Argumentet pse kundërshtoj ndërtimin e HEC-it të Skavicës!


“Kodra e qytetit” (Zall-Sinë), një vendbanim eneolitik. Foto: A.Bunguri.

“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshishë kujtesën e tij historike. Shkatëroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harroj se çfarë është dhe çfarë qe!”.

Dy janë çështjet aktuale me rëndësi jetike për Dibrën: Rruga e Arbërit dhe HC i Skavicës! E para e shpëton Dibrën, e dyta e përmbyt atë dhe e asgjëson si tërësi gjeografike, historike dhe etno-kulturore mijëravjeçare!. 

SKAVICA

Çështja e ndërtimit të HC të Skavicës u publikua në ditët e para të janarit 2016, duke iu referuar vizitës së kryeministrit të vendit në Istanbul në dhjetorin e kaluar. Sipas disa kanaleve televizive bëhet fjalë për një farë marrëveshjeje midis shefit të qeverisë tonë dhe një kompanie turke, që paska marrë përsipër ndërtimin e HC të Skavicës!. Për pasojat e rënda që do të ketë për Dibrën, ndërtimi i HC të Skavicës, ky problem nuk mund dhe nuk duhet të kalohet në heshtje. 

Për hirë të së vërtetës, një projekt për ndërtimin e një HC mbi Skavicë, ka qenë hartuar edhe në kohën e komunizmit, përkatësisht në vitet 1983-1984. Sipas ekspertëve të hidrologjisë së asaj periudhe, qeveria Çarçani u tërhoq nga ndërtimi i këtij HC, përballë kostës së madhe të humbjes së tokave më të mira dhe më pjellore të këtij rajoni. Se Dibra është konsideruar gjithnjë si Myzeqeja e Shqipërisë Lindore! Kjo çështje qe rihapur në shkurt 2010 nga qeveria Berisha, dhe shihej në atë kohë si zgjidhje e problemit të përmbytjeve në zonën Shkodër-Lezhë, edhe pse më vonë u gjetën zgjidhje të tjera shumë më racionale. Banorët e Dibrës e kundërshtuan këtë projekt, kundërshti që e kanë shprehur prej kohësh në shtypin periodik disa nga përfaqësuesit e spikatur të publicistikës dibrane si z. A. Hoxha, z. B. Karoshi, z. A. Ashiku, z. V. Hoxha, z. M. Koltraka, z. Sh. Skara etj. Për fat të mirë, qeveria demokratike e asaj periudhe u tërhoq nga kjo ndërmarrje me pasoja të padëshirueshme për Dibrën. 

Nga burime të besueshme thuhet se qeveria aktuale paska në plan ndërtimin me konçension të HC të Skavicës dhe liqenit gjegjës jo me një digë, por me dy diga, një prej të cilave në Katund të Ri dhe tjetra në Skavicë!. Nga varianti me dy diga, do të duhej të çvendoseshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre më shumë se 10.000 banorë, ndërsa nga ai me një digë mbi 40.000 banorë! Eksponentë të tjerë të lartë të vendit, mbështesnin ndërtimin e HC me një digë në Skavicë dhe një liqen të stërmadh, nga pragu i Skavicës në veri deri në pjesën  lindore të Dibrës që shtrihet në FYROM në jug, variant që do të fshinte nga harta e Shqipërisë për fare Dibrën londineze! Kjo do të bëhej me alogjizmin absurd se duhej përmbytur një rajon, për të shpëtuar nga përmbytja një rajon tjetër”

Në kushtet e mungesës së plotë të transparencës qeveritare lidhur me këtë problem, dëshiroj t’u kujtoj një ndodhi të para 2000 vjetëve në Romën e lashtë atyre që nuk e kanë lexuar Senekën. Filozofi Seneka (4 para Kr.-65 pas Kr.), në vitet e fundit të jetës së tij ishte këshilltar i diktatorit Neron (54-68 pas Kr.). Kur perandori Neron dogji Romën, i frikësuar në palcë nga vala e hakmarrjes popullore, e pyet Senekën se ç’mund të bënte për të shpëtuar kokën nga urrejtja e turmës, dhe ky i fundit e këshilllonte perandorin e tij “që t’i gënjente romakët”, pasi populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!”. 

Më poshtë po parqesim reagimin tonë të fortë kundër këtij projekti, për arsyet e mëposhtme:

PËR ARËSYE GJEOGRAFIKE DHE EKOLOGJIKE

Skavica përfaqëson një prag të lartë shkëmbor që ngrihet midis fshatrave Qafë-Draj të Reçit të Dibrës në jug dhe Ujmisht të zonës së Lumës së Kukësit në veri, dhe që në kuptimin gjeografik, ndan pellgun e Peshkopisë nga ai Bicaj-Kukës. 

Në gjeomorfologjinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, lugina e Drinit të Zi, përfaqëson padyshim një nga koridoret më të rëndësishme lumore. Pellgu ujëmbledhës i Drinit të Zi me sipërfaqe 5885km2 përbën bazën e një eko-sistemi mijëvjeçarë. Në shënimet e tij mbi gjendjen në epokën e bronzit, Apolloni i Rodosit e përshkruan Drinin e Zi si”lumin e thellë e të zi, afër enkelejve. Në rajonin e Dibrës shtrihet rrjedha e mesme e luginës së këtij lumi, me një gjatësi prej 75 km, duke filluar nga gryka e Jabllanicës ku ndahet me Strugën në jug deri në pragun e Skavicës në Qafë Draj në veri. Në këtë luginë lumore, si askund tjetër, alternohen pellgjet dhe pragjet lumorë, në një harmonizim të përsosur gjeomorfologjik. Këtu vargmalet lindore e ato perëndimore herë largohen duke të shpalosur para syve fusha të bukura e pjellore, siç ndodh në pellgun e Dibrës dhe në atë të Peshkopisë, dhe herë afrohen dhe të detyrojnë të ngjitesh në qafat kufizuese apo pragjet malorë, siç ndodh në qafën e Qenokut dhe pragun e Dovalanit në jug, apo qafën e Draj-Reçit dhe pragun e Skavicës në veri. 

Fusha e Dibrës nuk është tokë e krijuar nga tharjet e kënetave apo moçaleve, as me punë angari të të burgosurve politikë. Ajo është trashëguar brez pas brezi, dhe është blerë e shitur me flori. Kjo është arsyeja që në Dibër nuk u zbatua dhe as që mund të zbatohej ligji bolshevik  nr. 7501 i vitit 1991.

Me luginën e tij gjatësore, ky lum ka krijuar që në lashtësi jo vetem një vend tërheqës për banim, por edhe  një arterie të rëndësishme natyrore, që lidh Shqipërinë Lindore me Maqedoninë Perëndimore, Kosovën. si dhe viset fqinje dhe ato më të largëta.  Ne rajonin ne shqyrtim, Drini i Zi formon dy pellgjet  me te  medha te tij, atë të Dibrës (15 x 9 km) me lartësi 400-450 m mbi nivelin e detit dhe atë të Peshkopisë (8 x 6km) me lartësi 300-350m, të ndarë nga pragu i Dovolanit dhe qafa e Qenokut. Falë aluvioneve dhe sedimenteve pjellore te shtresezuara në shekuj, keto pellgje jane mjaft të begatë, dhe përbëjnë zonat më të rëndesishme bujqesore dhe ekonomike të ketij rajoni. Lugina e mesme e Drinit të Zi, është jo vetëm lugina lumore më e bukur dhe më e begatë në Shqipëri, por ndër më të bukurat në botë! Populli i Dibrës nuk do të lejojë përmbytjen e kësaj pasurie të çmuar për asnjë çmim!

PËR ARSYE EKONOMIKE DHE DEMOGRAFIKE

Territori i rrethit të Dibrës ka këtë strukturë tokash: fushat lumore me lartësi 300-600m zënë 13.7% te sipërfaqes, zona kodrinore paramalore me lartësi 600-1000m zë 30% e saj, malet me lartësi 1000-2000m zënë 53.5% të territorit, ndërsa pjesa tjetër (2.8%) zihet nga malet  e larta mbi 2000m. Këto të dhëna janë për pjesën e Dibrës që shtrihet në Republikën e Shqipërisë. Pra tokat më të mira të këtij rajoni, të tipit aluvional, me strukturë pedologjike mjaft pjellore, gjenden anash shtratit të Drinit të Zi, dhe do të asgjësoheshin përgjithmonë nga realizimi i këtij projekti. Ndërtimi i HC të Skavicës, pavarësisht nga numri i digave, do të sillte mjaft pasoja negative social-ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha ai do të përmbyste përjetësisht një nga zonat më të rëndësishme të Shqipërisë Lindore, siç është pellgu i Dibrës.

Së pari, asgjësimi përfundimtar i pjesës më pjellore të tokës së Dibrës, do t’i hiqte asaj bazën e nevojshme ekonomike që e ka mbajtur popullsinë dibrane aty prej më shumë se 8000 vjetësh. Fusha e Dibrës historikisht ka qenë hambar për Malet e Dibrës, dhe të dy këto njësi të saj kanë qenë përherë në mardhënje komplementësie ekonomike njera me tjetrën. Fusha e Dibrës e furnizonte Malësinë me drithra buke dhe merrte prej saj prodhime drusore e blektorale etj. Në vitet më të vështira të krizës së bukës gjatë luftës I botërore, përkatësisht kohën e pushtimit serb (1913-1921) dhe atij austro-hungarez (1915-1916), hambarët e Dibrës nuk u thanë nga drithi, përveçëse u dogjën nga hasmi. T’i heqësh Dibrës këtë pjesë organike të saj, ta gjymtosh atë, është sikur t’i presësh gjymtyrët trupit të njeriut. Dhe unë besoj se qeveria do ta rishqyrtojë këtë çështje jetike për Dibrën. Dibra nuk mund të flijohet dhe të sakrifikohet për të shpëtuar të tjerët, edhe pse ajo i ka ndihmuar gjithnjë të tjerët, kur ata kanë pasur nevojë. Në këtë kontekst mjafton të kujtojmë se vetëm dibranët qëndruan përkrah shkodranëve, kur Shkodra ishte rrethuar nga pushtuesit malazez në vitin 1912-1913 (10 tetor1912-22 prill 1913)! Ideja e përmbytjes së Dibrës për të shpëtuar Shkodrën, mizore dhe neveritëse në vetvete, të kujton “këshillat” e Dr. Adhamudhit, që për të shpëtuar njerin sy duhej të nxirrej tjetri! 

Përmbytja e Dibrës do të provokonte një lëvizje të madhe demografike dhe do të sillte probleme të mëdha sociale për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm.

Së dyti, duhet të kujtojmë se fusha e Dibrës nuk është tokë e krijuar nga tharjet e kënetave apo moçaleve, as me punë angari të të burgosurve politikë. Ajo nuk përfshihet në këto kategori. Ajo është trashëguar brez pas brezi, dhe është blerë e shitur me flori. Kjo është arsyeja që në Dibër nuk u zbatua dhe as që mund të zbatohej ligji bolshevik  nr. 7501 i vitit 1991.

Së treti, përmbytja e Dibrës do të provokonte një lëvizje të madhe demografike dhe do të sillte probleme të mëdha sociale për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm.

PËR ARSYE  ARKEOLOGJIKE

Si arkeolog më duhet të mos heshtë! Si arkeolog kam shkelur në çdo fshat të Dibrës! Si arkeolog i them me bindje JO SKAVICËS! E them këtë pasi nëntoka e Dibrës ruan në gjirin e saj vlera të jashtëzakonshme arkeologjike, të cilat sapo kanë filluar të zbulohen e të studiohen. Në bazë të studimeve të derisotme, rezulton se ky është një ndër rajonet më të përshtatshëm gjeografiko-topografik, me kushte jetësore optimale për jetesë, gjë që ka përcaktuar edhe hershmërinë e banimit të tij nga njerëzit që në prehistorinë e largët. Lugina e mesme e Drinit të Zi, territorialisht e lidhur me këtë rajon, përfaqëson zonën ku janë evidentuar gjurmët më të hershme të qytetërimit neolitik në Shqipëri, kronologjikisht të lidhur me gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të VII para Kr. Fshatrat më të hershëm neolitikë të këtij rajoni dhe ndër më të hershmit në Shqipëri janë Burimi, Cetushi, Kronëzat (Fushë-Alie), prej të cilave, dy të fundit përfshihen brenda kuotave të përmbytjes, pasi janë shumë afër bregut të djathtë të Drinit të Zi. 

Nëpër këtë luginë kalonte degëzimi verior i Egnatias antike, që bashkonte dy tranversalet më të mëdha tranballkanike, atë Egantia në jug (Ohër) dhe atë Lissis-Naissus në veri (Kukës). Në zonën e përfshirë nga harta e liqenit të HC të Skavicës do të përmbyteshin përgjithmonë, pa u prekur nga arkeologët, një arkiv i vërtetë vlerash dhe artefaktesh arkeologjike, që gjenden në këtë hapësirë. Duke filluar nga Skavica, pra nga veriu, e duke u ulur në drejtim të jugut, mund të përmendim sitet arkeologjikë të rrezikuara nga përmbytja: 

Zona tumulare e Draj-Reçit e periudhës së Hekurit (lagja “Troci”)

Zona tumulare e e periudhës së Hekurit e Zall-Dardhës (Majë Meje)

Vendbanimi eneolitik “Kodra e qytetit” (Zall-Sinë)

Vendbanimi neolitik në Kronëza (Fushë-Alie)

Stacioni rrugor romak në “Xhirret e Përnezhe” (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehistorik në “Rrokoçele të Kutës”, Blliçe (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ferrës” në Blliçe (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Pareve” në Blliçe (Fushë-Alie)

Vendbanimi prehistorik “Kodra e Gështenjës (Kalaja e Gjonit”(Kastriot)

Trakte të degëzimit verior të Egnatias (Terzishte)(Kastriot)

Vendbanimi mesjetar në Trezishte (Kastriot)

Venbanimi prehistorik i Cetushit (Cetush)

Vendbani i prehistorik i Gradecit (Brezdan)

Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ballës” në Muhur (Muhur)

Vedbanimet prehistorike dhe antike të Ushtelenzës(Ushtelenzë)

Vendbanimi prehistorik i Bronzit të Hershëm (Selane)

Kisha mesjetare në Katund të Ri (Katund i Ri)

Vendbanimi antik dhe mesjetar i Gradecit (Gradec-Dovalan)

Vendbanimi prehistorik dhe antik i Topojanit(Podgorcë)

Vendbanimi prehistorik “Tuma e Zojcës” (Mazhicë)

Nekropoli i periudhës romake në Gjoricë të Poshtme (Gjoricë)

Vendbanimi i periudhës romake në Gjoricë të Poshtme (Gjoricë)

Manastiri i Thatokut (Okshatinë)

Kalaja ilire e Tuçepit ose Lladomericës (Lladomericë) etj.

Kjo do t’i shkaktonte një dëm të madh shkecës sonë arkeologjike. Nga ana tjetër ajo do të plotësonte dëmin e krijuar në pjesën lindore të Dibrës, që shtrihet në territorin e FYROM,  ku në vitin 1968 u përmbyt përjetësisht fusha e Udovës, më e madhja dhe më pjellorja e pellgut të Dibrës. U krye me atë rast një gërmim i vogël shpëtimi, sa për të thënë, dhe u varrosën nën ujë vlera të pallogaritshme arkeologjike. U përmbytën përjetësisht vlerat e një qytetërimi të lashtë ilir. Vendbanimi i periudhës urbane gjendej reth 2km në lindje të qytetit të Dibrës, poshtë rrugës së dikurshme Dibër-Shkup, në krahun e djathtë të lumit të Radikës. Para se kjo fushë e madhe të përmbytej nga ujrat e liqenit të hidrocentralit të Spilesë (Dibër) (1964–1968), gjatë gërmimeve të shpëtimit të kryera aty, arkeologja V. Bitrakova-Groždanova jep informacionin e parë dhe të fundit arkeologjik. Sipas saj, “aty janë zbuluar mjaft objekte arkeologjike të periudhës  së hekurit dhe asaj urbane, si dhe themele banesash e vilash rustica, të ndërtuara me gurë e llaç, pitosa qeramike si dhe 14 varre të ndërtuara me tulla të tiptit “çati dyujëshe” të periudhës së sundimit romak (shek.III-IV pas Kr.)”. Në interpretim të këtij materiali, ajo arrin në përfundimin se “në Udovë gjendet një vendbanim i madh me kontuinitet nga koha e hekurit deri në mesjetë”, (V. Bitrakova-Groždanova, Prilog kod antičkata istorija na Debarskiot kraj, Skopje 1966,  199-201).

Pikërisht në këtë vend, e mendojmë edhe lokalizimin e qytetit ilir të Oaeneas, qytetit më të fortifikuar penest, pranë lumit Artatus (Radicis) dhe një mali të mezikalueshëm (Kërçini-pjesë e “Scardus mons”), një nga tre qytetet më të zhvilluara peneste, krahas kryeqendrës së Penestisë-Uskana (Kërçovë), dhe Draudakut (Gradec-Gostivar). Burimet antike (Polibi, Livi) pëmendin krahas tyre edhe 11 qyteza peneste në këtë rajon. Ato  dëshmojnë se qyteti i Oaeneas luajti një rol të rëndësishëm në luftrat mbrojtëse si kundër Perseut të Maqedonisë ashtu edhe konsullit Ap Claudi të Republikës së Romës në vitin 169 para Kr., në përpjekje për të ndaluar kthimin e Adriatikut në një “mare nostro”. 

PËR ARSYE HISTORIKE 

Është theksuar shumë kohë më parë roli i rëndësishëm i Dibrës dhe kontributi i saj i veçantë në historinë nacionale, në të gjitha etapat e zhvillimit historik e shoqëror. Përmbytja e saj do të thotë përmbytje e të gjithë kësaj historie. Një moment i lavdishëm i saj është padyshim epopeja Skënderbejane e mesit të shek. XV, dhe luftërat e tij fitimtare, atdheu historik i të cilave, është vetë Dibra, ku Skënderbeu zhvilloi 19 nga 24 betejat e tij. Pikërisht kjo Dibër tani rrezikohet nga përmbytja! Me këtë veprim të nxituar, zhduket ose përmbytet përjetësisht një pjesë e territorit hapësinor të kësaj epopeje!

Urrejtja ndaj Dibrës e dibranëve u shfaq sidomos gjatë luftërave për pushtimin e Dibrës në vitet 1912-1921. Ofensiva serbe e tetorit 1913 dhe ajo e vitit 1918,  nuk lanë fshat të Dibrës pa djegur dy e tri herë. Pushtuesit serbë me sadizmin e pashoq dhe taktikën e “tokës së djegur”, kryen në këtë hapësirë masakra nga më të tmerrshmet, që mund të imagjinohen nga mendja njerëzore. Nuk ka pëllëmbë të tokës dibrane që nuk u skuq nga gjaku i bijëve të saj, në mbrojtje të vatanit! Këto janë të dokumentuara në arkivat e kohës, në memorien popullore, por edhe në toponimet e shumta të kësaj periudhe si “vorret e vrame”, “vorret e serbit”, “vorri i gruas”, “vorri i nuses”, “vorret e cullve” etj, që tani duam t’i mbysim përjetësisht nën ujrat e liqenit dhe t’i fshijmë nga kujtesa historike. Ndërsa shkruaj me nervozizëm këto radhë, më vjen në mendje postulati therrës:Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshishë kujtesën e tij historike. Shkatëroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harroj se çfarë është dhe çfarë qe!”.

PËR ARSYE GJEO-STRATEGJIKE 

Është vështirë të mendohet, por përmbytja e Dibrës të duket si një plan i hartuar jo në Tiranë, por në kancelaritë e Serbisë që donin ta përfshinin Dibrën brenda kufijve të tyre dhe që kërkonin të vinin kufirin e tyre përgjatë Drinit, ose në vargun e maleve perëndimore të Dibrës, ndërsa qëllimi i tyre strategjik ishte dalja në Durrës!. Mjaft të sjellim ndër mend faktin se “Naçertania” famëkeqe e I. Garashaninit (1844), parashikonte edhe “aneksimin e trojeve shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qëndrore të Shqipërisë”. Një pjesë e këtij plani ogurzi realizohet në vitin 1913, kur thika e ftohtë e diplomacisë evropiane ndante trupin e Dibrës me qetësinë e ndarjes së një torte në tavolinën e ngrënies, dhe i shkëpuste atij qytetin e Dibrës me rrethinë, Rekën, Radikën, Udovën, Kosovrastin, Zhupën dhe tokat më pjellore të pellgut të Dibrës! 

Është e tepërt të kujtoj se për kontributin e çmuar në historinë tonë nacionale gjatë të gjithë periudhave historike, Dibra Lindore, politikisht e përfshirë në FYROM, gjatë shekullit të fundit është trajtuar me urrejtje nga qeveritë sllavo-ortodokse të Beogradit dhe të Shkupit!. Të gjitha veprimet e kryera atje janë pjesë e një plani tërësor dhe të mirëorganizuar nën frymën çubriloviçiane për shpopullimin dhe shkombtarizimin e Dibrës. Është e tepërt të kujtoj se me këto qëllime të mbrapshta ishte përmbytur nga pushteti sllavo-maqedonas edhe pjesa lindore e Dibrës dmth fusha e madhe e Udovës në Dibrën e Madhe (FYROM) me sipërfaqe 1340ha, me pretekst të ndërtimit të HC të Spilesë!. Me përmbytjen e kësaj fushe të bekuar nga qarqet nacional-shoviniste të Beogradit u thuhej dibranëve të Dibrës së Madhe të iknin nga të donin, vetëm në Dibër të mos rrinin, se Dibra u duhej atyre, të pavatanëve, ardhacakëve të stepave! 

Pyetja që shtrohet në këtë kontekst social-historik është: përmbytja e sotme e Dibrës së mbetur londineze, me ose pa dashje, a nuk duket se i ngjan, qoftë edhe formalisht, këtyre planeve antishqiptare?! Çfarë do t’u thuhet dibranëve të Dibrës Perëndimore?! Të iknin edhe ata, nga sytë këmbët, se tokat e tyre do të t’i përpijë liqeni i alogjizmave të ekonomisë! 

Në fund një sugjerim: përse nuk studiohen mundësitë e prodhimit alternativ të energjisë, siç është p.sh energjia diellore apo ajo e erës, dhe të ndiqet modeli gjerman apo austriak i shfrytëzimit të saj?! Me pak investim fillestar, qoftë edhe me konçension, por pa humbur asnjë m2 tokë dhe pa asnjë pasojë ekologjike?! 

PËR ARSYE KLIMATIKE

Tek arsyet klimatike vetëm do të përmendja prishjen e ekosistemit natyror si dhe faktin se rritja e sipërfaqes së pasqyrës ujore do të rriste menjëherë lagështirën absolute dhe relative të ajrit, e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në ritjen e sëmundjeve reumatizmale dhe artriteve tek popullata aktive për punë, ajo e re dhe e mesme, madje dhe tek fëmijët, që sapo të dilnin në rrugë do të ndesheshin me mjegullën dhe ajrin e lagësht që do të vinte nga pasqyra e liqenit të stërmadh të HC të Skavicës.

PËR ARSYE JURIDIKE

Në të gjithë botën e qytetëruar, para se të merren vendime të tilla që ndikojnë drejtpërdrejtë në ekosistemin e një rajoni të dhënë dhe në jetën e mijëra banorëve, organizohen referendume popullore. Pasi një qeveri e përgjegjshme, punon për interesat themelore të qytetarëve të vet. Atëherë, përse të mos bëhet një referendum me banorët e Dibrës dhe pastaj të vendoset, pro ose kundër?! Të gjithë e dimë mirë dhe qeveria e di edhe më mirë, se në pikëpamje juridike, sikur qoftë edhe një pronar i vetëm i zonës së përmbytur, të mos jap pëlqimin e tij, asnjë HC nuk mund të ndërtohet! Dhe meqë jemi tek binomi qytetarë-qeveri, më vjen në mendje postulati i gazetarit të njohur amerikan Eduard R. Murrow “A nation of sheep will beget a government of wolves”. Përkthimin e saj në shqip unë nuk do ta bëj, pasi sot anglishten e njohin pjesa dërmuese e brezit të ri dhe e intelektualëve, dhe ky përkthim praktikisht është i panevojshëm. 

NË VEND TË MBYLLJES

Më në fund, unë nuk i kuptoj dibranët që nuk po e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë “dashurinë” e madhe të qeverisë së tyre për Dibrën dhe trashëgiminë e saj historike e kulturore! “Dashuria” e qeverisë është kaq e madhe, sa që kërkon përmbytjen e përjetshme të vetë Dibrës dhe të historisë së saj! Në emër të kësaj “dashurie” kërkohet të ndryshohet deri edhe harta gjeografike e Shqipërisë Lindore, ku vendin e tokave më pjellore të Dibrës do t’a zë liqeni i HC të Skavicës! Në emër të kësaj “dashurie” po shtyhet për në kalendat greke edhe ndërtimi i “Rrugës së Arbërit”! Sepse qeveria plasi nga marrazi që t’i bëj “alpinët” dibranë të mësohen me turizmin liqenor! Ajo po kërkon ta bëj Dibrën një “Zvicër” të vogël! Ku është problemi këtu?! 

Por dibranët nuk duan që nuk duan të kuptojnë këtë qëndrim “dashamirës” të qeverisë ndaj Dibrës! Ata duket se e kanë kuptuar gabim ose nuk e kanë kuptuar edhe thelbin e mosndërtimit të “Rrugës së Arbërit”! Disa thonë se premtimet për ndërtimin e kësaj rruge strategjike ishin “lojë”!. Disa thonë se fajin për këtë e kishte qeveria e Kinës! Disa të tjerë thonë, se edhe po të mos e kishte qeveria kineze, pra kushdo që ta kishte fajin, kjo rrugë tashmë nuk u duhej, pasi, në vend të udhëtimeve të lodhshme nëpër lugina, qafa e gryka malesh, shumë shpejt, në saj të “dashurisë” qeveritare, dibranët do të lundronin me varka! 

Edhe pse mjaft idilike, njerëzit e thjeshtë nuk duan që nuk duan të kuptojnë se qeveria po punon me zell të madh, për të bërë të mundur, që dibranët punëtorë dhe të mençur, t’i zevendësojnë veturat me varka! Të shkojnë tek njeri tjetri me varka! Të shkojnë në punë me varka! Të dalin në pazar me varka! Të dalin shëtitje me varka! Të shkojnë edhe në dasëm me varka! Po, po! Shumë shpejt do të vijë dita që dibranët edhe dasmat t’i bënin me varka! Imagjinoni, krushqit me dhëndërin dhe nusen të hipur nëpër varka! Dhe tani e tutje dhëndurët dibranë, përveç patentës së veturës do të duhet të marrin edhe patentën e drejtimit të varkës! Meqë çdo dhëndër i ri është drejtuesi i një familjeje të re, ai duhej të ishte i përgatitur si për sfidat e lundrimit ashtu dhe për dallgët e jetës! Dhe mendjengushtët do ta kuptojnë më në fund se kështu do të lulëzojë biznesi i varkave! Se kështu jeta e popullit do të përmirësohet!

Sipas adeptëve të variantit me një digë, Dibra do të shëndrohej në një liqen të stërmadh, me shtrirje nga pragu i Skavicës dhe Draj-Reçi në veri deri në Miresh e Viçisht në jug. Por, prisni, s’keni parë gjë akoma! Shumë shpejt do të vijë dita, që më të kamurit e dibranëve, do të blejnë edhe ndonjë jaht, madje ta nisin atë direkt nga bodrumi i vilës së ndërtuar ngjitur me liqenin imagjinar. Atëherë nuk do të jetë më në modë ndërtimi i garazheve të veturave në katin përdhes të vilave, por çdo vilë do të duhej pikësëpari të ndërtohej buzë liqenit dhe të kishte si pjesë organike të saj, garazhin e jahtit! Pse çfarë kishin më tepër stambollinjtë e kamur, që dalin për çdo ditë në Bosfor me jahtet modernë direkt nga bodrumi i vilave të tyre! Nën shembullin e stambollinjëve, edhe në Dibrën liqenore do të lulëzonte biznesi i kafeneve dhe çajtoreve në lokalet e shumtë në të dy brigjet e liqenit të Skavicës! Dibranët do të duhet ta kuptojnë se në fund të fundit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në do ta pije kafen apo çajin në Bosfor, në Uskudar, në Dollma Bahçe, në Top Kapi apo në lokalet e brigjeve të liqenit të Skavicës! Por dibranët nuk duan që nuk duan të kuptojnë se qeveria është duke punuar për “të mirën” e tyre, që t’i “akulturojë” dibranët “alpinë”, të vështirë për t’u “akulturuar”! Pastaj, a nuk e kanë krahasuar Dibrën me Stambollin?! Asnjë qeveri deri më sot nuk ka mundur t’ia përafrojë Dibrën Stambollit, dmth që Dibra t’i përngjasoj Stambollit edhe gjeografikisht, pra të ndahet në mes nga një liqen i stërmadh!  Anipse dibranët nuk duan që nuk duan t’a kuptojnë qeverinë e tyre! 

Idhtarët e variantit me dy diga ngulnin këmbë se Dibra do t’i ngjajë më tepër Venecias se sa Stambollit, pasi në Venecia banorët lundronin me varka të vogla e të shpejta në trajtë “lembesh” ilire. Meqenëse hëpërhë, arsyetonin ata, ekonomia ishte në pikë të hallit, dibranët nuk do të mund të blinin jahte të shtrenjtë, siç i kishin stambollinjtë e kamur, por ama mund të blinin, qoftë edhe me kredi, disa varka të vogla të tipit venecian, sa për të plotësuar nevojat e ditës! Ky argument i bënte të heshtnin idhtarët e modelit Stambollian!.Të entusiazmuar nga kjo mekje e rrymës kundërshtare, mbrojtësit e modelit venecian të Dibrës, sillnin në kujtesë deri edhe miqësinë e shtetit mesjetar të Skënderbeut me Republikën e Venedikut! Sipas tyre, meqenëse Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte me origjinë nga Dibra, përkatësisht nga Dibra e Poshtme që parashihet të përmbytet, atëhere pikërisht kjo Dibër do të duhej të përmbytej që t’i ngjante Venecias! 

Kishte dhe nga ata që në të gjithë këtë zallamahi mendimesh, shihnin anën pozitive të çështjes, ose siç do të thonin anglezët, e shihnin “gotën e zbrazët plot”! Ata ngulnin këmbë tek komercializmi i peshkimit që do të zhvillohej në këtë liqen të stërmadh, mirëpo kjo pikëpamje nuk e kishte kaluar sitën e hollë të mendjes së mprehtë të dibranëve! Disa skeptikë mendonin se pas kësaj fshihej plani tinzar i qeverisë për t’i zënë gafil dibranët që nuk do të prisnin kuponin tatimor të peshkut! Disa thonin se nuk dihet se çfarë mund të ndodhte deri atëherë me buajtë e majmur që mezi tërhiqnin karrocën qeveritare dhe nuk ishte çudi që ata mund të ndërroheshin me buajë të tjerë më të freskët! Disa të tjerë, të lodhur nga hamendësimet, tashmë kishin kërkuar azil në Zvicër, Gjermani dhe Amerikë! Sido që të jetë, këto llogari për shumicën e dibranëve duken shumë të parakohshme, pasi ata kurrë nuk e vënë tiganin në zjarr, deri sa peshku është në det. Jeta i ka mësuar se më parë duhet të kapet peshku dhe pastaj të vihet tigani në zjarr. Dhe me atë qetësinë e tyre, të thonë se në atë liqen (në se ata do ta lejojnë të bëhet!) ata kurrë nuk do të mundnin të zinin peshq!. Sepse kryetari i dhomës së liçensave të peshkimit, ishte kujdesur që ”rasati i peshkut të ishte prej atij farësoji, ku peshqit të hanin njeri tjetrin!”. Ec e merri vesh këta dibranët që nuk duan t’a kuptojnë as qeverinë e tyre dhe as “prosperitetin” që u ofrohet duke ua përmbytur shtëpitë dhe trojet stërgjyshore!  E megjithatë, ata janë të vendosur që kjo të mos ndodhë! Pasi nuk duan të bredhin nëpër Shqipëri, si çifutët në shkretëtirë, në kërkim të “Jeruzalemit” të tyre! 

*Titulli origjinal: “Jo Skavicës!”, gazeta “Panorama”, 6.3. 2016, f. 24 dhe “Le të “përmbytet” Dibra, gazeta “Panorama”, 30.03. 2016, f. 16.