Skavica, hidrocentrali që po trazon jetën e banorëve luginës së Drinit


Në foto: Fshati Fushë-Alie i cili mbulohet nga uji edhe në versionin e Skavicës 388 metra. Foto: B.Karoshi, qershor 2020

Banorët kundërshtojnë planet e qeverisë: Nuk ka Skavicë pa bisedime me njerëzit në terren. Planet e paqarta të qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me forcat tona ngjallin pasiguri për të ardhmen e banorëve që jetojnë në fshatrat përgjatë luginës së Drinit të Zi nga Gjorica, në kufi me Maqedoninë e Veriut, deri në Zall-Reç.

“Skavica, një kërcënim real për banorët e pellgut të Drinit. Në secilin variant, është i papranueshëm për ne”, – thotë Nazmi Drizi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi. “Nëse varianti 443 dhe 388 e ndajnë Dibrën përgjysëm, varianti 485 e zhduk përfundimisht Dibrën” – thotë ai. “Skavica 388” do ta ketë ujëmbledhësin deri te Ura e Muhurrit, ndërsa “Skavica 443” do të mbulojë këmbët e urës së re mbi Drin, pjesë e Rrugës së Arbrit. Bazamenti i urës është 446 metra, 6 metra më shumë se niveli maksimal i kuotës se hidrocentralit.

Në mes të Fushës së Kastriotit, 15 metra poshtë kanalit vaditës që furnizon me ujë disa fshatra, përfshirë edhe Fushë-Alien, altimetri – një aplikacion i shkarkuar në celular, regjistron 443 metra mbi nivelin e detit. Ara me grurë – siç shihet në një nga fotot – do të jetë bregu i Skavicës. Çfarë sheh më poshtë, e gjitha do të jetë nën ujë.

Një arë me grurë në mes të Fushës së Kastriotit, ku altimetri regjistron 443 metra mbi nivelin e detit. Ara me grurë në këtë foto mund të jetë bregu i Skavicës. Çfarë sheh më poshtë, e gjitha do të jetë nën ujë.

Qeveria ka në shqyrtim dy versionet për hidrocentralin: Skavica 443 dhe Skavica 388. Në rastin e Skavicës 443, niveli i ujit do të jetë në kuotën 440 metra. Në rastin e Skavicës 388, niveli i ujit do të jetë në kuotën 385 metra. Versioni i vjetër i Skavicës, me digën 485 metra, duket se nuk është i zbatueshëm për qeverinë, por grupime të ndryshme interesi e kanë kritikuar qeverinë në qëndrimin që mban. Ata duan ndërtimin e Skavicës në nivelin maksimal, sepse kështu besojnë që i japin një zgjidhje afatgjatë jetesës së hidrocentraleve mbi Drin.
“Skavica, në secilin variant, është i papranueshëm për ne”, – thotë Nazmi Drizi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi. “Nëse varianti 443 dhe 388 e ndajnë Dibrën përgjysëm, varianti 485 e zhduk përfundimisht Dibrën” – thotë ai.
“Skavica 388” do ta ketë ujëmbledhësin deri te Ura e Muhurrit, ndërsa “Skavica 443” do të mbulojë këmbët e urës së re mbi Drin, pjesë e Rrugës së Arbrit. Bazamenti i urës është 446 metra, 6 metra më shumë se niveli maksimal i kuotës se hidrocentralit.

“Qeveria ose nuk e ka marrë seriozisht, ose ajo po përgatitet të tjetërsojë jetën tonë”

Dalip Alia, një 58 vjeçar nga Fushë Alia, fshati që mbytet nga të dy nivelet e diskutueshme të hidrocentralit të Skavicës, 388 metra dhe 443 metra, është i dëshpëruar. Pas 18 vjet përpjekje për të kundërshtuar ndërtimin e Skavicës, tashmë ai e sheh veten e pafuqishëm.

Shtëpia e Dalip Alisë, e cila në nivelin e Skavicës 388 metra, kati i dytë i ndërtesës mbetet mbi ujë…

“Kjo është një shpërngulje masive. Kjo është një tjetërsim i jetës sonë”, – thotë ai.
Dalipi ka 3.5 hektarë tokë të tij, por bashkë me tokën e disa të afërmve, ai aktualisht punon 5 hektarë.
Ai është njëri nga ata banorë që ka vendosur ta ndërtojë jetën këtu. Shtëpia e tij është 385 metra mbi nivelin e detit dhe përmbytet në të dyja versionet e ndërtimit të hidrocentralit.
Është njëri nga anëtarët themelues të Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi. Kanë dhënë lekë nga buxheti i familjes për të printuar dhe shpërndarë materiale që kërkojnë të bindin njerëzit që të kundërshtojnë planet e qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit. Nga Reçi në Katund të Ri e Peshkopi ka udhëtuar për t’iu bashkuar protestave që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit.
“Qeveria ose nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje, ose ajo po përgatitet të bëjë një gjenocid ndaj nesh”, – thotë Dalipi.
Dalipi dhe të tjerë në Fushë Alie janë të mendimit se qeveria, po ta kishte seriozisht ndërtimin e Skavicës, duhej të vinte dhe të ulej me popullin: qeveria të sjellë argumentet e veta dhe populli të sjellë argumentet se pse janë kundër. Të ballafaqohen palët dhe pastaj të vendoset.
“Këtu nuk ka ardhur kush për të regjistruar tokën tonë, as atë arë dhe jo më kullotat e pyjet”, – thotë Dalipi.
Babai i Dalipit, Fezë Alia, 88 vjeç, megjithëse lëviz ngadalë me shkop, mendjen e ka të freskët. Ai nuk beson se do të ndërtohet hidrocentrali.
“Është e vështirë edhe për qeverinë të marrësh përsipër të mbytësh Fushën e Dibrës. Ai thotë se të vjetrit i kanë pas thënë “Fusha e vogël e Myzeqesë, e cila mbante me bukë Dibrën e Matin bashkë”.
“Dalim në kodër dhe themi: Ishalla bëhet bereqeti në Dibër” – kujton ai thënie nga paraardhësit e tij.

Turizmi, zhvillim apo rrënim

Vladimir Marku, një 40-vjeçar nga Arrasi, ka mbaruar studimet për gjuhë angleze. Ai ka punuar për disa vite si mësues, por prej vitesh ofron shërbimet si guidë turistike. Shtëpinë e tij në Arras e ka kthyer në një bujtinë pritëse prej vitesh dhe vit pas viti turistët nga e gjithë bota kanë marrë shërbimet e tij. Ai tregon se u ka ofruar guidë rreth 5 mijë turistëve të huaj, ku 1 mijë prej të cilëve vetëm vitin e kaluar.

Bujtina Arbri në Arras, e cila mbulohet nga uji në versionin e Skavicës 443 metra

Këtë vit ka shtuar kapacitetet pritëse, por pandemia e ka zhytur biznesin në krizë. Shpresat për këtë vit janë te turizmi i brendshëm, por ndërtimi i Skavicës me digën 443 metra i mbyt gjithçka që ka ndërtuar deri më tani.
Bujtina “Arbri”- kështu quhet me emrin e biznesit shtëpia e Vladimirit – është në një rrafshinë të bukur në fshatin Arras, 416 metra mbi nivelin e detit. Versioni me 443 metra e mbyt shtëpinë e tij, por version tjetër 388 metra mund t’i rrisë mundësitë e zhvillimit të turizmit. Kur e pyet nëse është dakord apo jo, ai thotë “një orë e më përpara”. Për ata që nuk e njohin, mund ta marrin seriozisht, por ironia ndjehet kur biseda vazhdon.
Vladimiri publikisht tregohet asnjanës kur vjen biseda rreth Skavicës. Ai ka qenë një aktivist kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Seta, i cili është edhe njëra nga guidat e tij turistike më të kërkuara, por protestat e tij dhe dhjetëra banorëve të Arrasit dhe Çidhnës kanë dështuar.

Vladimir Marku, një guidë turistike në fshatin Arras, bujtina e të cilit mbytet nga Skavica 443.

“Gryka e Setës është një destinacion turistik interesant për turistët e huaj dhe vendas, por tashmë ajo është e dëmtuar nga punimet për ndërtimin e HEC”, thotë ai.
Centrali i HEC-it “Seta 4” dhe një rezervuar i kultivimit të troftës ngritur prej vitesh me ujërat e pastra të Setës do të mbulohen me ujë edhe në rastin e ndërtimit të Skavicës 388. Ato ndodhën 385 metra mbi nivelin e detit.
Duke pasur parasysh se qytetarët e humbën betejën me Setën me pasoja për ta – disa prej tyre vazhdojnë akoma nuk marrin dot një pasaportë – ai ndjen se edhe beteja kundër Skavicës do të jetë një dështim.

Vendi pa infrastrukturë dhe projekte

Te hyrja e Bujtinës “Arbri” në Arras është fundi i asfaltit mbi rrugë. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore vitin e kaluar, kryeministri Edi Rama u premtoi banorëve vazhdimin e asfaltimit të rrugës, së paku deri te Muzeu i Kastriotëve në Sinë, i cili u rikonstruktua në vitin 2018, në kuadrin e “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”.
Por asfalti nuk ka më në plan të shtrohet.
Besnik Alku, ekspert i qeverisjes vendore, që vitet e fundit është marrë edhe me rritjen e burimeve turistike në Dibër dhe trajnimin e operatorëve turistikë, thotë se “Skavica i sjell një dëm ekonomik të madh Dibrës. Operatorët në të gjithë sektorët e tregut pësojnë një humbje të madhe, për shkak se do të humbasë komunikimi mes zonave. Ai thekson se infrastruktura është aktualisht shumë e dobët, por ndërtimi i HEC do ta ndërpresë krejtësisht komunikimin.
Fshatrat e Reçit, Lurës, Mustafe, Çidhnës, Selishtës, Muhurrit dhe gjithçka që mbetet në anën perëndimore të liqenit do të duhet të zhvillojnë rrjet të ri rrugor që i lidh me Kukësin, Mirditën e Matin. Do të duhet ndërtimi i një infrastrukture të re, por nga ana tjetër Dibrës do t’i largohet gjysma e tregut.

Rruga përmes fushës së Kastriotit është e vetmja rrugë e asfaltuar në zonë. Nga Arrasi, Lura, Çidhna, Mustafe, Reç, Zall-Dardhë, Muhurr, Selishtë etj. nuk ka asnjë metër rrugë të shtruar me asfalt, duke vështirësuar komunikimin mes fshatrave.

Rreth 27 fshatra nga Zall – Reçi në Hotesh mbulohen nga ujërat ë hidrocentralit plotësisht ose pjesërisht dhe dhjetëra fshatrave të tjerë u përmbyten tokat e punueshme që kanë në përdorim.
Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drini të Zi, e krijuar për të kundërshtuar ndërtimin e Skavicës, ka evidentuar se uji mbulon mbi 8 mijë hektarë tokë nga më pjelloret dhe e gjitha e punueshme, duke detyruar shpërnguljen e rreth 10 mijë banorëve dhe duke humbur tokën e punueshme rreth 40 mijë të tjerë.
“Këtu nuk ka më Dibër”, thotë Nazmi Drizi.

Nga natyra te historia, dëmet që nuk i llogarit kush

Varianti 443 metra i bën një dëm të madh Dibrës. Skavica jo vetëm mbyt tokën më pjellore të Dibrës, por i shkakton një dëm të madh mjedisit dhe rrezikon të prishë ekuilibrat mjedisorë për frutikulturën, e cila vitet e fundit ka marrë një zhvillim të madh.
“Mjegulla në pranverë dhe temperaturat e ftohta mund ta shkatërrojnë frutikulturën në të gjithë rajonin”, – thotë Zenulla Mehmeti, i cili së bashku me vëllezërit e tij kanë një fermë të madhe mollësh në Melan.
“Në fazën e lulëzimit mjegulla dhe ngrica mund të dëmtojnë pemët, por edhe në qoftë se një pjesë e tyre shpëton, do të kenë nevojë për më shumë pesticide ndaj mbrojtjes nga kroma apo sëmundje të tjera”.
Në deklarimet e pakta nga ana e qeverisë, theksohet se Dibra do të marrë një zhvillim turistik, sidomos peshkimit dhe turizmit liqenor, por banorët janë skeptikë.
“Kjo është një tallje, – thotë Dalip Alia. – Kryeministri, i cili e ka bërë të modës nxjerrjen e njerëzve të suksesshëm në faqen e tij në Facebook, pse nuk nxjerr edhe një histori të banorëve të Kukësit, të cilët po e shfrytëzojnë Fierzën për turizëm e peshkim? Atëherë edhe ne bindemi që kjo qenka një mundësi e punës sonë në të ardhmen”.
“Duke qenë se Skavica do të shërbejë më shumë si ujëmbledhës dhe do të furnizojë hidrocentralet e tjera mbi Drin, në kohën kur ajo do të bjerë, mjedisi në brigjet e saj do të jetë shumë i degraduar. Të gjithë e kanë parë se kur bie Fierza, brezin e shëmtuar kafe të dheut poshtë bimësisë, por në rastin e Skavicës ky brez do të jetë fusha të tëra. Sepse sikur një metër të bjerë niveli, dhjetëra metra do të jetë në terren brezi i tokës i tharë. Vende-vende, madje, do të jetë edhe i ngjashëm me një kënetë” – thotë Nazmi Drizi.
Banorët revoltohen nga argumentet që sjellin zyrtarë të qeverisë , të cilët theksojnë se “nga ndërtimi i Skavicës do të shpëtojnë Shkodra e Lezha nga përmbytjet”.
“Dibranët historikisht kanë qenë në mbrojtje të Shkodrës. Në vitin 1856 qindra dibranë të Dibrës së Poshtme të udhëhequr nga Sali Demiri shkuan në luftë kundër malazezve. Tridhjetë vjet me vonë, 1880-1890 përsëri dibranët në Shkodër. Hera e fundit në nëntor 1912, të udhëhequr nga Isuf bej Hysenagolli i Dohoshishtit, rreth një mijë dibranë kanë luftuar për mbrojtjen e Shkodrës. Pas 6 muajsh u kthyen, duke lënë atje 114 të vrarë e dhjetëra të plagosur. Tani, pas 107 vjetësh sërish dibranët duhet të “paguajnë” e sakrifikojnë për Shkodrën. Tani ata duhet të lëshojnë vatanin, të mbysin historinë, tokat e shtëpitë e tyre vetëm e vetëm që të shpëtojë Shkoda… Ky argument i përdorur është cinik. T’u kërkosh dibranëve të shpërngulen nga trojet e tyre me qëllim për të shpëtuar Shkodrën, është fyerje për dibranët sot. Por kjo është fyerje edhe për Shkodrën dhe shkodranët” – thotë Haki Përnezha, studiues i historisë dhe etnokulturës.
Ai rendit disa vendbanime të hershme si dhe mjaft vende që lidhen me historinë e lashtë dhe të vonë të luginë së Drinit të Zi, të cilat kanë mbetur jashtë interesit te hulumtimit historik e arkeologjik, por që mbartin pasuri të mëdha që dëshmojnë identitetin tonë kombëtar dhe historinë tonë.

Përmendorja kushtuar Betejës së Torviollit dhe luftërave për liri e pavarësi në shekuj të popullit të krahinës së Çidhnës, ndërtuar në vitin 2014 me kontributin e vetë banorëve. Përmendorja mbulohet nga Skavica 443 bashkë me disa vende të tjera që lidhen me historinë e lashtë dhe të vonë të luginë së Drinit të Zi, të cilat kanë mbetur jashtë interesit te hulumtimit historik e arkeologjik.

Shoqatat e reja, përpjekje për protagonizëm

Pas njoftimit të qeverisë për nxjerrjen nga sirtari të planeve për ndërtimin e Skavicës, shoqata dhe individë të ndryshëm kanë shprehur interesin për krijimin e aleancave për ta kundërshtuar planin e qeverisë.
“Aleanca për Mbrojtjen e Dibrës” është krijuar në Facebook dhe gjithashtu ka hapur edhe një peticion online për të kundërshtuar ndërtimin e Skavicës. Ndërsa në Peshkopi një përpjekje për të organizuar një forum me shoqatat joqeveritare ka dështuar.
“Ne jemi këtu, – thotë Nazmi Drizi. – Kemi 18 vite që luftojmë kundër planeve të qeverisë. Bashkojuni rreth shoqatës dhe nuk ka nevojë të krijojmë shoqata të tjera, që vetëm dëm do t’i sjellin çështjes, jo përfitim”.
Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi ka 18 vjet aktivitet, mbi 5500 anëtarë dhe deri më tani nuk ka marrë asnjë ndihmë nga asnjë organizatë apo forum për mbarëvajtjen e punës së saj, përveç fondeve të anëtarësisë.

Kartë anëtarësie e Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi, e cila ka 18 vjet veprimtari dhe mbi 5500 anëtarë

“Shoqata jonë është e regjistruar pranë institucioneve shqiptare si dhe është e njohur zyrtarisht edhe nga qeveria shqiptare. Ne kemi zhvilluar takime me ministrat e qeverisë së Fatos Nanos dhe Sali Berishës dhe i kemi shprehur qëndrimet tona kundër në zyrat e ministrisë. Nuk kemi nevojë t’ia nisim nga e para, por le të bashkohemi dhe t’i japim një vrull të ri mbrojtjes së çështjes sonë të përbashkët”.
Nazmiu dhe anëtarë të tjerë të shoqatës kanë frikë se aleanca apo forume të reja që krijohen në këtë situatë janë përpjekje të individëve të ndryshëm për të përfituar prej situatës, duke kërkuar të jenë zëri ynë, por në fakt janë përpjekje për marrëveshje me qeverinë e radhës.
“Nuk do ketë shoqatë që të na marrë mundin që kemi bërë duke mbrojtur interesat tona pa asnjë interes financiar”, – thotë Nazmi Drizi.
“Kontributet i pranojmë, protagonizmin jo”, – thotë Dalip Alia.

Zgjidhja e vetme: ulja në bisedime me banorët

Banorët kërkojnë që qeveria përpara se të vazhdojë me planet për Skavicën, duhet të vijë në terren të ulet me banorët: të regjistrojë shtëpitë, tokat troje, arat, kullotat. Sepse në Dibër secili ka shkuar në tokën e trashëguar brez pas brezi dhe pavarësisht se kjo tokë është apo jo e regjistruar në kadastrat zyrtare, ajo është e tyre.
“Qeveria duhet të bjerë dakord me njerëzit që dëmtohen, – thotë Nazmiu. – Askush nuk ka bërë një llogari se çfarë dëmesh vijnë me ndërtimin e hidrocentralit, çfarë resursesh prishen dhe ku përfundon Dibra, si ndahet ajo?”
“Shteti duhet të ketë respekt për banorët. Këtu nuk bëhet fjala për një individ, këtu bëhet fjalë për një krahinë, bëhet fjalë për Dibrën. Ne nuk jemi për pazare, por nuk jemi as antishqiptarë dhe as kundër zhvillimit.”
Pavarësisht lëvizjeve të qeverisë dhe aksioneve civile për të kundërshtuar, banorët që takova në Fushë-Alie e Arras janë pothuajse njëzëri në mendimin se Skavica nuk do të bëhet.
“Vetëm një gjëje ia kemi frikën: përdorimit të parave të drogës dhe trafikut. Në qoftë se qeveria vendos të amnistojë paratë që vijnë nga krimi i organizuar dhe trafiqet, atëherë ajo as nuk do të denjojë të ulet me banorët për të zgjidhur problematikat. Ajo do të fillojë ndërtimin e digës dhe banorët, kur ta shohin ujin te dera, do marrin plaçkat dhe do ikin… Por kjo atëherë do të jetë një gjenocid. Dhe atëherë ne do të dimë se si t’i përgjigjemi”.

* * *

Fejzë Alia ka kaluar një jetë plot vuajtje e sakrifica. Pasi dëgjon bisedat për Skavicën në oborrin e shtëpisë së tij në Fushë Alie, thotë:
“Një punë që mund ta bësh dhe nuk e bën – është haram. Një punë që nuk e bën dot dhe thua e bëj – është haram”.
Të parën që mund ta bëjë qeveria nuk e ka bërë, ndërsa të dytën që është e vështirë të bëhet thotë që do ta bëjë…Së paku deri më sot.

Fotot dhe teksti: B.Karoshi