Libri “Kongresi i Dibrës” i Qenan Zija Manastirit, dokumenti monumental kongresi i dibres 1


Në vend të hyrjes

Në gazetën “Rruga e Arbërit”, korrik 2009, jemi njohur me veprimtaritë në kuadër të 100-vjetorit të Kongresit të Dibrës dhe me materialet në konferencën shkencore për 100-vjetorin e Kongresit të Dibrës.

Atëherë kam lexuar dhe një kumtesë të Mr. Ruzhdi Lata, me temën “Kontributi i Qenan Manastirliut në Kongresin e Dibrës”. Autori shkruan: “Veprës së Qenan Manastirliut i ka bërë një studim të veçantë Haki Sharofi, por këtij libri i referohen gati tërë historiografët që janë marrë me këtë ngjarje historike…” Mr. Ruzhdi Lata ka shumë të drejtë për atë që thotë se “…mendoj se nuk është folur aq sa e ka merituar ky personalitet i shquar shqiptar…”

Duke u interesuar për Qenan Manastirin, gjeta një kopje të librit të tij, përkthyer dhe botuar nga z. Haki Sharofi më 1940. Pas leximit të librit, lexuesi bindet se të gjitha ato çka është shkruar për Kongresin e Dibrës janë marrë nga vërejtjet dhe komentet e përkthyesit, z. Haki Sharofit, por jo nga libri i autorit dhe asnjëherë nuk është cituar vepra dhe autori Qenan Zija Manastiri, ndonëse janë marrë faqe të tëra prej tij.

Pikërisht kjo më shtyu të shkruaj për autorin dhe librin e tij.

* * *

Libri “Kongresi i Dibrës” i Qenan Zija Manastirit një dokument me vlera të mëdha për Historinë e Shqipërisë dhe një panegjerik për qytetin e Dibrës së Madhe dhe të të gjithë delegatëve nga 5 vilajetet dhe nga qytete me rëndësi në çështjen kombëtare shqiptare.

Kongresi është mbledhur në Dibër të Madhe më 10 korrik 1325 (kal.hënor) ditën e premte që korrespondon me datën 23 korrik 1909, pra me njëvjetorin e vendosjes Kushtetutës së konstitucionit otoman. Në Kongres kanë marrë pjesë delegatët e pesë vilajeteve të Rumelisë: Selanik, Manastir, Kosovë, Shkodër e Janinë si dhe nga qytete te tjera dhe të etnive të tjera banuese brenda trojeve shqiptare. Në Kongres morën pjesë 325 delegatë nga të gjitha qytetet e vilajeteve shqiptare dhe nga ta gjitha besimet fetare, si: të krishterë, ortodoksë e katolikë, hoxhallarë e shehlerë, por këtu morën pjesë edhe 15 serbë dhe maqedonas në krye me Glisha Elezoviqin, 15 grekë në krye me Todorçe Naumin, nga Bullgaria mori pjesë Ilo Dimashov, ndërsa në Kongres morën pjesë edhe Bellomaçe – vlleh (revizor i shkollave), Pop Apostolli – serb nga Kosova etj.

Për nga përmbajtja e bisedimeve dhe nga veçoritë e problemeve të trajtuara në Kongresin e Dibrës së Madhe ka mbizotëruar karakteri shqiptar, por natyrisht nën suazën e mbretërisë Otomane.

Nga historiku i dhënë nga autori z. Qenan Zija Beu nga Manastiri si dhe nga vërejtjet dhe komentet e përkthyesit, z. Haki Sharofit, ne mendojmë se ka qenë fat i keq që historia e atij Kongresi ka mbetur në një heshtje të gjatë, sepse është i paktë dhe shumë i kufizuar numri i lexuesve  shqiptarë që kanë pasur fatin ta kenë në dorë këtë vepër të vyer, madje dhe në studimet historike nuk është cituar dhe s’është përmendur libri në fjalë, ndonëse tashmë pranohet se është përshkrimi më real I historikut të Kongresit të Dibrës. Libri është shkruar në vitin 1909-1910 nga autori në turqisht dhe është botuar më 1912. Pastaj janë dashur 32 vjet për t’ua bërë të njohur shqiptarëve në shqip të botuar më 1944. Është rast fatlum që pasardhësit e të nderuarit Haki Sharofi ta ribotojnë te “Biblioteka Haki Sharofi” më 1990, pra plot 46 vjet më vonë.

Vepra e z. Qenan Manastirit është një libër me vlera të mëdha jo vetëm në aspektin historik, por dhe me vlera të mëdha kulturore për të njohur ngjarje të ndodhura mbi 100 vjet më pare dhe që sivjet mbushen 105 vjet nga botimi i parë.

Kongresi i Dibrës është një ngjarje me rëndësi historike kombëtare dhe vendimet e tij janë shkruar sipas dokumenteve të dhëna në Vendimet e Kongresit të Dibrës. Por në tërë studimet me karakter historik nuk citohet askund se materiali është marrë nga libri I shkruar nga Qenan Manastiri. Autori madje nuk njihej, nuk kishte shkrime për të në kohën kur u botua i përkthyer (më 1940) siç na e thotë dhe përkthyesi Haki Sharofi në “Vërejtjet e komentet e përkthyesit”: “Auktori edhe me këtë vepër të tij na provon edhe një herë se ka qenë nji ndër veteranët e çmuëm që ia kanë kushtue mundin e tyre lëvizjes kombëtare. Për fat të keq na mungon jetëshkrimii tij për të cilin s’dijmë kurrëgja. Na ka mbetë në dorë vepra e tij shumë e vlefëshme që është dokumenti monumental i Kongresit të Dibrës.”1 (Haki Sharofi) .

Libri “Kongresi i Dibrës” është libër kujtimesh relativisht i vogël, rreth 70 faqe, por me të drejtë duhet thënë se vërtet është një dokument me vlera të shquara dhe duhet vlerësuar si monumental, siç e ka thënë zoti Haki Sharofi.

KU QËNDROJNË VLERAT E LIBRIT DHE NË CILAT ASPEKTE DIBRANËT DUHET TA SHQYRTOJNË VEPRËN?

Së pari, veç që është një vepër që ngre lart patriotizmin, mençurinë dhe trimërinë e burrave më përparimtarë të Shqipërisë, “Kongresi i Dibrës” është dhe një vlerësim i bukur dhe plot dashuri nga një Manastirli i Madh për Dibrën dhe Dibranët. Lexuesi njihet me vlerësimet që u bën autori virtyteve të larta të Dibrës. Këto më së shumti janë paraqitur në Parathënien dhe në Hyrjen e librit, por dhe në përshkrimin e shkëlqyer të përcjelljes së kongresistëve. Ja si e fillon Hyrjen autori:

“Dibra asht nji vend historik. E pohoj dhe unë vetë që asht e famshme… qysh në fëmijërinë time pata ndigjue fjalët: “Dibra asht trazue, në Dibër po ngrifet nji kuvend!” …Qe, tash po dukej Dibra, e cila kishte përzanë Prefektët e i kishte ba të ikin Pashallarët e kohëve despotike, Dibra që në kohët më të vështra të tiranisë, e thirrte në Zyrën telegrafike Sulltan Hamidin…” Në mënyrë të veçantë autori ngre lart mikpritjen e dibranëve, inteligjencën dhe hollësinë (mprehtësinë) mendore të tyne…”  Autori ngre lart  dhe lavdëron me fjalët më të mira burra të shquar të Dibrës, si: Vehbi Dibra, Hoxhë Vokrri, Ibrahim Daci, Zejnulla Efendi Hatibi, Jusuf bej Karasani e shumë dibranë të thjeshtë që i pritën me dashuri e bujari të jashtëzakonshme.

Së dyti, shqiptarët me të parë dhe me të dëgjuar se ku ishte qëllimi i të gjithëve atyre që e përkrahnin Perandorinë, si dhe i fanatikëve dhe puthadorëve të pushtetit, ndërmjet delegatëve zhvilluan diskutime të ashpra rreth rendit të ditës dhe pikave të hartuara nga xhonturqit, që shpeshherë solli debate të ashpra dhe me ndërprerje, e herë-herë edhe me ngritje të gjakrave. Por, falë zgjuarsisë së kryetarit të Kongresit, Vehbi Dibra, arriti të qetësohet gjendja.

Ndërsa turqit e rinj dhe pasuesit e tyre vazhduan bisedimet në vendin e quajtur Beledije(Bashki),atdhetarët shqiptarë u mblodhën në teqenë e Baba Shabanit.Këtu,në drejtim të qëndrimit burrëror të Qenan Zijait,u thanë shumë fjalë,me ç’rast edhe Vehbi Dibra kryetar i këtij Kongresi e përshëndeti aktin e këtij burri të shquar të Manastirit. Ndërsa Hafiz Ali Korça,pjesëmarrës në këtë tubim,shkruan : “Ata që e ndezën diskutimin në këtë komision ishin: Myfti Vehbi Dibra, Myfti Kara Rexhepi, Mytesim Këlliçi, Haxhi Ibrahim Pustina, Haxhi Ali Elbasani, Aqif Pashaj, Sadik Pash Janina, Mustafa Arifi, Ihsan bej Selaniku, Evrenoz Zadeja, Qenan bej Manastirliu, Abdyl Ypi dhe shumë të tjerë“.[1]

Së treti, vepra është shkruar me vërtetësi nga delegati i Manastirit që ka qenë një nga anëtarët më të shquar të Komisionit 45-anëtarësh të Kongresit të Dibrës. Përshkrimet e debateve të Komisionit tregojnë qartë se kanë vërtetësi reale të ngjarjeve. Të mos harrojmë se autori Qenan Manastiri e ka shkruar librin sipas shënimeve të marra direkt nga punimet e Komisionit  duke u konsultuar me procesverbalet e Mbledhjeve të mbajtura nga sekretari i zgjedhur. Ndonëse botimi i librit është bërë më 1912, dorëshkrimi ka qenë i gatshëm që më 1909, pra me mbresat e freskëta të marra nga zhvillimi i punimeve të Kongresit. Dhe duhet theksuar se, ndonëse përkthyesi në fjalët e tij në pasthënie nuk e di biografinë e Qenan Manastirit (sipas citimit që bëmë më sipër), sepse tashmë e njohim mirë veprimtarinë e tij të çmuar kombëtare.

KRONIKË E SHKURTËR E ZHVILLIMIT TË KONGRESIT TË DIBRËS SIPAS LIBRIT

• E para mbledhje e Përgjithshme – 

Në këtë mbledhje të të gjithë delegatëve dolën në pah dy korrente: Korrenti i parë ngulte këmbë sa më poshtë: “Komisioni nisiator që na ka ftue, paska hartue një program shumë të mirë; e aprovojmë dhe e shpallim këtë program edhe shpërndahemi.” Ndërsa ana tjetër thoshte: “Jo, nenet e atij programi mund të jenë të mira, por nuk erdhëm deri këtu vetëm për t’i aprovue atë program; mbledhja jonë nuk është miting, por Kongres; të bisedojmë sipas rregullit, të mejtojmë interesat e atdheut e të popullit; pse me u ngutë? A s’kemi ardhë këtu për të ba shërbim?”[2]

Me të drejtë dhe me shumë saktësi autori i librit i emërton me termat përkatëse: “Ligji natyral i njerëzisë edhe këtu e ushtroi autoritetin e pushtetin: Tashma u trajtuen Konservatorët e Përparimtarët. 4

Autori i librit del që është një njeri që njeh mirë standardet civilizuese, kur në mbledhjen e bërë në teqen e Shaban Dedes propozon rregullat e kongreseve të shoqërive të përparuara. Ja se si u shpreh ai: “…Por bisedimet nuk mund të bëhen kështu. Asht e pamundun me u mbledhë në një vend kaq kallaballëk e me ra në marrëveshje. Si bajnë kudo, ashtu dhe ne t’u shtrohemi rregullave të Kongreseve. Të zgjedhim një Komision të përbamë prej përfaqësuesish të caktuem në emën të çdo Vilajeti…”5 Në fund u zgjodh komisioni me dyzet e pesë anëtarë tue i lanë rast që të përfaqësohet çdo krahinë e të mos mbetet shtek me u marrë nëpër kambë dinjiteti i ndonjë vendi.”6 Interesante është karakteri multietnik dhe përfaqësimi i pakicave në trojet me shumicë shqiptare të të gjitha trevave.

Mbledhja e parë dhe dytë – 

Në këtë mbledhje së pari u bë zgjedhja e kryetarit dhe e sekretarëve: kryetar z. Vehbi Dibra, myftiu i Dibrës, sekretarëu zgjodhën z. Ihsan bej Selaniku dhe z. Halid efendi Gjirokastra. Në mbledhjet e dy ditëve u diskutuan me replika dhe kundërshtime pikat e programit (nenet e shpërndara nga komiteti iniciator). Interesante  për mendimin tonë janë diskutimet dhe deklarimet e komisionerëve përparimtarë për termat e telegramit: “besa, Shqipni, indipendencë, kombëtar”. Ndonëse kanë kaluar afro 110 vjet nga ai Kongres, evidentohet qartësia me të cilën ata njerëz të shquar dhe me kulturë të madhe që kanë dhënë përfundime me terma të sakta.

Ne do të citojmë disa prej tyre, sepse mendojmë që kanë rëndësi, ndërsa nuk do të zgjatemi shumë me vendimet e Kongresit të Dibrës që janë shkruar bukur nga historiografia shqiptare.

Debate u bënë kur Elezoviq Efendiu (përfaqësuesi serb), kundërshtoi termat “besë” (si diçka “barbare” tash në kohët moderne, sipas tij), termin “Shqipni” dhe “indipendencë” si ndjenja separatiste etj. Ja disa pasazhe nga shprehjet e disa përfaqësuesve:

Abdul Beu: – “… Shqiptarët, që janë bijtë ma të lashtë të gadishullit të Ballkanit, me besën e tyre e kanë ruejt qenien e vet dhe e kanë diftue veten… Shkurt: Shqiptari Besën e ka të paatakueshme e të pacënueshme. Shqiptarët me besë kanë jetue, me besë do të jetojnë.”

Rexhep Efendiu: – E refuzoj rreptësisht atakun me të cilin shoku jonë fyen. Besa asht nji nga gjanat e shenjta të një kombi…”

Hafiz Ali Efendiu (Korçë): – “Edhe me termën (Maqedoni) s’fitohet gja. Sepse (Maqedonia) don të thotë Shqipnija e Vjetër. Banorët autoktonë dhe të moçëm të Maqedonisë janë pellazgët, stërgjyshët e shqiptarëve.”7

Haxhi Ibrahim Begu (kryetari i bashkisë së Shkupit): – “Kosova më çdo anë është Shqipni; megjithatë Shqiptarët qysh prej kohësh jetojnë në harmoni me bashkatdhetarët e tjerë pa asnjë dallim; pra nuk asht e udhës të polemizohet për Besën Shqiptare, që don të thotë me dhanë fjalën e nderit e të ndërgjegjes…”

Halim Beu: – Duhet ta dijë shoku jonë se vendi i tij asht Shqipni. Pra s’asht e mundun t’i jepet tjetër emën këtij vendi.”

Qenan Manastiri (me simbolin “M.” në libër) : – “…Sa për emnin e Kongresit, Dibra si dhe vendi i lindjes së shokut tonë qysh prej kohëve kur ka fillue me u shkrue historija, janë atdheu i Shqiptarëve, pjesë e Shqipnisë… Shqiptarët, sikurse tha kolegu jonë Hafiz Ali Efendiu, janë popull autokton i këtyne anëve pa ndonjë rival qysh në kohët e lashta… dhe vendin e tyre e quejnë Shqipni, nuk hjekin dorë nga ky emën  dhe nuk lejojnë me i dhanë emën tjetër. Prandaj unë kërkoj që Kongresi ta ruajë titullin e vet. (”Kongresi i Dibrës”).

Shanof Efendiu (Kostur): – … Besa në Evropë nuk njifet me një kuptim të padenjë, por si një nga gjanat më të shenjta kombëtare. Unë kur u zgjodha prej vendit tem si delegat për me marrë pjesë në Kongresin e Shqiptarëve, mora porosi që të kem besim në Besën e Shqiptarëve dhe të bie dakord pikë për pikë me ta.”

• Mbledhja e tretë –

Kjo mbledhje e Komsionit paraprihet nga debatet mes dy rrymave. Rryma konservatore kërkonte mbylljen e diskutimeve vetëm me nenet e komisionit nisiator, duke i quajtur jashtë juridiksionit diskutimet për çështje të tjera.  Por ishte atdhetari Vehbi Dibra i cili duke kuptuar rrezikun që vinte nga mbyllja e debateve kish të drejtë të shfaqte mendimin e vet. Diskutimet me ç’rast duhej të ishin të rregullta dhe brenda proceduarve të caktuara. Këtë dije e mbështeti me ton burrëror edhe Qenan Zijai i cili nuk mungoi të thoshte :“Kemi liri të plotë, s’ka të drejtë kush, të na caktojë kufij për bisedim. Mendimet e larta të kombit bujar s’mund t’i nëpërkëmbi askush“.*

Polemikat qenë të gjata dhe të ashpra në shumë raste, sidoqoftë shumica arriti që të detyronte vazhdimin e diskutimeve për çështjet e tjera që ishin shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, si: rektifikimi i kufirit të Shkodrës, një propozim për punët botore, çështja e arsimit shqip, përdorimi i alfabetit latin në shkolla, hapja e shkollave shqipe dhe mësuesit me arsim etj.

Siç shihet në mbedhjen e tretë dhe të katërt, diskutimet u thelluan në çështjen e arsimit shqip.

Patriotët shqiptarë, në një seancë të fshehtë në konakun e Teqesë së baba Shabanit e bënë listën e kërkesave që ishin të karakterit ekonomik, administrativ dhe arsimor-kulturor, të cilën xhonturqit ishin të detyruar ta pranonin, qoftë edhe për sy e faqe. Megjithatë manovrat e xhonturqve ishin përcaktuar shumë qartë dhe, duke e shfrytëzuar fanatizmin fetar dhe prapambetjen e shqiptarëve, ata orvatën  t’i përçajnë shqiptarët. Në taborin tjetër me plot krenari qëndronin: Qenan Manastiri, Gani Frashëri, Abdyl Ypi, Seid Aga, Murat Agë Gjakova, Isuf beu, Ibrahim Daci e tjerë.

Po japim disa pasazhe nga thëniet e diskutantëve në Kongres:

Qenan Manastiri kundërshton thëniet e rrymës proturke, që synonin të zbatohej politika e xhonturqve.

Polemika nisi kur Hafiz Ali Efendiu me një mocion që parashtroi kërkoi të çelen shkolla ndër vende ku ato mungojnë dhe në të gjitha shkollat të shtihet mësimi i gjuhës shqipe. Kundërshtimi nga pala tjetër ishte thelbësor që në shkolla të mësohej vetëm turqisht, si nga Riza Beu dhe disa të tjerë të krahut konservator.

Riza Beu: – Gjuha Kombëtare, don me thanë shqipja nuk na lypset. Neve na mjafton turqishtja. Ndër shkolla  mjafton turqishtja. Ndër shkolla duhet me këndue vetëm turqisht.

Myfti Rexhep Efendiu: – Me thanë se nuk na duhet gjuha kombëtare, don të thotë me kërkue që ky komb të zhduket nga faqja e dheut. Ky komb që i ka ndenjë besnik kombësisë, ky komb që e don tepër guximin e trimninë, nuk mund të qëndrojë në gjendjen e tij të vjetër në nji kohë që ka ecë përpara, fiket e mbaron përballë sulmeve të kulturës. Prandaj gjuhën tonë duhet ta lypim me një rëndësi të veçantë…

Abdyl Beu: – Mbasi bashkohem pikë për pikë memejtimet e kolegut tonë të ndershëm, zotnisë së tij Rexhep Efendi do t’i përgjigjem Riza Beut… Shqipja asht kah mësohet zyrtarisht. Në nji kohë kur propozohet përgjithësimi e zgjanimi i mësimit të kësaj gjuhe aq sa t’i përgjigjet nevojës kombëtare, me thanë se s’asht i nevojës i nevojshëm mësimi i gjuhës (amtare), s’pajtohet as me pushtetin e ligjit, as me ndjenjat kombëtare…

Riza Beu – Nuk thashë për vete, por Shkodra s’e do…

Saif Aga (Krujë): – Mos thoni se s’e do Shkodra, ne sido që të jetë, do të këndojmë shqip; sepse edhe ne dëshirojmë përparim; me turqishten s’mund të nxamë…

Qenan Manastiri: “ Një katundar që s’din fare nuk ka mundësi që t’i mësojë nevojat e jetës me një gjuhë, e cila asht e huej për të… Për mue e vetmja rrugë që mund të pengojë menden dhe dëshirën tonë me u prirë jashtë larg atdheut, asht mësimi i gjuhës shqipe. Veç kësaj, një fëmijë që nxen gjuhën e vet, që fillon me kuptue naltësinë e njeriut, që mëson rregullat e gramatikës, e ka më të lehtë të mësojë gjuhët e tjera. Prandaj, me i ndriçue me dritën e arsimit ato krahina që jetojnë në padije…, nuk asht me hezitue, përkundrazi me u përpjekë për këtë gja asht shërbimi ma i madh që i bahet atdheut e shtetit.”

Riza Beu ngul kambë dhe ju thotë Bajraktarëve të Shkodrës: “Nuk e duëm p’a-as’po!”

Abdul Beu – ( i nxemë) : – “Of, o Perëndi, fjalë babe!… po fyhet gjuha amtare! “Nuk e duam gjuhën amtare”, megjithëse goja jonë nuk i ka hije një gjuhe tjetër. Nuk duhet të ndigjohet fjala e parë që flet foshnja e sisës, kanga e parë e natyrës që i shëmbëllen Bylbylit! Sepse kushedi përse s’e duëm? “Shokë! Natyra nuk ndrron; njeriu asht ai që asht; ne shqiptarë qemë,  shqiptarë jemi, shqiptarë do të mbetemi; gjuhën tonë doemos do ta ngjallim.”

Këto fjalë që u thanë shqip, u duertrokitën e mbasandaj muerën fjalë të tjerë si vijon:

Sait Aga: – Doemos të mësojmë gjuhën tonë.

Murat Aga (Gjakova): – Patjetër do të mësojmë shqip.

Jusuf Beu – Karasani (nga krenët e Malësisë): – Nuk mund të hekim dorë nga gjuha jonë; do ta mësojmë.

Halim Beu: – Do të këndojmë shqip… 9

Ibrahim Daci tha: “Pleqtë që ndodheshin në mbledhje nuk përfaqësojnë dëshirën e popullit, vullnetin e Dibrës dhe shtoi se vegjëlia që kishte ardhur tufë-tufë, do të thotë se në Dibër nuk do të mësohet kurrë alfabet tjetër, përveç alfabetit kombëtar”.

                                                              ***

Në mbledhjet e tjera u diskutuan dhe probleme të tjera të cilat u futën në pjesën e dytë të emërtuara “Nene Sekondare” ndërsa pjesa me nenet kryesore, “Nene paraprake bashkimore”.

Pas 5 ditëve diskutime Kongresi e miratoi programin prej 17 pikash, ku sa i përket alfabetit dhe shkollës mori vendim që “ky të lihej në pëlqimin e vetë popullatës së çdo krahine” – le të përdoren ata shkronja që i do populli, d.m.th. se mund të përdoret edhe alfabeti turko-arab.

Pastaj xhonturqit filluan ta propagandonin vetëm atë pjesë të vendimeve që u interesonte atyre – që alfabeti sipas dëshirës donte të thoshte vetëm ai arab. Pas kësaj në territoret shqiptare ose, siç e quanin ata Arnautllëk, nga ana e xhonturqve do të fillojë një luftë e egër, sidomos pas mbajtjes së Kongresit të Dibrës, duke i shfrytëzuar të gjitha metodat, si ato: misionare, mediale, propaganduese, autoritative, intelektuale, represive ..

Pasi ndodhën të gjithë këto, pasuan edhe burgosje dhe internime të shumta, por synimeve armiqësore të xhonturqve, krahas mitigjeve dhe bojkoteve të ndryshme, populli shqiptar do t’u japë përgjigje në një Kongres tjetër me të vërtetë kombëtar – në Kongresin e Elbasanit, që i zhvilloi punimet me 2-9 shtator 1909, një muaj pas Kongresit të Dibrës.

Kush ishte Qenan Zija Manastiri (1863 – 1935)?

Qenan Zijai lindi në Manastir, në vitin 1863. Familja e tij ishte ndër më të shquarat dhe me prestigj në qytetin e Manastirit dhe ndër etninë shqiptare në atë krahinë. Nga prindërit atdhetarë, trashëgoi jo vetëm dashurinë për vendlindjen, por edhe idetë që potenconin veprimtari të guximshme për krejt trojet shqiptare. Qenan Zijai mori arsim të plotë dhe të mirë për kohën dhe mbaroi një nga shkollat ushtarake. Edhe shpirti i tij do të frymëzohej prej atyre punëve të dobishme që patën kryer asaj kohe, shqiptarët në Stamboll ku ai bëri studimet dhe ishte në rrethet më të shquara të njerëzve patriotë.

Në muajt tetor-nëntor 1877, në Stamboll formohet “Komiteti për Mbrojtjen e të drejtave Kombëtare Shqiptare”.  Burime të historiografisë sonë, flasin qartë se nismëtarë të këtij komiteti, ishin Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Zija Prishtina etj. Edhe pse në moshë të re si student, Qenan Zijai,duke përfituar edhe nga pozita e lartë shoqërore dhe ekonomike, nga e cila vinte, hyn në rradhët e këtij komiteti me besimin e palëkundur për t’i shërbyer  çështjes shqiptare.

Prej në vitin 1906 e më pas është ndër nismëtarët e krijimit të Klubit të Manastirit në vitin 1908. Fillimisht, si gjithë patriotët e tjerë, edhe Qenan Zijai do të përkrahte politikat dhe reformat e turqve të rinj, duke shpresuar në ditë më fatlume për krejt bashkëkombasit e vet. Por vetëm disa muaj më pas, ndërsa ndiqte me vëmendje diktaturën e re që turqit e rinj donin të montonin në krejt popujt e robëruar, ai pati forca të ngrihej menjëherë kundër tyre. Ai në disa tubime në Manastir e rrethina u shpreh se shqiptarët u ngritën vetëm për shkollat e gjuhën shqipe, pa ndihmën e askujt dhe vetë do ta çojnë deri në fund luftën e tyre. Ndërkaq në Manastir, në vjeshtën e vitit 1908 ishte mbajtur kuvendi madhor i abecesë shqipe.

Po xhonturqit me anë të Ministrisë së Arsimit të Turqisë, urdhëruan e ndaluan në shkollat shqipe të përdorimit të alfabetit me germa latine dhe i detyruan mësuesit të përdornin alfabetin me germa arabe. Qenan Zija Manastirliu, ishte ndër atdhetarët e parë që protestoi për këtë veprim dhe zëri i tij u ndie i fuqishëm në disa tubime me ç’rast u përshëndet prej qindra njerëzve të thjeshtë.

   Ndër kulmet e atdhetarisë së Qenan Zijait, mund të merret edhe pjesëmarrja dhe qëndrimi i tij në Kongresin e Dibrës. Në veprën e tij “Kongresi i Dibrës” Qenan Manastiri shpalos me autencitet historinë e këtij Kongresi dhe të Dibrës në veçanti, të kësaj treve me histori aq të lashtë e trimërore. Veç shumë të tjerash që paraqiten në libër, vend të nderuar zë thënia lapidare në kundërvënie ndaj “turçelive” konservatoreve.  Qenan Manastiri u thotë në shqip, me zërin e fortë duke iu drejtuar kongresistëve të pranishëm : “Burra na jena shqyptarë e gjuha e jonë asht shqipja. Nana na e ka mësue e s’duhet me e harrue askurrë. Jo vetëm në kët kuvend por edhe jashta tij na duhet me folë veç në gjuhë të nënës“. Në fakt në Kuvend fitoi rryma e patriotëve përparimtarë shqiptarë, gjë që e paraqet me hollësi në librin e tij.

Vitet që rrodhën më pas, treguan pikërisht se biri i Manastirit do t’u mbetej kurdohere besnik i ideve dhe mendimeve të shpalosura në Kongresin e Dibrës. Me të shkuar në vendlindje, ai ndërmerr hapa konkrete duke ndikuar në ato pak shkolla të çelura që alfabeti me germa latine të përparonte sa ma shpejt. Në kontakt me Feim bej Zavalanin si edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, ndihmuan shtypjen e abetareve shqipe si edhe paguan nga të ardhurat e tij, patriotë të veçantë me ç’rast duke mos përfillur rreziqet, do të mund t’i shpërndanin këto abetare, në krejt trevat e Vilajetit të Manastirit. Për të hedhur dritë mbi ate çka u vendos në Kongrein e Dibrës,në vitin 1912,Qenan Zija Manastiri, boton në Stamboll, në gjuhën turke, ngjarjet kryesore të këtij kuvendi. Qëllimi me këtë rast ishte i dyfishtë. Të lexohej ky libër edhe prej shqiptarëve që nuk lexonin dot në gjuhën e tyre, por edhe prej intelektualëve turq të asaj kohe të cilët patën dëgjuar diçka mbi ngjarjet në Dibër, në vitin 1909. Në vitet që rrodhën më pas, Qenan Zijai do të mbetej padyshim një prej personaliteteve më të spikatura në Manastir e rrethina.

Vdes në vitin 1935 në Stamboll, larg njerëzve që i kish dashur, që pat jetuar e luftuar,që pat qarë e qeshur. Sidoqoftë edhe në çastin e mbramë, në gjirin e ngrohtë të familjes, kujtoi pikërisht Manastirin, atë tokë të shenjtë të vendlindjes.

Përkundrazi, në përpjekjet tona për të ndriçuar sa ma shumëveprën e tij, mendoj se është edhe nderimi i thellë për shqiptarin e madh Qenan Zija Manastirin, birin dhe burrin e shquar të Manastirit e Shqipërisë.

Haki Sharofi    “Mësues i Popullit” (1894 – 1993)

Haki Sharofi ka një veprimtari aktive plot 63 vjet. Veprimtaria e tij në disa fusha, si në atë të mësuesit, studiuesit, publicistit, shqipëruesit, orientalistit, poetit dhe luftëtarit trim në mbrojtje të trojeve të veta e bën atë një personalitet të shquar të kulturës dhe qenies shqiptare.

Krahas punës së pasionuar të mësuesit, Haki Sharofi, u ka lënë brezave të dokumentuar heroizmin dibran nga lashtësia deri në ditët tona, në dy vëllime. Këto vëllime, djemtë e tij, në kuadrin e 75- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, patën mirësinë, t’ia dhuronin bibliotekës së Peshkopisë. Këto punime janë një kontribut me vlerë për historinë krahinore të Dibrës, në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi. Ato shquhet për kulturë shkencore, vërtetësi historike dhe interpretim të faktit.

Me interes të veçantë janë studimet: “Figura e Skënderbeut në Dibër” dhe lokalizimi i disa betejave të kësaj epoke në këtë trevë; “Studime mbi historinë e lashtë të Dibrës”, “Dibra në prag të shpalljes së Indipendencës”, “Ndërtimi i qytetit të Dibrës”, organizimi shoqëror, etj. Bashkë me Ismail Strazimirin e Haki Stërmillin, është autor i monografisë “Djelmnia Dibrane”. Ai na ka lënë mbi dhjetë jetëshkrime të shkurtra të figurave atdhetare dibrane, si: “Hoxhë Voka”, “Kreshniku i Dibrës” (Elez Isufi), “Hamdi Ohëri”, “Vehbi Agolli”, “Hoxhë Muglica”, etj.

Në çastet kulmore të atdheut, Sharofi shpërthen dhe si poet. Poezia e tij është domethënëse, e ndjeshme, e fuqishme, politike, që priret e mbështetet në tabanin kombëtar. Të tilla janë: “Drin, o lum i gjanë”, “Një malësori”, “Dita e Flamurit”, etj.

Fushat e veprimtarisë së Haki Sharofit janë të shumta dhe shumë përparimtare, ndonëse ishte nga eruditët më të shquar që e radhisin Sharofin ndër teologët më të shquar shqiptarë të shekullit XX. Një eveniment shumë domethënës është dhe sjellja shumë civilizuese e Haki Sharofit si baba, si prind. Zonja Avdije Alibali, “Mamica e Skënderbeut”, artiste në Tiranën e viteve të para të pas çlirimit që e çoi jetën në internime, ”ishte bijë e familjes Sharofi nga Dibra e Madhe.  Avdije Alibali, kur kujton të atin, e përcjell këtë mesazh me peshë sidomos për të tashmen tonë! “Teolog i shquar babai im, Haki Sharofi, më la të bëhem artiste.”

Nëse do të flitnim për meritat e tij, më thotë mendja se do të duhej një studim i plotë, por kjo nuk është objekti ynë , ndoshta dhe mundësia, por unë do të veçoja meritën e madhe të zotit Haki Sharofit në përkthimin dhe botimin e librit të vyer “Kongresi i Dibrës” të patriotit të shquar Qenan Zija Manastirit.

“Dashuria për atdhe, flamur e gjuhë amtare, – ka shkruar Sharofi, – na armatosi ne mësuesve të parë të çajmë errësirën me grykën e pushkës e majën e penës.”

Në vitin 1993, pas vdekjes, iu dha titulli “Mësues i Popullit”për meritat e tij të shquara në arsim.

________________________________________

1  Haki Sharofi, “Kongresi i Dibrës”, f.65

[1]Hafiz Ali Korça, “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë“,viti 1924, faqe 28

[2] Qenan Manastiri, Kongresi i Dibrës, f. 10

        4 Po aty, f. 10

5 Po aty f. 15

6 Po aty f. 16

7 Po aty f. 22, 23

8 Citimet nga fq. 23, 24, 25

* Arkivi  i  Institutit    Historisë, dosja  A-VII-63

9 Qenan Manastiri, Kongresi i Dibrës, f. 31, 32, 33, 34