Për truallin e të parëve, vendin që na burrëroi


Dua të flas për Gurrën e Kovashicës, që bashkë me kujtimet, aty është ndërtuar edhe një biznes i mrekullueshëm, si Trofta e Kovashicës, me një kontribut të madh dhe të fuqishëm të djalit të këtij vendi, Sokol Shtrezi.
Pas magjisë me gurrën e Kovashicës, Sokoli ka ngritur një biznes tashmë në kryeqytetin e vendit, “Fish line”, një restorant peshku, që brenda ka edhe pak Kovashicë, pak Dibër në zemër të Tiranës, për vendas dhe të huaj.

***

Të gjithë njerëzit në këtë glob që jetojmë e kanë një origjinë. Secila origjinë, në çdo cep të botës e ka një veçanti. Një zonë është më e butë, njëra vjen më e ashpër, tjetra më piktoreske, dikush më e bukur, dikush më e nxehtë, dikush më e ftohtë dhe ky kolorit ngjyrash krijon një oaz të tërë me dimension human mbarë-botëror.
Sot kam zgjedhur të flas për një fshat malor të Dibrës, një nga të shumtët që ka Shqipëria. Një fshat me halle shumë dhe strukur nën male, pikërisht në ata vende me maja të larta, që nuk janë gjunjëzuar ndër vite, dekada e shekuj. Janë ata male, ata fshatra rreth e rrotull që na mbushin me lavdi e krenari, që na mësojnë se të parët tanë u përballën me osmanë e serb, me shkja e të huaj, që donte të na shkelte të drejtat tona, vendin tonë, lirinë tonë, freskinë tonë, ujin tonë.
Nuk dëshiroj të zgjatem shumë në përshkrim, që shumë mirë ia kishte bërë një reportazh në televizionin Top Channel, por po e them se cilin fshat bëhet fjalë e quhet Kovashicë. Së bashku me fshatra të tjerë, ndodhet në një lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit, ku dimri vjen i akullt e vera pëlcet si një poç që shpërthen nga drita e shumtë. Ndoshta rrallë gjen ndonjë fshat, ku freskia e gjelbërimi, bashkohet me ulërimën e ujqërve në dimër, e ka kulla në mes të tij. Janë kulla të vjetra, me histori qindravjeçare, në këtë fshat dhe në vendbanimet e tjera të asaj ane. E, bashkë me vjetërsinë, ku ndoshta fshihet dhe e vërteta më e madhe, fshati ka vështirësi, vuan nga njerëzit, nga malli, nga dheu që e kanë shkelur më herët shumë persona e tashmë pak, shumë pak.
Mëhallat më të njohura në vendbanim, Xhafët, Tocët, Tomët dhe Shtrezët kanë pësuar tkurrje. Dikur një fis kishte shumë individë, tashmë janë shpërndarë si zogjtë e shqipes, ca kanë mbetur në Dibër, ca kanë shkuar në Tiranë, disa në Durrës, e disa edhe në Itali, Gjermani, Amerikë. Të gjithë jemi të ikur nga dheu i përbashkët, trojet tona, por pronësia na bashkon e bashkë me të edhe parimet që lindin nga ky dhe.
Por, në Kovashicë, katundi i parë që të del përpara nga të gjithë të tjerët në atë varg fshatrash, ndodhet gurra, një lumë i pastër kristal, që mund të them pa frikë se është një bukuri e jashtëzakonshme, një fantazi e shndërruar në realitet, një mistikë e jetuar, një burim i pashterur jete. E dua të flas për gurrën, që bashkë me kujtimet, aty ku ndodhet pika e origjinës së krejt banorëve të këtij fshati, është ndërtuar edhe një biznes i mrekullueshëm, si Trofta e Kovashicës, me një kontribut të madh dhe të fuqishëm të djalit të këtij vendi, Sokol Shtrezi. Sokoli tashmë ka bërë një biznes të suksesshëm, ndërsa ka krijuar edhe hapësira të reja biznesi, pas atij të parit që e ngriti me paratë që fitoi nga emigracioni i gjatë në Greqi, ndërsa mori shembujt më të mirë të kësaj tradite në Danimarkë e në shtetet më të përparuara europiane.
Pas magjisë me gurrën e Kovashicës, Sokoli ka ngritur një biznes tashmë në kryeqytetin e vendit, në Tiranë, aty ku është përqendruar aktiviteti politik, ekonomik dhe social i shqiptarëve. Dhe ka gjetur një vend shumë të njohur, pranë Zogut të Zi, në një zonë të populluar. Tashmë aty ka hapur një restorant peshku, të quajtur “Fish line”. Në këtë vend, gjen prodhime deti, me peshq dhe të tjera gatime, që të bëjnë të lëpish gishtat. Aty është një mjedis komod, i përshtatshëm për kleintët, i vizituar nga gazetarë, shkrimtarë, avokatë, politikanë, akademikë, profesorë, prokurorë dhe diplomatë. Një restorant peshku, që brenda ka edhe pak Kovashicë, pak Dibër, në zemër të Tiranës, për vendas dhe të huaj, për të bërë krenare një zonë, një traditë, disa vlera të mrekullueshme. Drekova me Sokolin dhe duket njeri paqësor, me një dashuri të madhe në gji për vendlindjen, për Kovashicën, për Dibrën.
Ai, një kontribut të çmuar për këtë biznes që ka ngritur, i jep edhe bashkëpunëtorit të ngushtë Kreshnik Patria, me të cilin tha se e ka ngritur bashkë gjithçka, dhe me të ka krijuar një miqësi e partneritet në biznes që mbetet e pathyer, e që përçon vlera e traditat më të mira të Dibrës.
Shumë dibranë në Tiranë zgjedhin restorantin “Fish line”, edhe sepse e ka ndërtuar një djalë i tyre, por më së shumti sepse mund të shkëmbejnë muhabete me njëri-tjetrin, shpesh herë në të folurën tradicionale dibrane.
Ky biznes i suksesshëm ka burimin në Gurrën e Kovashicës, ndërsa shumë persona të tjerë nga ky vend kanë suksese në jetën e tyre. Ajo është një zonë që është nënë e të gjithëve, e ne jemi bijtë e bijat e saj. Nëna jonë gjithmonë na sheh e ne ecim përherë në jetë, me mësimet e saj.
Gjithçka mundet të ndryshosh e ndoshta ta harrosh në këtë jetë, por me siguri JO vendin e të parëve, truallin nga ke origjinën, copën e tokës ku dëshiron ose jo, do të përplasësh një ditë kokën, në fshatin tonë, në Dibrën tonë, krenarinë tonë, fisniken e trojeve arbërore.
D.Xhafa