Kalabardha – kështjellë e Arbërisë


Nga Arif Shutina, Kadri Dauti*

Hyrje

Së shpejti del nga shtypi për publikun libri “Kalabardha – kështjellë e Arbërisë”. Ai është fryt i një pune disavjeçare të udhëtimeve dhe hulumtimeve për njohjen, grumbullimin dhe evidentimin e shumë të dhënave historike, etnike dhe kulturore për çdo fshat të krahinës së Kalabardhës.
Libri është i shkruar në formën e shënimeve historike dhe mbresave të udhëtimeve nëpër çdo fshat e cep të Kalabardhës. Për secilin fshat ai përmban informacion mbi: popullsinë, shtëpitë, arsimimin, besimin, por edhe mbresa, episode historike, burra/burrnesha me zë dhe fotografi të shumta.
Nëpër faqet e këtij hulumtimi pasqyrohen mjaft elemente të traditave malësore dibrane e patriotike shqiptare të popullsisë së Kalabardhës, si mikpritja, bujaria, dashuria për atdheun, për familjen e shoqërinë, por edhe burrëria dhe trimëria përballë armikut.
Për të plotësuar arealin etno-kulturor të fshatrave dhe Krahinës janë dhënë disa personalitete, të cilat për karakterin e tyre fisnik, qëndrimet dhe veprat e tyre, kontributin e tyre për fshatin, zonën dhe vendin, gëzojnë respekt dhe reputacion të madh te popullsia e fshatit dhe Krahinës. Veçse më të mirënjohurit, më burrërorët, më fisnikët, më patriotët, ata që i bëjnë vërtet nder fshatit dhe Krahinës, pa pretenduar se janë vënë të gjithë ata që e meritojnë, ndonëse mbledhja e informacionit për to nuk ka qenë një punë e lehtë.
Një vend esencial zë problemi etnik i popullsisë së Kalabardhës, i identitetit kombëtar. Kjo për arsyen se ekziston çuditërisht një perceptim çmendurisht i gabuar, se kalabardhasit janë sllavë. Ky perceptim është jo vetëm i pabazuar në të vërtetën gjenetike e historike, por edhe ofendues për këtë popullsi shqiptare patriotike. Për këtë popullsi, që ka mbrojtur me gjakun e saj trojet e veta shqiptare, që është vrarë, djegur e plaçkitur përherë nga pushtuesit sllavë, që është e lidhur si mishi me kockën me trojet e veta, që shpirtërisht e kulturalisht është si gjithë shqiptarët, që ka ndërtuar gjithë Shqipërinë. Dhe kjo vjen vetëm e vetëm nga përdorimi i zhargonit të gjuhës sllave, krahas gjuhës amë, në një pjesë të fshatrave të krahinës. Kur në të vërtet, gjuha e nënës e kalabardhasve është gjuha e bukur shqipe.
E folura sllave në disa fshatra të Kalabardhës nuk ka të bëjë fare me identitetin e kalabardhasve ilir, arbëror, shqiptar. Në Kalabardhë nuk ka pasur asnjëherë e nuk ka asnjë diasporë popullsie sllave, as serbe, as maqedonase e as bullgare. Zhargoni sllav është një mbivendosje gjuhësore, që e ka imponuar Perandoria Bullgare në kohën e pushtimit të kësaj zone në shekujt 9-11-të, me mjete të ndryshme. Fundja, gjuha është një nga pesë elementët e përcaktimit të identitetit, është shumë e rëndësishme por jo përcaktuese, të paktën në rastin e kalabardhasve, që e dinë mirë e bukur trashëgiminë historike e kulturore të tyre.
E themi thënë dhe e themi edhe një herë shqip e fortë: Kalabardha është banuar që në prehistori nga fiset ilire: alabanët, penestët, doberët, gropajt etj. Popullsia e kësaj treve ka qenë historikisht popullsi me etni të pastër iliro-arbërore, ka qenë shqiptare. Nëse ka ardhur edhe ndonjë familje nga etni tjetër, përgjatë historisë së trazuar të rajonit dhe për shkaqe të ndryshme, një fenomen i rrallë për Krahinën tonë, ajo ose është kthyer andej nga ka ardhur pasi kanë ndryshuar kushtet ose janë shkrirë mes popullsisë vendase. Kështu sot në Kalabardhë nuk ka më asnjë banorë të etnisë së huaj. Kjo të paktën në fshatrat brenda kufirit shtetëror të Krahinës. Ndërsa një pjesë e banorëve ortodoks në disa nga fshatrat jashtë kufirit shtetëror, ka një mungesë të vetëdijes rreth identitetit të vërtet shqiptar për arsye të ndikimit fetar dhe politikës nacionaliste të ish-Jugosllavisë. Në libër jepen të dhëna për origjinën e vërtetë të çdo fisi, të cilat janë nxjerrë nga burime dokumentare, arkivore dhe dëshmi gojore të të moshuarve të vetë fiseve apo kryepleqve të fshatrave dhe që dëshmohet përkatësia autoktone e pjesës dërmuese të popullsisë së kësaj Krahine. Ashtu si dëshmohet edhe ardhja e familjeve të veçuara nga fshatrat shqiptare përreth apo nga brendësia e vendit e më pas janë bërë fiseve të tëra. Por nuk dëshmohet ardhja e asnjë familjeje të vetme apo të ndonjë fisi sllav.
Pjesa e fundit e librit përmban disa shtojca rreth të dhënave të popullsisë në kohë të ndryshme, por edhe ankesa e një grupi intelektualësh të Gollobordës, anëtarë të Shoqatës Atdhetare “Haziz Lila”, të Gollobordës, e datës 21 tetor 2017, për ligjin e minoriteteve, miratuar në Parlamentin shqiptar, si dhe Memorandumi i intelektualëve të Gollobordës në mbrojtje të identitetit shqiptar të Krahinës, i datës 8 prill 2018, drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Këto dy dokumente historik janë dëshmi e së vërtetës historike të përkatësisë shqiptare të popullsisë së Kalabardhës dhe e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar përballë politikanëve të sotëm amoral dhe të papërgjegjshëm shqiptarë, që luajnë me identitetin kombëtar dhe përçmojnë dinjitetin të kësaj popullsie për interesat politike të çastit, duke plotësuar tekat nacionaliste të bullgarëve apo grekëve ndaj trojeve shqiptare, vetëm se këto shtete janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Përse Kalabardha?

Toponimin antik të saj, të vendosur nga vetë popullsia vendase, fiset ilire, e kanë ndryshuar të huajt në rrjedhën historike. Emri i lashtë shqip i kësaj treve iliro-arbërore është Kalabardhë. Burrat e saj kanë ushtruar historikisht profesionin e ndërtimtarisë dhe në atë kohë ishin të mirënjohur si mjeshtër të ndërtimit të kalave, në trojet shqiptare e në gjithë trevën e Ballkanit. Ndaj, krahina e tyre u quajt Kalabarda (Kalabardha). Kur erdhën sllavët në këtë krahinë, në shekullin e 8-të, nuk mund të artikulonin emrin e saj Kalabarda, por me “ll” – Kallabarda dhe më vonë u transformua në Gollobordë. Kujtojmë vetëm faktin që banorët e shumtë kalabardhas, që ikën në Itali në shekullin e 15-të, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së vendit nën pushtimin osman, duhet të kenë ndikuan dhe mbajtur emërtimin e toponimit nga erdhën – Kalabardha.
Emri Gollobordë, në sllavisht, nuk është i lidhur me tokën e krahinës si të zhveshur nga bimësia. Pretendimi i toponimit bazuar në pamjen e terrenit nuk qëndron, pasi territori i Kalabardhës është shumë i veshur në bimësi, më tepër se shumë krahina të tjera, se ka parkun natyral kombëtar Shebenik-Jablanicë, masivet pyjore etj. Pra, emërtimi Gollobordë është vendosur nga sllavët për qëllimet e tyre zaptuese të kësaj kalaje iliro-arbërore, si shumë emërtime të vendeve e zonave të tjera në tokat shqiptare që ata pushtuan deri në bregdetin jugor të Shqipërisë si Novoselë – për fshat i ri, Çorovodë – për Ujë të Zi, Smokthinë – për vend të mjegullës, Zagori – për vend të lartë etj. Ky emërtim nuk e nderon këtë trevë dhe këtë popullsi kreshnike shqiptare, se nuk e përfaqëson identitetin e vërtet. Prandaj duhet ndërruar sa më parë dhe t’i vihet identiteti i vërtetë: Kalabardhë, sepse ka të bëj me ruajtjen e identitetit dhe jo me ruajtjen e historisë. Historia të qëndrojë e shkruar nëpër letra, nëpër shkrime dhe jo në toponime, që lënë shteg për synime nacionaliste, siç po përdoret ka shekuj.

Shtrirja e Kalabardhës

Kalabardha bën pjesë në krahinën e Dibrës dhe shtrihet në jug të saj. Ajo është njësi unike territoriale shqiptare në pikëpamje gjeografike, ekonomike dhe etnografike, pavarësisht ndarjes të padrejtë politike nga Fuqitë e Mëdha në Londër në 1913. Hapësira e Kalabardhës shtrihet sot në pjesën lindore të Shqipërisë së mesme dhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë (së Veriut).
Kalabardha përbën një trevë të trungut iliro-arbëresh-shqiptar, që dëshmohet nga gjetjet arkeologjike në vendbanimet e saj dhe të dhënat historike. Ajo ndodhet në qendër të trojeve të lashta shqiptare.
Territori i krahinës së Kalabardhës, shtrihet në të dy anët e kufirit politik të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë (së Veriut), që në vitin 1913. Në hapësirën ndërmjet malit të Kaptinës në perëndim dhe lumit Drini i Zi në lindje, malit Guri i Zi në jug dhe kryqëzimi i lumit Drin i Zi me zallin e Bulqizës në veri. Brenda kufijve prej 108 km, Kalabardha ka një sipërfaqe të përgjithshme rreth 624 km2. Kalabardha përbëhet nga 49 fshatra dhe jeton një popullsi rreth 16 500 banorë. Në territorin e shtetit Shqiptar sot gjenden 37 fshatra, ndërsa jashtë kufirit shtetëror sot gjenden 12 fshatra.
Një shtirje krahine ndahet me thikë vetëm kur ajo trajtohet si hapësirë administrative, d.m.th. kur ka akte shtetërore që përcaktojnë juridiksionin e vendbanimeve që e përbëjnë. Por kurrë nuk mund të ndahet me thikë, nëse ajo trajtohet si hapësirë etno-kulturore, sepse elementët etno-kulturor në skajet e krahinave fqinje kanë shumë ndërthurje, sa e bëjnë të pamundur ndarjen me thikë të kufijve të krahinës.
Shtrirja e Kalabardhës është e lidhur vetëm në aspektin etno-kulturor, padyshim e ndikuar nga faktori gjeografik, por nuk ka aspak lidhje me ekspansione nacionale. Kalabardha është troje iliro-arbërore, shqiptare, dhe çdo fshat i saj është padyshim shqiptar. Ajo është zemra e trojeve iliro-arbërore. Këtu nuk ka kuptim që dikush përpiqet që të shkëpusë nga Kalabardha ndonjë fshat, vetëm nën molepsjen inferiore të pakuptimtë që ai ndjen për emërtimin e kësaj krahine. (Kësaj teme do t’i kthehemi sërish në një trajtesë të posacme, të hollësishme). Në Kalabardhën etno-kulturore historike futen edhe fshatrat: Zabzun, Borovë, Sebisht, Okshtun i Madh, Okshtun i Vogël, Prodan, Oreshnjë, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël, Lubalesh, Çerenec i Sipërm, Çerenec i Poshtëm, Gjoricë e Sipërme, Gjoricë e Poshtme, madje dikur bënin pjesë edhe fshatrat e Grykës së Madhe deri në Bulqizë. Por Kalabardha shtrihet deri në Jablanicë, Borovec dhe Llabunisht, pa thënë që dikush thotë se futen edhe fshatrat në të djathtë të rrjedhës së lumit Drini i Zi, përfshirë edhe Koxhaxhikun. Ne mendojmë se kjo është paksa e ekzagjeruar, po jo se nuk kanë elementë etno-kulturorë të përbashkët.

* * *
Tek ke kaluar në këmbë fshat më fshat e skutë më skutë gjithë territorin e Krahinës së Gollobordës, tek ke takuar e biseduar me njerëzit, tek ke pirë ujin e burimeve natyrore apo të çezmave të fshatrave, tek mushkëritë kanë përthithur për ditë të tëra aromën dhe ndjerë freskinë e kësaj hapësire të bukur, nuk ke si të të mos mbeten sytë nga pas te këto male e fusha, te këto pllaja e kroje, te këto fshatra, te këta njerëz të virtytshëm, të thjeshtë, të urtë, punëtorë e mikpritës të saj, tek ato burra dhe gra patriote të lidhur fortë me tokën, që ua kanë lënë trashëgim të parët e tyre. Nuk ka se si mos të ndjehesh i mahnitur me bukuritë e natyrës, nuk ke si të mos jesh i dashuruar me këta njerëz që mbartin vlerat më humane, aq sa nuk të bëjnë këmbët të ikësh më që këtej.
Tek ke parë me sy e prekur dhe përjetuar realitetin kulturor e historik, nuk ke se si të mos ndihesh keq, madje të të vijë pështirë për shkrime të ngjyrosura me lapustila të disa autorëve sllavë për këtë zonë. Është tërësisht e panevojshme që të merresh me shpikjet e pseudo historianëve sllavë të tillë si Aleksandër A. Novik, për lidhje të sllavëve myslimanë “me arealin fqinj maqedonas”. Apo me ata autorë vetëm sllavë, që kanë kaluar mbi kalë në anë të Krahinës si Jastrebov, por edhe ata të viteve të fundit që kanë kaluar më shumë për turizëm apo për të shkruar një libër me lekët e shtetit të tyre si bullgarja Veselenka Toncheva apo punonjës të akademive ruse si Klaus Steinke, se sa për të njohur të vërtetën historike. Thëniet e tyre për sllavë në Kalababardhë janë vetë shpifje, se kështu ua ka dashur oreksi të shkruajnë.
Nuk jeton e banon asnjë familje sllave në fshatrat e Gollobordës, as serb, as maqedonas dhe as bullgar. Kalabardhasit “janë etnikë shqiptarë të pastër në doke, zakone, tradita”, në gjak e në shpirt.
Udhëtimet në fshatrat e Kalabardhës i ndërmorëm me dëshirën dhe shpenzimet tona personale, pa ndikimin e dikujt dhe interesat e askujt tjetër, pasi sot në Shqipëri nuk është kohë ideologjie nacionaliste, por koha e ndjenjave të pastra e të vërtetave atdhetare, kombëtare.
Le të shërbej ky botim si një pasaportë identiteti e Krahinës sonë patriotike në trojet e stërlashta shqiptare, si një gur themeli i kujtesës historike për brezat që do vijnë.
Tek e fundit, ne shkruam për Kalabardhën dhe kalabardhasit, siç ka thënë dikush, dhe shpëtuam shpirtin tonë.
* autorë të librit