fotolajm: Lidhet ura e Fshatit, në pranverë nis qarkullimi


Ura e Fshatit Fshat u bashkua më 25 nëntor 2020, duke i hapur kështu mundësitë që në pranverën e vitit të ardhshëm, në rrugë të nisë qarkullim i automjeteve.
Kjo urë është një nga gjashtë urat e Rrugës së Arbrit, e dyta për nga rëndësia, pas Urës së Vashës. Ajo është e gjatë 174 metra dhe e lartë 157 metra. Konstruksionet metalike të saj, ashtu si Ura e Vashës, janë realizuar me elemente çeliku me karbon të saldueshëm. Përfundimi i saj shënon simbolikisht edhe lidhjen e plotë të të gjitha segmenteve në ndërtim të rrugës, përjashtuar tunelin e Murrizit, 3.8 km të gjatë, që pritet të përfundojë në qershor 2023. Me përfundimin e kësaj ure, tashmë puna kryesore në veprat e artit, ura dhe tunele, pothuajse kanë përfunduar.
Kontrata me kompaninë Gjoka Konstruksion, e nënshkruar më 28 mars 2018, parashikon që punimet të mbarojnë në fund të vitit të ardhshëm, por Presidenti i Kompanisë i premtoi atëherë Kryeministrit Rama, gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve, se rruga do të hapej 6 muaj përpara afatit.
Por, siç është bërë e njohur përmes shtypit, punimet nuk kanë ecur ashtu siç duhej. Në maj 2019 ndodhi një shembje në Tunelin e Murrizit, duke detyruar kompaninë të ndryshonte projektin dhe duke e zgjatur tunelin edhe 600 metra të tjera. Ndërtimi i një by-passi, 9.5 km të gjatë u bë i detyrueshëm për të nisur qarkullimi në rrugë. Gjithashtu, shembjet në Bastar të Mesëm gjatë këtij viti, kanë krijuar vonesa në punime.
Burime nga punonjës të kompanisë, thonë se për përfundimin e Urës së fshatit Fshat dhe Tunelit të Murrizit, janë marrë përsipër nga një kompani turke.
Rruga e Arbrit është e gjatë 73.5 km, nga të cilat rreth 12 km nga Bulqiza te Ura e Cerenecit konsiderohet e përfunduar. Kur kompania Gjoka Konstruksion mori rrugën me koncension, 15 km rrugë ishin përfunduar pjesërisht, ndërsa rreth 26 km ishin të paprekura me punime. Tashmë, rruga është e prekshme tërësisht në gjatësinë e saj, kështu që shpresat për nisjen e qarkullimit në pranverë janë të mëdha.
Rruga në fillim u parashikua se do ti kushtojë buxhetit të shtetit rreth 240 milionë euro për 13 vjet, por tashmë pas problematikave të shfaqura gjatë ndërtimit, kostoja e saj finale nuk dihet.