Dibër, zgjedhjet parlamentare: 73 kandidatë për 5 vende në parlament


Bujar Karoshi

Dy partitë kryesore, PD dhe PS, janë në luftë të ashpër për mandatin e tretë, i cili rrezikohet nga kandidati i pavarur

Zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, që do të mbahen më 25 prill 2021, në Dibër zhvillohen në kushtet kur i është hequr një mandat deputeti. Nga 6 vende në parlament, që ka pasur Dibra në të kaluarën, tashmë do të jenë 5. Megjithëse në listën e votimeve janë rreth 700 zgjedhës më shumë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’ia heqë një deputet Dibrës, duke e bërë garën të pabarabartë në krahasim me qarqet e tjera. Në Dibër janë të rregjistruar 131971 votues dhe në zgjedhjet e kaluara kanë votuar 73702.
Ky ndryshim i numrit të deputetëve e ka vështirësuar fushatën e kandidatëve të partive politike. Të dy partitë kanë shprehur besimin dhe angazhimin se do të kenë tre mandate fituese në qark, dhe më optimistët shkojnë edhe në katër, por shanset më të mira, duke pasur parasysh votimet në të kaluarën, është që mandatet të ndahen 3 me 2.
Partia Socialiste ka hyrë në këtë garë me 6 kandidatë. I pari në listë është Lavdrim Krrashi, një ish themelues i FRESSH në vitet 1992. Ai ka jetuar në Londër, Britani e Madhe dhe ka punuar në bashkinë e Londrës. Krrashi ka drejtuar degën e Partisë Socialiste në kryeqytetin britanik dhe ka qenë edhe një aktivist i laburistëve britanikë.
E dyta në listën e PS është Aurora Mara. Ajo ka mbaruar studimet për drejtësi në Romë dhe aktualisht është anëtare e parlamentit. Ajo hyri në kuvend nga listat rezervë të LSI, e cila e braktisi parlamentin.
Vendin e tretë në listën e PS e zë ish-kryebashkiaku i Dibrës, Dionis Imeraj, i zgjedhur në këtë post nga zgjedhjet e fundit lokale të 30 qershorit, të cilat opozita i bojkotoi. Tërheqja e tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Dibrës dhe vendosja të tretin në listë, është njëkohësisht edhe synimi i deputetëve që kërkon të marrë PS në këto zgjedhje në Dibër. Imeraj ka studiuar për ekonomi dhe ka ushtruar disa detyra në drejtorinë e tatim-taksave në Peshkopi dhe Tiranë.
Lista më pas vazhdon me ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Melaim Damzi dhe dy emra të panjohur për publikun: Spartak Koltraka dhe Anisa Xhika. Të dy kanë pasur poste drejtuesish në qeverisjen lokale, por pa një kontribut të shtuar politikë.
Listën e PD e kryeson Xhelal Mziu. Ai ka mbaruar studimet për ekonomi. Ka një angazhim me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj. Që nga viti 2007 deri në vitin 2019 ka qenë kryetar i Bashkisë së Kamzës.
I renditur i dyti është Kreshnik Çollaku. Ai ka një angazhim të gjatë me Partinë Demokratike. Ka qenë zv. ambasador i Shqipërisë në SHBA, zv. ministër i Jashtëm dhe aktualisht është kryetar i Departamentit të Politikës së Jashtme pranë PD-së.
E treta në listë është ish-deputetja Dhurata Tyli (Çupi). Ajo është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si drejtore juridike në Bashkinë e Tiranës, pedagoge etj. Ka qenë deputete e Dibrës në legjislaturën e kaluar dhe ka drejtuar departamentin e pushtetit lokal në PD.
I katërti në listën e PD-së është biznesmeni dhe botuesi Edmond Isaku. Ai ka një kontribut të gjatë në PD. Gjithashtu, zotëron një biznes të nxjerrjes së kromit, si dhe është pronar i TV Bulqiza dhe gazetës lokale “Bulqiza”.
Kandidati tjetër është Luan Haka, një ekspert i auditimit, si dhe mjekja Irini Shehu.
Zgjedhjet e kaluara në Dibër LSI kishte një deputet në këtë qark. Këtë radhë listën e LSI e kryeson mjeku Hajri Laçi, që ka qenë edhe kryetar i Këshillit të Qarkut të Dibrës.

13: Numër shansi apo numër tersi?!

Në këto zgjedhje e bën garën të paparashikueshme dhe kandidati Elton Debreshi, i cili renditet i trembëdhjeti në listë.
Debreshi, një minator, ka themeluar në vitin 2019 Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Pas kësaj ai është pushuar nga puna. Fushata elektorale e tij bazohet mbi votën e minatorëve, punëtorëve dhe familjarëve të tyre. Ai ka premtuar se nëse zgjidhet deputet, nuk do të pushojë asnjë ditë pa u miratuar Statusi i Minatorëve. Për varfërinë dhe keqqeverisjen ai akuzon një nga pronarët më të mëdhenj të kromit në Bulqizë, kompaninë Albchrom dhe pronarin e saj, Zamir Mane.
Në këtë lëvizje politike si kandidat i pavarur, ai mbështetet nga Organizata Politike, e cila është bashkim vullnetar i krijuar pas ngjarjeve të 21 janarit 2011. Kjo organizatë, ditë pas dite ka forcuar pozicionin e saj kah të majtës radikale. Organizata Politike synon “shndërrime shoqërore rrënjësore të bazuara te barazia, pjesëmarrja e liria, dhe rreket t’i arrijë synimet e veta nëpërmjet politizimit të çështjeve shoqërore dhe organizimit të popullit, veçanërisht të klasave më të shfrytëzuara të tij, sipas formave emancipuese të pjesëmarrjes, militantizmit, veprimit dhe diskutimit”.
Një fitore e Debreshit në Bulqizë do të ishte edhe një fitore për këtë organizatë.
Debreshi ka qenë mjaft aktiv edhe në programet qendrore televizive, duke realizuar atë që e ka të vështirë ta realizojë në terren: përmes televizionit ka hyrë shtëpi më shtëpi, duke e vështirësuar parashikimin elektoral për në Dibër.Duke pasur parasysh ligjin elektoral, Debreshit do t’i duhet mbi 1% e votave në rang kombëtar për të shkuar në Parlament, ose bazuar mbi pjesëmarrjen e zgjedhjeve të kaluara, do t’i duhen mbi 16 mijë vota.
Nëntë partitë e tjera në listë nuk do të kenë shanse për një vend në parlament. Me figura të reja, të panjohura dhe pa kontribute politike e sociale – megjithëse disa prej tyre mund të kenë suksese në jetë – ata janë në listën zgjedhore më shumë për të ngatërruar e bërë më të vështirë votimin, sesa për fitore.

Premtimet

Partia Socialiste në këto zgjedhje nuk po shkon në Dibër me një program të qartë. Ajo po e bazon fushatën në realizimin e projektit të Rrugës së Arbrit, si një premtim i mbajtur. Fushata kryesore e socialistëve bazohet mbi “planin dhe vizionin që Partia Socialiste ka për Shqipërinë e së ardhmes, por edhe për të bashkëbiseduar për problematikat konkrete, hallet e shqetësimet e përditshme të tyre”. Kandidatët e PS janë angazhuar për një rritje të investimeve në ekonominë lokale, kryesisht agro-turizmin.
Socialistët po kërkojnë vota me “bindjen e tyre se mbështetja dhe votëbesimi për mandatin e 3-të të PS është garanci për më shumë investime, mirëqenie e zhvillim për fshatin, qytetin, Dibrën e mbarë Shqipërinë”.
Partia Demokratike është më konkrete te premtimet. Ata e kanë bazuar fushatën te dështimet e qeverisë. “Qeverisja e dobët, dështimet e saj, premtimet e pambajtura, pa investime në rrugë, ujësjellës etj., janë avantazhet e fitores sonë”, thonë kandidatët e PD në takimet elektorale.
PD ka futur në premtimet e veta daljen nga varfëria, rritjen e investimeve në infrastrukturën lokale, miratimin e statusit të minatorit, rritjen e investimeve në turizëm, deri te rikthimi i Universitetit të Dibrës.
PD është duke dalë në fushatë edhe me projektet për hidrocentralin e Skavicës. Kandidatët e saj po premtojnë se nuk do të vazhdojnë me procesin e ndërtimit, pa negociuar me banorët dhe pa pasur në tavolinë variantet alternative.