Menduh Jegeni zgjidhet kryetar i shoqatës “Oda Dibrane” – Shkup


“Oda Dibrane” në Shkup vlerëson punën e ish-kryetarit, Ismail Krifcës, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë

Shoqata “Bashkësia Dibrane” i ka dërguar një mesazh urimi shoqatës “Oda Dibrane” në Shkup, me rastin e zgjedhjeve të reja në këtë shoqatë dhe i fton drejtuesit e ri të bashkëpunojnë në aktivitete historiko-shkencore, kulturore, artistike dhe jubilare.

Shoqata “Bashkësia Dibrane” i ka dërguar një mesazh urimi shoqatës “Oda Dibrane” në Shkup, me rastin e zgjedhjeve të reja në këtë shoqatë.
Në telegramin e urimit, “Bashkësia Dibrane” uron trupën e re të “Odës Dibrane-Shkup”, të përbërë nga Kuvendi, kryesia dhe kryetari i ri i saj, dr. Menduh Jegeni, dalë nga zgjedhjet e datës 16 janar të 2021. Mbledhja vjetore e kësaj shoqate u hap nga kryetari i deritanishëm, veterani dibran, z. Muhamet Prapaniku, pas ndarjes nga jeta para disa muajsh të kryetarit të saj, Ismail Krifça.
Struktura e re drejtuese e e kësaj shoqatë përbëhet nga Kuvendi, Kryesia dhe Kryetari.
Kryetar i Kuvendit të Shoqatës “Oda Dibrane – Shkup” u zgjodh dr. Menduh Jegeni, ndërsa në kryesinë e shoqatës u zgjodhën Mërgime Ajdini, Muhamed Sllatku, Mimoza J. Lleshi, Bekim Ajdaraga, Dritëro Ame, Blerand Saraçi, Luana Basha, Genc Mulladauti, Argjend Xhelili, Armir Haxhirexha, Rexhep Ballanca, Rilind Jegeni, Shiqiri Korumi.
Kryetar i Kryesisë së Shoqatës u zgjodh Bekim Hajdaraga, ndërsa Kastriot Kasapi u caktua si kontabilist i Shoqatës.
Gjatë kësaj mbledhje, ish-kryetarit të ndjerë Ismail Krifcës – Malit, iu dha një “Mirënjohje” për kontributin dhe rolin e tij si kryetar në Shoqatë. Nga ana e familjes përshëndeti kushëriri i tij, z. Imer Ollogu.
Menduh Jegeni është lindur në Dibër të Madhe më 11 maj 1959. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e mjekësisë së përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Prishtinës.
Punësimi i parë ka qenë në spitalin e përgjithshëm në Dibër. Më pas ka kryer specializimin në fushën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë e Obstetrikës pranë Fakultetit të Mjekësisë në Shkup. Deri në vitin 2003 ka punuar në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër. Në vitet 2003 deri më 2015 ka punuar në spitalin e specializuar për gjinekologji dhe obstetrikë Çair në Shkup, ku prej vitit 2006 deri në vitin 2015 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të spitalit.
Në vitin 2013, për rezultatet e treguara në punë dhe mbi 20 punime shkencore të publikuara, Ministri i Shëndetësisë i ngarkoi detyrën e titulluarit Primarius në Mjekësi.
Në vitet 2017 – 2020 ka punuar në spitalin e përgjithshëm privat “Remedika”, Shkup.
Prej shtatorit të 2020 vazhdoi punën në spitalin privat “One Hospital” në Tetovë.
Menduh Jegeni është anëtar i shoqatës “Oda Dibrane-Shkup” që në themelimin e saj. Më datën 17 janar 2021, me zgjedhjet e reja për strukturën e shoqatës, Kuvendi, Kryesia dhe Këshilli i Odës Dibrane, zgjidhet Kryetar i “Odës Dibrane-Shkup”, Maqedonia e Veriut.
Shoqata “Bashkësia Dibrane” i uron suksese në punën e tij drejtuese z. Menduh Jegeni, duke e ftuar të bashkëpunojnë në aktivitete historiko-shkencore, kulturore, artistike dhe jubilare, mes dy shoqatave tona në të ardhmen, si dhe duke e ftuar kryetarin e ri z. Menduh Jegeni në një vizitë në ambjentet e shoqatës “Bashkësia Dibrane”, në Tiranë, Shqipëri.

Për më shumë rreth veprimtarive të shoqatës “Bashkësia Dibrane” mund të ndiqni lidhjen http://bashkesiadibrane.blogspot.com/