“Agrinet Albania“, mbi 10 vjet ndihmë për fermerët e Maqellarës


Ishte vërtet fat e mirësi për fermerët e Maqellarës, që të binin në kontakt me stafin e mrekullueshëm të fondacionit “Agrinet Albania”, me qendër në qytetin e Korçës. Historia nisi këtu e dhjetë vite të shkuara, në takimet që organizonte agrobiznesi shqiptar. Fillimisht ishin lidhje të brishta, takime me dy tre fermerë, që më vonë u shpeshtuan, për të lidhur një miqësi që nuk do të shuhej më.
Fermerët e Maqellarës kishin nevoja të shumta, dëshira të mëdha, por dije dhe mundësi të pakta. Shumica e tyre nuk kishin bërë shkolla profesionale për frutikulturë, perime, apo blegtori. Ja që drejt tyre, vetë Zoti kishte shtrirë dorën e ndihmës dhe të mirësisë, dorën e këtij fondacioni, aq të dashur për njerëzit. Lidhjet spontane të fillimit u lanë pas, për të operuar në linjë shoqate. Si hartimi i statusit, ashtu dhe regjistrimi në gjykatë, bashkë me të gjitha shpenzimet përkatëse u bënë nga Agrineti.
Fillimisht u përfshinë fermerët e Katundit të Vogël, Kërçishtit, Maqellarës e Burimit. Ramadan Seiti, Lulzimi, Hamiti, Xhemili, qenë pionierët e parë të Katundit të Vogël, Ramazani, Premtimi e Allaman Vërlaku nga Kërçishti, Gëzim Ademi e Sakip Dançja nga Burimi e sa e sa të tjerë. Më pas, shoqata u shtri në të gjitha fshatrat e kësaj zone, duke u bërë një familje e madhe. U bashkuan më pas dhe fermerët e Gjoricës, si Adriatik Kaja, Adem Kaja, Kujtim Koleci, Rakip Kaja e plot të tjerë. Akoma më tej, u përfshinë në shoqatë dhe vreshtarët e Kurdarisë në Klos, me të shquarin e tyre Mazllum Çeliku. Ashtu të bashkuar e të organizuar, ata e ndjenin veten më të aftë e më të sigurtë për tu bërë ballë sfidave e vështirësive, që do të sillte koha.

Jo vetëm burrat
As që mund të imagjinohej që gjithë këto sfida të vështira që kishin përpara fermerët e Maqellarës, e më gjerë akoma, t’i fitonin të vetëm, pa ndihmën e zonjave të tyre të nderuara e të respektuara.
Shpresa Toçi është kryetare e tyre në gjithë këto vite. Ajo tregon se “roli i gruas ka qenë vërtetë shumë i rëndësishëm në të gjitha proceset e punës në bujqësi. Gruaja fermere ka qenë gjithnjë krahu i djathtë i burrit. Vetëm spërkatja e pemëve mund të ketë qenë prioritet i burrave dhe në hallkat e tjera çdo gjë ka qenë në barazpeshë. Mos harrojmë se pastërtia dhe gatimi janë kryer nga gratë pa shumë zhurmë e bujë”.
Nuk kanë qenë të pakta rastet kur grupi i grave kanë organizuar aktivitete të tyre, si në drejtim të gatimeve tradicionale, ashtu dhe të punimeve, të bëra mjeshtërisht nga duart e tyre. Pula me jufka, bakllavaja, kabunija, hasudja, sheqerparja,flija me renda e plot gatime të tjera tradicionale kanë mahnitur njerëzit që i kanë provuar dhe kanë dashur t’i kenë gjithnjë të pranishme në tryezat e tyre.
“Agrineti” është kujdesur shumë për gratë fermere, duke punuar me to tema të posaçme, për ti aktivizuar më shumë, për të shtuar njohuritë e tyre, duke i lumturuar e shtuar buzëqeshjen. Dita e tetë marsit, Viti i ri dhe plot festa të tjera i kanë gjetur gratë fermere duke festuar me tavolinat plot, duke uruar për ditë më të mira, pa harruar të falënderojnë “Agrinetin”, që aq shumë kujdeset për to. Në sa e sa panaire të organizuara në Maqellarë, Peshkopi, Tiranë apo diku tjetër, krahas burrave, ishte dhe prezenca e grave, gatimet e tyre të mrekullueshme, fjala e tyre, që i jepte akoma më shumë shkëlqim e ngjyra veprimtarive të organizuara.

Veprimtaritë e realizuara
Shumë veprimtari janë realizuar në harkun kohor të këtyre dhjetë viteve! Ato janë sa të shumta, aq dhe të ndryshme. Të ndryshme nga forma e përmbajtja e të shtrira në kohë dhe hapësirë. Ato hapën një dritare të re te fermerët, për të kuptuar se ku ishin dhe ku duhet të arrijnë.
Ndoshta, nuk ka rreth të Shqipërisë, që të mos jetë vizituar nga shoqata e Maqellarës, falë “Agrinet Albanias”. Qyteti i Korçës ka qenë gjithnjë mikpritja e radhës. Vithkuqi, Voskopoja, Zvirina, Dvorani dhe shumë vise të përmendura të kësaj treve janë bërë mjaft të njohura për ato njerëz, që duhet ta konsiderojnë veten me fat. Sa do të kisha dashur dhe unë që shkruaj këto rreshta, të kisha pasur përvojën e tyre të mrekullueshme! Ndoshta dhe një roman do të ishte shkruar me aq shumë mbresa e kujtime e përsëri pak do të ishte.
Të tjera takime në Shkodër, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Berat e kudo tjetër. Disa takime u mundësuan dhe jashtë shtetit, në disa qytete të Kosovës, në Maqedoni apo në Greqi. Gjithandej, gjëra interesante, përvoja të reja, njohje të reja dhe shumë miq të rinj, me të cilët shkëmbyen adresat dhe numrat e telefonit. Në Greqi, anëtarët e shoqatës vizituan një kooperativë bujqësore, që kultivonte kryesisht qershi dhe pjeshkë. Ata zotëronin magazina të mëdha, dhoma frigoriferike, punonin me kontrata brenda dhe jashtë vendit dhe asgjë nuk i lihej fatit e rastësisë. Në të gjitha këto veprimtari, brenda dhe jashtë shtetit, ishte dora e ngrohtë e “Agrinetit”, ajo që i ndihmonte, ajo që u mundësonte gjëra të tilla të vyera, që do ngjizeshin fort në memoriet e këtyre fermerëve të thjeshtë e nuk do t’i harronin gjatë gjithë jetës.
Në takimet e organizuara me lektorë të ndryshëm, që shpesh ishin profesorë të shquar universitetesh bujqësore, fermerët mësuan si të krasisin me metodat e reja, si të bënin rrallimin e frutit dhe kohën kur duhej ta bënin. Mësuan si të luftonin kromën, që nga nxjerrja e veshëve të miut e deri me 15 qershor, duke realizuar gati 10 spërkatje, cilët ishin varietetet rezistentë ndaj sëmundjeve dhe ato që pëlqente tregu më tepër. Mësuan si ta vilnin në kohë frutin e si ta magazinonin atë. Të gjitha këto leksione teorike e praktike, të shtrira në gati dhjetë vjet kohë, kanë bërë që sot fermerët të ndihen të aftë t’i kryejnë këto procese pune me sigurinë e saktësinë e një profesionisti.
Ata falënderojnë dhe do të jenë përjetë mirënjohës ndaj fondacionit “Agrinet Albania”, me drejtorin e mrekullueshëm, Tomi Pikuli, ndihmësin e tij të palodhur Nikolinin dhe gjithë profesorët e mrekullueshëm, që dhanë maksimumin nga dija dhe shpirti i tyre, pa kursyer asgjë.

Të tjera ndihma e dhurata
E thamë që në fillim që vetë ngritja e shoqatës së fermerëve të Maqellarës, ishte projekt dhe realizim i fondacionit “Agrinet Albania”. Koordinatori i kësaj shoqate, Ramadan Seiti, shprehet shumë mirënjohës e nuk gjen fjalë falënderimi për drejtuesit e këtij fondacioni, që aq shumë bënë për ta.
“- Po të mos ishin ata, ndoshta ne do ta kishim braktisur fare pemtarinë e do t’i kishin shkulur pemët, kur kroma e mollës, krimbi e plot dëmtues të tjerë vërsuleshin mbi gjethet e frutat e ne nuk dinim si ti mbronim”, thotë Seiti.
Shpeshherë, kur lypej një nevojë materiale, drejtuesit e fondacionit nxitonin për ta zgjidhur, si një prind i mirë e i dhimbshëm. Një pemëtore model e ngritur te Qatipi, një rrugë e hapur për te blloku i pemëve të Hakiut, apo një makinë mjelëse e dhuruar, janë vetëm disa nga dhjetëra punë të bukura, që u bënë bujarisht nga “Agrinet Albania”.
Nuk ngelën as shkollat jashtë vëmendjes së këtyre miqve bujarë dhe kishte shumë arsye për ta bërë këtë. Shkollat ishin fidanishtet ku po gatuheshin fermerët e rinj, ata që do të merrnin në dorë të ardhmen. Aty fillonte kujdesi, respekti, edukata dhe dashuria për punën.
Nuk mbeti qoftë dhe një nga shkollat e zonës që nuk përfitoi në një mënyrë apo tjetër. Puse uji, çezma, bashkë me pajisjet, bredha, rrethime, mjete sportive, apo aktivitete të sponsorizuara, ishin vetëm disa nga kontributet që ky fondacion u dhuroi shkollave.
Kujtoj vetëm një moment të bukur nga bashkëpunimi me këta njerëz fisnikë. Fondacioni “Agrinet Albania” kishte nisur bashkëpunimin me të gjitha shkollat e zonës, përveç asaj të Majtarës. Duke qenë ish-nxënës i kësaj shkolle, i drejtohem Tomi Pikulit, drejtorit të këtij fondacioni, për ta përfshirë dhe këtë shkollë, si shoqet e saj. Ai njeri fisnik e human, që i vinte turp të thoshte jo për një kërkesë të bërë , u mendua pak dhe tha të bëhej një kërkesë. Ajo mund të shqyrtohej një vit më vonë, por gjërat u përshpejtuan dhe shumë shpejt shkolla përfitoi 30 bredha për zbukurim, si dhe një rrethim të bukur të oborrit, në një masë që i kalonte njëmijë euro.
Koha largohet në një ikje pa kthim. Kujtimet dhe veprat e mira mbeten pas. Fermerët, fëmijët, nxënësit, drurët e kafshët, falënderojnë këta njerëz që aq shumë bënë për ta, thjeshtë e pa bujë, duke mos kërkuar asgjë në këmbim.