Shkolla e Ploshtanit merr emrin e respektuar “Ramadan Gjorllaku”


Nga Metush Skeja

Këtë takim do ta quaja bisedë mes miqsh për kolegun, shokun e mikun tonë Ramadan Gjorllaku, që megjithëse nuk jeton na mbledh neve për ta kujtuar.

Shkolla e Ploshtanit duke marrë emrin e respektuar “Ramadan Gjorllaku” është një nder që i bëhet jo vetëm kësaj shkolle, por gjithë arsimit e banorëve të zonës Kala e Dodës.

Unë e kam pritur me emocion të veçantë këtë festë, pasi kam punuar me Ramadanin, duke respektuar personalitetin Ramadan Gjorllaku ne të gjithë respektojmë dijen, mësuesin, vetveten.

Duke menduar të shkruaj këto rreshta, aq më shumë e kuptoja se ishte e vështirë, pasi Ramadan Gjorllaku ishte personalitet kompleks, me prurje të shumta, si një lum që shpeshherë uji të del nga shtrati tij se nuk e mban dot, me temperament sanguine e të ekuilibruar, vende vende kolerik e i rrëmbyer.

Kjo që bëjmë sot është vetëm fillimi, fjalimet nuk janë aspak shterruese. Për Ramadan Gjorllakun do të flitet e do të flitet në të ardhmen. Që kur hyri në klasë të parë e më pas gjatë gjithë jetës nuk u nda nga librat, shkolla e arsimi, vetëm vdekja e ndau. Për 37 vjet i shërbeu zonës e kultivimit të fëmijëve për t’i bërë të aftë për jetën, për t’u nxitur e vënë në punë rezervat mendore të tyre të dhënë nga natyra, me një devotshmëri gati religjioze.

Unë vazhdoj të besoj se në formimin tonë si qenie të ndërlikuara sociale ndikojnë faktorë historik, edukativ, mjedisor e gjenetik. Në këtë këndvështrim do ta shikoj edhe formimin e Ramadanit.

Zona Kala e Dodës është e banuar herët, por me siguri që në shekujt e parë pas krishtit. Këtë na tregojnë kishat katolike të periudhës romake që gjenden në çdo fshat, e ndonjë vend ka edhe dy, që tregon se popullsia ishte e dendur. Fortesa kala është e periudhës së justinianit. Vetë emri kala mbart në vetvete për banorët e saj një simbolikë.

Gjatë sundimit osman në kala në fshatin Ploshtan mbaheshin kuvendet e gjithë krahinës së Lumës deri në vitin 1830, kur zhvendoset në Bicaj. Por kuvendet e 4 bajraqeve përsëri mbaheshin në Ploshtan te kalaja. Vendi organizator gjithnjë ka pluset e veta.

Dokumentat osmane tregojnë se zona jonë kishte një milion bagëti të imta në atë kohë,pasuri kjo që asnjë zonë tjetër nuk e kishte. Kjo është njëra anë. Kalaja kishte e ka pasuri shpirtërore sa ekonomike. Do të përmend vetëm një. Studiuesit kanë regjistruar afro 500 këngë burimore që këndohen në të gjithë trevat ku ka shqiptarë. Banori kësaj ane dinte të ruante delet, të mësonte fëmijët në mejtepet e kohës, të bënin tregti, të thurte këngë e vargje. Në këto këngë ka vargje me bukuri të jashtëzakonshme të krijuar nga gjenia artistike e këtyre njerëzve.. Fisi Flisi i Ploshtanit për një kohë të gjatë kishte qenë bajraktar i bajrakut të Qafës. Kontributi i zonës Kalasë e Radomirës në betejën e Drinit nëntor 1912 është vendimtar për fatet e kësaj lufte. Në periudhën e mbretërisë shqiptare e më pas në regjimin komunist deri 1953 Ploshtani ishte qendër komune e lolaliteti ku përfshiheshin 16 fshatra. Duke qenë qendër shkolla e parë shqipe hapet në Ploshtan më 1922, po edhe shkolla e parë shtatëvjeçare më 1957 ku pati fatin të mësonte Ramadani

Fisi Gjorllaku ishte fis fisnikësh. Gjyshi i Ramadanit, Tefik Gjorllaku ishte imam i fshatit, kishte përcjellë në mënyrë aktive ngjarje me rëndësi kombëtare. Molla Mera është ndoshta shembulli i vetëm duke mbrojtur para femohuesive e fendaluesive të kohës shenjtërinë e besimit e të drejtuesit saj. Me prona në Prizren që ishte një ndër qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Është i vetmi fis në krahinën e Lumës me hotel. Te dhoma e burrave të Molla Tefikut mblidheshin njerëz për kuvend, që me argumentat pro e kundra shkohej te e vërteta e racionalja. Studiuesit i kanë quajtur odat shkolla, parlamente, biblioteka. Të lindje këtu ishe me fat. Në këtë mjedis lindi shoku ynë Ramadani. Ky mjedis social, familja e shkolla janë socialigjizimet e para të tij.

Ai ishte krenar për vete, familjen, fisin e krahinën e tij.

Humbjen e hershme të atit e plotësojnë gjyshi, xhajet e sidomos nëna e tij fisnike.

Perëndia Ramadanit i kishte dhënë shumë, trupin e pamjen e bukur, mendjen e shpirtin e bukur që vetë e plotësonte me sjellje, karakter e veshje të bukur, vetëm jetën jo të gjatë, ndoshta është sekreti saj që s’ti jep të gjitha.

Në moshën 17 vjeçare fillon punën si mësues në Radomirë. Vazhdon shkollën e mesme e më pas të lartën që nuk e përfundon. Nxënësit e tij dalloheshin dhe e me krenari thoshin se jemi nxënësit e mësues Danit.

Unë shumë vite më pas kur Dani nuk ishte hapja dokumentet shkollore me lehtësi dalloja shkrimin e tij më shumë se të bukur dhe më binte në sy profesionalizmi me të cilat kishte plotësuar dokumentat. Unë kam punuar e mësuar prej tij.

Për 36 vjet punoi në arsim pa u lodhur, jashtzakonisht korrekt e i përkushtuar. Ai nuk ishte vetëm mësues, por ishte i pranushëm e i pëlqyer nëpër oda e mjedise sociale. Ishte elitë e kishte klas.

Dani kishte sens praktik në njohjen e psikologjisë së grupmoshave, psikologjisë së të mësuarit e edukimit, njohje shkencore e zbatim rigoroz të metodikave të mësimdhënies. Ky dhe përkushtimi ishte suksesi i tij në punë.

Ne mësuesit, nxënësit e banorët e kësaj zone jemi të vlerësuar sot e në të ardhmen me emrin e nderuar Ramadan Gjorllaku që i jepet shkollës së Ploshtanit. Ky emër përfaqëson punën, djersën, sakrificat e mësuesve dhe nxënësve që nga hapja e shkollës shqipe më 1922, sot e në të ardhmen.

Çdo prind, nxënës, mësues të jetë mik i dijes e shkollës siç ishte Ramadani, se edhe dituria do t’i bëjë miq të saj, binom ky pa të cilin jeta s’ka kuptim. Ne sot jemi mbledhur këtu pikërisht se Dani ishte mësues e i ditur. Emër më të mirë se Ramadan Gjorllaku nuk mund të gjendet.