Skënderbeu nuk përton të ngrihet prapë


Shfaqet në Tiranë dhe Prishtinë opera “Skënderbeu, kryezot i Arbërit”

Nga Dashnor Kokonozi

Me qejf shkuam të shohim operën që muzikanti e muzikologu Vasil S. Tole i ka kushtuar Skënderbeut, me libret të punuar nga ai vetë mbi një tekst të F. Nolit.
Kisha kureshtje të shoh një opera shqiptare të ditëve tona sepse nganjëherë kemi përshtypjen se krijimtaria operistike ka përfunduar në muze, për t’u shijuar tashmë me rivëniet e veprave të dikurshme. Se koha jonë në rastin më të mirë mund ta perceptojë veçse të modernizuar në trajtën e një dramaturgjie lirike si West Wild Story, apo më këndej si operat “Niksoni në Kinë” e John Adamsit apo “Ajnshtajni në plazh” e Philip Glass (në versionin e festivalit të Avinjonit që kam patur rastin të njoh) etj.
E pra, me sa duket nuk është kështu. Opera ka të drejtë të ekzistojë dhe evoluojë në të gjitha format e mundshme.
Tole nga ana e tij e ka sjellë si një “Opera solemne- koncertale”.
Nuk shihen në të mizanskenat klasike, edhe pse gjuha muzikore është e tillë, kemi më fort një lloj “dialogu” midis solistëve, një kuarteti dhe korit masiv (bashkim i suksesshëm i Teatrit të Operas së Tiranës dhe korit të Filarmonisë së Kosovës)
Natyrisht, është punë e specialistëve të gjykojnë për të e veçanërisht strukturën e saj muzikore. Ne si spektatorë të thjeshtë kufizohemi në një perceptim të drejtpërdrejtë e bazik: “më pëlqen, nuk më pëlqen,”.
Mua më pëlqeu, veçanërisht muzika dhe interpretimi i koraleve. Ishin të plotë, emocionues. Me interes m’u duk edhe dalja e një kuarteti (A. Vera, G. Murrja, E. Golemi, A. Papa).
Edhe pse mjaft profesionistë në kuartet, krijova përshtypjen se dy artistët e parë e ndjenin ca peshën e skenës dhe të premierës kur dilnin solo, gjë që i lejoi të shprehnin vetëm pjesërisht talentin e tyre. E di, një shfaqje duhet parë në daljen e saj të tretë apo të katërt në skenë dhe gjithnjë e kam shmangur premierën, por nuk e kam këtë mundësi.
Vetiu një vepër për Skënderbeun, të sjell në mendje muzikën me të vërtetë madhore të filmit që mban emrin e tij. Më pëlqeu që autori me zgjuarsi kishte sjellë ndonjë motiv të tij, por jo më shumë si reminishencë se sa si një lloj homazhi, si një intertekst muzikor, nëse mund të përdoret ky term.
Gjithsesi, gjykimi mbetet thjesht personal.
Marrë nga flasshqip.ca