Hasan Hoxha, ndihmësmjeku që shëroi mijëra jetë njerëzish


Me Hasanin jam njohur disa vite më parë, atëherë kur punomin të dy në Fushë-Bulqizë; ai në profesionin e nd/mjekut dhe unë në atë të mësuesit. Edhe sot e kujtoj atë, të veshur me bluzën e bardhë si bora e Malit të Bardhë, që na rrinte mbi kokë gjithmonë deri nga fundmaji i vitit.
Çdo ditë kaloja përpara qendës shëndetësore Fushë-Bulqizë. Dera gjithmonë ishte e hapur. Në të hynin e dilnin njerëz të moshave të ndryshme; burra, gra e fëmijë. Dikush vizitohej, dikush maste tensionin, dikush bënte gjilpanën, dikush mjekonte plagën tek doktor “Hasani”. Kështu e thërrisnin pacientët fushëbulqizas, pasi ai ishte njeri i mirë, i sjellshëm, gojëëmbël, e mbi të gjitha profesionist shumë i mirë. Ashtu siç ma përcaktoi sëmundjen doktor “Hasani”, ashtu më thanë edhe në Peshkopi, bile edhe në Tiranë, – shpreheshin të entuziasmuar pacientët. Doktori vinte edhe në shkollën tonë. Kontrollonte nxënësit për higjienën dhe pastërtinë dhe me mjaft takt e fjalë të ëmbla dinte t’i këshillonte ata veçmas se ç’duhet të bënin më tej……
Hasan Hoxha u lind në fshatin Valikardhë, sot Njësia Administrative Zerqan, rrethi Bulqizë në një familje të varfër me tradita atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje ndërsa atë 7-vjeçar në Zerqan. I kujton edhe sot me shumë respekt e dashamirësi mësuesit e tij të parë të cilët sa nuk u falnin edhe shpirtin e tyre fisnik, vetëm për tu dhënë dije nxënësve. Si të tillë ai përmend: Hysen Shehun, Ferit Lukun, Aqif Muren, Mehmet Arapin, Erifili Tavanxhiun, Idriz Bibën, Ali Pucën, Riza Novakun, Myslim Bratën, Jeshar Kamberin, Skënder Sharkun etj. Shkollën e mesme e mbaroi në Politeknikumin Mjeksor në Tiranë. Ai kujton se në këtë shkollë kishte rregull e disiplinë të fortë. Mësimin e bënin dy orë teori dhe në vazhdim praktikë në spital. Atje i pritnin pedagogë profesionistë. Ata i vlerësonin me notë si të ishin në klasë. Më 1960 mbaroi shkollën e mesme mjekësore me rezultate të mira dhe u diplomua nd/mjek. Po në këtë vit, në shtator, u emërua nd/mjek në Lokalitetin Klenjë (Dibër). I duhej të mbulonte me shërbim mjekësor dhjetë fshatra. Aty iu desh të përballej me shumë vështirësi, pasi kushtet e punës ishin mjaft të vështira. Dhoma e vogël që quhej “Ambulancë” ishte pa xhama, krevati i vizitës i shkatërruar, pa karrige, një bluzë e bardhë, një çarçaf, një primus për të zier shiringat e gjilpanat dhe asgjë më shumë. Qarkullimi në atë zonë bëhej vetëm me pasaportë e leje kufitare. Mjete transporti nuk kishte. Vetëm tri ditë në jave lëvizte një makinë transporti për pasagjerë. I duhej shpeshherë të lëvizte me këmbë edhe në dimër nga Klenja në Shupenzë, kur shkonte në mbledhje në Peshkopi, por edhe për furnizim me ato pak ilaçe në Shupenzë një herë në muaj. Tipike për atë zone ishte sëmundja e mushkërive dhe bajamet e barku i verës tek femijët. Rastet e urgjencave edhe në atë zonë, si kudo, ishin të pashmangëshme. Ishte dimër. Kishte rënë deri në një metër borë. Në fshatin Sebisht që ishte një ore larg Klenjës, ndodhi një rast djegieje tek një person. Iu desh të shkonte disa ditë atje për ta mjekuar. Me mjekim lokal dhe antibiotikë arriti ta shërojë plotësisht. Fjalët më të mira dhe falenderimet e përzemërta ishin të pafundme për të. Shpiriti i gjallë i atij populli kërkonte shërbim mjekësor dhe ai ndonëse me sakrifica ia dha. Pas një viti punë në Klenjë më 1961 e transferuan në Lokalitetin Selishtë. Edhe këtu thuajse kushtet e punës ishin si në Klenjë. I duhej të përballonte vizitat, injeksionet, vaksinimin plus problemet higjienike dhe epidemiologjike. Këtu ai kujton një rast sëmundjeje që i ka lënë shumë mbresa. Një fëmije 6-vjeçar i ishte bllokuar kanali i urinës. Kishte dhimbje të forta dhe nuk urinonte dot. Rruga për në Peshkopi ishte e bllokuar nga dëbora. Me ilaçe qetësuese, me kompresa të ngrohta dhe me thihje të kalemit ia nxora gurin që ishte sa një kokërr fasule,- tregon Hasani. Nga Selishta transferohet në Fushë-Alie më 1962. Duhejt tu shërbente dhjetë fshatrave. Problemet dhe detyrat ishin të njejta si më sipër. Iu desh të bënte punë sqaruese e bindëse me nxënësit dhe prindërit e tyre për problemet e parazitëve dhe të zgjebes. U largua nga aty më 1963 për në Trebisht me përshtpjet më të mira. NëTtrebisht gjeti disi kushte pak më të mira. Problemet shëndetësore dhe rastet e urgjencave qenë të shumta. Këto ai i përballoi vetëm me punë të palodhshme. Në vitin 1964 e tranfserojne në spitalin e Bulqizes. Këtu ai punoi me mjekun Dilaver Sinani. Fituan shumë nga përvoja e njeri-tjetrit. Kur ai mungonte vizitat në spital i kryente Hasani, ndonëse detyra e tij ishte të furnizonte me ilaçe spitalin dhe të mjekonte pacientët sipas mjekimeve që u jepte mjeku. Më 1968 pasi u kthye nga shërbimi ushtarak filloi punë në qendrën shëndetësore Fushë-Bulqizë. Aty bashkë me të punonte edhe një infermiere mami e cila mbulonte gjithë zonën. Aty ai kryente edhe detyrën e mjekut. Shumë punë u desh të bënin për higjenën e pastërtinë në familje dhe në shkollë. Pas një pune intensive më 1969 transferohet në qendrën shëndetsore të fshatit Peladhi, Këshilli i Bashkuar Zerqan. Shërbimi mjekësor duhej shtrirë në të gjithë fshatrat e Shullanit. Edhe këtu, si kudo, kishte problem të ndyshme, por në sajë të punës së bërë bashkë me kolegët ja arritën qëllimit. Më 1973 e transferuan në spitalin rural Zerqan. E caktuan përgjegjës për vaksinimin e fëmijëve plus punën që bënte në spital. Në tremujorin e fundit të vitit 1974 punoi në qendrën shëndetsore Tërnovë. Më 1975 përsëri e emëruan në qendren shëndetësore Fushë-Bulqizë. Aty u desh ta ndërronin disa herë lokalin derisa u vendos në ndërtesën e re që ndërtoi ferma në Fushë-Bulqizë. Këtu ai punoi me mjekët: Leonard Ceta, Idajet Deda, Aqif Lleshi dhe Maksim Cauli. Më 1984 u transferua në Dispanserinë e rrethit Peshkopi me përgjegjës dr. Laim Pucën. Kishte në patronazh zonën e Zerqanit dhe të Bulqizës. Pas vitit 1987 e emëruan ndihmës mjek në minierën e Bulqizës në zonën e parë dhe në zonën D, për të pritur urgjencat që vinin nga galeritë. Në vitin 1988 e riemëruan në qendrën shëndetësore Fushë-Bulqizë. Aty punoi me mjekun Bardhul Guçe. E caktuan përgjegjës për profilaksinë e sëmundjeve ngjitëse dhe vaskinimin e popullsisë. Me ndryshimet që ndodhën në ato vite në vendin tonë edhe në qendrën shëndetësore Fushë-Bulqizë u larguan dhe erdhën disa mjekë: Astrit Xhemali, Anila Beqiri, Roland Keta, Arian Cani, Shemsi Krashi, Rozeta Shehu. Shpeshherë i duhej atij që të kryente vizitat në vend të mjekëve që vonoheshin për të ardhur në pozicionin e punës. Në Fushë-Bulqizë i mbushi vitet e moshës dhe të punës dhe doli në pension. Të gjitha këto sa sipër unë i mora nga biseda që bëra me Hasanin në një ditë të bukur fundgushti. Ai u emocionua shumë dhe pasi u mbush mirë me frymë tha: “Të faleminderit shumë për interesimin dhe bisedën që bëmë. Sot ti më ke bërë 20 vjet më të ri”. Por nuk kishte treguar një të fshehtë, se u kishte shërbyer krejtësisht në mënyrë vullnetare banorëve të fshatit të tij, Valikardhë në çdo kohë. Dhe, që nga viti i daljes në pension vazhdon vizitat në shtëpinë e tij. Kur e pyet për këtë të përgjigjet me një shprehje të bukur: “Tani jam i moshuar, por prap nuk kthej njeri prapë për vizitë”. Për meritat që ka treguar ndër vite në punë, në nëntor 2014 në një simpozium në Peshkopi i dhanë një Certifikatë Mirënjohjeje me këtë motivacion: I jepet Z. Hasan Hoxha nga urdhëri i infermierëve të Shqipërisë për kontributin e çmuar , humanizmin dhe vetmohimin e treguar me punën e vet si infermier ndërvite, në shërimin e mijëra jetë njerëzëve Tiranë, nëntor 2014.
Të shkruash për Hasan Hoxhën është pak, pasi nuk i ke thënë të gjitha. Nuk mund t’i përshkruash dot ecejaket e tij në rastet e shumta të urgjencave apo të vaksinimit, në qendrat shëndetsore, a nëpër shtëpi, kudo ku punoi, deri në skajet më të largta të Dibrës, në kohë të mirë, apo edhe të keqe. Dyzet e dy vitet e punës së tij rrezatojnë mund, djersë për shërimin e të sëmurëve pa fund. Gjurmët e punës së tij kanë mbetur prapa në Klenjë, Trebishtë, Selishtë, Fushë-Alie, Fushë-Bulqizë, kudo ku punoi, si udhërrëfyese për brezat në vazhdim…