A ka shkëmb graniti në sheshin “Skënderbej”?


 

Nuk vura re në shesh blloqe graniti nga Mali i Korabit… Mungonin përfaqësuesit e blloqeve të mermerit nga Korabi, me tregues fiziko – mekanik cilësorë e me larmi ngjyrash. Janë nga më të mirët e vendit tonë e më gjërë, sidomos ato të vendburimit të varrosur të Përroit të Veleshicës…  Nuk shikuam në shesh as ndonjë bllok magmatik të llojit bazik, gabrodiabaz nga Mali i Sorokolit… As nga Lura, e cila është mjaftë e pasur me lloje të shumta shkëmbinjësh, sidomos me ultrabazikë nga më cilësorët si dhe, zonën e Selishtës, zonën e Reçit, zonën e Gramës, Grykën e Lumit të Setës, Malin e Kërçinit dhe, vendosjen e një kristali të madh Gjipsi të lloit Selenit nga Vendburimi Radika, i njohur në të gjithë Evropën, i cili ndodhet në afërsi të qytetit të Dibrës, në Maqedoninë e Veriut. Pra, vetëm 16 apo 18 blloqe më përfaqësues nga numri i madh i tyre në këtë rajon, kërkohet apo sugjerohet ti shtohen mozaikut të gurëve të tjerë në shesh.

Që në vegjëli jam mësuar me shprehjen “Shqipëria shkëmb graniti”. Në atë kohë, kur e dëgjoja këtë shprehje, nuk e dija çfarë është shkëmbi i granitit. Vite më vonë, kur do filloja studimet për gjeologji dhe pas fillimit të punës në Malësinë e Korabit, do të mësoja në detaje rreth shkëmbit me emrin granit në kuptimin shkencor dhe, do të kuptoja pse ai “gëzonte këtë autoritet midis shkëmbinjve të tjerë”.
Graniti është një shkëmb magmatik, përfaqësues tipik i llojeve acide, i formuar prej llavës së ardhur nga pjesa e sipërme e Mantelit drejt Korës Tokës, i kristalizuar në thellësi të saj, jo në sipërfaqe. Pllakat që prodhohen nga prerja e blloqeve të shkëmbit granitik janë nga më të larmishmet sa i takon ngjyrave, me tregues cilësorë fiziko – mekanik, me çmime pak të kripura, po ashtu dhe nga më të kërkuarat në treg.
Le të futemi në temë të sqarojmë pse e fillova këtë shkrim me shkëmbin e granitit dhe pse e komentova.  Para disa viteve u gëzova shumë kur dëgjova në televizor se në përfundim të punimeve në sheshin Skënderbej të kryeqytetit, për herë të parë do të vendosen gurë të marrë nga të gjitha trevat Shqiptare (nënkupto këtu blloqe shkëmbinjsh përfaqësues nga të gjitha zonat e vendit tonë).
Nëse nuk gaboj, sikur e dëgjova “nga të gjitha trojet e Shqiptare”. Muajt rrodhën shpejt. Gurët e mbledhur në “trojet shqiptare” u vendosen në shesh. Këtë e shikoja si një nismë pozitive, si një vlerësim për shkencën gjeologjike në mënyrë indirekte, si një vëmendje të shtuar të shtetit ndaj gjeologjisë, kësaj shkence madhore e dinamike e cila i ka sjellë njerëzimit vetëm dobi e zhvillim. Shkurt, më pëlqeu dhe e vlerësova shumë, pasi kjo praktikë nuk ishte parë në dekadat e kaluara, përjashtuar në muzetë e mbyllura.
Më në fund thashë me vete “po çelin disa lule” edhe pse dihet se “me pak lule nuk vjen pranvera as në gjeologji”.
Do të ofroja ndihmën time vullnetare në grumbullimin e llojeve shkëmbore më përfaqësuese, sidomos për Bashkinë e Dibrës, ku mendoja se mund të jepja një kontribut modest për këtë rajon. Prita, por kisha pritur e shpresuar kot.
Një ditë prej ditësh “blloqet e gurëve nga trojet shqiptare apo vetëm nga ato të Shqipërisë Londineze” ishin vendosur në shesh. U ngushëllova se ndoshta e kanë zgjidhur me ndonjë koleg tjetër pë Dibrën dhe kjo ishte normale. Shkëmbinjtë e Dibrës nuk i njoh vetëm unë por shumë e shumë të tjerë dhe kjo është një gjë krejt normale.
Pra, sikundër theksova më sipër, një ditë të bukur gurët i pash në shesh të vendosura pa ndonjë rregull dhe, pa ndonjë diçiturë të shkruar mbi to, pa më shkuar në mendje fakti dhe pa i bërë pyetjen vetes: A janë marrë vërtet këto gurë nga të gjitha trojet apo…?
Shkëmbinjtë dhe mineralet është vështirë të njihen vetëm me shikim edhe nga specialistët e fushës, jo më nga banorët e Tiranës, pa llogaritur këtu vizitorët vendas apo turistët e huaj të shumtë dhe kurajozë.
Nuk jemi në shekullin kur jetoi Skënderbeu që të vendosen “gurët përfaqësues të Shqipërisë” pa diçiturë të shkruar në trupin e tyre! Kjo më ka shkaktuar një habi të madhe dhe më ka lënë një “gëvishtje” jo të mire.
Mesa duket puna në këtë drejtim është mjaftuar me grumbullimin dhe vendosjen e blloqeve shkëmbore në shesh, duke i marrë sa më afër rrugëve, në karriera të ndryshme në shfrytëzim apo të braktisura etj., shkurt, me kushte favorizuese në nxjerrje e transport, pa plan paraprak, siç jemi mësuar rëndomë ne shqiptarët ti bëjmë punët, shpejt e shpejt, duke shfrytëzuar variantet me më pak shpenzime e, duke i vendosur në “Sofrën e Madhe të Tiranës”.
Më shumë mundësi specialistët e angazhuar në këtë punë nuk kanë patur njohje “për të gjithë gurët e Shqipërisë”, por vetëm për një pjesë të territorit shqiptar, ose ju kanë munguar financat. Nuk di si do të jetë justifikimi por, sido që të jetë ai, e vërteta është se ato mungojnë. Disa nga më kryesorët nuk gjenden në shesh, në Sofrën e Madhe të Kryeqytetit.
Nuk vura re në shesh p.sh. blloqe graniti nga Mali i Korabit ose më saktë nga Bjeshka e Preshit, aty ku takohet dalja më e mirë e këtyre shkëmbinjve në Shqipëri, nga ai vend aq shumë i njohur si për bukuritë natyrore e turistike ashtu dhe për ujrat e kristalta karstike prej të cilave furnizohen një pjesë e fshatrave të Bashkisë së Dibrës dhe qyteti i Peshkopisë, të ndihmuar edhe nga burime të tjera të Korabit, që së bashku plotësojnë hëpërhë, nevojat për uji të pijëshëm të njësive administrative në fjalë.
Po ashtu mungonin përfaqësuesit e blloqeve të mermerit nga Korabi (e theksoj jo gëlqerorë të mermerizuar siç vihen re në shesh), me tregues fiziko – mekanik cilësorë e me larmi ngjyrash. Janë nga më të mirët e vendit tonë e më gjerë, sidomos ato të vendburimit të varrosur të Përroit të Veleshicës mbi degëzimin e djathtë të saj, afër lagjeve Rade e Serdok (sot me emrin zyrtar Radomirë), ku natyra ka bërë mrekullinë duke grumbulluar blloqe mermeri etj. lloje shkëmbore me përmasa të mëdha e të gatshme për shfrytëzim, pas një pune përgatitore në zbulim dhe infrastrukturë.
Nuk shikuam në shesh as ndonjë bllok magmatik të lloit bazik, gabrodiabaz nga Mali i Sorokolit, një lloj tjetër shkëmbi i veçantë e me shumë interes. Pra nuk shikova gurë nga Malësia e Korabit, as granit, as gabrodiabaz, as mermer, pa folur këtu për disa lloje të tjera metamorfike etj. dhe veçanërisht për mos-përfaqësimin me një bllok Anhidriti nga Gjipset e Peshkopisë, me përhapjen më të madhe në Ballkan?! Gurët në fjalë nuk është nevoja të merren në lartësi e vështirësi terreni të mëdha.
Për këtë punë “kanë menduar përrenjët e maleve tona në miliona vite”, të cilat i kanë transportuar e latuar dhe, duke na i sjellur afër rrugëve automobilistike.
Duke u larguar nga Korabi  nuk mund të anashkalojmë Lurën, e cila është mjaftë e pasur me lloje të shumta shkëmbinjsh, sidomos me ultrabazikë nga më cilësorët si dhe, zonën e Selishtës, zonën e Reçit, zonën e Gramës, Grykën e Lumit të Setës, Malin e Kërçinit dhe, vendosjen e një kristali të madh Gjipsi të llojit Selenit nga Vendburimi Radika, i njohur në të gjithë Evropën, i cili ndodhet në afërsi të qytetit të Dibrës, në Maqedoninë e Veriut. Pra, vetëm 16 apo 18 blloqe më përfaqësues nga numri i madh i tyre në këtë rajon, kërkohet apo sugjerohet ti shtohen mozaikut të gurëve të tjerë në shesh.
Me siguri do ta hijeshojnë e plotësojnë atë dhe do të bëhen nxitës edhe për pasurimin e mëtejshëm të tij me gurë përfaqësues cilësorë nga zona të tjera, po aq të rëndësishme sa rajoni i Dibrës.
Gabimet duhen korrigjuar, përndryshe ato shndërrohen në faj. Mundësitë janë pasi nuk kërkohen shpenzime të mëdha, falë edhe faktit se ato janë të kontrollueshme në dritën e diellit.
Sodita mirë e mirë sheshin se mos jam i gabuar por, nuk më rezultoi të ketë blloqe shkëmbore të marra në rajonin e Dibrës.
Kjo mangësi, siç theksova, mund të jetë edhe në zona të tjera të Shqipërisë, brenda apo jashtë saj. Unë shkrova për Dibrën (Bashkinë e Dibrës) ku mendoj se e njoh dhe mund të jap kontribut, edhe pse të vonuar, në një fazë të dytë të përmirësimit të kësaj nisme, nëse do të ndërmerret një ditë, që për mua është një nisme shumë e gjetur dhe që meriton për tu përshëndetur maksimalisht. Për një punë të mirë të nisur me qëllime të mira, edhe nëse ka disa të mangësi, ato mund të plotësohen hap pas hapi, duke e mbyllur problemin.
Konstatimi i disa mangësive nuk besoj se e “lëndon” nismën në fjalë por përkundrazi, ato duhet të merren me dashamirësi dhe të mbahen shënim, nëse sadopak qëndrojnë.
Kur nuk i konstatova gurët në “kuvendin e madh të gurëve”, pakënaqësia mu shtua edhe për faktin se origjina e Skënderbeut është e konfirmuar nga fshatrat Sinë e Kastriot të Dibrës, e pikërisht nga Dibra nuk kishte blloqe përfaqësues në sheshin që mban prej dekadash emrin e Tij.
Po ashtu sugjeroj se duhet ndërmarrë një punë e dytë, me një ekip ekspertësh, për të bërë emërtimet e gurëve ne shesh, emërtime që duhet të përmbajnë “vendin e marrjes, emrin e shkëmbit dhe mirë do ishte edhe formulën kimike të tyre.
Jetojmë në kohë tjetër dhe këto mundësi janë. Besoj se është e mirëpritur nga të gjithë vendosja në secilin bllok të gurëve në shesh të një etikete informuese, estetike që ti rezistoj agjentëve atmosferikë e humane, dhe të jetë e kuptueshme nga të gjithë, e shkruar saktë e bukur, me germa të mëdha që të mund të lexohen nga të gjithë.
Etiketimi i tyre i bën gurët “që të flasin me të gjithë vizitorët” pa qenë nevoja për ndërmjetës.