Çfarë të hamë kur sëmuremi?
Nga Hajredin Toca*


 

Individi në veçanti duhet ta konsiderojë ushqimin si një pjesë të rëndësishme të veprimeve të tij për mbrojtjen e shëndetit. Dhe akoma më në dilemë të ushqyerit bëhet në këtë kohë pandemie, kur jemi me shenjat e Covid-19.

Gjithkush kur sëmuret matet shumë çfarë të hajë. Tek çdo ushqim i sëmuri ka një dyshim nëse i bën mirë apo jo. Për mijëra vjet, ushqimet që kanë përdorur njerëzit që ishin me shenja sëmundjesh nga më të ndryshmet, sillnin efekte të dëshiruara e të padëshiruara. Pra nëpërmjet përfitimesh shëndetësore por dhe pasojash nga kequshqyerja është konsoliduar një përvojë.
Të ushqyerit është shkencë por nuk anashkalon përvojën shumëshekullore. Jo gjithkush ka mundësinë të ketë informacionin e duhur kur ndjen një shqetësim në organizmin e tij. Prandaj shtron pyetjen: çfarë duhet të ha në këtë situatë ?Vetëm kur shëndeti jonë pëson ndryshime dhe sëmuremi shprehja “Ne jemi çfarë hamë” bëhet “Çfarë të hamë që të jemi?” Sepse individi në veçanti duhet ta konsiderojë ushqimin si një pjesë të rëndësishme të veprimeve të tij për mbrojtjen e shëndetit. Dhe akoma më në dilemë të ushqyerit bëhet në këtë kohë pandemie, kur jemi me shenjat e Covid-19.
Nëse ju jeni i sëmurë dhe nuk keni komplikime ose sëmundje të rëndë, natyrisht udhëzohet por dhe duhet të qëndroni në shtëpi për të pritur që ajo të kalojë. Por çfarë duhet të hani për të ndihmuar trupin tuaj të luftojë sëmundjen që jua ka sjell virusi?
Më poshtë do të trajtojmë ushqimet për të zgjedhur, në një farë kuptimi çfarë duhet të preferoni, por natyrisht ka dhe për të shmangur.
Përfshini vitaminat C dhe D, frutat dhe perimet, probiotikët dhe yndyrnat e mira për të ndihmuar trupin të mbrohet dhe të shërohet sa më shpejt. Dhe pini sa më shumë ujë dhe lëngje që të qëndroni të hidratuar.
Frutat dhe perimet kanë përmbajtje të lartë të vitaminave dhe të kripërave minerale si dhe lëndë të tjera vepruese të cilat ndikojnë në veprimtarinë funksionale të organizmit duke luajtur një rol të madh mjekues. Dhe shkurtimisht ja përse:
Perimet jeshile me gjethe si spinaqi, lakra marule dhe lakra jeshile janë të mbushura me fibra dietike dhe vitamina. Antioksidantët e tyre mbrojnë qelizat dhe ndihmojnë në stabilizimin e inflamacionit.
Luleshtrydhet, manaferrat, boronicat, mjedrat janë gjithashtu të dobishme sepse ato kanë efekte të fuqishme antivirale dhe anti-inflamatore.
Konsumoni mollë për të patur një ekuilibër të popullatave të baktereve në traktin tuaj të tretjes. Polifenolët e mollës janë ushqyes me vlera të jashtëzakonshme.
Kërpudhat janë aleatë të shkëlqyeshëm kur jeni i sëmurë sepse janë të pasura me antioksidantë.
Portokalli, pjepëri, kivi, brokoli, specat e kuqe, janë një burim i mirë i vitaminës C, e cila bën që sistemi imunitar të krijojë më shumë “qeliza T”, të cilat sulmojnë dhe shkatërrojnë një numër të madh virusesh.
Hudhra është një ushqim me efekte antibakteriale, antivirale dhe antifungale.
Salmoni është një burim i shkëlqyer i proteinave, vitaminave dhe omega 3, dhe me efekte anti-inflamatore. Ai gjithashtu përmban vitaminë D e cila luan një rol thelbësor në funksionet imunitare.
Kosi është një burim i mirë i proteinave, vitaminave dhe mineraleve. Ndihmon në lehtësimin e dhimbjes së fytit.
Supat e nxehta dhe salcat me djegës, mustardë, kanellë, qimnon, shafran janë shumë të dobishme për të ndihmuar në pastrimin e traktit të sipërm respirator. Kështu që varet nga ju që të spërkatni pjatat tuaja të gjellës me to. Por mbajeni pak dorën, në mënyrë që të mos irritoni stomakun dhe zorrët.
Sidoqoftë, pini ujë dhe çajra bimorë sa më shumë dhe sa të doni.
Ndërkohë mund të bëni një nxitje për stabilizimt ë organizmit me probiotikë.
Këto mikroorganizma të gjalla janë dhe në formë tabletash, “kur gëlltiten në sasi të mjaftueshme, ushtrojnë efekte pozitive në shëndet, përtej efekteve ushqyese tradicionale”, thuhet sipas përcaktimit të OBSH. Ato luajnë një rol të madh në mikroflorën tonë. Një studim klinik ka treguar se një suplement probiotik mund të zvogëlojë kohëzgjatjen e gripit me dy ditë. Në një studim tjetër, marrja e probiotikëve çdo ditë uli ndjeshëm ethet, rrjedhjen e hundëve, incidencën dhe kohëzgjatjen e kollës. Eshtë e vërtetë se këto studime ishin për ftohjet dhe gripin, por mund të jetë gjithashtu e dobishme marrja e probiotikëve dhe për një virus si Covid-19.
Gjithkush në këtë situatë shëndetësore do të kishte një rezervë ti marrë apo jo probiotikët nëpërmjet tabletave. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim, me kusht që ti merrni ato vetëm kur të jeni të sigurtë për origjinën dhe përmbajtjen. Për ndryshe të njëjtat mikroorganizma që kanë tabletat me probiotikë i gjeni dhe tek kosi (të jetë sa më natyral dhe i freskët, pa ngjyrosës dhe pa sheqer), tek turshitë (lakra turshi e bërë vetë dhe e pa-pasterizuar), tek djathi i njomë (i prodhuar në mënyrë tradicionale), tek buka me farë (brumi i ardhur me farë buke, jo buka që bëhet me maja) dhe tek turshitë e ndryshme (kur bëhen në shtëpi, pa përdorur uthull e cila i eliminon mikro-organizmat).

Disa shtesa për t’u patur në konsideratë.

Xhenxhefili vepron si një anti-inflamator i vërtetë. Shtojeni atë në çaj.
Farat e Anisë ndihmojnë në zbutjen e mukozës tek hunda dhe qetësojnë kollën.
Bollguri prej tërshëre është një burim i mire shëndeti sepse siguron kalori, vitamina dhe minerale që janë të dobishme kur jeni i sëmurë. Ato gjithashtu mund të rrisin sistemin tuaj imunitar, të përmirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak dhe të ulin inflamacionin në sistemin e tretjes.
Çokollata e zezë me një përmbajtje të lartë kakaoje (minimum 70%) do të sigurojë polifenole, që janë antioksidant të fuqishëm dhe do të stimulojë trupin tuaj.
Molusqet, me përmbajtjen e tyre të lartë të zinkut dhe jodit, kanë fuqinë të zvogëlojnë kohëzgjatjen e një ftohjeje.
Mjalti është një baktervrasës i shkëlqyer. Këtë prindërit tanë dhe të tyre e dinin mirë, dhe na e jepnin në rast ftohjeje apo kollitje.

cilat pije duhet të zgjedhim kur jemi të sëmurë?

Çaji është një pastrues dhe zhbllokues i shkëlqyeshëm natyral që ndihmon në pastrimin e sinuseve. Gjithashtu ka veprim antioksidant dhe anti-inflamator.
Supat përmbajnë vitamina, minerale, proteina, magnez, kalcium dhe fosfor. Ata gjithashtu punojnë si zhbllokues natyral kur janë të nxehtë.
Ujë i kripur (në gargara). Në rast të një fyti të përflakur, ndihmon në zvogëlimin e dhimbjes dhe ka një efekt baktervrasës.

Cilat ushqime duhet të shmangim kur jemi të sëmurë?

Ëmbëlsirat. Sheqeri është një inflamator tinzar dhe mund të ketë një efekt të dëmshëm në rruazat e bardha të gjakut, që janë thelbësore për të luftuar infeksionet. Për të mos përmendur që ëmbëlsirat edhe për ushqimet e tjera mund të shkaktojnë probleme të transportit në organizmin tonë. Mos harroni ëmbëlsuesit artificial, shkaktojnë dhimbje koke. Makaronat ose buka gjithashtu duhet të shmangen, karbohidratet e tyre shpërbëhen shpejt në sheqer, dhe japin të njëjtat efekte inflamatore.

Po alkooli dhe kafeja?

Lamtumirë i duhet thënë çdo lloj pije që ka qoftë dhe vetëm një përzierje të vogël alkoli. Ose hiqeni alkoolin nga pijet e përziera. Alkooli është një element inflamator dhe gjithashtu ka tendencën e keqe të dehidratimit të trupit. Sepse hidratimi është thelbësor në rastin e të sëmurëve dhe akoma më shumë për të sëmurët me Covid-19, mukozat e zgavrave të hundës janë më efektive në eliminimin e viruseve kur ato janë të lagura.
Bëni kujdes me kafenë, ajo gjithashtu përshpejton dehidratimin.

*) Autori është “Doktor” në “Shkencat e Mbrojtjes së Bimëve”.