese që e merr lëndën nga jeta, nga kontaktet me njerëzit. Gazetaria e tij është një gazetari që vlerëson njerëzit e thjeshtë, vlerat e tyre, jo bujën e çastit të vipave, siç ndodh sot me gazetarinë shqiptare…”
Si një personalitet të njohur të kulturës në verilindje, me një biografi të begatë letrare që ka shkruar një barrë me libra, jo si qëllim më vete, por me misionin e ndriçimit e kulturimit të brezave, e vlerëson Velo Cfarkun edhe poeti Ilir Balili
“Materialin fizik, Cfarku na e jep me anë të vëzhgimit, reportazhit, personazhit, skicës, reflektimit mbi ngjarje e figura, qofshin historike, qofshin të përditshmërisë, duke i veshur ato me një petk të mirëfilltë letrar”, shprehet shkrimtari Hyqmet Hasko.
Në 85-vjetorin e ditëlindjes, Velo Cfarkut i përcjell urimet më të mira edhe kryesia e OBVL, duke e vlerësuar si një ndër pasardhësit dhe veprimtarët aktivë e më të denjë të kësaj organizate me histori suksesi.
Me këtë rast edhe unë dua t’i shpreh mirënjohje pa kufi dhe ta uroj përzemërsisht, të jetojë sa më gjatë dhe i lumtur, jo vetëm për ndikimin që ka patur në formimin tim si gazetar gjatë kohës që drejtonte “Ushtimën e Maleve” (kur me mbështetjen e tij u afirmova dhe botova qindra reportazhe, skica e fejtone), por edhe për vlerësimin që bëri në promovimin e librit tim “Memoria historike e Kombit”, ku në praninë e elitës krijuese të kryeqytetit në sallën e madhe të Akademinë e Shkencave në Tiranë, ai e vlerësoi librin tim si një vlerë të shtuar në letërsinë tonë dokumentare dhe në historinë e lavdishme të Shqipërisë.