Lamtumirë nxënësi, shoku, miku im Enver Laçi!


Kur mësova, më 30 nëntor 2021, se nxënësi, shoku dhe miku im Enver Laçi me rrënjë në kullën tre katesh majë kodrës që sheh tërë luginën e lumit të Mallës, kullë që kisha bujt e kisha pirë kafen e veçantë që pjek Reçi, ishte i sëmurë, madje rëndë i shtruar në spital, siç më shkruante shoku i tij i ngushtë i shkollës bujqësore të Peshkopisë Hamza Hyka nxora nga shpirti urimin: SHËRIM TË SHPEJTË ENVER LAÇI !

Shkrova…

Mësova se je sëmurë miku im, nxënësi im, shoku im ENVER LAÇI

Më nderove si askush me ardhjen tënde për të më takuar në gusht 2021, në ditët e mija të pushimeve.

Bëmë edhe një foto bashkë. Po ta dërgoj.

Biseduam që verën e ardhshme të takohemi përsëri. Të pimë kafe e të udhëtojmë në Gjurë Reç, të ngjitemi në kullën në tre poda të

Suf Laçit, gjyshit tënd e të bisedojmë shtruar për kohët e njerëzit.

Kemi shumë për të folur e për të shkruar.

E di që do të vish!

Mirë u takofshim!

Abdurahim Ashiku

Athinë 30 nëntor 2021

Nuk qe fati të takohemi përsëri. Të realizonim ëndrrën e shprehur atë ditë.

ENVER LAÇI iku.

Lajmi i zi, me dhimbje dhe me lot në sy më erdhi mbrëmë nga miku i tij dhe imi Hamzai…

Ai më shkroi:

Mirëmbrëma!

Me hidhërim të thellë i u bëj me dije se u nda nga jeta Enver Laçi. Varrimi është lënë për nesër e enjte 20 prill ora 15. 00 në Yrshek të Kasharit

Numri i telefonit i Benard Enver Laçi është +355684110124

T’i rrojnë ç’ka lënë pas!

U prehtë në paqe.

I paharruar qoftë !

Fola me Benardin.

Ndjeva zërin që i dridhej, dhimbje që përjetonte.

Ikja e prindit nuk mund të ngushëllohet me asnjë fjalë…

Kërkova në arkivin tim fotografik.

E desha Enver Laçin të gjallë e të shëndetshëm, të gëzuar e plot humor si në takimin e mrekullueshëm në 70 vjetorin e Xhevat

Danit, si në kafen e fundit me të në gusht 2021…

Po e shoqëroj edhe me një moment humori dhe dashurie shokësh shkolle në një ditë të gëzuar në 70 vjetorin e Xhevat Danit me

titull: ENVER LAÇI SHTATËDHJETË VJEÇ… Enver Laçi ishte i gjallë, i dashurisë mes njerëzve, i humorit dhe respektit.

Lexojeni dhe merrni edhe ngushëllimet e mia…

Abdurahim Ashiku

20 prill 2023

 

ENVER LAÇI SHTATËDHJET VJEÇ…

Kush e gjen se çfarë dite ka qenë kur ka le Enver Laçi?

Enveri, atë ditë të bukur 9 gusht 2019, mes gëzimit të 50 vjetorit të maturës së shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”, në tubimin me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes së shokut të klasës Xhevat Dani e nisi bisedën me humorin karakteristik të tij me pyetjen në publik: “KUSH E GJEN SE ÇFARË DITE KA QENË KUR KA LE XHEVAT DANI”…

“…Të flasësh në një moment gëzimi është e vështirë. Unë do t’ju mërzis nja pesë minuta.\Në funksion të fjalës që mbajti vëllai, shoku im Ismet Boka. Diogjeni i famshëm, filozof i lashtësisë greke që ka vdekur në vitin 327 para Krishtit një ditë del në Athinë me një fener të ndezur.

E ndalin në rrugë dhe e pyesin se ku po shkon…

Zëra: Është e vërtetë kjo?

Po kërkoj një njeri…

Zëra: Kam hall mos na rrejë që tashti…

Jo, jo. Ky është njeriu, shoku, kolegu, drejtuesi i ndërmarrjeve dhe kooperativave. Xhevat Dani i biri i Shefkiut dhe Servetes ka lindur më 9 gusht të vitit 1949. Kush e gjen se çfarë dite ka qenë?….

Ka qenë ditë e martë… Krisi pushka dhe tha lagjja se i ka le një voc Shefki Danit.
U flasin edhe daxhat në Gjoricë ke Leket se është fati që unë e dua shumë dhe…

Dy data mbaj mend unë.

Zëra: Mos na i ço dy gishtat lart se…
Dy data mbaj mend unë nga e marta, Lindja e Xhevat Danit në shekullin e 19-të dhe rënia e Kostandinopojës më 29 maj të vitit 1453.

Zëra: Me Xhevatin domethënë kombinon?
E marta nuk është ditë terse, është besëtytni pagane prandaj ty të ka ecë kaq mbarë.
Elementi tjetër i gëzimit në këtë trapezë është se, siç tha Ismeti u hap një dritare e re për të parë kapacitetin kulturor të familjes dhe atë elementin tradicional që shumëkund mungon.
Më të respektuarin këtu në trapezën tonë janë jabanxhinjtë jashtë Dibre që fillojnë me shkodranët se me Tiranën kemi simbiozë, me Gjergj Tonin, Engjëllin, Zefin, Ramizin nga Kruja, Halilin, demokrati im…

Pjesëmarrja e një mësuesit tonë, nuk e kishim pritur që profesor Ashiku të jetë pjesëmarrës në gëzimin tonë.

Gëtja i famshëm, gjermani Gëte thotë:Zëra: Obobo, filloi…

Zëra: Gjermani i fundit kur ka ikë…

Zëra: Më 28 nëntor…

Zëra: Nuk ka qenë luftëtarë Gëtja or ti…
Edhe Marksi e ka cilësuar gjermani më i madh…
Johan Gëte thotë: Të gjithë ata që na japin mësim ne, presje, vërtet quhen mësuesit tanë, por jo të gjithë e meritojnë emrin të tillë. Profesor Ashiku bën pjesë në elitën e mësuesisë kombëtare. Nuk ia bëj kompliment sepse nuk kam asnjë interes. Pena e tij është me vlerë kombëtare e jashtë kombëtare.
Dante Aligeri thotë një fjalë të drejtë: Ata që mbajnë qëndrim indiferent ndaj shoqërisë kur ajo është në krizë sociale e kanë vendin në ferr.
Ndërsa profesor Ashiku e ka përdorë armën – penë që nga artikulli i parë në numrin e parë të gazetës  “Ushtima e maleve”, ndonjëri s’e di, le ta mësojë, e deri në këtë moshë.
Unë u befasova për rininë e tij që i ngjan një amerikani të cilët përdorin një fjalë: Amerikanët jetojnë gjatë por vdesin të rinj.

Unë: Mos vazhdo shumë se atëherë do të tregosh edhe historinë e tre mrekullive të Gjurë Reçit. A i din ato tre historitë?
Ai: Frigoriferi në shkëmb, burri me fustan dhe rrëzimi i sekretarit mbi saç…
Rrofsh dhe na ftofsh në njëqindvjetorin e lindjes!
Shëndeti i familjes Dani me gjithë brezat që ke…

Zëra: Ulu, ulu, shkurtoje pak shiritin...
Dhe paçim rastin që t’ju vijmë përsëri. Lum si ti për djem e vajza dhe për nipër e mbesa.
Shëndeti i gjithë atyre që ne nuk i njohim por që i shohim sot këtu. Gjithë miqësia e gjakut që keni. Dhe kaq.

Hajde gëzuar Xhevat Dani!

Zëra: Të lumtë goja shoku Enver!”

* * *

Enver Laçi më 3 gusht më kishte ftuar në ditëlindjen e tij të shtatëdhjetë…
Enverin e kam pas nxënës në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti” një gjysmë shekulli më parë…

Enverin, kullën e Laçe në tre poda maj kodre, aty ku ndahet Gjurë-Reçi me Arrmollën, e kam në sy, në mendje, në shpirt…në gurët që e lartojnë, në trarët që ndajnë katet e mbajnë çatinë, në njerëzit aq mikpritës sa ta bëjnë borxh për tërë jetën.
Me thënë atë të shpirtit doja që me Enverin dhe me shokët e tij të klasës të ulesha në Kullën e Laçe, atje ku lindi, atje ku u rrit, atje ku një ditë zbriti për tu shkolluar më lart e për tu bërë një njeri i ditur Enver Laçi…

Nuk qe e mundur…

Enveri tash ka zbrit ultësirave, atje ku ka më shumë bukë e më shumë punë…
Shokët e Enverit, ata me të cilët jetoi dhe gëzoi katër vite të bukura të shkollës së mesme, kanë vendosur që ditëlindjet ti festojnë bashkë atje ku jetojnë e punojnë, atje ku kanë burrëruar djem e vajza, atje ku marrin përdore nipër e mbesa.
Vitin e kaluar vendosën që ditëlindjet ti bëjnë duke më vënë në krye të vendit…

Jam i nderuar…

Madje, për të më lehtësuar mua thanë që ditëlindjet do ti bëjmë njëra pas tjetrës në muajin gusht të çdo viti…

Jam i respektuar si asnjëherë…

Ftesën ma përcolli organizatori, njeriu që tash sa vite për gëzime (por edhe për hidhërime) i bashkon në këngë dhe në lot, Hamza Hyka. Ai më shkroi:

Përshëndetje,

Uroj të jeni mirë familjarisht.

Herë pas here dhe shpesh herë kemi lexuar postimet tuaja në facebook, kemi pëlqyer apo dhe komentuar për ato.

Desha të di a vjen dhe kur vjen për pushime në Golem se me datë 3 Gusht Enver Laçi bën 70 vjetorin.

Enveri dhe koleget e tjerë duan të dinë për pjesëmarrjen tënde…

Më fal Enver Laçi…

Më fal Hamza Hyka…

Më falni nxënësit e mi…

Do të vija me vrap e me dëshirë të madhe…

Do të vija se ju nderoj dhe ju dua shumë…

Më falni po nuk mund të vij…

Nuk më lënë me ardhë…

Më dhemb zemra…

Më digjet shpirti…

Qëndroni bashkë…

Me zemër e shpirt siç keni qëndruar gjithnjë…

Kjo flamë do të kalojë.

Me siguri do të kalojë…

Dhe bashkë do të gëzohemi në ditëlindjet tuaja…

Dhe tash po u pyes: A iu përgjigj kush pyetjes:

KUSH E GJEN SE ÇFARË DITE KA QENË

KUR KA LE ENVER LAÇI?

Ma tregoni… Më gëzon e më jep krahë.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 10 gusht 2020