JETA DHE VEPRIMTARIA E DOM NIKOLLË KAÇORRIT 


Dom Nikollë Kaçorrit: ”Mos deksha pa hedhur një urë nga Kunora e Lurës deri në Zvicër që Europa të vijë e të shohë se Lura asht froni i Perëndisë me shtatë mrekullitë e saj”. 

Nga: SALI AJAZI 

Bibliografi i Dom Nikollë Kaçorrit, duke mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e rivarrimit, Durrës, 13 shkurt 2011

Lindi në Krejë Lurë nga dy prindër me besime të ndryshme fetare, I ati katolik e ëma muslimane. Të dy prindërit i vdiqën shpejt dhe Nikolla mbeti jetim në moshë të njomë. Kjo fatkeqësi e tij u kompesua nga pjestarët e familjes së madhe të Kaçorrit. Ata e shikonin Nikollën e vogël si djalin e tyre. Sejcili prej tyre dhe i tërë fisi ndiqnin zhvillimin dhe mirërritjen e tij. Kjo traditë fisnike e kësaj familje u duk vazhdimisht pasi u interesuan për ta arsimuar në perëndim. Fati i tij ishte se në Lurë vjen Ipeshkvi i Jezuitëve Imzot Anstrzo nga Durrësi, kur Nikolla ishte rreth moshës dhjet vjeçare. 

Me interesimin e pjestarëve të familjes dhe dorën e shtrirë të autoritetit kishtar iu hap rruga e jetës dhe perspektivës. Dërgohet në një kolegj në Romë ku siç thuhet në karakteristikën e tij(pështypjet më të mira) “Kaçorrin e veshin si nxanës propogande dhe e vendosin me shokët për filozofi”. Mbaroi ma vonë studimet e larta në Universitetin e Zekingut në Zyryh të Zvicrës dhe kthehet me tre profile studimi: teologji,filozofi dhe shkenca politike-juridike. Të gjitha i vuri në shërbim të fesë dhe atdheut. U shugurua dhe vjen në Lurë. Familja e Kaçorrëve, fisi dhe dajat i improvizojnë një dasëm simbolike pa nuse por duke shijuar pjesmarrësit shijet e një dasme Lure Nikollë Kaçori u brumos me arsim e dije kristiane me besën ndaj Zotit e në shërbim të tij. 

Shpesh herë kur vinte në Lurë u fliste për terrin që kishte mbuluar Shqipërinë. Udhëzonte në emër të fesë dhe të kombit për të ndaluar gjaqet, thirrje për bashkim e vllazërim. ”Të gjitha gjaqet ju t’i falni, pushkën turkut të mos ia ndalni” Kjo ishte dhe mbeti jo vetëm porosia për të tjerët, por motoja e tërë jetës së vet të shkurtër 49 vjeçare, për ta bërë realitet kthimin nga terri në dritë për Shqipërinë. Rrethi i tij miqësor e shoqëror ishte i gjërë por dhe kundërshtarët me të cilët u përplas nuk ishin të pakët Këto ishin pushtuesit dhe veglat e tyre. Beteja me ta bëhej se ato donin që Shqipëria të kishte zhvillim, ishin kundër gjuhës dhe të shkruarit shqip. Me këto përplasje Kaçorri u bë figura më simbolike e shoqërisë së kohës, modeli i patriotizmit dhe i ashpërsisë kundër padrejtësive të kohës. Veprimtaria e tij fetare zhvillohej në kishë njësoj si për katolikët dhe muslimanët. 

Predikimi i tij bëhej për shqiptarët e jo për fetarët. Thënja e Vaso Pashës se :”Feja e shqiptarit është shqiptaria” Kaçorri e kishte bindje për veprim. Përmbajtjen e kësaj thënje lapidare, dalur nga mendja e goja e një shqiptari të madh. Me vrullin rinor ai përballonte në fushën e dijes të gjithë kundërshtarët qofshin fetarë, qofshin pushtetarë. Të gjitha debatet i kishte të fituara. Në planin politik, bashkë me atdhetarë të dëgjuar organizoi dhe mbështetit popullatën e varfër të Kurbinit të cilët u nxitën për kryengritje në vitet 1905-1907. U quajt nga të huajt “Rektori shpirtëror i kësaj episkopate”. Ideja e tij dhe e Dom Shtjefën Gjeçovit ishte për ta bërë Kurbinin qendër e model të kryengritjes së armatosur për të gjithë Shqipërinë. 

Aktiviteti i tij patriotik qe i gjithanëshëm. Në këto rrethana u bë kleriku më karizmatik i kohës. Energjitë e tij ishin të pashtershme në të gjitha veprimtaritë patriotike, për të zgjuar masat nga gjumi i shekujve, për t’ju hapur sytë nga errësira shekullore. Lidhjet e tij me shumë patriot brenda e jashtë vendit dhe aktiviteti i tyre i përbashkët solli atë që e gjithë bota shkroi e tha se Shqipëria fitoi pavarsinë! Nëntori i parë 1912 që nxorri në pah birin e Lurës dhe të gjithë Shqipërisë Dom Nikollë Kaçorin, si figurë të shquar të kombit tonë. E bashkë me të mbledhjen e kuvendit historik të Vlorës që e pati fatin dhe meritën e shpalljes shtet të pavarur e Sovran. Ky qe kulmi i historisë kombëtare,Ky kuvend e zgjodhi Dom Nikollë Kaçorrin zëvëndësin e parë të Ismail Qemalit, Nënkryetar të Qeverisë. Këto të dy figura arritën të zgjidhen duke marrë 100 përqind të gjitha votave të delegatëve. Veprimtaria, zgjuarsia dhe devotshmëria e nxorri në rrjeshtin e parë të shtetit të parë shqiptar si personalitet i shquar e plot dinjitet pas 500 vjet robërie. 

Jeta e tij nuk erdhi e lehtë por erdhi nëpërmjet luftës, përpjekjeve, burgimeve e keqtrajtimeve por edhe me fitore historike. Burgu i Jedi Kules i nguli si thikë sëmundjen e rëndë e të pashërueshme që i mori edhe jetën në duart e mjekëve të Vjenës. Në momentet sa historike aq edhe me rreziqe, në prag të ngritjes së flamurit, ai me kurajo ngrihet e thotë:”Nëqoftë për nesër të desim sod. O sod o kurrë!” Këtu kishte parasysh se liria dhe vdekja ishin pranë njëra tjetrës. Duke pas parasysh se emri dhe vepra e Dom Nikollë Kaçorrit i ka bërë nder tërë Shqipërisë, me veprimtarinë shumë dimensionale mendoj se është lënë në harresë me qëllim e me keqdashje përreth një shekull. Fakti që emri i tij është vendosur vetëm në një mur avllie të kishës dhe vetëm në një shkollë të Lurës, na jepet e drejta si familjarë të Kaçorit dhe të krejt Lurës për drejtësi historike. Historia e çdo vendi pasqyron dhe vlerëson figurat historike duke emërtuar qytete, rrugë, lagje, institucione. Shpreh bindjen se nëntori i tretë për Dom Nikollë Kaçorrin tashmë do jetë ndryshe. 

Sjellja dhe rivarrimi i eshtrave të tij në vendin tonë ishte dhe një amanet i tij. Ky evinement kaq i rëndësishëm u realizua nga veprimtaria aktive e Pjetër Logareci nga Shkodra, Prifti i emisionit katolik në Vjenë Dom Prek Kaja dhe djali i Fran Kaçorrit i mbështetur nga i gjithë fisi i Kaçorrit. Sot eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit prehen në kishën “Shën Luçia” ku punoi, predikoi dhe jetoi për gadi 23 vjet. Busti i tij afër portit të Durrësit u përurua në kuadër të 90 vjetorit. Mendojmë dhe shpresojmë se viti 2012 të jetë ndryshe, të jetë një vit vlerësimi për figurën dimensionale të Dom Nikollë Kaçorrit. Të zbukurohen sheshet e qyteteve në Vlorë,Tiranë,Dibër dhe Lurë me bustin e tij. Figura e tij do tju bënte nder këtyre qyteteve dhe do të ishte një pavdekësi për Lurën që e lindi dhe e rriti. Me këtë rast do të kujtonim fjalët e Dom Nikollës që ka thënë: “Mos deksha pa hedhur një urë nga Kunora e Lurës deri në Zvicër që Europa të vijë e të shohë se Lura asht froni i Perëndisë me shtatë mrekullitë e saj”.  

 Botuar në “Rruga e Arbërit”, nr. 2 (58), shkurt 2011