Fjalë zemre nga kompozitorë, këngëtarë, bashkëpunëtorë, miq e të njohur të kompozitorit të madh Përparim Tomçini


ILIR SHAQIRI, këngëtar: 

Komuniteti i artit muzikor kombëtar sot ka ulur flamurin në gjysmështizë. Është ndarë nga jeta (në moshën 65 vjeçare) kompozitori i papërsëritshëm shqiptar, Përparim Tomçini…

I frymëzuar nga krijimtaria alegorike e Dibrës, nga gurra e pashtershme e folklorit dibran, ai ngriti në skenat artistike perla të muzikës shqiptare; vepra që shtrihen në gjini të ndryshme, si: Rapsodi për kor, Rapsodi për solist dhe orkestër, Suitë simfonike, Poemë simfonike, Elegji korale, Balada vokale, Këngë lirike dhe epike, deri të Tablotë koreografike. Një bagazh i madh artistik që na frymëzoi pamatshëm, plot 40 vjet!

Studiuesit e mëvonshëm do ta gjejnë: forcën, karakterin, mjeshtërinë, jetën e tij në krijimtarinë e tij. Ndërsa ne, miqtë e tij, nuk do ta gjejmë më atë kompozitorin e këngëve me nektarin e “Nëntë Maleve”, nuk do ta gjejmë më atë mikpritësin zemër plotë, ngrohtësinë vëllazërore, çiltërsinë dhe argëtimin e pangjashëm, kur shtroheshin sofrat tona në Dibër, Tiranë e Prishtinë.

SHPËTIM  SARAÇI, kompozitor: 

Lajmi i ikjes tënde shumë të parakohshme më tronditi shumë.

Kështu i qeshur, i mirë, i sinqertë, shok i vërtetë, krijues origjinal e çfarë të duash epiteti të mirë mund të shkruash për ty, do mbetesh gjithmonë për të gjithë ne.

Pusho në paqe, o shpirt i bukur!

Avni Ndreu, koreograf: 

Për më se 30 vjet patëm një bashkëpunim të shkëlqyer në realizimin e dhjetëra valleve, suitave e tablove koreografike, ku si gjithmonë muzika e krijuar nga mjeshtri Përparim Tomçini do të ishte garanci e suksesit në skenat kombëtare e ndërkombëtare.

EDMOND ZHULALI, kompozitor: 

Me keqardhje mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të kolegut, mikut e shokut të paharruar, kompozitorit të shquar Përparim Tomçini.

Një humbje e madhe për familjen, artin shqiptar e të gjithë shokët e miqtë e tij të shumtë.

Përparimi la pas një krijimtari të gjerë thellësisht kombëtare e me shumë vlera për Dibrën, Kosovën e mbarë shqiptarinë, e cila do ta lartësojë në pafundësi emrin e tij.

Lamtumirë Përparim, miku ynë i shtrenjtë i të gjithë artistëve.

AGIM HUSHI, tenor

Lamtumirë, Përparim Tomçini!

S’e kisha menduar kurrë se do të shkruaja këto fjalë plot dhimbje për ty, miku im!

S’do të harroj kurrë pjekurinë dhe mençurinë tënde, humorin tënd të pashoq, sharmin tënd të rrallë!

Do mbetesh në mendjen time si kolos i muzikës dhe talent i rrallë i këngës popullore dibrane, që i dhe aq shumë jetë nga jeta jote!

Sot po besoj se vdekja do të jetë një vazhdim i jetës!

Se ti s’mund të vdesësh kurrë!

Me buzëqeshjen dhe mirësinë tënde njerëzore!

Isha dhe mbetem krenar që të kisha një mik të madh dhe faleminderit për gazin me gjithë shpirt që më ke falur! Qofsh i parajsës, miku im!

FAIK VOJKA, muzikant: 

U njohëm me 15 shtator 1970 dhe u ndamë me 5 qershor 2020, për ta kujtuar gjithmonë në përjetësi. 50 vite bashkë, në të mirë e në të keqe. E përbashkëta ime me Përparimin është se ne ndenjëm më shumë me njëri-tjetrin sesa me vëllezërit dhe motrat tona. Përparimi është kompozitori, folkloristi dhe njeriu që la gjurmë në jetën artistike të Dibrës dhe mbarë trojeve shqiptare. Ishte i dashur, ishte me humor dhe shumë këmbëngulës në punën e tij. Bashkëpunimin e parë me Përparimin e kam me këngën “Pjergullo”. Një këngë lirike, e kompozuar nga Rimi dhe ku unë luajta me klarinetë variantin e Gazelit, siç i thoshte Rimi. Më vonë na lidhi aq shumë muzika, sa në shumë këngë, valle, rapsodi e romanca më la të ekzekutoj gjithmonë solist.  Nuk mbaj mend që Përparimi të më thërriste në emër. “O Vojkë”, – më thërriste. Dhe kështu më thërrasin dhe sot shokët e mi muzikantë. Veprat që ka lënë Përparimi janë madhështore. Duke filluar me këngën për Azem Galicën, Sef Kosharen, Kullat, Këngë për Kosovën, ritet dibrane, këngët lirike e tjerë. 

Përparimi ishte pjesë e imja dhe e familjes time. Shpeshherë në bisedat private kërkoja që Përparimin ta kem mbështetje dhe ma ka dhënë këtë mbështetje si njeri dhe si muzikant. Nuk them çdo dite, por në dy-tre ditë unë isha prezent te familja e Përparimit. Ke xha Hasani e Tota Shime. Kur kam luajtur rapsodinë me klarinetë dhe orkestrën e vitit 1986, pasi mbaroi shfaqja e ansamblit, Rimi më përqafon dhe më merr e shkojmë bashkë me bacën Haziz Ndreu në turizmin e Peshkopisë, ku më thotë “që dolëm mirë dhe tani do pimë nga një gotë”…

Përparimi është ideatori i “Odës Dibrane”,  ishte udhëheqësi artistik i ansamblit Dibra për më shumë se 40 vite. Kam pasur fat, pasi Rimi ishte njeri me emër në muzikën shqiptare. Bashkë njohëm me dhjetëra miq muzikantë nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Presheva e Çamëria. Jeta ime dhe e Rimit ishte e pandarë… 

LUNDRIM PAÇUKU, këngëtar:

U zgjova me një lajm shumë të hidhur sot.

Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë Mjeshtër! Do t’i mungosh muzikës, kompozimit, artistëve, mbi të gjitha Dibrës dhe dibranëve.

Të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë, sepse jeta është e tillë, megjithatë, ajo që e bën njeriun të pavdekshëm janë veprat dhe kujtimet e ju do të mbeteni i përjetshëm brenda notave dhe në zemrat tona.

ZAIM ELEZI, piktor:

Më dhembi shumë ikja jote, Përparim! Jo vetëm pse ishte e parakohshme, por sepse ti ishe një vlerë shumë e madhe e Peshkopisë, Dibrës, Kosovës, gjithë trevave të Veriut e mbarë Shqipërisë. Me krijimtarinë tënde ti ju dhe emër shumë këngëtarëve si Arif Vladi, Lirie Rasha, Qerim Sula, Ilir Shaqiri në Kosovë, Vera Laçi, shumë e shumë të tjerëve. I bëre të njohur,duke kënduar këngët e krijuara nga ti. Por ti nuk kompozove vetëm këngë, por edhe krijime me vlera në gjini të tjera të muzikës. Sa herë i ndaje me mua, kur këto krijime ishin duke marrë formë.

Më le një bosh të madh Pap, jo vetëm mua. Do na mungojë buzëqeshja, humori, historitë humoristike që aq bukur i krijoje dhe tregoheshin nga të tjerë miq e shokë në raste pa fund.

Vështirë të harrohet Përparimi. Ke lënë plot, për të mos ikur Pap! 

LIRIM HOXHA, këngëtar:

Kush të njohu nga afër, u mrekullua nga çiltërsia jote njerëzore. Ishe plot humor, i dashur, i respektueshëm, me një formim kulturor për t’u pasur zili. Pasuria artistike që le pas është e madhe. Dibra do t’ju jetë mirënjohëse përjetë!

DEFRIM METHASANI, gazetar:

Ike dhe ti mjeshtër i muzikës Përparim Tomçini! Ike nxitimthi, në një moshë dhe kohë të paduhur. Drini sot e shtoi rrjedhën, sepse Dibra dhe ata që të njohën ty dhe krijimtarinë tënde si kompozitor i talentuar, derdhën lot. Edhe ti deshe të prehesh në vendlindje, aty ku bëre emrin e madh. Lamtumirë Rimi. Buzëqeshja jote ndaloi sot në stacionin e fundit, ndërsa kujtesa për ty, kurrë nuk do të ketë stacion të fundit…!

BESART GALICA, gazetar:

Gjatë rrugëtimit tim si gazetar, anembanë botës e veçanërisht në trojet tona shqiptare, kam takuar njerëz të ndryshëm, politikanë, mjekë, artistë e të tjerë. Por, takimi me Përparim Tomçinin ishte me shumë emocion, ishte kompozitori i këngës së Azem Galicës, një këngë historike. Rimin, siç e thirrnim e kisha përveç mik, e doja fort, pasi brenda tij ishte ajo ndjenja e përbashkët, Shqipëri e Kosovë janë NJË.

Thjesht, frymonim njëjtë! Do të më mungosh o shqipe e Dibrës!

HYSEN UKA, studiues:

Ç’lajm i hidhur. Sa e befasishme ikja jote Rim Tomçini. Sa dhimbje e mall le pas, njeriu i pazëvendësueshëm, artisti, miku dhe shoku ynë i shtrenjtë Rim! Sa tinguj, muzikë, ide e projekte artistike që gjallonin e vlonin në kraharorin, në zemrën tënde Rim, sot nuk pulsojnë më; e ti Rim i dashur do t’i marrësh me vete, duke na lënë ne, në varfëri e boshllëk shpirtëror e intelektual. Ike Rim Tomçini, por ideja dhe krijesa jote “Oda dibrane”, kjo krijese që ti i kushtove jetën, shpirtin dhe talentin tënd, do të jetojë dhe do të të bëje ty të pavdekshëm! Ti nuk u mburre asnjëherë me këtë krijesë, të cilën lakmitarët e të pandershmit, pareshtur janë përpjekur e lodhur ta fshinin me mëngë e ta përllangnin me jargë krijesën në të cilën ti ke gdhendur me mendjen e talentin tënd, emrin “Oda dibrane”. Edhe ideja jote për panteonin e artistëve dhe intelektualëve do të vijë një ditë të realizohet e pavdekësia jote të lartësohet.

Nuk do harrohesh kurrë i çmuari ynë, kuptimi i vërtetë i fjalës vëlla, baba, mik e shok!

Nderimi e lavdia e përjetësoftë emrin tënd!

Ndarja me ty, lamtumira për ty është një dhimbje e madhe jo vetëm për Dibrën, Shqipërinë e Kosovën, për aradhat e UÇK-së, por për gjithë shqiptarinë kudo në botë, Europë e Amerikë.

Lamtumirë, i shtrenjti ynë, Rim Tomçini!

ILIR META, President i Republikës: 

I hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të artistit të talentuar dhe kompozitorit të njohur dibran, Përparim Tomçini.

Me një krijimtari të suksesshme muzikore dhe mbi 400 kompozime me natyrë lirike, epike dhe folklorike, trashëgimia e çmuar që la pas në muzikë dhe art do të kujtohet gjithmonë me nderim, si një shembull frymëzimi dhe motivimi për brezat e rinj të artistëve shqiptarë.

DRITAN KORUMI, mjek:

– Sa keq ta filloj ditën me ikjen tënde, i dashur Përparim!

Po ikën një bashkëshort dhe baba shembullor, një artist që Dibra nuk do ta zëvendësojë dot. Një shok i gëzuar që kurrë nuk na dha mërzi, por me humorin e tij na e bënte më të lehtë ditën, punën- një shok që ta shton jetën.

Ka thënë dikush: “Artistët janë si Shehrezadeja- me çdo vepër që krijojnë, ia shtojnë ditët jetës së tyre”- dhe vërtet, ti je në krijimet e tua, të cilat shumica e dibranëve i këndojnë pa e ditur autorin.

Gjej rast të shpreh vlerësimet më të mira për zonjën tuaj, mësuese Perihanin dhe djemtë e tu, Anin dhe Iglin, që të shërbyen ashtu si e meriton. Gjej rast të uroj mikun e rrallë Arif Vladin, që jo vetëm t’u gjend pranë, por të plotësoi një peng që të mundonte shumë. Gjej rast të falënderoj mikun e rrallë Ilir Shaqirin dhe Presidentin e Kosovës z. Hashim Thaçi për nderimin më të lartë që të dhanë në emër të Republikës së Kosovës, që aq shumë e deshe.

Sa dhimbje! Zoti të paste në parajsë Miku im i Mirë!

DAIM HISENI:

Vëlla, shok, profesor, kompozitor, Mjeshtër i Madh, mbi të gjitha njeri me shpirt artisti, Përparim Tomçini.

Fatlum janë në këtë jetë ata njerëz që kishin rastin t’ju njohin dhe të paktën të pinë një kafe me ju, për të shkruar në biografinë e tyre se vërtetë kanë takuar njeri në këtë botë pa kohë.

Përpos që je njëri nga themeluesit, ti mbetesh shpirti i gjallë i “Odës Dibrane” dhe kulturës shqiptare.

Tani që u largove nga kjo botë, Dibra, Peshkopia dhe mbarë Shqipëria do të kuptojnë se i ka kapluar errësira, ngase që sot u mungon ndriçimi dhe buzëqeshja juaj.

E bëre tamam si artist!

Në kohën kur nga kjo jetë u larguan shumë nga ata që kishin shpirtin e artistit dhe në kohën kur Shqipërinë e ka kapluar bota e materializmit, ti ike t’ju bashkëngjitesh atyre që i deshe dhe të shkosh atje ku prehet qetë shpirti i një artisti.

Rëndë për familjen, por edhe për neve që të kishim mik.

Do të na mungosh deri në ditën kur do të bashkangjitemi.

Ikja jote e hershme më kujtoi Prometheun:

“Mund të më mundni, por s’mund të më thyeni!”

Qëndrove stoik në jetë dhe ike i pathyer në parimet dhe principet e tua.

I përhershëm kujtimi për Ty dhe për krijimtarinë artistike tënden që na e le pas e të kujtohet brez pas brezi!

ALMIRA ZEBI XHEMBULLA, deputete e Dibrës: 

Ah sa vështirë të gjesh fjalën, kur në fakt do të thuash shumë …

U rritëm me këngën tënde, hodhëm valle e gëzuam në dasma e festa, por edhe qeshëm nëpër odat tona sa e sa herë me historitë e batuat e tua origjinale.

Mirënjohje pa fund mjeshtër, për kontributin e madh në muzikë, për përçimin dhe promovimin e vlerave dibrane e mbarë shqiptare. Në çdo varg a notë ke ditur të shprehësh patriotizmin dhe dashurinë për traditën, të bukurën, folkloriken dhe qytetaren.

Kompozitori dhe muzikologu i shquar, autori i dhjetëra veprave muzikore e shumë këngëve e krijimeve në zhanre të ndryshme, që na ka bërë krenar në të gjitha trojet shqiptare! 

Pushofsh në paqe artist i madh i Dibrës dhe i shqiptarisë!

XHEMAL GJUNKSHI, deputet i Dibrës: 

Me keqardhje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të një tjetër artisti, një nga themeluesit e grupit “Na bashkoi kënga popullore”, kompozitorit të mirënjohur, Mjeshtrit të Madh, Përparim Tomçini.

Rimi me talentin e tij i dha vlerë këngës popullore dibrane, duke e bërë këngën e të gjithë shqiptarëve.

Me mjeshtërinë e tij ngriti në nivele të larta e të panjohura dhe i dha përmasat e shpirtit këngës patriotike, ku çoi peshë zemrat e shqiptarëve dhe kosovarëve.

Ngushëllime familjarëve, komunitetit të artistëve dhe gjithë Dibrës!

Lamtumirë “Mjeshtër i Madh” Përparim Tomçini, shok dhe mik i mirë!

Ti do të jesh i gjallë me këngët e tua sa të jetë Dibra!

SHKODRAN TOLAJ:

Për mikun dhe autorin e këngës “Gjaku i Kastriotit”,  Përparim Tomçini.

Lajmi i trishtë në mëngjesin e ditës së sotme për humbjen tënde mik, më bëri të pafuqishëm të gjej fjalët e duhura për ta ngushëlluar veten dhe të tjerët!

Jemi njohur që nga viti 2012, ndërkaq muzika jote më ka frymëzuar në vitet më të rënda të pushtimit të Kosovës dhe sfidave të gjeneratës sime. Ata që nuk të njihnin dhe kishin dëgjuar këngët “Nusja e maleve”, “Ç’po i bjen era retë e zeza”, “Prite, prite Azem Galicën” mbase mund të krijonin imazhin se je një njeri me fizik të fuqishëm si burrat e moçëm të maleve kreshnike, por unë dhe të tjerë që patëm fat të të njohim e dinim se ti kishe pasuri shpirtin e madh, me qetësinë, thellësinë dhe dallgët e një deti.

Ti nuk shkruaje muzikë nga nevoja e momentit, por projektet i mendoje dhe i sillje në momentin e duhur.

Ti gjithnjë shkruaje dhe përshtasje këngët për karakterin e interpretuesit, duke i menduar të gjitha specifikat vokale dhe të karakterit.

E them këtë me bindje, miku im, sepse pas shumë takimesh nga viti 2012, shumica e të cilave kalonte me biseda plot ide për projekte të reja, në vitin 2017 pata fat të kem një krijim tëndin në një jubile të madh, pikërisht në dekadën e shtetformimit të Kosovës. Me këngën “Gjaku i Kastriotit” kam ndjerë shpirtin e madh kombëtar dhe vulën krijuese shqiptare, ku Kosovën me aq dashuri e quaje Lulja më e re në Ballkan. Ishe shumë krenar dhe i lumtur që ky projekt si këngë e videoklip pëlqehej dhe vlerësohej si himni më i ri i shtetit të Kosovës.

Ti, një jetë të tërë ia fale artit kombëtar dhe në këmbim nuk kërkove asnjëherë asgjë!

Jam i lumtur që notat tua tashmë janë pjesë edhe e repertorit të Ansamblit të këngëve e valleve shqipe në RMV, ku si drejtues kam pas kënaqësi ta vendos në programin për prezantimin e parë të ansamblit në Kosovë në 13 vjetorin e shtetit. Ky interpretim i këngës “Gjaku i Kastriotit” nga të gjithë solistët e ansamblit dhe inskenimi koreografik nga prof. Dilaver Kryeziu mbetet një prej realizimeve më të veçanta e madhështore që bën krenar çdo shqiptar.

Falemnderit mik për frymëzimin që na dhe!

Falemnderit mik për muzikën që na fale!

Falemnderit mik që na bëre krenarë me lartësimin e atdheut e kombit!

Ngushëllime për familjen, miqtë dhe gjithë shqiptarët që u le veprat dhe krenarinë!

I lehtë të qoftë dheu i Dibrës sate, që aq shumë e deshe!

Nuk do të them asnjëherë lamtumirë, sepse bashkë me muzikën tënde do më shoqërosh gjatë gjithë jetës!

Përjetësisht përkulje e falenderim për ty!