Dibra e Madhe vendos të ngrejë shtatoren e Elez Isufit


Vendimi i Këshilli Komunal për të vendosur shtatore e “Gjeneralit me shajak” sjell reagimin e piktorit të njohur Zaim Elezi: “Boceti i shtatores i bërë publikë ka probleme me vizatimin, plastikën, modelimin dhe ajo që nuk tolerohet është kompozimi shumë i konsumuar, i parë dhe stërparë”.

Skicë ide e projektit – jo përfundimtar, publikuar nga Kryetari i Këshillit Komunal të Dibrës, z. Bashkim Mashkulli.

Dibër e Madhe, 28.01.2021 – Këshilli Komunal i Dibrës së Madhe ka miratuar njëzëri me 28 janar 2021 vendosjen e shtatores së Elez Isufit në qytet. Ky vendim është pritur mirë nga komuniteti dhe është përshëndetur në rrjetet sociale.

Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Shqiptar në Dibër të Madhe propozon ngritjen e shtatores për Elez Isufin

Dega e Dibrës e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i ka propozuar në nëntor 2020 Këshillit Komunal të Dibrës që busti i heroit Elez Isufi – Ndreu të vendoset në një mjedis publik në Dibër të Madhe.
“Shoqata e ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, si nismëtare dhe realizuese e disa figurave historikë në këtë qytet, duke filluar nga ngritja e shtatore së Skënderbeut, i cili u vendos në sheshin “Skënderbeu”, duke vazhduar me rilindësit dibranë Said Najdeni e Josif Bageri, të cilët janë vendosur në sheshin e “Rilindësve dibranë” dhe së fundmi me ish kryetarët historikë të këtij qytetit, Sefedin Pustina dhe Aqif Lleshi, të cilët janë vendosur para Komunës së Dibrës…, i kërkon Këshillit Komunal miratimin unanim për vendosjen e bustit të luftëtarit më të shquar dibran, Elez Isufi – Ndreu”, – shkruhet në kërkesën e shoqatës, firmosur nga kryetari i saj, Bashkim Mashkulli.
“Ky bust historik do të vendoset te sheshi i vjetër, ku sot ndodhet shtëpia e pensionistëve, te rrethrrotullimi. Me vendosjen e këtij busti, edhe pedonalja do të marrë emrin “Elez Isufi”, – shkruhet në kërkesën e shoqatës drejtuar këshillit.
Këtë kërkesë, Këshilli Komunal, i cili drejtohet po nga Bashkim Mashkulli,e ka diskutuar më datë 28 janar 2021, duke e miratuar në unanimitet të plotë.
Në vendimin “për ngritjen e përmendores në territorin e Komunës Dibër”, thuhet se miratohet vendimi për ngritjen e një monumenti në territorin e Komunës së Dibrës (neni 1). Vendimi përcakton ngritjen e një bordi, i cili do të jetë përgjegjës për procedurat e ngritjes së tij, do të marrë në konsideratë iniciativat dhe të propozojë masa për ngritjen e memorialit (neni 3). Për “verifikimin e mikrolokacionit ku do të jetë i vendosur monumenti do të përgatiten projekte të posaçme dhe miratime të veçanta” (neni 4).

Debati: Boceti i publikuar është i dobët artistikisht

Vendimi i Këshillit Komunal të Dibrës së Madhe është pritur mirë nga banorët e Dibrës dhe komuniteti dibran. Mesazhet e urimit dhe falënderimit në drejtim të Këshillit Komunal dhe Komunës së Dibrës së Madhe nuk kanë munguar. Vendimi i tyre për një shtatore të Elez Isufit – “Gjeneralit me Shajak”, prijësit të dibranëve në luftën kundër Serbëve në vitet 1913-1921 është për tu falënderuar.
“Atë që nuk e ka bërë Peshkopia, po e bën Dibra e Madhe”, shkruhej në disa komente në rrjetin social Facebook.
Piktori i njohur shqiptar, Zaim Elezi, nga Dibra, një nga më të mirët sot në artin figurativ shqiptar, ka shprehur kritika ndaj bocetit të publikuar.
Sipas Elezit, boceti i publikuar “ka probleme me vizatimin, plastikën, modelimin dhe ajo që nuk tolerohet është kompozimi shumë i konsumuar, i parë dhe stërparë”.
Në një reagim në profilin e tij publik në Facebook, mjeshtri dibran i pikturës fton kolegët e tij që të reagojnë për rastin, të japin mendime dhe të ndihmojnë kështu në realizimin e një vepre skulpturore në nivel të lartë artistik.
“Po postoj reagimin tim, me dëshirën e mirë që artistët, miqtë e mi, të shprehen për këtë shtatore. Mendimet tuaja të vyera do të shërbenin që të mos viheshin shtatore pa vlera në mjediset tona publike, ashtu siç ka ndodhur deri më sot.”
“Me përulje dua t’ju falënderoj dhe t’ju them ju lumtë për iniciativën për të vendosur shtatoren e Elez Isufit në mjediset publike të qytetit të Dibrës së Madhe! Po me të njëjtin respekt, po ashtu, me duhet të guxoj të shprehem se nuk jam dakord për figurën që keni publikuar. Nuk ka as edhe një rëndësi se kush është autori, (edhe pse nuk e di), por duhet të shprehem se shtatorja që shoh ka probleme jo të vogla. E para, ka probleme me vizatimin, plastikën, modelimin dhe ajo që nuk tolerohet është kompozimi shumë i konsumuar, i parë dhe stërparë. Isha i drejtpërdrejt, pasi nuk më falet që të mos shprehem publikisht për atë që mendoj edhe për Dibrën time të dashur. Jam vetofruar pa asnjë lloj shpërblimi, për të hartuar gjithë procedurën dhe mbështetur me emra artistësh të mirë e shumë të mirë, që kjo të ishte një shtatore me vlera të larta skulpturore dhe artistike, siç Dibra e meriton” – shkruan piktori Zaim Elezi në reagimin e tij, postuar edhe si koment në statusin e publikuar nga Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit Komunal të Dibrës.
“Shqetësimi im, tha për gazetën “Rruga e Arbërit” Zaim Elezi përmes një bisede telefonike, është fakti që ti paraprijmë realizimi të një vepre të dobët artistikisht të Elez Isufit”.
“Edhe në të kaluarën – tha ai,- janë realizuar vepra me qëllime të mira kombëtare, por janë realizuar keq artistikisht dhe kanë ngjallur debat. Ai përmend shtatoren e Skënderbeut në Dibër të Madhe, por edhe dy shtatoret e fundit të ngritura në Prizren, ajo për Skënderbeun dhe Adem Jasharin.
“Reagimi im vjen prej ndërgjegjes artistike, për respekt jo vetëm të Dibrës, por edhe figurës së Elez Isufit, e cila zë një vend të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare. Realizimi i shtatores së Elez Isufit, duhet të realizohet përmes një procesi transparent e mbarëkombëtar, jo i parë ngushtë në hapësirën lokale të vendimmarrjes dhe realizimit. Për këtë duhet shpallur një konkurs mbarëkombëtar dhe një komision artistik duhet të vendosë për bocetin përfundimtar. Deri më tani nuk ka as ftesë publike dhe as transparencë se kush është në komision”.
Në profilin e piktorit Elezi në Facebook, kanë reaguar edhe disa figura të njohura të artit pamor në hapësirat shqiptare.
Skulptori nga Gostivari Xhezair Rexhepi shkruan se “figurës së Elez Isufit përveç një shtatoreje, ajo duhet ti këtë edhe vlerat artistike bashkëkohore. Nëse vërtet e vlerësojnë figurën e tij, duhet edhe të materializohet me madhështi.
Kritiku i artit Artan Mitrushi shkruan se skicës së publikuar “i mungon plastika karakteriale, figura është e ngrirë, pa gjallëri, linjat nuk rrjedhin dhe pozicioni i dorës së majtë është i stisur”.
Ndërsa skenografi i njohur Bashkim Zahaj shkruan se”kjo shtatore thjesht nuk plotëson të qenit vepër arti, siç pretendohet”. Sipas Zahajt, “autori nuk është asnjëherë fajtor për nivelin e veprës. Fajtorë janë ata që marrin përsipër të aprovojnë vepra pa vlerë. Shpresoj se do gjendet një artist, që i kemi në mesin tonë, për të përfaqësuar këtë detyrim.
Artisti Maklen Lakuriqi shkruan se “për vepra monumentale të figurave tona historike, duhet të ketë vendimmarrje dhe gjykim kolektive jopopullore, por profesionale, prej skulptorëve, piktorëve, arkitektëve, urbanistëve, historianëve/”.
Piktori tjetër dibran, Mentor Shehi, shkruan se “shqetësimet që ngrihen për skulpturën në natyrë janë të drejta. Pa u zgjatur, them se konkursi është mënyra më saktë për të arritur një vepër arti të pranueshme”. Sipas tij, mënyra e organizimit të konkurimit të mos jetë formale dhe niveli i komisionit të jetë shumë profesional dhe kompetent në gjykime”.
Edhe artisti nga Kosova, Gani Bytyçi, shtron nevojën e ngritjes së komisioneve artistike që të miratojnë realizimin e këtyre veprave. Një gjë e tillë, sipas komentit të tij, mungon në hapësirat shqiptare. “Do të ishte mirë, shkruan Bytyçi, që çdo qytet në Kosovë e Shqipëri të ketë një komision të tillë artistësh. Apo kjo të bëhej vetëm në nivel qendror, në Prishtinë e në Tiranë. Pra, një komision artistik, që do të merrej me vlerësimin e veprave artistike, të cilat vihen në hapësirat publike”.

Kryetari i Këshillit të Komunës: Nuk ka bocë të miratuar. Të drejtën për paraqitje bocash e ka çdo artist

Bashkim Mashkulli, që është kryetar i Këshillit Komunal dhe njëherësh edhe Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë – dega Dibër, ishte ai që bëri publike bocetet paraprake.
Në një komunim përmes mesazheve në Facebook ai shkruan se “skicat janë nxjerrë nga unë vetëm për t’ua bërë të ditur qytetarëve se ç’ka duam të bëjmë”.
“Nuk kemi përzgjedhur autor të veprës”, shkruan Mashkulli.
Ai thekson se “të drejtat për të paraqitur bocet e ka çdo skulptor, pasi vendimi i Këshillit Komunal të nënshkruhet nga kryetari i Komunës së Dibrës dhe të publikohet në faqen zyrtare të Komunës”.
Pasi vendimi të dalë në faqen zyrtare, organet e Komunës së Dibrës do të bëjnë publike vendimin për aplikim të autorëve që duan të konkurrojnë “.
Sipas z. Bashkim Mashkulli, financimi i kësaj shtatoreje do të kryhet nga Komuna e Dibrës.

* * *

Vitet e fundit, shumë buste dhe vepra të tjera artistike e monumentale kanë zënë hapësirë në sheshet publikë të Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe. Por ato, në të shumtën e rasteve janë vendosur jo vetëm në mjedise të papërshtatshme, por edhe të realizuara keq artistikisht. Kështu që një debat paraprak mbi këto monumente është në dobi të publikut dhe komunitetit në këto qytete.
Bujar Karoshi