Një grusht dhé Lure për Dom Nikollë Kaçorrin  


Nga HEKURAN VLADI 

Foto nga ceremonia e rivarrimit, Durrës, 13 shkurt 2011

 U gjet, u gjet më në fund… U gjet pas 50 vitesh mohim dhe 1 shekull pritje. U gjet pas kërkimeve të dëshpëruara të një nipi në SHBA, pas trokitjeve derë më derë të një historiani në arkivat e huaja, pas këmbënguljes së priftërinjve për të mbajtur amanetin e tij që të prehej në atdhe. U gjet Dom Nikollë Kaçori dhe atë nuk e gjetëm ne. Na e bënë dhuratë këta zemërgjerë që përmenda më lart, por edhe ne nuk e lamë pa gjë… I bëmë një pritje të zezë, në ca ambiente të zeza, të mbështjellë me një rreckë po kaq të zezë, që nuk kuptohej nëse ishte një valixhe e falur nga dikush, apo një thes mbeturinash për riciklim. Shkurt, për faqe të zezë! Tonën, jo tënden… 

 Por, nuk ishte faji ynë, ishte krejt i yti, Dom Nikollë Kaçorri! Kur prite 100 vjet, të rrije edhe ca ditë të tjera. Dom-i ynë i dashur, gjete momentin e keq për t’u kthyer në Shqipëri. Siç duket, ty nuk të thanë që burrat e Kuvendit tonë kishin radhën për t’u mbledhur, pasi kishin lënë në mes një çështje madhore për të diskutuar. Ishin shumë të zënë për të të nderuar në aeroport siç e meriton, sepse akoma nuk kishin mbaruar librin e sharjeve deri në gjenezë. Me nënat, motrat dhe gratë ishte gjithçka në rregull, por në fis kishin akoma punë… Edhe gratë e Kuvendit, duke nisur që nga kryeburrnesha e besimit tënd, ishte me axhendë të ngjeshur atë ditë që erdhe ti, Dom. Ajo dhe gratë e tjera po miratonin me qeshje, buzëqeshje e ngërdheshje degjenerimin e burrave dhe me raste, edhe i plotësonin fjalitë. Këtë të fundit e di që nuk e beson dot, sepse me të drejtë mund të pyesësh se ç’duan gratë në Kuvendin e Burrave? Ehhh, je 100 vjet pas Dom, mos u trondit… Quhet barazi gjinore dhe po t’i dëgjosh në kuvendim, janë fiks njësoj. Aq perfekte po arrihet kjo barazi, sa me këtë ritëm, shumë shpejt do të shndërrohet në Kuvendin e Grave, edhe pse emrat pjesëmarrës janë shumica të gjinisë mashkullore dhe vazhdojnë të mbarojnë me germën I dhe U. Gramatikisht them dhe këtë e kupton mirë ti Dom, se ke qenë dhe gjuhëtar i madh. Meqë ra fjala, me alfabetin tënd, përkthimet, studimet e veprat e tua, u arsimuan shumë profesorë, pedagogë. Me emrin tënd si temë diplome u bënë edhe doktorë. Por edhe këta ishin të zënë kur erdhe ti, Dom. Po jepnin mësim në universitetet private dhe si për ironi të fatit, njëri prej tyre po shpjegonte pikërisht legjendën tënde… Nuk mund ta linte atë orë mësimi, Dom. Teorikisht i kushtoje 50 euro, praktikisht 1 mijë lekë karburant deri në Rinas… 

 Të thashë që në fillim që zgjodhe ditë të gabuar për t’u kthyer, Dom! Në ndonjë kohë tjetër, do të të nxirrnim edhe vetë ministrin e Kulturës të të priste në aeroport, por atë ditë që erdhe, ai ishte shumë i zënë duke bërë bisedime ndërkombëtare për eshtrat e një patrioti, me të cilin Ti shpalle Pavarësinë dhe krijove Qeverinë. I kanë humbur në dheun e duhur, por gjithmonë i kërkon në vende të gabuara, ose me emra të gabuar. Ministrit tonë vijojnë t’i vijnë përgjigje të dëshpëruara dhe të gëzuara njëkohësisht: “Referuar të dhënave tuaja, qytetari Qemal Ismaili është i gjallë e është në jetë, është në dritë të vërtetë…”. Mos ia vër re, ashtu si shumë politikanë të tjerë sot, edhe ai mendon për zgjedhje të ardhshme, ndërsa ti Dom mendoje vetëm për breza të ardhshëm. Nuk ka rëndësi nëse është Ismail Qemali apo Qemal Ismaili, në këtë rast ai është një votues më shumë. Po ashtu, nuk ka rëndësi nëse është i gjallë apo i vdekur, në këtë rast ai është një mundësi manipulimi më shumë. Megjithatë, lutu, lutu me gjithë forcën tënde Dom, që mos t’i gjejë ato eshtra, ndryshe do të t’i sjellë edhe ato në thesin e zi ku të kanë futur. Shumë ngushtë për Ty aty, mendo për të dy… Ah, Dom, si nuk prite edhe ca për t’u kthyer në atdhe! Vetë Presidenti i Republikës do të të dilte para dhe zyra e shtypit do të bënte një njoftim fisnik, ashtu siç e meritoje. Por, më vjen keq të ta përsëris, zgjodhe ditën e gabuar për të ardhur. Kryetari i Shtetit ende nuk e kishte sqaruar se sa doli Arsenali me Gallatasaraj, ndërsa i ka ngelur problem madhor dhuna e tifozëve në stadiumet e Laçit, kur luajnë ekipet e pensionistëve… Një problem të tillë me çështje dhune ka pasur këto ditë edhe zyra e shtypit pranë Kryeministrit. Zakonisht kryetarit të Qeverisë nuk i shpëton gjë, por më shumë se sa faji i mediatikëve të tij, ka qenë i kreut të opozitës. As ai nuk u ndje se do të vije Ti. Hmmm, duket si plan “mafioz” i kundërshtarëve politikë, të kanë përdorur edhe të vdekur, Dom. Po të kishte reaguar kryeopozitari, do të reagonte edhe kryemazhoritari. Do të ishin organizuar edhe dy konferenca shtypi në selitë përkatëse, do të ishin shpërndarë e-maile dhe disa foto, por jo të thesit të zi ku je Ti. Besoj që shkrepjet e aparatit do të ishin bërë mbi ndonjë arkivol të marrë me qira, me plot lule të freskëta të vendosura nga sipër me montazh kompjuterik…  

 E kupton Dom tani në çfarë kohe je kthyer? Por meqë erdhe, rri… Vendi yt i lindjes, Lura, ka 100 vjet që po të pret. Të ka bërë gati edhe dheun për Ty. E ka gjetur të butë, në një lëndinë të gjelbër, pranë liqejve. Aty ku dielli lind i përkëdhelur dhe po ashtu perëndon. Atë ditë që Ti erdhe në aeroport, patriotët e tu ishin të vetmit që u përulën para atij thesi të zi. Të përmalluar, por edhe të poshtëruar për atë çfarë panë, qanë në vend të grave para teje. U bënë gati të të merrnin e të të çonin në Lurë, por… Gjithë jeta dhe pasjeta po të shkon me “POR”, Dom. Është pak turp të ta them, por fshati yt nuk ka më rrugë. Edhe ajo udha e kuajve që përshkove ti kur ishe fëmijë 2 shekuj më parë, është prishur. POR, si gjithmonë me POR… Nëse nuk shkon Dom Nikollë Kaçorri në Lurë, do të shkojë Lura te Dom Nikollë Kaçorri. Sot, në ceremoninë e varrimit që u bë në Durrës (në mungesë të një rruge për ta çuar në vendlindje) secili nga ne do të marrë me vete një grusht dhé, të cilin e kemi sjellë posaçërisht nga Lura. Dom, ne nuk jemi të denjë për Ty, por me një grusht dhé Lure, shpresojmë në faljen tënde.  

  1. Botuar në “Rruga e Arbërit”, nr. 2 (58), shkurt 2011