Kush ishte Përparim Tomçini?


Përparim TOMÇINI u lindur në vitin 1955, në Peshkopi. Në vitet 1970-1974 ka kryer Liceun Artistik “ Jordan Misja” Tiranë në degën Teori Muzike. Në vitet 1975-1979 ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në degën “Kompozicion” me udhëheqës  kompozitorin e njohur Feim Ibrahimi.

  • Nga viti 1976-1979 ka qenë bashkëkrijues dhe anëtar i rregullt i grupit muzikor “Na bashkoi kënga popullore” . Në gusht 1979 deri në nëntor 2012 ka qenë pergjegjes i sektorit të muzikës pranë Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi. Më pas, nga viti 2012 deri në vitin 2015 ka punuar në të njëjtën detyrë pranë Pallatit të Kulturës Kamzë, Tiranë. Në shkurt 2016 kthehet përsëri me punë në Pallatin e Kulturës Peshkopi.
  • Që nga vitin 1982 ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artisteve të Shqipërisë dhe po atë vit është zgjedhur edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit Dibër, detyrë shoqërore që e ka mbajtur deri në vitin 1989. Gjatë dy viteve, 1994 -1996 ka qenë drejtor i  Pallatit të Kulturës Peshkopi.
  • Që nga maji i vitit 1981 deri në nëntor 2012 ka qenë udhëheqës artistik i të gjitha ansambleve artistike e folklorike të rrethit të Dibrës në festivale të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ku është nderuar me çmime të ndryshme të dokumentuara rast pas rasti. 
  • Ka qenë udhëheqës artistik dhe dirigjent i orkestrës së Peshkopisë në të gjitha festivalet kombëtare të këngës qytetare shqiptare që nga viti i themelimit me 1995 në Elbasan. Edhe në këto festivale është nderuar me çmime të ndryshme. 
  • Ka punuar si kompozitor dhe udhëheqës artistik në shoqëri të ndryshme kulturore artistike shqiptare të Maqedonisë së Veriut si  në Dibër të Madhe, Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup.
  • Në 1994 ka qenë një ndër themeluesit, organizuesit dhe drejtuesit e Festivalit të Parë Kombëtar të satirës dhe humorit popullor nëpërmjet këngëve, valleve, riteve, i titulluar “Oda Dibrane”.

Përparim Tomçini ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e krijimtarisë muzikore, në gjini të ndryshme. Është autor i mbi 400 kompozimeve dhe përpunimeve të këngëve e melodive; ndër të cilat mund të përmendim: 

  • Rapsodi për kor, solist dhe orkestër me titull “Isa Boletini”, interpretuar nga kori dhe orkestra simfonike e Institutit të Lartë të Arteve në Koncertet e Majit 1979 me dirigjent Pandi Bellon, e vlerësuar me çmim të dytë;
  • Rapsodi për kor, solist dhe orkestër “Rrënjët në gjak i ka liria”, interpretuar nga kori dhe orkestra e qytetit të Peshkopisë me solist këngëtarin Arif Vladi në takimin kombëtar të ansambleve artistike të klasës punëtore në tetor të vitit 1984 në Durrës, vlerësuar me çmim të parë në konkursin kombëtar të krijimtarisë artistike me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut.
  • Poemi simfonik “Kullat e Boletinit”, interpretuar nga orkestra simfonike e RTSh në Koncertet e Majit të vitit 1986, me dirigjent Eno Koçon.
  • Poemi vokal simfonik “Ecte komandanti, pas i vinin malet” me tekst të Hysni Milloshit, e vlerësuar me çmim të dytë në konkursin kombëtar të krijimtarisë artistike me rastin e 45 vjetorit te çlirimit të atdheut në vitin 1989.
  • Suita simfonike“Fatprerët”, kolonë muzikore e filmit me të njëjtin titull, me skenar të shkrimtarit të njohur Murat Isaku Tetovë dhe regji të Xhevat Limanit, Shkup 1999. 
  • Baladë vokale “Nusja e maleve”, me poezi të Naim Plakut, kënduar nga Ilir Shaqiri në vitin 2004, kushtuar dëshmores  së UÇK-së Xhevë Lladrovci.
  • Poemi vokal “Toka jonë Çamëria”, poezia Ndoc Papleka, kënduar nga Arif Vladi në qershor 2008 në Ditët përkujtimore për Çamërinë në Konispol.
  • Baladë vokale “Të rroku ballin rrezja e diellit”, poezia Naim Plaku, kënduar nga Ilir Shaqiri në vitin 2009, kushtuar aviatorëve të rënë në krye të detyrës.
  • Tablo koreografike “Lulëkuqet e Kosovës”, luajtur nga grupi i valleve të ShKASh “Xheladin Zeqiri” Tetovë me 1999.
  • Elegji “Eja ti, moj nënë”, poezia Naim Plaku, kënduar nga Vera Laçi në 1996, si dhe shumë këngë të tjera të kënduara nga këngëtarë të njohur shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Është autor i përpunimeve muzikore në mënyrë mjeshtërore të “Këngës së Rexhës”, “Pjergullo, moj pjergullo”, “Po vjen zogu përreth livadhit”, “Po këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “O, prite Azem Galicën” etj., këngë të cilat janë interpretuar me nivel të lartë artistik nga Liri Rasha, Sajhe Poleshi, Qerim Sula, Arif Vladi etj.

Përparim Tomçini, për punën dhe krijimtarinë e tij është vlerësuar me medaljen “Naim Frashëri” nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës të vitit 1983. Gjithashtu, është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit III, për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës të vitit 1988. 

Presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi, e ka dekoruar me motivacionin: “Për kontribut të madh për lirinë, për kontributin e madh në muzikë dhe art barazinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këngët e tij kanë qenë frymëzim dhe motivim për shumë gjenerata që u angazhuan për liri, barazi dhe pavarësi”.

Gjithashtu, ai është nderuar me Medaljen e Mirënjohjes nga Organizata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së për kontributin e dhënë me krijimtarinë muzikore që i ka shërbyer kësaj lufte si dhe me mirënjohjen nga Komuna Drenas në Kosovë. Në maj të vitit 2005 është shpallur nga Këshilli i Qarkut Dibër “Nderi i Kulturës Dibrane”. 

Përparim Tomçini u nda nga kjo jetë më 5 qershor  2020, pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, por puna dhe kujtimi i tij do të mbeten gjatë në kujtesën e kulturës sonë kombëtare.