Maqellara, dikur “hambari” i Dibrës, sot qindra hektarë tokë lihen djerrë


Njësia Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës është ndër njësitë më të mëdha në vendin tonë, që numëron rreth 14 mijë banorë. Për shkak të pozicionit gjeografik në të cilin ndodhet kjo njësi administrative me fshatrat e saj, ka qenë dikur prodhuesja më e madhe e produkteve bujqësore. Fusha e Maqellarës, e rrethuar me burime ujore nga të katër anët, përfshirë lumin Drin i Zi, njihej për prodhim të jashtëzakonshëm para viteve 90-të. Në qindra hektarë tokë bujqësore punohej e mbilleshin kultura të ndryshme e që shpërndaheshin më pas në Bulqizë, Mat e Tiranë. Përmbysja e sistemit monist në vitet 90-të solli ndryshim drastik edhe në fshatrat e Maqellarës. Pothuajse të gjitha veprat vaditëse u shkatërruan, që nga kanali vaditës i Bllacës, pompat elektrike që nxirrnin ujin e lumit Drin i Zi në tokat bujqësore, e deri tek ujëmbledhësit e ndërtuar nga vetë dora e njeriut në fshatrat Maqellarë, Vojnik, Grezhdan dhe Fushë e Vogël. Sot vetëm këta dy të fundit shfrytëzohen disi nga banorët, pasi janë mirëmbajtur nga vetë ata. Rezervuarët e Grezhdanit dhe fshatit Fushë e Vogël kanë në dispozicion të fermerëve 50% të kapacitetit të tyre.
Hysen Dema, banor i fshatit Fushë e Vogël thotë se fshati dikur ishte i rrethuar nga vepra vaditëse, ndërsa sot ka në dispozicion vetëm 50% të kapacitetit të rezervuarit që ndodhet mbi fshat. “Para viteve 90-të të gjitha tokat bujqësore të fshatit tonë ishin të rrethuara nga uji. Një pjesë të vaditjes e siguronim nga Bllaca, pjesën tjetër nga Drini i Zi dhe nga rezervuari që kemi mbi fshat. Tani këto vepra nuk janë më, veç rezervuarit, por ai nuk mjafton. Ne këto pak të mbjella që kultivojmë i mbajmë pasi kemi hapur privatisht rezervuare të vogla sipër arave, kjo jo vetëm që ka pasur kosto të madhe për ne, por është krejtësisht e pamjaftueshme”, tha për Portën Vendore, Hysen Dema.
Në situatë akoma më të vështirë është fshati Vojnik. Ky fshat ka në territorin e tij më shumë se 300 hektarë tokë bujqësore të punueshme. Por sipërfaqja që mbillet është pothuajse e papërfillshme. 80-vjeçari Sabri Beça thotë se në fshatin e tij nuk lihej pëllëmbë toke pa u punuar e mbjellë. Dikur, fshati ishte totalisht nën ujë, e prodhimet që dilnin nga ky fshat ishin jo vetëm sasiore, por edhe cilësore.

Shkrimin e plotë e gjeni në versionin print të gazetës ose ndiqni linkun e botimit origjinal në web:
https://portavendore.al/2021/01/25/maqellara-dikur-hambari-i-dibres-sot-qindra-hektare-toke-lihen-djerr/