Kush e shëmton bulevardin ”Elez Isufi”?!


Peshkopia është qytet verilindor i Shqipërisë, me një klimë të freskët e të ftohtë gjatë dimrit dhe me verë të ngrohtë e ajër të pastër. Ajo ka bulevardin kryesor “Elez Isufi”, si një nga bulevardet më të bukura të Shqipërisë. Bukurinë këtij bulevardi ia japin blinat e mbjellë në të dy anët e tij, që në vitet ’50-të,të cilët në pranverë e verë lëshojnë aromë të këndshme, e freskojnë bulevardin me hijet e tyre. Ky bulevard, që mban emrin e patriotit dibran Elez Isufi, pas viteve ’90-të është bërë dhe më i bukur me ndërtimet e reja 3-4 katëshe e fasadat e lyera.
Ky bulevard fillon me godinën 5-katëshe të Prefekturës e pastaj me godinën e postë-telegrafës, të ndërtuara në vitet 1980. Më tej, në krah të djathtë të tij ndodhet Pallati i bukur i Kulturës, trekatësh, i ndërtuar në vitet e socializmit, por i përfunduar në vitin 2001. Më tej ndodhet godina e bukur e gjimnazit “Said Najdeni”, e ndërtuar që në vitin 1948, por e restauruar dhe e rregulluar më mirë pas viteve 1990. Para Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” ndodhet monumenti madhështor i Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, si dhe më tej, para godinës së gjimnazit bustet e patriotëve dibranë: Iljaz Pashë Qoku, Said Najdeni, Dom Nikoll Kaçorri. Më tej ndodhet godina e ish kinemasë së qytetit, e cila këtë vit është restauruar dhe rregulluar mirë nga bashkia e qytetit dhe ka vite që është kthyer në QEK të fëmijëve. Ky bulevard vazhdon më tej me godinën e Raiffeisen-Bank dhe 2 ndërtesat e hotel “Korabit”,duke përfunduar me ndërtesën 6-katëshe të sigurimeve shoqërore.
Po ku qëndron shëmtia e këtij bulevardi të bukur? Shëmtia e këtij bulevardi qëndron në dy ndërtesa të amortizuara plotësisht në fillim të bulevardit, krahu i djathtë, të ndërtuara në kohën e Zogut. Ndërtesa e dytë, ku poshtë ndodhet pika e shitjes së gazetave, s’ka as çati, fasadat e shkërmoqura nga erozioni i kohës e shëmtojnë me të vërtetë bulevardin tonë të bukur. Në vitet ‘70-’80-të të shekullit të kaluar ndërtesa e dytë pa çati ka shërbyer si rezidencë e këshillit të qytetit tonë, me drejtues shokët Destan Aga, Irfan Zebi, etj., kurse sot këto 2 ndërtesa jo vetëm që shëmtojnë bulevardin tonë, por përbëjnë dhe rrezik për jetën e njerëzve.
Pse bashkia Peshkopi nuk nxjerr fond për restaurimin e këtyre dy ndërtesave, siç bëri me ish kinemanë, t’u vërë çati e t’i përdorë për nevojat e saj si zyra apo banesa sociale. Në vendet e tjera të Europës si Zvicër, Austri , Suedi, Francë, etj., restaurimi e lyerja e fasadave është detyrë e bashkive, kurse këtu tek ne kjo shëmti nuk u vret syrin autoriteteve të bashkisë dhe ata s’e vënë ujin në zjarr për riparimin e kësaj shëmtie të bulevardit tonë të bukur.

Nga Besnik Lami