Të ndalet gjuetia me dinamit në Drinin e Zi


“Dinamit Ndal! Unë jam Drini i Zi” është projekti më i ri i organizatës “North Green Association”, mbështetur nga “Lëviz Albania” një projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Gjuetia me dinamit e peshkut në Drinin e Zi ka qenë një problem gjatë viteve të fundit. Sidomos gjatë verës, kur Drini shfrytëzohet edhe për veprimtari të tjera, plazh dhe rafting, gjuetia me dinamit është një problem jo vetëm për mbrojtjen e iktiofaunës dhe faunës në luginën e lumit Drin i Zi, por edhe një rrezik për jetën e qytetarëve.
Megjithëse ky problem është i dënuar ligjërisht, pak ose aspak “dhuna” e ligjit vepron ndaj shkelësve.
Ligji për peshkimin e ndalon zënien e peshkut me eksplozivë, madje parashikon dënim me gjobë nga 1 deri në 5 milionë lekë. Ndërkohë që ky lloj peshkimi dënohet si armëmbajtje pa leje nga kodi penal, që parashikon dënim deri në 7 vite burg. Megjithatë, deri më tani askush nuk është dënuar.
Edi Truka, drejtues i “North Green Association”, një organizatë që merret me mbrojten e natyrës dhe promovimin e bukurive natyrore dhe sporteve në natyrë, thotë se “gjatë verës ne kemi patur aktivitete me rafting në lumin Drin i Zi, një mundësi e mirë për të mbështetur të rinjtë e Dibrës t’i përkushtohen dhe të shfrytëzojnë zhvillimin e qëndrueshëm që të ofron bukuria e zonës. Por fatkeqësisht, përtej bukurisë përrallore, akte të pashembullta na kanë habitur pa masë. Plasje të dinamitit, në mes të ditës, për të peshkuar na indinjojë përtej çdo arsyetimi”.
Vullnetarët e organizatës “North Green Association” kanë kërkuar mbështetje për ndalimin e fenomenit të gjuetisë me dinamit. Nisma e tyre “Dynamit Ndal! Unë jam Drini i Zi” u mbështet nga “Lëviz Albania” një projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Kjo nismë kërkon të kontribuojë në përmirësimin e situatës, mbrojtjen iktiofaunës (specieve të ndryshme të peshkut) dhe faunës në luginën e lumit Drin i Zi. Gjithashtu të ndërgjegjësojë komunitetin dhe autoritetet vendore në Bashkinë Dibër për shfrytëzimin e peshkimit argëtues dhe turistik.

Autoriteve vendore në bashkëpunim me organizata të menaxhimit të peshkimit, organizata mjedisore lokale, komunitet dhe agjenci të ndryshme të ndërmarrin sa më parë hapa konkrete në zgjidhjen, parandalimin dhe përmirësimin e situatës. Ekosistemi dhe mbrojtja e tij duhet të kthehet në prioritet për të gjithë.

“Gjuetia e paligjshme të peshkut në Drinin e Zi është një problematikë e trashëguar në vitet e tranzicionit, që akoma këto ditë që po flasim vazhdon”, thotë Edi Truka.
“Përdorimi i dinamitit për të peshkuar dhe mungesa në terren e organeve ligjzbatuese, duket si diçka normale dhe askujt nuk i bën përshtypje”, konstaton Truka. “Fakte të mbledhura në terren, në fillim në mënyrë spontane dhe më pas nga puna e vullnetarëve tanë, dëshmojnë se banorët e zonave përreth lumit Drinit të Zi në territorin e Bashkisë Dibër nuk janë të përkushtuar për ta mbrojtur atë”.
Edi Truka thotë për gazetën “Rruga e Arbërit” se “shfrytëzimi i gjuetisë së peshkimit me metoda të qëllimshme është shkatërruese për ekosistemin e luginës. Duhet të parandalohet dhe ti jepet fund kësaj masakre që vazhdon”.
Ai fton autoritetet lokale, shoqërinë civile, organizatat e tjera që kanë në fokus mjedisin dhe natyrën, që ti bashkohen nismës për ndalimin e gjuetisë së paligjshme.

Me anë të hashtagut #dinamitndal dhe #unejamDriniiZi po ftohen qytetarët që të denoncojnë rastet, dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje edhe organeve të policisë vendore që të zbatojnë ligjin ndaj gjuetisë së paligjshme.

“Autoriteve Vendore në bashkëpunim me organizata të menaxhimit të peshkimit, organizata mjedisore lokale, komunitet dhe agjenci të ndryshme të ndërmarrin sa më parë hapa konkrete në zgjidhjen, parandalimin dhe përmirësimin e situatës. Ekosistemi dhe mbrojtja e tij duhet të kthehet në prioritet për të gjithë. Me punën që do të bëhet me aktorët kryesorë, për të njohur nga afër luginën e Drinit të Zi, speciet që e popullojnë atë dhe efektet negative të gjuetisë së paligjshme (dinamit) të peshkut, do të jetë intensive, për ti motivuar që ato të kujdesen dhe të mbrojnë iktiofaunën dhe faunën e Drinit të Zi, një ekosistem mjaft i larmishëm dhe delikat”, thotë Truka.
Truka gjen rastin të falënderojë kontributorët e deritanishëm, median lokale dhe disa organizata në vend, të cilët kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.
Rrjetet sociale tashmë mund të bëjnë një punë të mirë për mbrojtjen e peshqve dhe ndalimin e peshkimit me dinamit. Me anë të hashtagut #dinamitndal dhe #unejamDriniiZi po ftohen qyterarët që të denoncojnë rastet, dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje edhe organeve të policisë vendore që të zbatojnë ligjin ndaj gjuetisë së paligjshme. Në mënyrë që të ndalet dëmtimi i eiktiofaunës dhe faunës në luginën e lumit Drin i Zi, i cili ruan potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit.
B. Karoshi